Intervista ekskluzive: Leonard Bombajt flet për skandalin!

0
39

Nga Koloreto Cukali

Ndërsa ulemi me Nardin për të folur për intervistën në një kopësht të qetë shtëpie tironse të vjetër, kthyer në librari-kafene, përpiqem të lexoj në fytyrën e tij gjurmët e këtij viti të vështirë. Nga momenti që ka ndodhur ngjarja, deri në momentin kur media e hapi për publikun, kishin kaluar shumë muaj. Tërë kohën më vërtitet Nardi është i qetë kur flet, dhe më reflekton atë thënien e Niçes, ‘ajo çfarë nuk na vret dot, na bën më të fortë’. Ka gjetur forcën që thuajse i vetëm të përballet me ‘gjënë’ dhe jo vetëm, por ta kthejë në prodhim artistik. Librin, botim i ‘Dudaj’, ai e ka titulluar “Në Emër të Atit, bijës, e të shpirtit të zbathur”.

Në librin që unë e kam lexuar ndërkohë, historia e vërtetë që i ka ndodhur vjen e veshur me krijim artistik. Nuk mund të rri pa ia thënë që është një libër që më tremb. Më fut frikën, sepse, edhe sikur gjysmat e atyre që rrëfehen të jenë të vërteta, atëherë unë vërtetë nuk di asgjë rreth brezave të rinj që po rriten, e as rreth shumë ‘rretheve’ të tjera në Shqipëri. Por, Nardi më siguron që përqindja e të vërtetave në libër është shumë më lart se gjysma. E nisim bisedën duke folur për Ervin Hatibin, poetin që i ka ikur Tiranës, dhe përfundojmë duke folur për librin.

A është ky një libër që rrëfen ngjarjen tënde?

Shumë më shumë se ngjarja ime! Në libër është çfarë ka ndodhur, çfarë kundërshtarët donin të ndodhte, dhe çfarë unë imagjinoj se duhet të ndodhë! Ngjarja ime ishte një udhetim ku biletën ma prenë të tjerët, dhe vizitova Biznesin e Kurthit, Industrinë e Baltës, Median private të adoleshentëve, kodet sekrete që kërcënojnë një shoqëri të tërë. Me një fjalë përtej Shqipërise që duam takova një realitet tjetër, Republik of AL-BANANIA, (citoj mikun tim E.H.).

Çfarë lloj Republike është kjo?

Një realitet që është poshtë këmbëve tona, me banorë që të vënë strekëmbësh, të rrëzojnë, të hedhin baltë, perversë që të quajne ty me emrin e tyre. Kërkojnë falje në mes të ditës, për të marrë jetën në mes të natës, pastaj të vrasin, dhe thonë u vetëvra. Republikë me “të fortë” që buzëqeshjen e kanë si jelek antiplumb.

Sa përqind të vërteta ka në librin tënd?

Nuk jam tip që i mas gjerat me përqindje. Por me tronditje sizmologjike që pëson shpirti. Dhe di të them se tronditjet e shpirtit jane 100%. Përgëzimi më i bukur që kam marrë është: “Të vërtetat janë kaq të lidhura në koherencë dhe progres, saqë edhe me dorë ti vendosësh nuk mund ta konkurosh ngjarjen reale.” Pra në libër nuk është vështirë të identifikosh të vërtetat nga trilli artistik. Lexuesi do ta ketë fare të lehtë.

Çfarë kategorie njerëzish përfshihen në libër?

Në libër ka prindër të dhunshëm, adoleshentë, gjobvënës, artistë, prokurorë, ministra, trafikantë pasivë që fshihen në familje sikur ‘nuk dinë’ dhe urrejnë atë qe ua rrëfen. Prostitucion që fillon pa kontakt trupor. Ka personazhe që mbajnë mbi vete Agresivitetin-Imoralitetin, Kurthin-Pornografinë, Keqkuptimin-Dhimbsurinë, një nga Shtatë mrekullitë dhe shëmtitë e shpirtit njerëzor: Falja përballë Mosmirënjohjes… Gjithçka, frymëzuar nga Të Verteta të Jetuara, që akoma sulmojnë jetën time.

