TemA, 9 Gusht 2012
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ish drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, shpreh shqetësim lidhur me ndryshimin e kreut të SHISH-it. Ndonëse është normale që kryeministri të ketë një njeri që do vetë në krye të institucionit informativ, thotë zoti Klosi ai asnjëherë nuk e ka thënë përse nuk i ka pëlqyer drejtori që u lirua nga detyra.
Zoti Klosi, nga pikëpamja formale ndryshimi është bërë në përputhje me ligjet. Përse bëhet kaq zhurmë për vendimin e sotëm? Shefi i Shërbimit Informativ është një nga ndihmësit e kryeministrit; por dihen marrëdhëniet jo fort te mira që kryeministri ka patur me zotin Shaqiri. Në këto kushte a nuk është normale që shefi i ekzekutivit të zgjedhë një person me të cilin ai mund të bashkëpunojë?
Sigurisht është kështu siç thoni ju dhe formalisht është në rregull; ka propozuar kryeministri, ka dekretuar presidenti. Por, kjo është një lojë e vjetër.
Kryeministri ka dashur ta heqë (zotin Shaqiri) që kur erdhi në vitin 2005. Madje kryeministri deklaroi se do ta kalonte Shërbimin Informativ nën Ministrinë e Brendshme, pra ka qenë një problem i vjetër i tij. U mundua shumë herë dhe të bën përshtypje jo pse e hoqi, por të bën përshtypje që sapo u caktua presidenti i ri, ndoshta ishte nga detyrat e para që kishte marrë përsipër, unë jam i sigurt që marrëveshja për t’u bërë president ka pasur brenda edhe heqjen e drejtorit të Shërbimit Informativ, dhe presidenti para ca ditësh na bëri deklaratën që është kompetencë e kryeministrit, që ishte e gabuar, ai u ngut për të thënë që unë do ta heq drejtorin e Shërbimit dhe sot më në fund e hoqi.
Unë e quaj normale që kryeministri të ketë një njeri që do ai, por nuk e di, nuk e ka thënë asnjëherë në këto 7 vjet, pse nuk i ka pëlqyer ky drejtor shërbimi. Kjo tregon që ai do të ketë një njeri të vetin atje, por të vetin jo pse do të ketë besim tek ai, por se me të, ai do të bëjë gjëra të frikshme. Ky është problemi i vërtetë.
Zoti Klosi, a mendoni se ka vend për shqetësim?
Mendoj se ka vend për shqetësim. Zgjedhjet janë afër, eksperienca e drejtorit të sotëm në SHIK-un e Gazidedes ku u mor fort me zgjedhjet e vitit 1996, besoj se është një nga parametrat që ka shërbyer për ta zgjedhur, ndaj them që është për t’u trembur. Formalisht është në rregull, siç thatë ju.
Zoti Klosi, a nuk është disi herët për të bërë paragjykime?
Nuk është herët për paragjykime. Ne e dimë eksperiencën e atij që është caktuar. Ai ka pasur një eksperiencë në Shërbimin Informativ dhe ai shërbim vërtetë ka qenë anatemuar për plot probleme, midis të tjerave, mbase më të rëndësishmen, për një pjesëmarrje të fuqishme në ato që ndodhën në zgjedhjet e vitit 1996, kështu që nuk e quaj shumë herët. Nuk duhet të harrojmë eksperiencën. Kryeministri kishte rast për të emëruar të tjerë sa të duash, nuk është mangut Shqipëria për nëpunës të shtetit.
Një reagim i parë nga partnerët e Shqipërisë erdhi pikërisht nga Shtetet e Bashkuara, të cilat shprehën rezervë lidhur me kohën, apo arsyet e këtij shkarkimi, apo vendimi. Ndonëse nuk është e detyrueshme, a ka qenë praktikë pune që për poste të tilla të ketë një lloj komunikimi me partnerët strategjikë?
Unë them që sot akoma më shumë se ç’është në traditën tonë. Tani ne s’jemi më ai shtet i dikurshëm siç ishim për shembull kur u hoqa unë. Tani jemi anëtarë të NATO-s dhe unë e di që Shërbimet janë një nga institucionet që ne na lidhin me NATO-n siç është edhe ushtria, për shembull, dhe Ministria e Mbrojtjes. Kështu që një konsultim me partnerët, sigurisht, për mua, do të ishte i nevojshëm. Unë kam parasysh, vite më parë, kur u bë një përpjekje e ngjashme për ta hequr Drejtorin e Shërbimit, erdhi këtu vetë Shefi i NATO-s dhe u konsultua me qeveritarët tanë dhe nga kjo gjë ata u tërhoqën. Mua më duket që kjo ngutje që është bërë tani, në këtë periudhë vere, kur nëpunësit e lartë edhe në vendet e tjera janë me pushime, ka lidhje tamam me këtë, që t’i kapi papritur ata, të bëhet fakt dhe ata të mos ndërhyjnë dot më.
A prisni ju një përçarje me Shtetet e Bashkuara në lidhje me vendimin e sotëm?
Unë do uroja që jo, natyrisht! E mirë nuk është! Tani jemi në pozita të tjera, nuk kemi vetëm një miqësi të shprehur me Shtetet e Bashkuara por kemi edhe një miqësi të akorduar me një aleancë të rëndësishme dhe për këtë arsye them që duhet të jemi më seriozë me këto gjëra.