INTERVISTA/ Artan Hoxha: Berisha po sillet me Shqipërinë si me kullën e Haklajve në Tropojë

0
31

TemA, 8 Shkurt 2013

Ditën e 21 Janarit, ai ishte i vetmi që kapi flakën e tytës së Agim Llupos teksa ekzekutonte në bulevard, Ziver Veizin. Gazetari Artan Hoxha rrëfen pas vendimit të treshes gjykuese se si e priti vendimin, si e kishte parashikuar verdiktin e gjykatës, çfarë mendon për drejtësinë, rolin e ambasadorëve dhe pasivitetin e opozitës që dëgjon kaq qorrazi ndërkombëtarët. Hoxha thotë se në krimet ku është i përfshirë Sali Berisha, nuk ka kurrë të dënuar dhe fajtorë, sepse ai i mbron vrasësit e tij deri në fund. Ashtu bëri me serialin “Haklaj”, ku policët e implikuar në ato ngjarje i ka bërë drejtorë të rëndësishëm në polici, ashtu u soll edhe me zhdukësit e Remzi Hoxhës dhe me ngjarjen e Azem Hajdarit, deri tek ato të 21 Janarit. Intervista e plotë për gazetën “Dita”….

Pafajësi për të akuzuarit për vrasjet e 21 janarit! Ishte ky vendimi që prisnit?

Për të qenë i sinqertë jo vetëm që e kam pritur por dhe e kam parashikuar qysh në fillim. Kujtoj se vetëm 3 ditë pas ngjarjeve të 21 janarit, kam qenë i ftuar në një studio televizive për të folur për atë që kishte ndodhur. Në një moment moderatori i emisionit më pyet se cili ishte opinioni im në lidhje me hetimet e kësaj ngjarje. Nisur nga intuita e një reporteri që prej 17 vitesh merret me çështjet e drejtësisë, dhe sidomos me ngjarjet ku fut hundët politika, u përgjigja:”21 janari është një nga ato ngjarje me sfond të qartë politik, ku i implikuar direkt është kryeministri i vendit Sali Berisha. Nisur nga eksperienca e deritanishme, në asnjë rast ku është përfshirë Sali Berisha, drejtësia nuk ka mundur dot të zbardh ngjarjet. Viktimat kanë mbetur pa vrasës, vrasësit janë marrë direkt në mbrojtje prej Sali Berishës. Sali Berisha nuk i dorëzon kurrë vrasësit e tij, në të kundërt askush nuk do të vriste për të. Për fat të keq edhe 21 janari është një ngjarje e tillë.

Të jeni të bindur që garda nuk ka qëlluar pa urdhër direkt të Berishës, ndryshe ai nuk do ti mbronte kaq stoikisht. Vrasësit e vërtetë të 21 janarit, pavarësisht optimizmit tuaj (moderatorit) nuk do të ulen kurrë në bankën e të akuzuarve, ndërsa ekzekutorët që po merren ne mbrojtje nga kryeministri do ti nënshtrohen një procesi që do të zgjasë pafund, dhe kur ne ta kemi harruar, ata do të jenë të pafajshëm”. Pak orë pasi u dha vendimi, hyra në arkiv dhe e dëgjova serish këtë opinion timin, për fat të keq kisha parashikuar saktë. Por të them të vërtetën, më shumë frikë dhe tmerr lexova sot në fytyrat prej kllouni të tre gjyqtarëve të trupit gjykues, sesa në fytyrat e Ndrea Prendit dhe Agim Llupos. Këta të fundit ishin të qetë, sepse ata thjeshtë tërhoqën gishtin ndërsa vrasësi i vërtetë është dikush tjetër.

Gjykata tha se nuk u provua që vrasja ishte “me dashje”. A nënkupton kjo që është bërë një vrasje “pa dashje”?