Të gjithë këta janë referenca të njerëzve reale?

Personat realë janë mbështjellë me fakte, vende, ngjarje, duke përdorur trillin artistik. Si përfundim personat realë kanë tejkaluar veten duke përfaqësuar llojin e tyre. Çdo kush ka të drejtë të mbrohet se aty nuk qenka ai. Ky është kujdesi që ju dhuroj personazheve në privacinë e tyre. Sepse e mbajta mbi kurriz baltën në të gjitha format, shpifjet mbi emrin tim në të gjitha mënyrat. Libri i shmanget emrave, datave, merret me fenomenin.

Pse ke heshtur deri tani, asnjë intervistë, asnjë prononcim?

Zgjodha heshtjen për disa arsye. Së pari ekranin nuk e kam përdorur për sulm, por për Art. Së dyti ishte Prokuroria e Krimeve të rënda që hetonte në kronologji, dhe jo segmente mediatike, dhe së fundi pas njëqind telefonatave që suportuan situatën time, identifikova intuitën e opinionit publik ku dallonte qartë krimin me viktimën, baltën nga e vërteta.

Mendon se përbën një provë në gjyq libri?

Absolutisht jo! Aty ku e vërteta dhe fantazia janë shkrirë bashkë nuk mund të sërviren si provë. Por disa të vërteta rrëfyer në libër janë mbështetur mbi prova. Çudia ndodhi kur media publikoi ngjarjen,bashkë me titujt që venin e vinin, mua më erdhën prova të frikshme. Madje të fundit ma dhanë në dorë pak ditë me parë. Por këto nuk kanë lidhje me librin por me drejtësinë.

Ku e ke bërë shkollën 8 vjeçare? Po të mesmen? Sa ka ndryshuar mentaliteti i shoqeve të klasës tënde, atje, me këto të shkollave të sotme?

Shkollën tetëvjeçare e kam bërë tek Kongresi i Përmetit, sot Servete Maci. Të mesmen në Politeknikum! Mentaliteti i shoqeve të klasës sime me shkollat e sotme? Ka ndryshuar aq shumë sa fishkëllima poshtë dritares, me s.m.s. e sotëm poshtë jastëkut.

Ti kthehemi ‘ngjarjes’. Ke pasur frikë?

Të vërtetën? Vetëm 120 sekondat e para. Nuk dua të jap detaje por, pas atyre sekondave truri më bridhte si qen kufiri, hyra në lojën e tyre, u dhashë terren për të siguruar prova. Sepse brenda shtëpisë time kishte hyrë shteti me kostum polici. Kujt t’i ankohesha, shtetit? E kisha në kuzhinë! Ndërsa tani në këtë intervistë mund të them atë që kam cituar në faqe të parë të librit: “Unë nuk kam frikë nga vdekja, ndoshta trupi im po! Por jo ky qe po flet!” Edhe nëse rasti im një ditë mund të kthehet në kronikë të zezë, që nga bota e përtejme do pëshpëris: “Doja t’i shërbeja kurajos qytetare, dhe jo stomakut të krimit.” E rëndësishme është se tashmë fatura dihet publikisht “Kush kundër kujt” “Cilët mund të vrasin Kë”.

Çfarë i ka motivuar njerëzit e përfshirë kundër teje?

Bindja se mund të më frikësojnë. Hakmarrja për përjashtim nga arti. Urrejtja se denoncova trafikimin. Etja për lekë, etj, etj.

Nëse do kishe rënë në kurth, cila do të ishte e tashmja jote?

Prandaj i ruhem intervistave, se sulmoni gjëra që dua t’i harroj. Atëherë… një profesor në grackë videosh, që pilotohet nga adoleshentja për karrierë si Vip-e absolute, dhe një grup që e mjel profesorin financiarisht, vazhdimisht.

