INTERVISTA/ Ligjet socialiste të fizikës

0
32

Asnjëherë nuk është ndarë nga PS-ja. Dera e përfaqësimit të Shkodrës, që iu hap këtë herë, e çon drejt një jetë të re përgjegjësish politike, së cilës do t’i kushtohet me të gjitha forcat. Beson tek vota shkodrane, për një parti që do të sjellë shpresën

Nga Alqi Koçiko*, 8 Qershor 2013

Ajo kishte mbetur pak e pakënaqur, kur një mini-intervistë e saj në një të përditshme të Tiranës javën e kaluar, ishte shoqëruar me pak rreshta kurrikulum ku ja bënte mu pasaktësia. “Shkruhej se kisha mbaruar gjimnazin “Çajupi” në Tiranë, në një kohë kur së pari, shkollën e mesme e kam mbaruar në Shkodër, e së dyti, gjimnazi në fjalë as ishte ngritur në kohën time”. Dhe në një bisedë paraprake me zonjën Mimoza Hafizi, emri i parë i listës socialiste në qarkun e Shkodrës, zgjatemi natyrshëm tek cv-ja. Sepse është bërë rutinë “shekullore” tashmë, që një personi t’ja “veshësh” profesionin thjesht për hatër të diplomës së shkollës së lartë. Kështu themi inxhinier, avokat, jurist etj, me një lehtësi që e ofendon profesionin vetë. Për këtë pikë, një tërheqje elegante veshi, fizikantja shkodrane Mimoza Hafizi na e bën edhe gjatë intervistës që do lexoni.

E pra, ajo është fizikante në kuptimin më të plotë të fjalës. E diplomuar në degën e fizikës speciale në vitin 1985, shoqëruar me medaljen e artë një vit më pas, që nga ajo kohë për Mimoza Gjurgjajn (Hafizi) do të niste një rrugëtim i pandalshëm shkencor. E përmbledhur në tekst, veprimtaria e saj në këtë lëmë do të donte më shumë faqe për t’u shkruar sesa ky shkrim. Dhe tek e fundit, nuk është ky qëllimi. Fjala vjen, sa lexues përfshirë dhe autorin e këtyre rradhëve, do t’ja kishin idenë tezës së saj të doktoraturës në Universitetin Paris 7, ““Fushat Skalare Komplekse në Përafrimin Gausian. Yjet Bozonike”?

Me siguri, as kryetari i PS-së Edi Rama, nuk ja thotë në këtë fushë, por ai pati nuhatjen e duhur për të prezantuar socialistët shkodranë në parlament, me emrin e Mimoza Hafizit të parin. Zëvendësministrja e Arsimit në qeverinë e parë socialiste pas ’97-ës, përgjegjësja e departamentit të Fizikës në UT deri para tre muajsh dhe sot kandidatja për deputete, është e bindur se këtë herë Shkodra do të bëjë diferencën. Për cilat arsye do të ndodhë kjo, le ta zbulojmë më poshtë.

-Zonja Hafizi, vendosja e emrit tuaj në krye të listës së PS-së për qarkun e Shkodrës ishte një surprizë e dytë për opinionin publik, po aq sa ç’ishte riangazhimi juaj partiak, i anonçuar nga vetë kryetari socialist Edi Rama. Po për ju vetë ç’përfaqëson ky rikthim, si e përjetuat?

Rikthim? Jo, s’ishte rikthim! Unë kam qenë aty, pa ia da, siç themi ne shkodranët. Herë dukshëm e herë në sfond, herë me zhurmë e herë me heshtje, herë faktor e herë aktor, kam qenë pjesë e çdo ngjarjeje të rëndësishme të katër viteve të vështira opozitare të PS. Kam mbështetur grevën e urisë me ditë e me natë, kam protestuar mes plumbave të 21 Janarit, kam mbajtur një copë nga pesha e rëndë e zgjedhjeve të 8 Majit në Tiranë e kam ngritur bashkë me shoqet Forumin e Gruas Socialiste. Ju e perceptoni si rikthim, ngaqë politika në syrin e gazetarit sillet rrotull deputetëve. Por një parti do ishte tepër e varfër, madje inekzistente nëse mbahet vetëm nga deputetët e saj, apo jo?

Ajo çfarë perceptohet si rikthim ishte vetëm shpallja në listën e kandidatëve për deputetë. E para, në qarkun e Shkodrës nuk ishte aq një surprizë sesa një ngjarje e bukur për mua dhe qytetin tim, me të cilin më lidhin fillimet e jetës. Jam lindur e rritur në Shkodër, jam shkolluar deri në maturë në gjimnazin e saj me emër, ndër më të hershmit e më të dëgjuarit për brezat që ka shkolluar. Pas 30 viteve të mbushura plot me shkencë, do jem deputete e Shkodrës – kjo është një derë që m’u hap drejt një jete tjetër, së cilës dua t’i përkushtohem në të gjitha përmasat.

-Kryetari Rama ju falenderoi publikisht ju dhe Musa Ulqinin, si socialistë të vërtetë që nuk mbajtën inate edhe kur u spostuan nga strukturat drejtuese të PS-së. Njëfarë mea culpa nga ana e tij, apo jo? Si ndodhi kontaktimi dhe njoftimi për këtë kandidim?

