INTERVISTA/ Idrizi: Nëse nuk kalon rezoluta çame, jap dorëheqje si kryetar partie. Kam shumë rezerva për qeverisjen

0
30

Flet Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet

Bisedoi: Ilva Tare, Tonight, 6 Korrik 2012

Java çame ishte një javë e organizuar mirë, jeni euforik për këtë?

Jo, s`mund të jesh euforik në raste të tilla, është bërë tradicionale java e Çamërisë, ka një datë memorie që është data 27 qershor e miratuar dhe në Parlament. Jemi në garë me veten për të sjellë çdo herë një prezencë akoma më të madhe, jo vetëm në njerëz por edhe të kulturës çame.

Mos vallë ky ndryshim lidhet me zgjedhjet e 2013-ës?

Nuk ka të bëjë me këtë, jemi në një vit jubilar. Çamëria është pjesë vitale e kombit shqiptar dhe si e tillë nuk mund të mos ishte prezent, duke dalë kështu nga sallat e mbyllura dhe duke kaluar në sheshet e Tiranës. Çamëria dhe Kosova padrejtësisht janë jashtë Shqipërisë. Falë përpjekjeve të gjithë popullit shqiptarë u arrit të stopohej ajo shpërngulje e çamëve drejt Turqisë. Ne patëm parasysh faktin që në 100 vjetor të vinim si pjesë e qenësishme të Shqipërisë.

Çështja çame a bie ndesh me integrimin, që thotë të lëmë pas të kaluarën?

Shqiptarët nuk janë siç kanë qenë më parë, sa më shumë ti afrohemi BE-së, aq dhe më afër është zgjidhja e çështjes çame.

Projekti i varrezave, pse kaq vonë, dhe pse jo shteti?

Është vërtet shumë vonë, por shqiptarët e Çamërisë jo vetëm që kaluan një gjenocid, por dhe politikat mbrapa ishin teknikat politike diskriminuese, duke u mohuar çdo të drejtë kombëtare, por dhe ekonomike. Jo vetëm janë shpërngulur 90% e çamëve, por 20% e tyre janë vrarë, janë shfarosur. Është një borxh shume i madh që ne po u shlyejmë këtyre njerëzve. Gjatë komunizmit jo vetëm që mbetën në harresë, por dhe u marxhinalizuan si racistë, është një vonë e madhe edhe gjatë 20 viteve, por më në fund u arrit të kenë një varrezë dinjitoze, si një Mekë apo Jeruzalem shqiptar. Monumente të tilla kujtese na duhen që mos të përsëriten më ngjarje të tilla. U betova që do ngremë një varrezë dhe e arritëm, jam betuar që do kthehemi në Çamëri dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Pas varrezave të dëshmorëve kjo ishte tentative e parë për të bërë monumente në Shqipëri.

Kur nis projekti dhe kur përfundon?

Ne kemi nisur punimet, e inauguruam me mbjelljen e një fidani dhe do përfundojë nga marsi, por do të inaugurohet në 27 qershor të vitit tjetër. Kostoja e këtij projekti është 110 milionë lekë të reja, ku 77 milionë do të mbulohen nga Qeveria dhe Komuna e Markatit, pjesa tjetër e komunitetit çam.

Pse nuk ishte Tahir Muhedini në Qafë Botë?

Kishim organizuar paralelisht disa aktivitete, ai ishte prezent në një event të tillë në Nju Jork.

Pse nuk pati parti të tjera të ftuara, si AK p.sh?

Ne hapëm një ekspozitë në Tiranë, ku aty ftuam të gjithë përfaqësinë, trupi diplomatik, deputetë në dy krahët, zoti Rama. Ne u kemi bërë ftesë të gjithëve edhe për Qafë Botë. Kush e ka ndierë të vijë, ka ardhur.

Keni nevojë për aleatë në këtë kauzë?

Çështja shqiptare e Çamërisë nuk na përket vetëm neve, është çështje e të gjithë shqiptarëve, dhe një gjë të tillë e vërtetoi dhe grumbullimi në Qafë Botë.

Çfarë është ky raport specifik i juaji me Albin Kurtin?

Ne kemi raport me gjithë partitë që kanë themel çështjen kombëtare, por kemi specifikë me partitë që kanë dalë nga lufta. Neve na bashkon bashkimi i të gjithë trojeve shqiptare, është një përqasje programore e partive tona. Nuk na pengon kush të bashkohemi qoftë gjeografikisht me heqjen e kufijve, ekonomikisht, kulturalisht, mjafton të krijojmë kushtet për ta prekur këtë ditë.