E kam ndjekur nga afër hetimin dhe procesin gjyqësor. Personalisht kam qenë i pakënaqur si nga hetimi i prokurorisë ashtu dhe nga gjykimi i çështjes. Për një moment kam menduar se pamjet filmike që tregonin qartë çfarë kishte ndodhur(të cilat, për pjesën që më takon mua, i kam vënë plotësisht në dispozicion të hetimit) si dhe ardhja e provave të pakundërshtueshme nga laboratori FBI-së do ta detyronin drejtësinë të mos bënte lojëra.

Zhgënjimin e parë e pësova kur dëgjova pretencën e prokurorisë, ajo i referohej nenit 79 pika (e) dhe (dh) të Kodit Penal për të dy të pandehurit, dhe nga ana tjetër nuk kërkoi burgim të përjetshëm për ta. Nuk e di çfarë tjetër duhej të bëj një i pandehur, përveç se të vrasë 2 qytetarë të pafajshëm dhe të plagosë 4 të tjerë, për tu dënuar me burg të përjetshëm. Nëse vrasjet janë me dashje apo padashje, kjo nuk ka nevojë fare për koment. Ato i ka parë gjithë Shqipëria, i madh e i vogël, i ka parë bota. Nëse ekzekutimi live i Ziver Veizit nga Agim Llupo, nuk është vrasje me dashje, atëherë çfarë tjetër mund të jetë?!!!

Besnik Hoxha, Arjana Caca, Adriana Bera janë tre gjyqtarët që kanë dhënë vendimin për pafajësinë e Prendit dhe Llupos. I njihni këta gjyqtarë, dhe cilat janë vendimet e bujshme të tyre të mëparshme?

I njoh të tre gjyqtarët, thjesht prej profesionit të tyre. Qysh nga dje fotografitë e tyre i kam skeduar në arkivën time për të mos i harruar, së bashku me fotografitë e dy ekspertëve Ndoc Çardaku dhe Gani Jahelezi, që rrëzuan dhe teorinë e Ajnshtajnit para gjykatës. Në këtë dosje janë dhe shumë foto të tjera, të personazheve që kanë manipuluar këtë hetim dhe kanë fshehur provat e masakrës së 21 janarit, ku sigurisht nuk mund të mungonte ajo e mjekut të Spitalit Ushtarak, Sami Koçeku(njeriu që doli i pari dhe tha se vrasjet janë bërë nga afër me armë të lehtë).

Analogjia që kanë bërë gjyqtarët në vendim me rastin e vrasjes së kryer nga një karabinier italian nuk ka fare asnjë pik lidhje me vrasjet e 21 janarit. Sinqerisht “guximin” e tre gjyqtarëve për të dhënë këtë vendim të turpshëm, nuk e gjej as te kurajo e të pandehurve në momentin që hapën zjarr mbi viktimat.

Kryeministri Berisha çuditërisht tha se nuk ka koment për vendimin e gjykatës? Si ju duket ky kryeministër i cili kur ishte në opozitë fliste vetëm për gjykatën e Mark Abdisë dhe për çdo vendim që merrej nga gjykatat?

Është e kotë të humbësh kohën me spekulimet e tij. Mos harroni se ishte pikërisht Berisha që deklaroi se protestuesit ishin vrarë nga brenda turmës. Foli për çadra-pistoletë, thika me helm, për çakej e kunadhe të medias. Ishte Berisha njeriu që pengoi ekzekutimin e 6 urdhër-arresteve të prokurorisë, duke marrë atributet e gjykatës. Vetëm gjykata vlerëson nëse një urdhër-arresti i lëshuar nga organi i akuzës është i drejtë ose jo. Ishte Berisha ai që sulmoi kryeprokuroren si lavire bulevardi dhe kreun e KLD-së si horr bulevardi. Është Berisha ai që nuk paraqit asnjëherë në procesin Hajdari pavarësisht 56 thirrjeve të drejtuara nga trupi gjykues në adresë të tij.

