Thirrja e Withers: Si mund të jetoni nën institucione juridike që bëjnë gjithçka që kanë në fuqi për të mbrojtur Lulzim Bashat, Ilir Metat dhe Fatmir Meditë nga drejtësia, por nuk bëjnë asgjë për të mbrojtur Julian Çelat nga padrejtësitë?
Bisedoi: Gjergj Erebara, Shqip
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John L. Withers II, dha një intervistë për gazetën “Shqip” ku analizon me gjuhë aspak diplomatike situatën aktuale në Shqipëri si një pikë vendimtare: Shqipëria, thotë ai, më 23 qershor do të përcaktojë nëse do të ecë drejt demokracisë, apo drejt diktaturës. Berisha bëri një “grusht shteti administrativ” në zëvendësimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të hënën dhe shqiptarët janë ata që duhet të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme më 23 qershor më shumë sesa vëzhguesit ndërkombëtarë. Manipulimi i zgjedhjeve është një shqetësim real dhe i bazuar, pasi sipas ish-ambasadorit, Berisha ka emëruar dhelprat e tij besnike si roje te koteci i zgjedhjeve.
Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të përgjithshme më 23 qershor. Çfarë rëndësie mund të kenë këto zgjedhje për shqiptarët?
Besoj se kur historianët në të ardhmen do të shikojnë pas më 23 qershor 2013, ata do ta shënojnë këtë si një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë.
Se si do të votojnë shqiptarët, do të përcaktojë asgjë më pak se sa faktin nëse Shqipëria do të rikonfirmojë qëndrimin e vet në listën e demokracive të botës, apo do të tërhiqet edhe një herë te një diktaturë e zymtë.
Përgjatë viteve të fundit, unë kam parë me shqetësim dhe trishtim se si qeveria e Kryeministrit Sali Berisha ka punuar pa pushim për të minuar liritë individuale, për të sabotuar institucionet e krijuara për t’i shërbyer dhe mbrojtur popullin shqiptar dhe për të përqendruar fuqitë ekskluzivisht në duart e tij.
Gjykatat – gjykatat tuaja – janë detyruar të nënshtrohen. Presidenti nuk përfaqëson popullin në tërësi, por vetëm partinë e shumicës. Kritikët e qeverisë nga media – shikoni sulmet aktuale të qeverisë ndaj “Top Channel” pikërisht tani – janë bastisur për shkak se nuk janë dakord, njësoj si në kohën e komunizmit.
E çfarë ka mbetur pas kësaj për ju, popullin shqiptar? Ka mbetur një gjë, por një gjë shumë e rëndësishme – e drejta juaj për të votuar. E drejta juaj për të përcaktuar jo vetëm se kush do ta drejtojë vendin, por edhe se si do të drejtohet vendi, në çfarë drejtimi dhe në bazë të kujt ligji.
Nuk është vendi im për të bërë avokati për ndonjë parti politike apo ndonjë udhëheqës politik. Por u them këtë votuesve shqiptarë: 23 qershori është dita juaj. Dita për të thënë “jo” ndaj diktaturës.
Është dita për t’i thënë “jo” sundimit të njeriut të fortë. Është dita që ju t’i thoni “jo” rikthimit tek e shkuara e errët, ndaj të cilës paraardhësit tuaj luftuan aq ashpër për ta rrëzuar. Është koha për t’i thënë “po” ndryshimit. Është koha për t’i thënë “po” të ardhmes.
Cilësia e administratës zgjedhore ka qenë shumë e ulët në të ardhmen. A mendoni se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të mundshme në Shqipëri?
Për fat të keq, keni të drejtë. Shqipëria shumë rrallë ka zhvilluar zgjedhje që kanë plotësuar kushtet themelore dhe universale të të qenët të lira dhe të ndershme.
E di se shumë njerëz janë lodhur dhe po shtrojnë pyetjen nëse ata mund apo duhet të presin që zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të mira. Unë e kuptoj këtë ndjenjë, veçanërisht në dritën e veprimeve të fundit të autoritetit sundues. Shikoni lëvizjen e tij për të kapur kontrollin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tani që Lëvizja Socialiste për Integrim, (LSI) u largua nga qeveria. Veprimet e Parlamentit më 15 prill për heqjen e përfaqësuesit të LSI-së nga KQZ janë njëkohësisht në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe ligjin.