Si ishte viti që nga koha kur ndodhi deri kur u bë ‘pronë’ publike lajmi?

Çfare padrejtësie! Si mund të bëhet pronë publike emri, privacia e dikujt. Ç’është ky koncept lirie, që mund të sulmosh, të shpifësh, të hedhësh baltë mbi emrat publikë. A e imagjinoni dëmin moral, pasuror, shëndetësor, që u shkarkua mbi familjen time? Gjithsesi këto i përkasin një etape që do ti sqarojë drejtësia hap pas hapi. Ju lutem vini re, nuk po përdor asnjë detaj apo provë, që janë një dokumentar i tërë dhe do indinjonte çdo lexues. Por diçka do ja lejoj vetes. Me çfare kurajo flet në telefon me babanë duke imituar zërin e bashkëshortes time? Dhe përfundon hoteleve! Dhe unë duhet të hesht? Ti hyn në shtëpinë time vetë i gjashtë dhe unë duhet të mbyll gojen? Ti bie me këmbët e tua në grackë, dhe faji është i imi?

Mjafton t’ju them se jo vetem Planeti Kripëmjaltëzat që mbushi Pallatin e Kongreseve u asfiksua, por qindra fëmijë dhe prindër që ëndërronin të merrnin pjesë mbetën me këngë nëpër duar. Llogaritini sa miliona lekë bëhen? Po Qendra artistike që u boshatis nga femijët, nga prindërit e terrorizuar?

Çfarë kam bërë unë brenda një viti? Kam shkruar rreth 200 faqe për një serial muzikal, takoj Kripëmjaltëzat të cilët protestojnë përse duhet ata të vuajnë fajet e adoleshentes.

Po Alda, bashkëshortja? Si e priti akuzën për përdhunim, dhe të tjerat?

Më qetë sa nuk e imagjinoja. Dhe për më tepër me beben në bark që do lindte pas një jave. Nëse në këtë histori unë etiketoj veten sipas menysë hollivudiane “Lost Hero” Alda padyshim është një “Super Hero”. Një vajzë jetime që babanë e ka humbur natën e vitit të ri, dhe u sul pas meje për të mbrojtur jetën e bashkëshortit. Ky është çasti që duhet të them se i detyrohem Qetësisë, mbështetjes së saj, përtej viteve që me kanë mbetur në këtë botë. E dua Aldën sepse më ka falur parfumin më të shtrenjtë të botës me çmimin më të lirë “jargët e vajzës sime 11 muajsh në qafën time çdo mëngjes.”

A ke hequr dorë nga projektet me adoleshentët? A mos janë problematikë, e sjellin telashe, si ky rast?

Janë të përhumbur, me dëshira afatshkurtëra, një sukses i vogël mund ti hedhë në maninë e madhështisë. Fyhen shpejt, janë gati të përleshen për tu dukur. Rebelojnë që të bien në sy. Flirtojne ose krijojnë grupe rivale. Por tek Kripëmjaltëzat që janë pranë meje absolutisht nuk e kam këtë mendim. Ata janë tronditur dhe kanë fituar shumë nga kjo histori.

Sipas teje, cili është problemi më i madh që ka mosha e adoleshentëve sot?

Se i ngjajnë fiks prinderve në moshën e tyre, dhe shtëpinë e kanë stacion ku mbushen me karburant.

Çfarë duhet të bëjë një prind për t’i dalë pritë këtij halli?

Ti dëgjojnë fëmijët e tyre, ti besojnë në sy, por edhe ti verifikojnë kur ata kthejnë kurrizin. Sot adoleshentët mund të gjenden në situata ku janë shkaktarë, viktima, apo të përfshirë aksidentalisht. I adhuroj ata prindër që pranojnë situatën dhe nuk ndëshkojnë fëmijën, por e pushtojnë me krahë dhe i gjenden pranë.

Në ç’moshë do ia japësh vajzës tënde të vogël, Sireas, ta lexojë librin?