Mendoj se më tepër ishte konkluzioni i një refleksioni të gjatë lidhur me marrëdhënien individ-parti. Sidomos në një parti të madhe si PS; i refleksionit që partia të jetë mjedisi ku lidhja mes kontributeve e vlerave të gjithsecilit të jetë lineare me karrierën partiake e politike. I refleksionit që individi të dijë t’i shpenzojë pozitivisht energjitë e emocionet e veta në këtë mjedis. Jo për të goditur e shkatërruar, po për të ndërtuar a përmirësuar ngrehinën e përbashkët.

Njoftimi? Unë e dija paraprakisht që do isha në listën e Shkodrës, por vetëm në çastin e komunikimit mediatik e mora vesh se do prezantoheshim bashkë me Musain. Dhe se kryetari do jepte atë mesazh, që ju e quani mea culpa. Më erdhi mirë, kuptova se historinë tonë të përbashkët të atij bashkëpunimi të gjatë e kishim përjetuar fort jo vetëm ne, por edhe kryetari.

-Në fakt, sipas jush si ka evoluar PS nën drejtimin e zotit Rama?

PS është kthyer në një parti europiane me plot kuptimin e fjalës. Parti me program të qartë, me ekipe të plota e shumë cilësore, me motorë të ndezur gjithë kohën. Parti ku secili e sheh të shkruar kontributin e vet, qoftë në program e qoftë në rezultate. E njoh gjerësisht dhe e respektoj këtë parti, jo vetëm për lidershipin energjik e të talentuar, por edhe për bazën, militantët e saj të përkushtuar, qytetarë të devotshëm të vendit tonë.

-Kryesoni listën socialiste në Shkodër, ndërkohë që përballë jush është nënkryetarja e PD-së Topalli. Tashmë “keni ngritur çadrat” në Shkodër për fushatën elektorale. Si e ka pritur elektorati listën socialiste e kandidimin tuaj në veçanti, në perceptimet e kontaktet që keni pasur?

Lista e kandidatëve të PS për deputetë është mirëpritur, sepse integron përbërëset më me peshë të realitetit shkodran, komunitetet, shtresat sociale e origjinat krahinore. Kjo listë ka ngjallur besim për nga cilësia dhe përkushtimi i kandidatëve, njerëz me formime e profesione të ndryshme, që nga arsimi, mjedisi, traditat historike dhe arkitekturore, prodhimi, ndërtimi, shëndetësia. Skuadra socialiste është aktive sepse bashkon stilet e ndryshme të komunikimit dhe lidhjes me elektoratin, bashkon përvojën e gjatë me risinë, njohjet derë më derë me komunikimin mediatik.

Unë vetë jam profesore në fizikën teorike, pas një rrugëtimi të gjatë e me plot ngjarje të bukura në jetën shkencore, për të cilin shumë nga qytetarët e Shkodrës kanë qenë të vëmendshëm. Kam mbaruar me medalje të artë gjimnazin, po kështu dhe studimet universitare i kam përfunduar me medalje të artë. Jam doktoruar në një nga universitetet më të mira franceze, në Paris 7. Kam aktivitet të pasur me konferenca e botime në revistat më prestigjioze të fushës sime. Rrjedh nga një familje e nderuar në qytet e kam krijuar me përkushtim, si çdo nënë, edhe familjen time të konsoliduar, me dy vajza tashmë të rritura. Besoj se Shkodra më çmon si për komponenten time shkencore, që shkon në rrjedhë me shijet e saj të njohura ndaj kulturës e intelektualizmit, ashtu dhe për anën qytetare.

-Zonja Hafizi, duhet thënë se lista socialiste është prezantuar fuqishëm në qark, ndërsa nga pala tjetër duhen llogaritur edhe zërat se nënkryetarja e PD-së ka përplasje në shefin Berisha. A mendoni se është ky momenti avantazhues për të majtën, për një rezultat historik në Shkodër, dhe cili do të ishte ky rezultat?

Rezultatin e këtyre zgjedhjeve në Shkodër s’e shoh fare të lidhur me acarimet mes klaneve brenda Partisë Demokratike, që mua nuk më ngacmojnë ndonjë fije kurioziteti, por as elektoratin me halle e probleme jetike s’besoj ta argëtojnë. Në këtë fushatë, pala tjetër bën mirë të japë llogari për varfërinë e papunësinë në qarkun tonë, për premtimet tërësisht të pambajtura, në vend që të bëjë spektakël zemëratash e inatesh personale. Se zemëratën e bartin shkodranët që kanë parë në vite si instalohen klane klienteliste, se si marrin hov normat korruptive në emërime, se si zhbëhet cilësia e shërbimit në administratë, se si nxënësit e mësuesit, mjekët e infermierët thirren në apel si ushtarë të politikës, se si krimi kërcënon jetën përballë policisë së pafuqishme.

Ajo që më intereson në këtë fushatë është lidhja jonë me elektoratin.