E thënë thjeshtë, është një coup d’etat (grusht shteti) administrativ kundër një institucioni që supozohet të jetë i pavarur. Parlamenti nuk ka bazë ligjore për të përmbysur prerogativat e Kodit Zgjedhor mbi KQZ-në.
Të ashtuquajturat argumente “ligjore” për të kundërtën janë kaq dukshëm të çuditshme dhe nuk reflektojnë as përmbajtjen dhe as qëllimin e Kodit. Ai nuk ka kurrfarë të drejte të marrë me mend “frymën” e ligjeve apo statuteve. (Me këtë logjikë, a do të vendosë ai një ditë se në fakt “fryma” e një vote është hedhur pikërisht në të kundërt të mënyrës se si votuesi e hodhi atë?)
Cili qe motivi i vërtetë i Parlamentit në ndërmarrjen e këtij veprimi ekstrem? Ne të gjithë e mbajmë mend se si qeveria përdori shumicën e vet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të manipuluar zgjedhjet vendore të vitit 2011 në Tiranë.
A ka plane të ngjashme që po zbatohen tani në vende të tjera? Ne duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është: Veprimet e Parlamentit të hënën qenë një grabitje pushteti, thjesht dhe pastër – një grabitje pushteti që vë në pikëpyetje angazhimin e deklaruar shpesh të qeverisë dhe Kryeministrit dhe qeverisë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një shqetësim po kaq i madh është roli i Ministrisë së Brendshme. Ajo mbikëqyr, bashkë me elementë të tjerë kyç në zgjedhje, përpilimin e regjistrit të zgjedhësve, i cili sërish, siç e dimë ne të gjithë, ka qenë një mjet i përdorur prej shumë kohësh për të prishur zgjedhjet. Të gjithë shqiptarët duhet të pyesin vetveten: Pse vetëm dy muaj para zgjedhjeve regjistri i zgjedhësve nuk është gati?
Pse ka kaq shumë votues të publikuar në listë dhe pse ky problem nuk është zgjidhur?
Pse ministria dukshëm po e ul numrin e emrave të publikuar? Pse dhjetëra, apo ndoshta qindra e mijëra adresa të votuesve nuk janë certifikuar?
Të gjitha këto probleme do të duhej të ishin trajtuar shumë kohë më parë. Veprimet e ministrisë, më vjen keq të them, nuk ndihmojnë për gjë tjetër veçse për t’i shtuar këto shqetësime. A janë vonesat rrjedhojë e faktit se udhëheqësit kryesorë në ministri janë besnikë të mirënjohur të Kryeministrit? A janë këto probleme të lidhura, siç tregon e shkuara e tyre, me përpjekjet e mëparshme për të përcaktuar fushën e lojës elektorale, në mënyrë që të mbajnë Partinë Demokratike në pushtet? Me fjalë të tjera, a ka punuar Kryeministri për të emëruar dhelprat e tij për të ruajtur qymezin zgjedhor të pulave?
Më vjen keq që jam dyshues, por veprimet e ministrisë në vetvete krijojnë këto shqetësime. Nëse do të isha shqiptar, do të kërkoja transparencë të plotë për veprimet e ministrisë në kryerjen e këtyre detyrave.
Shqiptarët kanë opinion shumë pozitiv për vëzhguesit ndërkombëtarë dhe këndvështrimet e tyre shpesh shihen si më të besueshme sesa vendimet e gjykatave dhe se prania e tyre si monitorues zgjedhjesh shpesh merret si një garanci për procesin. Megjithatë ka disa që mendojnë se vëzhguesit ndërkombëtarë shpesh vlerësojnë më shumë stabilitetin sesa demokracinë në Shqipëri. A mundet që ne me të vërtetë të presim që monitoruesit e huaj më vete do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Apo ka diçka që duhet bërë nga vetë shqiptarët?
Unë kam besim të plotë se monitoruesit ndërkombëtarë do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të siguruar se zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Por ne e dimë nga eksperienca e shkuar, se shumica e manipulimeve ndodh para se vëzhguesit të mbërrijnë dhe larg kontrollit të tyre, aty ku nuk është e mundur të dallohet.