Artikulli i Zhejit, mos ta ktheni thjesht në manifestim folklorik?

Së pari e falenderoj për artikullin. Votat tona janë të matura që nga Tropoja deri në Sarandë, sa na përket ne si parti. Kërkesat tona janë një falje nga shteti grek që do vazhdojmë ta kërkojmë, kërkojmë marrjen e statusit të atdhetarizmit të çamëve për ata që iu interesojnë, po kështu edhe të drejtën e pronësisë. Ne në rrethin e Tropojës jemi forcë e parë, në Sarandë forcë e tretë, në Durrës e Fier po ashtu. Zgjidhja e çështjes së çamëve lidhet shumë dhe me shtimin e pranisë politike. Ka qenë shumë më e vështirë deri në 2004 të nxirrje qoftë një artikull për Çamërinë, më pas rezoluta e braktisur nga parlamenti në 2004, madje aktivistët e këtij komuniteti janë rrahur barbarisht nga policia shqiptare, që sot nuk mund të imagjinohet një gjë e tillë.

Pashë që Ilir Kulla ishte prezent me ju?

Ka pasur një angazhim të hershëm në këtë parti, kështu që prania e tij nuk është ndonjë gjë e re.

Si mendoni se do të ndillni mbështetje ndërkombëtare për çështjen çame?

Kjo nuk është çështje numrash, nuk besoj që ndonjë komunitet është shpërngulur në 90% të tij dhe shfarosje në 20% të saj. Ne kemi një përqasje demokracie për të vendosur drejtësi. Shqiptarët e Çamërisë nuk ishin ata që nisën luftën e Greqisë me Italinë fashiste, por ishin viktima të kësaj lufte. Greqia nuk mund të ketë kompleksin e Makbethit, duhet të kërkojë ndjesë publike. Edhe ata po kërkojnë zgjidhje të euros në këtë botë, edhe ne jemi pjesë e kësaj bote, pesha jonë si shqiptarë tani është më e madhe, kemi raporte të mira me shumë kancelari europiane, jemi në përpjekje edhe për në SHBA. Ka qenë një kontekst politik dhe pse shqiptarët e Çamërisë u denigruan.

Kush janë mundësitë dhe rrugët për marrjen e pronave?

Po punojmë me një studio britanike. Ndaj shqiptarëve të Çamërisë në momentin që u vendos ligji i luftës, nuk i kapte dhe në fund të luftës civile greke është bërë gjyqi i famshëm pa praninë e dëshmitarëve, tërësisht i mbyllur dhe janë dënuar 1970 shqiptarë çam, duke ngrirë kështu dhe pasuritë. Edhe me të drejtën e amnistisë të shpallur më pas u përjashtuan çamët, pasi ata kishin kombësi çame dhe jo greke. Kjo do jetë kërkesa jonë që të bëhen pjesë e amnistisë.

Pse nuk keni miratuar ende rezolutën çame në parlament?

Ne kemi krijuar të gjithë kohezionin e nevojshëm për ta miratuar këtë rezolutë, unë jam drejtues politik dhe s’mund tju hyj aventurave, nuk mund ta pranoja një dështim të dytë nga parlamenti jonë shqiptar. Brenda këtij sesioni, apo brenda kësaj legjislature ne do miratojmë rezolutën çame, në të kundërt unë do të jap dorëheqjen dhe nuk rri më kryetar i kësaj partie. Është bërë gati rezoluta si format, kemi përfunduar dizenjimin.

Për rezolutën çame, për varrezat e Kllogjerit, për të pasur një prezencë kaq të madhe do të shkëmbeja gjithçka. Na është dashur shumë punë që të jemi prezentë në qeveri dhe kudo, një punë shumë e madhe për të arritur një rezultat elektoral. Ne çamët kemi valle shumë të bukura, të gjithë jemi të kapur përdore për të arritur qëllimin final. PDIU nuk është parti ideologjike, është një parti që do të jetë pranë mazhorancave dhe jo pas gardhit.

Çfarë çështjesh tjera jeni të angazhuar të rangun kombëtar, mos ju tejkaloi AK?

Çështja kombëtare nuk është një send. Ajo ç’ka ne na bën të vërtetë është një kauzë e vërtetë. Jam shumë i lumtur që çështjet kombëtare tashmë janë prezent dhe ndiqen nga të tjerët. Nuk shoh asgjë që ma kanë marrë apo ua kam lënë. Jemi një parti e konsoliduar, jemi një parti në Parlament. Politika është një maratonë, por jo në 100 metërsh.

