INTERVISTA/ Gjinushi: Agjenturat kontrollojnë maxhorancën

0
36

I ashpër, i drejtpërdrejtë dhe unik, politikani veteran i opozitës Skëndër Gjinushi analizon politikën shqiptare dhe heq paralele të habitshme për Shqipërinë në dy dekada pluralizëm. Nga studentët e Dhjetorit 90’ që garantoheshin se nuk do të prekeshin me shkopinj gome, tek demonstruesit që ekzekutohen në 2011-ën me plumb në Bulevard, nga minatorët e urisë së Valiasit që përmbysën një qeveri në 91-in, tek të përndjekurit politikë që po vetëdigjen me benzinë nga një qeveri që i akuzon si të përdorur politikisht.

Paraleja tjetër, Berisha dhe Nano, shanset dhe dështimet e tyre, sipas drejtuesit të PSD-së. Për Gjinushin, rrënja e të keqes në Shqipëri janë zgjedhjet dhe fakti që Shqipëria është i vetmi vend evropian që nuk garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Statusi? “Ndihmë për qeverinë, por jo për Shqipërinë”, thotë ai. Dhe akuzon: kjo maxhorancë është e kapur nga hijet e të shkuarës së ish-sigurimit të shtetit dhe agjenturat e huaja

Nga Lorenc Vangjeli, JAVA, 16 Tetor 2012

Prej gati dy javësh, ish-të përndjekurit politikë po zhvillojnë një grevë urie dhe madje, dy nga ta dhe një i tretë në tentativë, kanë kryer një akt vetëflijimi me zjarr. Politika i ka afruar një qasje të dyfishtë, opozita i ka përkrahur, pozita e ka akuzuar si grevë politike. Ju si e konsideroni këtë grevë?

Kjo është një tjetër çudi shqiptare, është një absurd i vërtetë. Vetëm në Shqipëri mund të konsiderohet akuzë etiketimi për grevë politike apo përdorim politik të grevës. Për të qenë më të saktë, kjo ndodh vetëm kur në pushtet është Saliu. Nën qeverisjen e tij, çdo grevë, çdo protestë, çdo pakënaqësi popullore e denoncim kundër tij quhet politike. Kur ai ndodhej në opozitë, të gjitha këto konsideroheshin legjitime.

Në botën demokratike ku duam të integrohemi, por pa mundur ta bëjmë një gjë të tillë, greva politike nuk janë ato që i quan si të tilla qeveria, tellallët e mercenarët e saj, por janë ato akte që i deklarojnë politike vetë protagonistët e grevës dhe që për nga natyra e kërkesave të shtruara, janë të tilla. Në një vend demokratik, grevistët nëse kanë qëllime politike, nuk kanë asnjë arsye për t’i fshehur ato. Prandaj, të gjithë ata që duan ta sfumojnë e kompromentojnë grevën e ish-të përndjekurve politikë duke e etiketuar atë si politike, në thelb pranojnë faktin se në Shqipëri nuk ka demokraci reale. Akoma më anakronik tingëllon refreni i këtij regjimi e mercenarëve të tij që edhe kur vret, edhe kur vjedh, edhe kur i djeg shqiptarët me barutin e propagandës së Gërdecit apo me naftën e korrupsionit, akuzon opozitën për politizim të fatkeqësive???

Greva e ish-të përndjekurve politikë është qartësisht me kërkesa ekonomike, është qartësisht mëse legjitime sepse premtimi për të marrë dëmshpërblim ka 20 vjet që zvarritet, sepse në vend të pagesave bëhen rritje fiktive të listave dhe kuotave në ligj, sepse dihet se me abuzimet e kryera dhe fryrjet duhen edhe 20 vjet të tjerë për të bërë dëmshpërblimin. Sepse trajtohen njëlloj si të persekutuarit e vërtetë, edhe spiunët e birucave, sepse po aq sa është dëmshpërblimi i tyre vjetor, sekserët qeveritarë i fitojnë nga tenderi i Llotarisë Kombëtare në një javë, sepse vetëm sasia e fondeve publike të grabitur në rrugën Durrës-Kukës do të mjaftonte për të dëmshpërblyer të persekutuarit e vërtetë me një këst të vetëm e jo pas vdekjes. Sepse më parë dëmshpërblehen qeveritarët e korruptuar e të shpallur padrejtësisht të pafajshëm sesa të dënuarit pa faj të regjimit diktatorial.