Rezultati historik që synojmë është mazhoranca brenda në Shkodër. Jo vetëm se duam të kemi shifra plebishitare për rilindjen tonë. Por se një balancë e re politike është e nevojshme dhe e dëshiruar në këtë qark, për të ndryshuar disa mentalitete të ngurtësuara e për të prishur lidhjet e dëmshme e të përfolura klanore. Që Shkodra të marrë një frymë lirisht!

-Qyteti i Shkodrës ka përjetuar përmirësime infrastrukturore, por nuk duhen harruar përmbytjet e shpeshta të fshatrave dhe vetë qytetit. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar edhe akuzat për klane e tarafe të pushtetit (siç përmendët), që kanë kondicionuar jetën publike dhe ekonomike në qytet. Cilat janë armët e ekipit tuaj në këtë fushatë, për të kërkuar votat e shkodranëve, në qytet dhe fshat?

Programi ynë për Shkodrën drejton gishtin kryesisht te papunësia, që ka arritur majat në këtë rajon. Ne po projektojmë një platformë të drejtimeve kryesore që do nxisin punësimin, që nga artizanati, industria, bujqësia, turizmi, teknologia e informacionit e deri te rimëkëmbja e arsimit për punësim. Premtimet tona prekin çështjet më të ndjeshme të jetës qytetare, legalizimet e banesave, infrastrukturën jetike për komunitetet, përmirësimin e shërbimeve në administratë e sigurisht shmangien e traumave nga përmbytjet e shkatërrimet e përvitshme. Gjithçka për përmirësimin e nivelit të jetesës.

Arma jonë e parë është programi i qartë, i hartuar nga specialistët më të mirë në komunikim me mijra shqiptarë. Arma tjetër padyshim skuadra shkodrane e rilindjes, njerëz me emër për suksese në profesionet e fushat e tyre. Që japin besim në vullnetin për të mbajtur premtimet e dhëna elektoratit.

-Zonja Hafizi. Për shkak të profesionit ju keni qenë e zëshme edhe lidhur me çështje të arsimit. Kryeministri deklaroi së fundi, në trajtë ftese madje, se “mësuesit janë të lirë të propagandojnë politikisht”. Nga ana tjetër, Edi Rama është shprehur hapur për rishikimin e motos demokrate “diploma për të tërë”, kur të vijë në pushtet. Një mendimi i juaji për këto dy tema…

Ajo çfarë ka ndodhur me arsimin në këto 8 vjet është kapitulli më i hidhur i një qeverisjeje pa mend e pa zemër. Dëmi do ndjehet gjatë, sepse arsimi është fusha ku mbillet e ardhmja. Politizimi i shkollës është vetëm shfaqja flagrante e asaj që në fakt ndodh përditë në heshtje e terr. Arsim që ecën kuturu, me kthesa marramendëse vit pas viti. Tekste jashtë çdo standardi cilësie, që po ua zvjerdhin shkollën fëmijëve e prindërve. Mësues përditë e më të pakualifikuar, jo për fajin e tyre, por të një sistemi që i ka nxjerrë krejt jashtë vëmendjes. Sistem universitar i dalë duarsh, jashtë kontrollit të shtetit e publikut. Që po godet të ardhmen e rinisë!

Në këtë kaos ne do ruajmë qartë fillin e arsyes dhe të veprimit, që ta kthejmë këtë masë kaotike në një arsim për punësim. Të japim shkencë e dije, por të japim dhe zanat. Që rinia të mos jetë e papuna e madhe e vendit. Që secili të ndërtojë jetën e vet të pavarur që në moshë të re. Dhe këtë transformim nga kaosi duam ta bëjmë me sa më pak kosto për vendin.

– Po përdor një figurë letrare, duke qenë se simbolikisht kemi përballë një matematikane (zonjën Topalli) dhe një fizikane (juve). Matematikisht Shkodra është konsideruar bastion i padiskutueshëm i të djathtës. Ka ardhur pra koha të triumfojnë ligjet e fizikës? Çfarë mesazhi keni për zgjedhësit?

Matematikan dhe fizikan janë emra të mëdhenj, që nuk fitohen thjesht me një cikël të parë studimesh. Janë grada që merren në një rrugëtim të gjatë në shkencë, me energjinë e dashurinë e një jete të tërë mbi libra a në laboratore. Në emër të kësaj jete jam përpjekur pareshtur t’i jap klas profesionit të shkencëtarit në Shqipëri. Prandaj trazohem nga inflacioni i emrave shkencorë, që shpesh përdoren pa kujdes si etiketa!

Çfarë thonë ligjet e fizikës për Shkodrën? Goditje të panumërta kanë çorientuar lëvizjen e saj normale. Lëvizjen normale drejt zhvillimit. Ka ardhur koha që Shkodra të fitojë drejtimin e duhur për të gravituar rreth një mase të madhe. Masës së përbashkët të të gjitha rajoneve të vendit. Dhe kjo të gravitojë rreth një mase shumë më të madhe. Bashkësisë europiane ku ne duhet të integrohemi sa më parë.

Kjo lëvizje është rilindja e premtuar nga Partia Socialiste.

*Revista KLAN