Besoj nga mosha 14 vjeç. Por kureshtja adoleshente mund ta bëjë që ta vjedhë librin nga biblioteka shumë më herët. Përshembull, nga pakujdesia jonë, djali im tetëvjeçar i ka kuptuar qysh tani gjërat. Ja kështu i rrisim fëmijët, ca nga pakujdesia në familje, ca nga celularët, interneti, televizori. Ti flasësh një adoleshenti rreth seksit ka mundesi të jesh vonuar.”Është njësoj sikur të këshillosh peshkun të bëj dush.”

Libri, pavarësisht dramës, ka dhe batuta…

Është pjesë e krijimit. Edhe unë i dua shumë ato batuta, që më shumë sesa një moment buzëqeshjeje, janë moment reflektimi… “Emrat e vajzave adoleshente, Si targa makinash të vjedhura” “Peshqit nuk mendojnë por kanë parë shumë” “Babai e rrahu fëmijën, e lidhi fort pas pemës, nga ana që s’frynte erë.”…

A do shkruash libër tjetër? Apo do presësh të të ndodhë një ngjarje si kjo?

Shumë shpejt do hedh ndoshta në libër një histori 30 vjeçare të brezit tim që nuk u shpreh artistikisht por u sakrifikua me titull “Miremëngjes Miss Lamtumira!” Histori me të rinj që për skenë patën realitetin, pushkatimet ne kufij, dhe strehë mbrojtëse psikiatrinë. Këtë dua ta bëj muzikal frymëzuar nga filmi “Hair”. Përsa i përket ngjarjeve ky nuk ishte rasti i parë. Kur bëra filmin tim, u sulmua si film pornografik, sepse pati brenda një skenë erotike, dhe thashethemnaja fryu në veshët e njerëzve “Ku ka zë nuk është pa gjë”. E rëndësishme është ti të bësh vepra, shpifjet vijnë dhe ikin ndërsa vepra mbetet. Edhe nëse të rrëzojnë nuk ka rëndesi sa herë bie, por sa shpejt ngrihesh.

Më këshillon të bëj fëmijë? Po vajza?

Absolutisht qe po! Të ndryshojnë jetën! Të duken beqarët si emigrantë pa dokumenta.Ke perpara një krijesë tredimensionale ku gjen tiparet e tua,të gruas. Nuk ka rëndësi vajzë apo djalë, e rendësishme është të ndërtosh një Njeri.

Çfarë të mësoi kjo histori?

Fuqia e Faljes ushqehet nga Përfytyrimi i së Ardhmes. Kush ka imagjinatë, ka brenda pasurinë. Dhe nga kjo histori mund të them se më është mbushur mendja top se kam takuar në jetë, të paktën një herë çdo shqiptar.

Sa mendon se kemi thënë rreth ngjarjes në këtë intervistë?

Sa një gotë që mbushet poshtë një ujvare. Gjithë ujvara rrjedh në libër para syve të lexuesit.

PERSONAZHET E LIBRIT – TË STISUR APO REALË

A haset shpesh një personazh si i Amblës në jetën e përditshme?

Ambla nuk është e zakonshme. Ajo është një adoleshente e jashtëzakonshme, me kokëkrisje kamikaze. Fëmijëria i ka mësuar universitetin e gënjeshtrës, pastaj rebelizimin, trafikimin me dëshirë, dhe më vonë hakmarrjen. Ajo e ka fikur butonin e frikës përgjithmonë, trupi i saj është satelit seksi pa orbitë dhe hyn atje ku vajzat kanë frikë ta imagjinojnë. Pra ajo është një mikrob i gatshëm që mjafton të vihet në kontakt me virusin e drogës, seksit, krimit, e krijon një epidemi që rrezikon ambientin përreth. Inkubatori i krimit, seksit, drogës, mendoj se është shumë më prezent në shoqërinë tonë, dhe ai mund të fusë në rrjetë vajza 14-15 vjeçare dhe mund ti klonojë si Ambla.