Në vitin 1991, mbas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, një tjetër grevë urie, ajo e minatorëve të Valiasit rrëzoi qeverinë Nano. Gjeni paralele dhe ndryshime mes këtyre dy akteve të sakrificës?

Greva e minatorëve të Valiasit, krahas kërkesave ekonomike, kërkonte haptazi edhe dorëheqjen e qeverisë Nano, gjë që ishte një kërkesë me karakter të pastër politik. E theksoj, në mentalitetin dhe praktikat demokratike, kërkesat ekonomike dhe politike ndërthurren. Vetëm mendësitë e vjetra totalitare përpiqen të maskojnë një protestë apo grevë duke e etiketuar si politike apo si lojë të opozitës. Në atë kohë, në 1991, patëm një debat të nxehtë në presidencë, në të cilin ndodhej Ramiz Alia e krerët e partive politike të kohës. Një i njohuri ynë i përbashkët bëri atëherë një akuzë se greva po përdorej dhe po nxitej nga opozita e asaj kohe. “Pse lodhesh kot, i thashë, kjo është një gjë normale. Në demokraci, roli i opozitës është pikërisht ky: të mbështesë kërkesat e kujtdo, qoftë dhe përballë neglizhencës, mashtrimit, dështimeve të qeverisë”. Dhe kjo gjë nuk ndryshon. Opozita, në çdo vend demokratik, shfrytëzon pakënaqësitë e aq më tepër dështimet e mashtrimet qeveritare. Roli i opozitës nuk është të qetësojë popullin kur vjedh qeveria, kur abuzon qeveria, kur qeveria shkel çdo premtim të dhënë.

Roli i opozitës nuk është për të thënë, mos protestoni se të gjitha qeveritë gënjejnë, për të thënë, duroni sa të vimë ne në pushtet që të zgjidhin problemin tuaj, duroni deri në ditën e zgjedhjeve sepse deri atëherë qeveria ekzistuese ka mandat të bëjë çfarë të dojë me paratë tona, me pasuritë, me lirinë e të drejtat tona. Ky është një nga atentatet më të mëdha që kërkohet t’i bëhet demokracisë shqiptare, është krim të “këshillohet” apo kërcënohet e akuzohet opozita se protestat e bojkotet dëmtojnë demokracinë, se qeveritë hiqen vetëm me votë dhe nuk largohen edhe me dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme kur dështojnë si qeverisja aktuale. Aq më tepër, kur i kërkohet opozitës të fërkojë barkun e majmur të qeverisë edhe kur ajo vret qytetarët e shtresave më të përvuajtura të shoqërisë me plumbat e gardës, djeg me barut dhe ushqen zjarrin me naftë kontrabandë.

Sipas kësaj logjike, a mund të ngrihet një tjetër paralele dhe të shenjohen veçanti, mes ditëve që paraprinë shpalljen e pluralizmit dhe rrëzimin e sistemit komunist në dhjetor 1990, kur policia ndërhyri me shkopinj gome kundër studentëve dhe 21 Janarit 2011 kur demonstruesit e opozitës u goditën me plumba?

Në mënyrë absolute, deformimi më i madh dhe më skandaloz që i është bërë mjeteve dhe praktikave demokratike në Shqipëri, është trajtimi i 21 Janarit. Në asnjë vend demokratik nuk mund të justifikohen vrasje si ato të 21 Janarit. Në asnjë vend demokratik nuk mund të legjitimohet përdorimi i armëve ndaj protestuesve të opozitës, në asnjë vend demokratik, mbas një krimi të tillë shtetëror, nuk mund të kërkohet ndalja e protestave.

