Në një intervistë për gazetën Express në Kosovë, botuesi i gazetës TemA, Mero Baze, flet për zgjedhjet në Kosovë, pritshmërinë e shqiptarëve nga politika dhe rreziqet që cenojnë më së shumti kombin shqiptarë aktualisht.
Ai thotë se korrupsioni dhe religjioni janë dy armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve sot.
“Ne nuk jemi dy vende të korruptuara. Ne jemi një komb i korruptuar, dhe kjo rrezikon të na damkosë si një komb pa vlera. Kudo ku ka shqiptarë në Ballkan vidhen vota, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Kudo ku ka shqiptarë, ka probleme me qeverisjen, tribalizimin, tenderat, antivlerat në pushtet etj. Janë të gjitha produkte të një kombi, i cili nuk ka marrë seriozisht betejën me korrupsionin. Ende e trajton si çështje morale. Në fakt është çështje esenciale që ndan një shoqëri të zhvilluar nga një shoqëri primitive, pa rregulla dhe me kulte cubash”.
Baze thotë po ashtu se tendencat religjioze në Kosovë duhen ndalur me çdo kusht.
“Kosova është e “dënuar” të jetë një shoqëri pro-perëndimore, jo vetëm se ekzistenca e saj i detyrohet Perëndimit, por dhe se e vetmja mënyrë që të mbetet shtet, është të jetë perëndimor. Nuk mund të ketë një Kosovë anti-perëndimore me tendencë drejt botës arabe dhe lindore. Nuk kemi për ta lënë as ne si shqiptarë. Do të jetë fundi jonë i përbashkët…”
http://gazetaexpress.com/?cid=1,13,123699
Intervistoi: Shpend Limoni
Z. Baze, ju jeni e njihni situatën në Kosovë, po supozoj që edhe tani jeni duke përcjellë zhvillimet këtu, përfshirë edhe fushatën e zgjedhjeve lokale? Si ju duket Kosova e vitit 2013 në aspektin politik dhe në segmente tjera?
Kosova ka një zhvillim atipik politik në raport me historinë e saj, me problemet sociale që ka dhe pritshmërinë për të ardhmen. Kosova nuk ka një skenë politike bipolare, siç janë rëndom në Ballkan, por një spektër të copëzuar politik, që vërtitet mes krahinarizmit, historisë dhe radikalizmit. Aty mungon një front i qartë i pushtetit dhe opozitës dhe të gjithë kufijtë mes partive janë relativë. Është i vetmi vend i rajonit ku partitë janë pozicionuar ndaj njëra- tjetrës në raport me Luftën dhe vazhdojnë të përdorin atë hipotekë për kredo politike. Si rrjedhojë kemi tre parti të mëdha të dala nga UÇK, LDK, që vjen nga historia e përpjekjeve për t’u shkëputur nga ish- Jugosllavia përmes formalizimit të një shteti paralel, dhe parti të reja të parëndësishme.
Ky diferencim mbi këtë kriter, ka bërë që në Kosovë askush nuk e di para zgjedhjeve se kush do të jetë qeveria e nesërme, pasi mund të ndodhë që parti që bëjnë fushatë si opozitare, të jenë pjesë e pushtetit që luftuan. Kjo dëmton rëndë moralin në politikë dhe e bën të pakuptimtë betejën politike.
Kosova duhet të kultivojë praktikën e koalicioneve të mëdha parazgjedhore me profil të qartë opozitar dhe profil pushteti me qëllim që qytetarët të dinë nëse janë duke votuar për ndryshimin apo për statu quo-në.
Kjo do ta bënte më të shëndetshme politikën dhe më pak eksperimentale. Kështu siç është Kosova, duket sikur u bën oferta personale qytetarëve dhe jo oferta politike. Askush nuk e ka të sigurt që LDK nuk do bëjë koalicion me PDK, që AAK nuk do jetë dikur me PDK, që PDK nuk do jetë dikur me Vetëvendosjen, etj.
Kjo situatë, sidomos para zgjedhjeve parlamentare, duhet të marrë fund. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë nëse do votojnë për qeverinë apo për opozitën.
Edhe zgjedhjet vendore si këto të 3 nëntorit duhet të përdoreshin për një gjimnastikë demokratike në këtë drejtim. Por me sa duket moskomunikimi politik po bën punën e vet dhe po e mban të fragmentuar si opozitën, ashtu dhe qeverinë.
Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga z. Thaçi, këto pesë vite nuk ka arritur ta qeverisë vendin si duhet. A mendoni se kosovarët mund ta ndëshkojnë këtë subjekt pavarësisht se partitë opozitare kosovare nuk përbëjnë alternativë serioze?
Nuk mund të jap receta politike për kë duhet të votojnë qytetarët në Kosovë, por këmbëngul se qytetarët në Kosovë duhet ta dinë nëse janë duke votuar pushtetin apo opozitën. Me këtë copëzim të spektrit politik dhe mungesë komunikimi, opozita dhe pozita janë të ndara nga një kufi i paqartë. Qytetarët duhet të ndëshkojnë fenomene të tilla si korrupsioni, mungesa e lirisë ekonomike, vjedhjen e votave, nepotizmin dhe tribalizimin në pushtet. Për t’i ndëshkuar këto, është e nevojshme të dinë për kë po votojnë.
Pse sipas jush LDK nuk ia ka dalë t’i bëjë një opozitë fortë Hashim Thaçit, sikur Rama që bëri me Berishën?
LDK është një shembull i qartë se si një parti të madhe historike e dërrmon tallja me idealin e saj. E krijuar si një parti demokratike, ajo injoroi fuqinë që të jep një lojë me rregulla dhe një funksionim demokratik i partisë, dhe zboi njëri pas tjetrit grupime intelektualësh dhe themeluesish, bazuar mbi raportin e dëgjueshmërisë që ata duhet të kishin me parinë e partisë. Kjo i hoqi LDK-së fuqinë që buronte nga intelektualët, sigurinë e një elite që mund të kontribuonte në shtetin e ri të Kosovës dhe mungesën e moralit për të qenë një opozitë e fortë. LDK po ashtu vuan tani modelin e qeverisjes së Prishtinës dhe projektimin e këtyre problemeve si model qeverisjeje në të ardhmen. Nuk besoj se ngjallin shumë shpresë duke u sjellë rrotull dy tri emrave. Vetëm një hapje serioze e partisë, një rithemelim formal i saj mbi vlerat që u ngrit në vitin 1989, mund ta hapë garën dhe të sjellë një brez të ri me vlera dhe pa komplekset krahinore, politike dhe ndoshta ideologjike që mbajnë peng atë parti. Ajo po drejtohet ende nga elita e fundit e ish- Jugosllavisë në Kosovë, ndërkohë që brezi i fëmijëve të tyre vlejnë më shumë se ata.
Dihet që dy vendet ngecin në zhvillimin ekonomik, ka korrupsion dhe shumë gjëra negative që përshkruhen shpesh në raporte të ndryshme ndërkombëtare. Kush i ka punët më keq sipas jush, Kosova apo Shqipëria?
Korrupsioni është i vetmi armik kombëtar që kemi si komb. Ai është kthyer në motiv për t’u marrë me politikë dhe për të qenë pjesë e pushteteve. Ai po shkatërron lirinë ekonomike dhe vlerat intelektuale, të cilat nuk depërtojnë dot në pushtet për shkak të standardit që kërkon një vend i korruptuar. Ne nuk jemi dy vende të korruptuara. Ne jemi një komb i korruptuar, dhe kjo rrezikon të na damkosë si një komb pa vlera. Kudo ku ka shqiptarë në Ballkan vidhen vota, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Kudo ku ka shqiptarë, ka probleme me qeverisjen, tribalizimin, tenderat, antivlerat në pushtet etj. Janë të gjitha produkte të një kombi, i cili nuk ka marrë seriozisht betejën me korrupsionin. Ende e trajton si çështje morale. Në fakt është çështje esenciale që ndan një shoqëri të zhvilluar nga një shoqëri primitive, pa rregulla dhe me kulte cubash.
Duhet t’ia heqim kombit këtë damkë. Nëse nuk e marrim si mision kombëtar, bëjmë gabim të rëndë, nuk është çështje pasurie personale, por çështje e një pasurie që nuk ka vlerë ne një vend që quhet vend cubash. Më lejoni t’u pyes ju se çfarë bën një shqiptar që ka dhjetë milion euro në bankë në uikend? Asgjë. Nuk ka ku të shkojë, nuk ka teatro, opera, kinematografi, resorte të mira, vende elitare apo mjedis perëndimor. Nuk të vlen pasuria në një vend ku komshiu nuk ka bukë të hajë. Ky është një vend me të pasur dhe të varfër dhe mungon populli mesatar midis. Duhet ta zhdukim këtë trashëgimi të korrupsionit. Duhet të bëjmë një shoqëri normale, ku diferencat të jenë të vogla dhe jeta më modeste. Askujt nuk i vlejnë pasuritë e paligjshme në një atdhe që nuk i shijon dot.