A është PDIU një ringjallje e nacionalizmit në Ballkan?

Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur nacionalizëm, por patriotizëm dhe kjo ndryshon shumë. Ne nuk jemi ksenofobë, nuk kërkojmë ndryshim kufijsh apo tokat e dikujt tjetër, ne mendojmë se sot është koha dhe ora e shqiptarëve.

Kur flasim për pozita të forta e imagjinoni sa të fuqishëm do të ishit ju nëse do të ishim pjesë e BE-së?

Absolutisht po, prandaj ne e kërkojmë më shumë se të tjerat. Kemi dhënë të gjithë kontributin tonë.

Presidenti, PDIU dhe PBDNJ keni prezantuar Fatos Nanon si kandidat?

Nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën, ne kemi qenë pjesë e bisedimeve brenda mazhorancës. Kërkoja një President që i qëndronte Kushtetutës dhe kishte një program për çështjen çame. Gara do të ishte më interesante nëse PS do të nxirrte një kandidat, duhej ta kandidonte atë për shkak të kontributeve të tij në atë parti.

A ka kontribut Nano për çështjen çame?

Të gjithë politikanët kanë hedhur nga një lopatë. Unë kam punuar me zotin Nano, me koshiencë të plotë kam firmosur për Bujar Nishanin.

Ç’mendoni për lëvizjen Nano?

Në momentin që do të kem një analizë unë do ta bëj, nuk kam asnjë informacion rreth saj.

Kemi një ministër grek në qeveri, pse e votuat?

E para, zoti Tavo ka qenë propozim i LSI-së. Këta pironja të vogla të politikës shqiptare le të merren me punët e tyre. Ne si parti politike nuk kemi asnjë problem me minoritetin grek, të vetmin problem e kemi pasur me zotin Dule, i cili thotë se çështja çame nuk ekziston. Vangjel Tavo është i vetmi deputet minoritar që ka respektuar sa herë kam kërkuar një minutë heshtje për çamët që ka qëndruar në Parlament.

Sa i besueshëm jeni kur votoni për mazhorancën që solli varrezat greke në Shqipëri?

Varrezat greke në Shqipëri dhe çështja e ujërave nëse është dikush që e ka kundërshtuar, ata jemi ne.

A keni rezerva për qeverisjen?

Shumë, kjo qeveri ka nevojë për më shumë ritëm, më shumë qartësi, shpejtësi tjetër. Kur them objektiva të qarta nuk kam parasysh persona. Të gjitha mendimet tona kanë qenë publike,kjo qeveri ka arritje, por ka nevojë të përmirësohet.

Keni marrë disa institucione si parti që nuk kanë lidhje me çështjen çame?

Çdo parti ka dy komponentë të realizojë programin dhe të mbështesë mbështetësit e saj. PDI ka kapacitetet për të qenë në shumë poste që po i marrim dita- ditës. Nuk kemi pasur shumë luksin për të vënë gishtin për zgjedhje. Nuk ka institucion të veçantë për çamët që ne mund ta marrim, jemi në ato institucione që mendojmë se jemi më afër çështjes dhe mundësisë për të vepruar.

Pse nuk keni marrë asnjë post ministri?

Ne nuk vrapojmë pas një posti ministri. Një ndër arsyet që i jam bashkuar PDIU ka qenë mundësia e artë për të pasur dy deputetë në Parlament. Kurrsesi nuk kam preferuar të marr vetë një post ministri, për të qenë në pozicioni e duhur si kryetar partie, për ta çuar përpara atë.

Me kë do të bëni koalicion?

Ne jemi pjese e një koalicioni, ne do të shkojmë aty ku do të ndihemi më mirë, më të vlerësuar dhe sigurisht me një marrëveshje të qartë lidhur për çështjen çame. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me zotin Berisha dhe korrekte. Me zotin Rama pas një pause jemi takuar në diskutimet për Presidentin, më pas në ekspozitën për çështjen çame.

Ka një ngrohje me zotin Rama?

Të jemi realistë, të gjithë jemi një cikë të ngrohtë.

Kemi thënë se do të shtriheni në gjithë Shqipërinë, si po shkon?

Kemi pesëfishuar votat tona në Shqipëri, kemi një shtrirje homogjene në gjithë vendin.

Kur do të vijë dita që të keni në administratë një joçam?

Ka dhe tani joçam. Shqiptarët e Çamërisë kanë djem dhe vajza që mund të jenë në administratën shqiptare. Ka një preference drejt këtij komuniteti për vetë diskriminimin deri tani, por e vlerësoj dyfish atë joçam që ofrohet në parti.