E kundërta duhet të ndodhte dhe është në natyrën e demokracisë: duhet të ndodhte largimi dhe gjykimi i menjëhershëm i qeverisë dhe përgjegjësve politikë të kësaj vrasjeje politike. Këtë të vërtetë të madhe e të hidhur e nënvizoi në mënyrë mjaft lakonike edhe ish-ambasadori danez në Tiranë, i cili u shpreh se asnjë popull evropian, pra në asnjë vend demokratik, populli nuk do të reagonte si populli shqiptar mbas 21 Janarit. Fatkeqësisht, post 21 Janari, dëshmoi standartin e dyfishtë që kanë disa emisarë evropianë ndaj jetës dhe lirive të shqiptarëve, në krahasim me ato të popujve të tyre. Madje edhe në raport me popujt e Afrikës veriore. Ish-Presidenti francez Sarkozi deklaronte atëherë se kudo në vendet demokratike ka dhunë e eksese gjatë protestave, por përdorimi i armëve të zjarrit me plumba luftarakë është i papranueshëm. Dhe ky është standart. Kurse tek ne, u pranua një akt i tillë kriminal dhe qeveria edhe sot vazhdon të kërcënojë e të vrasë me benzinë.

Eshtë alogjike; e gjithë Evropa dënoi vrasjet qeveritare që ndodhën në vendet arabe dhe mbështeti protestat, kurse në Tiranë, përfaqësues zyrtarë të Evropës dënuan dhunën e protestuesve dhe mbështetën qeverinë që vrau. Edhe më të çuditshëm e bën post 21 Janarin fakti që në krye të vrasësve qeveritarë dhe urdhërues të vrasjeve, janë ata apo disa nga ata që në dhjetor 90’, shprehnin gjoja indinjatën për shkopinjtë e gomës që goditën studentët që u ngritën kundër diktaturës. Personalisht e kam shumë të vështirë të kuptoj këtë metamorfozë në këto dy dekada, kur në 90-ën, bashkë me Saliun siguronim studentët se nuk do t’i prekte njeri jo me plumb, por as me shkop gome edhe pse ata kërkonin rënien e diktaturës dhe sot të dëgjosh të njëjtin Sali që mburret se qëlloi kundër opozitës se kërkonin dorëheqjen e qeverisë së tij. Mjafton ky fakt për të kuptuar se kush është Saliu dhe cili është roli i atyre që e mbrojnë dhe bashkëpunojnë me të mbas 21 Janarit.

Shqipëria mori të mërkurën statusin e vendit kandidat me kusht, si do ta komentonit një gjë të tillë?

Eshtë lehtësisht e kuptueshme dhe të gjithë e kuptojnë se ky është një vendim politik për të ndihmuar qeverinë dhe jo Shqipërinë. Mjafton të shihet fakti se për dy vjet rresht kishim kushte për marrjen e statusit dhe tani kemi status me kushte. Statusi real parakupton arritje standartesh për shqiptarët, ndërsa një një status pa standarte të tilla, një status kur situata reale për shqiptarët është shumë më keq se një vit më parë, është fshehje e të vërtetës dhe një alibi e dëshpëruar për qeverinë.

Çfarë mendoni se nuk shkon seriozisht me zhvillimet e këtij vendi, kur fjala reformë është tashmë në inflacion të plotë. Për shembull, kur vjen puna tek zgjedhjet, flitet për plotësim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe garantim të standardeve të tyre dhe kjo histori përsëritet sa herë ka zgjedhje?

Tek ne, si në një mallkim që nuk vjen nga Perëndia, por nga politika, çdo gjë deformohet. Një ndër to është dhe inflacioni dhe keqpërdorimi i fjalës reformë. Vetëm në Tiranë mund të ekzistojë pyetja absurde, je pro apo kundër reformës? Dhe nuk shihet se çfarë afrohet si reformë, nuk shihet nëse bëhet fjalë realisht për reformë dhe çfarë efektesh ka e synon të realizojë reforma. Për shembull, a ka gjë më qesharake sesa të quash reformë ndryshimin e rregullores së Kuvendit mbas 20 vjetësh demokraci? Që nga viti 1991, Kuvendi ka funksionuar në bazë të një rregulloreje konsensuale, të rishikuar po me konsensus deri në vitin 2005. Rregulloret janë hartuar në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe asistencën e tij. Mbas 2005-ës, maxhoranca e ndryshoi rregulloren me votat e saj duke e deformuar, duke hequr votën e fshehtë që është baza e demokracisë.