Si mendon se do reagojë vajza, familja, këngëtari, apo kushdo tjetër që gjen veten sado pak të përshkuar në ngjarjet e librit?

Varet çfarë syzesh do të kenë kur lexojnë! Syzet e shpifjes? Hakmarrjes? Jam i bindur që reagimi i tyre nuk varet nga karakteri por Koha që do të rrjedhë. Këngëtarit doja ti thoja se ai nuk është më i keq se sa krimi që ka kryer. Mes artistave ka më shumë shans për tu bërë miq se sa të fusin në grackë apo burg njëri tjetrin.

Çfarë do i thoje vajzës që ka qenë shtysa e krijimit të personazhit të Amblës në libër?

Të rilexojë fundin e librit. Të rritet dhe pak, dhe ta rilexojë prapë. Le ta ëndërrojë veten duke luajtur historinë e saj, duke i treguar botës që mos të bëjë si ajo. Ky është ndëshkim dhe Falje bashkë. Trupin e lindin prindërit vetëm njëherë, ndërsa shpirtin njeriu e ka në dorë ta rilindë sa herë të dojë. Kështu ju djeg në duar të gjitha provat që kanë trafikantët kundër saj, që janë gati për çdo sukses ta rrëzojnë.

MBI LIBRIN

Pse i ke vënë këtë titull? Pse ‘Birit’ në lutjen e shenjtë e ke zëvendësuar me ‘Bijës’?

Sepse flakën në libër e ndez “Bija” së cilës i fryn “Ati”, ndërsa “shpirti i zbathur” është lakuriqësia e rrëfimtarit. Para çdo ngjarje tronditëse njerëzit ose bëjnë kryqin, ose i bëlbëzojne zotit, dhe unë me titullin bëj të njëjtën gjë, e filloj me lutjen, por tokëzoj personazhet.

Pse mendove se duhej hedhur në libër?

Kur mësova se talenti përdoret për krim dhe fama për trafikim, u shokova. Kur ndjeva se Arti shpëton jetë mendova ta rrëfeja në libër. Kur koordinatat e ngjarjes lidhnin pika si: baba, bijë, regjisor, adoleshente, trafikantë, polic që vendos gjoba, presidentë, ministër, prokurorë, meshkuj pa fytyrë, u binda se isha para një vepre artistike.

Kujt nuk ia këshillon ta lexojë këtë libër?

Fëmijëve nën moshën 14 vjeç. Madje, më shumë se kujt NUK ia këshilloj, do doja të përgjigjesha se kujt ia këshilloj. Ky, është më tepër një libër për prindërit. Shumë prindër nuk e dinë në ç’universe mund të përfshihen fëmijët e tyre.

Kush e ka lexuar i pari librin?

Një intelektuale në Kanada. Bashkë me habitë, qortimet, më ndihmoi ta lexoja librin dhe njëherë si dikush jashtë Nardit.

Po unë në çfarë radhe jam si lexues?

Je tek dhjetë të parët. Por i pari gazetar, pas psikologëve, avokatëve.

Cila është pjesa më e ‘rëndë’ e librit?

Kjo i takon lexuesve. Dhe sipas lexuesve të parë shumica quajnë si greminë thithëse ditarin pornografik që zbërthen gjithë historinë. Ndërsa për mua pjesa me tronditëse është fundi i librit. Ajo që nuk ka ndodhur akoma. Ajo që mund ta kthejë këtë libër në film kinemaje.

Kë gjykon ky libër?

Të gjithë protagonistët pa përjashtim, duke përfshirë dhe autorin.

Kë shfajëson?

Nuk shfajësoj askënd, por në libër, Amblës i falet një rrethanë lehtësuese si fajtorja me moshën më të vogël

Info

Botuar nga shtëpia botuese Dudaj, “Në emër të Atit, bijës, dhe shpirtit të zbathur” është që sot në libraritë e Tiranës.

Fragmente nga libri, komente, lexuesi do ti gjejë në faqen zyrtare www.leonardbombaj.com