Çfarë janë elitat politike të Kosovës dhe Shqipërisë. A kanë kapacitete ato për t’iu ndryshuar për të mirë shoqëritë?
Shqipëria po shkon drejt një brezi të dytë politikanësh duke dalë nga tranzicioni i vitit 1990. Edi Rama dhe brezi i ri i socialistëve janë një risi, për të cilën nuk jam i sigurt si do mbijetojnë në një parti me bazë të fortë ideologjike të së majtës ekstreme. Brenda Partisë Demokratike nuk ka shenja jete pas Berishës. Basha është një kukull, i cili nuk ka bërë asnjë betejë në jetë të tij, dhe nuk gjeneron dot ende një brez të ri politik. Ai është një pasardhës që po i dorëzojnë një trashëgimi, por që nuk e ruan dot po vdiq i zoti i vërtetë i shtëpisë. Rama, ndryshe nga ai, e mori vetë Partinë Socialiste. Këtij ja kanë dhuruar dhe ende nuk e beson.
Por dhe aty do të ketë zhvillime, do ketë një brez të ri post-Berishë, dhe shpresojë që në zgjedhjet e reja të kemi konkurrentë që do t’i japin fund brezit të parë të politikanëve të tranzicionit.
Në Kosovë, kjo histori është paksa më pesimiste. Partitë e dala nga UÇK vazhdojnë të dominohen nga Thaçi dhe Haradinaj gati si parti krahinore dhe tribale. Nuk e them këtë në kuptimin negativ, por duke gjykuar mbi fuqinë politike që kanë ndërtuar mbi këto kritere. LDK është e atrofizuar tek lidershipi i vjetër, i cili më shumë mendon si të dalë në pension në karrige, se sa si të sjellë LDK-në në pushtet.
Vetëvendosja është i vetmi produkt i ri politik i këtyre viteve, të cilët kanë bërë një kombinim perfekt mes të dukurit nacionalistë, por duke i fituar pikët realisht si kritikë të qeverisë. Duke qenë të ashpër me korrupsionin dhe fenomene të qeverisjes, ata kanë mundur t’i faturojnë këto pikë si nacionalistë. Kjo bën të duket sikur në Kosovë ka ende terren nacionalizmi, por në fakt ka më shumë terren opozitarizmi. Rreziku i vetëm që vjen nga kjo parti, është shkelja e syrit për një tendencë myslimanizmi në Kosovë. Kjo është e pasinqertë, e pandershme, e padobishme, bile dhe e pafytyrë kur bëhet nga nacionalkomunistë që kanë një formim bazal ateist. Unë e respektoj shumë Albin Kurtin, por ai nuk duhet t’i jap asnjë shans përmes politikës së tij perspektivës fundamentaliste të Kosovës. Edhe si lojë është e rrezikshme, jo më si mënyrë të vepruari.
Cili është rreziku më i madh që iu kanoset më së shumti aktualisht shqiptarëve, çështjet religjioze, keqqeverisja apo ndonjë rrezik tjetër?
Mendoj se korrupsioni dhe tendencat religjoze shkojnë në harmoni me njëra- tjetrën pasi ushqejnë njëra- tjetrën dhe i japin shans njëra- tjetrës të zhvillohen. Religjozët hiqen si puritanë që do na shpëtojnë nga korrupsioni, kurse të korruptuarit si heronj anti-religjiozë. Armiku i të dyve duhet të jetë shteti ligjor dhe laik, një shoqëri properëndimore, ku feja është problem i brendshëm i qytetarit dhe jo i shtetit, dhe një shtet, i cili dikton rregulla loje të njëjta për të gjitha. Kosova është e “dënuar” të jetë një shoqëri pro-perëndimore, jo vetëm se ekzistenca e saj i detyrohet Perëndimit, por dhe se e vetmja mënyrë që të mbetet shtet, është të jetë perëndimor. Nuk mund të ketë një Kosovë anti-perëndimore me tendencë drejt botës arabe dhe lindore. Nuk kemi për ta lënë as ne si shqiptarë. Do të jetë fundi jonë i përbashkët. Lufta jonë e vërtetë civile!