Ka një vit rresht që thuhet se po bëhet reformë për të rregulluar rregulloren. Tani shpallet si sukses fakti që rregullorja do të lihet siç ishte. E njëjta lojë edhe me reformën zgjedhore. Të gjithë e dinë të vërtetën e thjeshtë se reforma reale janë ndërmarrja e një sërë masash që përfshijnë ndryshime thelbësore të institucioneve që përfshijnë ndryshime po thelbësore të institucioneve që veprojnë në fushën përkatëse., ndryshime e përmirësime në infrastrukturë, largim të personave përgjegjës për dështime dhe zëvendësim të tyre me individë më të përshtatshëm.

Në rastin e reformës zgjedhore tek ne, qëllimisht, gjithçka reduktohet vetëm në amendim të Kodit Zgjedhor, ndonëse vetë BE rekomandon që krahas amendimeve sipas rekomnadimeve të OSBE/ODIHR-it, të merren masa për garantimin e standarteve zgjedhore. Shumë miq të Shqipërisë dhe këtu citoj edhe ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, kanë theksuar se reforma të reduktuara vetëm në ndryshimin e Kodit janë eksperimentuar dhe më parë, por pa sukses. Pikërisht kjo lojë apo kjo përqasje ndaj reformave ka bërë që vetë BE-ja të arrijë në dy konkluzione kontradiktore se suksesi më i madh i arritur në këtë vit nga Shqipëria është reforma zgjedhore dhe se kushti kryesor për statusin mbetet zhvillimi i zgjedhjeve sipas standarteve evropiane.

Tabloja e jetës shqiptare siç e pikturoni ju, duket e zymtë, mendoni se mund të normalizohet jeta politike e më pas, edhe vetë jeta në përgjithësi në Shqipëri?

Normaliteti në demokraci fillon dhe mbaron me garantimin dhe realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Ne po hiqemi zvarrë se vazhdojmë të provojmë nëse mund të mbajmë zgjedhje të lira me qeverinë e drejtuar nga individë që kanë qenë shkaktarët dhe organizatorët e manipulimeve në masë industriale. Kush do vërtet një Shqipëri normale dhe një demokraci funksionale për shqiptarët, ose e detyron qeverinë të bëjë zgjedhje sipas standarteve, ose detyron largimin e qeverive që i shkelin këto standarte. Evropa nuk e pranonte hyrje-daljen e shqiptarëve pa u vendosur standartet e saj në kontrollet në kufi dhe tek pasaportat, Evropa nuk lejon hyrje-daljen e mallrave që nuk plotësojnë standartet e saj. Pyes, pse atëherë pranon një qeveri të dalë nga zgjedhje jashtë standarteve dhe që ka tejkaluar çdo “standart” korrupsioni?

Heqja e imuniteteve u konsiderua si hap në luftën kundër korrupsionit, pse mendoni se u kërkua pikërisht tani kur maxhoranca morri Presidentin dhe do të marrë dhe institucionin e akuzës? Eshtë kjo rruga e vetme për luftën kundër korrupsionit apo është një mjet më shumë në dorë të maxhorancës për luftën e saj jo vetëm politike me opozitën?

Në kuptimin e kushteve dhe situatës kur u krye kufizimi i imuniteteve, këto ndryshime të reja kushtetuese janë po aq të papërshtatshme sa ndryshimet e vitit 2008. Imuniteti në demokraci nuk është një mjet mbrojtës ndaj korrupsionit, por një nga mjetet e balancimit midis institucioneve. Në kushtet kur institucionet janë në konsolidim, kur midis tyre ka bashkëpunim, por ka edhe konflikt interesash, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, atëherë ato mbrohen ndaj njëra-tjetrës. Imuniteti synon të mbrojë gjykatat, prokurorët dhe deputetët ndaj sulmeve subjektive të shumicës që qeveris apo sulmeve brenda llojit si rezultat i përdorimit politik të luftës ndaj korrupsionit.