Unë nxis publikun shqiptar të raportojë çdo agresion ndaj procesit të votës te monitoruesit. Është mirë që të ndihmoni ata në mënyrë që ata t’ju ndihmojnë ju. Unë vetë kam dy shqetësime në lidhje me vëzhguesit ndërkombëtarë. E para, është shumë e njohur se Kryeministri ka mbështetës afatgjatë mes disa ndërkombëtarëve, veçanërisht disa nga Parlamenti i OSBE-së, të cilët kanë bërë gjithçka kanë mundur për t’i paraqitur zgjedhjet e shkuara në një dritë më pozitive nga sa ishte e nevojshme. Kjo nuk duhet të lejohet më.
E dyta, duket se vëzhguesit e huaj priren t’i gjykojnë zgjedhjet me standarde relative. Me fjalë të tjera, qëndrimi i tyre duket se janë “zgjedhjet aktuale, megjithëse me të meta, janë margjinalisht më të mira sesa paraardhësve dhe rrjedhimisht ne i konsiderojmë ato të pranueshme.” Ky është një gabim. Unë besoj se në të vërtetë zgjedhjet shqiptare duhet të vlerësohen sipas standardeve objektive ndërkombëtare.
Populli shqiptar meriton zgjedhje me cilësinë më të lartë si të gjithë popujt në Europë, në Amerikë e nëpër botë.
Kur ju ishit ambasador në Tiranë, ne pamë përpjekjet tuaja në mbështetje të Prokurorisë së Përgjithshme gjatë kohëve të vështira të hetimit të Gërdecit. Por të gjitha rastet e hetimit të profilit të lartë nuk ia dolën të mbyllen me dënim. Për shembull, vrasjet e 21 janarit 2011. Si ndiheni kur shikoni se shumë nga “të këqijtë” ia dolën të shmangin ndëshkimin? Çfarë mund të bëhet për ta bërë sundimin e ligjit të funksionojë?
Jam shumë i zhgënjyer nga vendimet e fundit të gjykatave. Ti ke shumë të drejtë. Gjatë punës sime si ambasador, unë pashë sistemin e drejtësisë si shpresa më e mirë për ta lëvizur përpara tranzicionin demokratik të Shqipërisë dhe, duke përdorur gjithçka mundja, e mbështeta drejtësinë, prokurorët dhe procedurat e drejta të gjykatave përballë presionit politik në çdo mënyrë si të mundja. Sot, gjithsesi, duket se gjykatat janë rrënuar përballë këtyre presioneve.
Çështje pas çështjeje – Gërdeci, rruga Durrës-Kukës, gjyqi për korrupsion ndaj Metës, vrasjet e 21 janarit – gjykatat kanë dëshmuar se ato nuk janë më garantues të drejtësisë së barabartë para ligjit. Tashmë, me zyrën e Presidentit të bindur – një President që nuk është më zëri i pavarur i popullit, por një zëdhënës pa kushte i Kryeministrit – janë arsyet politike, jo kualifikimet juridike, ato që sjellin emërimin e gjykatësve dhe promovimin në gjykatat më të larta.
Kështu, megjithëse ka shumë gjykatës të ndershëm dhe shumë të kualifikuar në Shqipëri, ata anashkalohen në favor të atyre që kanë lidhje politike.
Nuk po them asgjë që shqiptarët nuk e dinë sakaq. Thjesht dëshiroj të theksoj se rënia e sistemit tuaj të drejtësisë është një sirenë rreziku për shoqërinë shqiptare.
Ju e dini nga koha e komunizmit, se një sistem gjyqësor i politizuar është thjesht një mjet represioni, një instrument për të mbështetur të fuqishmin në pushtet me kosto të stërmadhe për popullin. Nuk ka pasur kurrë një moment më kritik sesa ky dhe shqiptarët duhet të pyesin veten: a është ky sistemi politik që unë mund të toleroj? A mund të marr drejtësi në gjykata? Si mundet të ndihmoj unë për të fuqizuar gjykatësit dhe avokatët me integritet? A mund të jetoj nën institucione juridike që bëjnë gjithçka që kanë në fuqi për të mbrojtur Lulzim Bashat, Ilir Metat dhe Fatmir Meditë nga drejtësia, por nuk bëjnë asgjë për të mbrojtur Julian Çelat nga padrejtësitë?