Të kufizosh imunitetet apo të heqësh këtë masë mbrojtëse në një kohë kur tek ne qeveriset nga qeveria më e korruptuar në Evropë, në një kohë kur të gjitha institucionet janë vënë nën kontrollin e saj që nga Presidenti e deri tek Prokurori i Përgjithshëm që do të vijë, do të thotë t’i japësh këtij klani korruptiv një armë më shumë në dorë kundër kujtdo që nuk i bindet diktatit të qeverisë apo guxon të denoncojë aferat e kësaj qeverie. Pra, kjo masë që trumbetohet si arritje, në fakt është kapitullim përpara regjimit aktual dhe alibi për të justifikuar mosrealizimin e rekomandimit kryesor, luftën kundër korrupsionit.

Berisha dhe Nano, si e shihni ju si politikan veteran këtë çift që ka dominuar jetën politike në vend?

Saliut ju dha mundësia që të bëhej figura kryesore për t’u vlerësuar si shembës i komunizmit dhe kontributor i vendosjes së demokracisë në Shqipëri, por ai dështoi të jetë i tillë. Nëse shihen të gjitha ngjarjet kulmore të mëtejshme, zgjedhjet e vitit 1996, thyerja e embargos ndaj Serbisë, piramidat financiare, vrasjet politike dhe sulmi i armatosur ndaj institucioneve në 1998, dalja kundër marrëveshjes së Rambujesë në 1999, zgjedhjet e 2009-ës e deri tek 21 Janari, duket e dëshmohet qartë se në veprimet e qëndrimet e tij ai nuk ka pasur qëllim ndërtimin e Shqipërisë, por shkatërrimin e saj. Sot Shqipëria është e fundit në rajon në të gjithë treguesit e mundshëm, është vendi i vetëm që nuk bën zgjedhje sipas standarteve për shkak të klanit dhe prapavijës së Berishës.

Nano pati shansin e misionin të rikthente demokracinë në Shqipëri mbas 97-ës, mision që e kreu vetëm në mënyrë relative, por dështoi të nxjerrë përfundimisht jashtë skenës politike lojën dhe misionin antishqiptar të Saliut. Këtë gjë ai nuk e realizoi. Nuk mundi ta bëjë për gabime e dobësi të atij vetë të cilat u shtuan dhe nga shitjet brenda për brenda PS-së. Për më keq, gabimet e tij shërbyen si alibi për rikthimin e Saliut në pushtet në vitin 2005. Dhe çfarë është më e keqja, nga misionar për zhdukjen dhe eliminimin e metodave qeverisëse të Saliut, gjatë vitit 2007 e më pas, ai u kthye në faktor të rëndësishëm të mbijetesës së Saliut në pushtet.

Revista Java ka publikuar dyshime serioze duke cituar ish-Presidentin e Republikës Topi, ish-shefin e SHISH Klosi dhe burime të saj të rezervuara se në Kuvendin e Shqipërisë, në qeverisje, në media dhe në administratën e lartë të shtetit, ka agjentë të fuqive të huaja. Cili është komenti juaj apo historitë me agjentë e agjentura duken “të tejkaluara” në këtë botë globale?

Shërbimet sekrete janë konsoliduar dhe jo tejkaluar në këtë epokë të globalizmit. Ato kanë forcuar rolin dhe misionin e tyre në luftë kundër terrorizmit, sidomos mbas 11 Shtatorit, sulmit terrorist mbi SHBA. Tek ne, qartazi PD ka bërë tërë manovrat e mundshme për të mos hapur dosjet e ish-sigurimit të shtetit. Shikoni, Saliu ka qeverisur në 92-97-ën dhe u rikthye në 2005-ën. Në të dy këto periudha e ka hartuar ligjin për dosjet që miratohet me shumicë të thjeshtë vetëm në prag fushate. E ka bërë jo për pastrim të politikës, por për kontroll e presion mbi të.

Të dy herët qëllimisht ata kanë bërë bashkë ligjin për dosjet me atë të lustracionit, kështu që ligji është bërë antikushtetues dhe nuk ka mundur të marrë mbështetje në epiqendrat antikomuniste të botës, SHBA e BE. Akoma më e shëmtuar e më kompromentuese është loja me kundërzbulimin e huaj apo me bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja. Këta as nuk kanë përmendur e jo më të jenë prekur me ligjin e dosjeve apo të pastrimit. Kjo dëshmon se këto struktura arrijnë të kontrollojnë dhe komandojnë politikën dhe sidomos, kontrollojnë shumicën aktuale.