Mos harroni çfarë ka bërë ai me procese të ngjashme me atë të 21 janarit. Sali Berisha është përgjegjësi direkt për rrëmbimin, torturimin, vrasjen dhe me pas zhdukjen pa lënë gjurmë të shqiptarit nga Kaçaniku i Kosovës, Remzi Hoxha. Ai jo vetëm që fshehu provat, mori në mbrojtje direkte vrasësit por mban në detyra të rëndësishme shtetërore zbatuesit në terren të këtij krimi makabër. Sali Berisha personalisht urdhëroi vrasjet në Tropojë, në vitet 1998-2000. Ai futi në konflikt dhe gjakmarrje për motive të qarta politike disa nga familjet më të njohura në veri të vendit. Sali Berisha sapo erdhi në pushtet dërgoi forcat speciale në kullën e Haklajve, kur ata(pleq, gra dhe fëmijë) që kishin shpëtuar nga hakmarrja e tij ishin larguar jashtë vendit.

Pasi e çarmatosi me forca speciale kullën e braktisur të Haklajve, e sulmoi me lëndë djegëse, armë kundërtanke, deri në vendosjen e 30 kilogramëve eksploziv. Pasi e rrafshoi deri në themele këtë kullë shekullore, dhunoi barbarisht edhe varret e djemve të vrarë të familjes Haklaj. Këtë e bëri qysh në javët e para sapo erdhi në pushtet në gusht-shtator 2005, histori të cilën emisioni Xhungël e ka treguar në serialin “Dosja Tropoja”. Të gjithë oficerët, ekspertët dhe shefat e policisë në Tropojë që mbuluan krimet e urdhëruara nga Berisha, u emëruan në poste drejtuese në qarqet më të rëndësishme të vendit. Ajo kullë atje rrëzë malit të Shkëlzenit në Tropojë, u sulmua, u dogj, u minua, u rrafshua deri në themele, u dhunuan varret për tu bërë shembull duke i treguar gjithkujt se çfarë do ta gjente nëse i kundërvihej Sali Berishës. Ja ku jemi sot, ngjarjet që kanë ndodhur e vërtetojnë pikërisht këtë gjë.

Cili mendon se do të jetë ndikimi i këtij vendimi tek njerëzit?

Vendimi ka qenë tronditës. Në qindra sms që kam marrë në faqen time në internet dhe në telefonin tim, kam parë nga irritimi për padrejtësinë që u bë në mes të ditës, faqe gjithë shqiptarëve, deri në dhimbje të thellë për atë që ka ndodhur. Mjafton të kujtoj deklaratën e Ambasadës Amerikane. Aty thuhej qartë gjithçka. Nuk e di çfarë do të bëj opozita me këtë energji të pashembullt popullore, që u provokua në mënyrë të paskrupullt nga ky vendim. Jemi bërë një vend qesharak, ku dhunuesit dalin ballë lart gjithandej në media dhe shesin parime e moral, ndërsa viktimat rrinë në heshtje dhe fshihen skutave se mos i prishin humorin kasapit të tyre.

Ke më besim në drejtësinë shqiptare?

Si mund të kem besim te gjyqtarë burracakë, sahanlëpirës të pushtetit, që depersonalizohen deri në atë farë feje, sa nuk guxojnë të flasin as për kolegun e tyre që u dogj i gjallë para kamerave në mes të Vlorës. Nuk kërkoj të bëhen Xhovani Falkone, se e di mirë që nuk janë nga ajo gjellë, pasi politika është kujdesur që ti përzgjedhë kokërr më kokërr. Por është e neveritshme ajo çfarë bëjnë kaq haptazi. Shesin çdo parim profesional, human dhe etik për të mbrojtur mynxyrat e pushtetit, në mënyrë që pastaj të kenë të drejtë të vjedhin pafundësisht qytetarët shqiptarë. Shikojini me çfarë makinash lukzose prej dhjetëra mijë apo qindra mijë eurosh qarkullojnë nëpër Tiranë. Për këtë rracë juristësh tashmë është “turp të kesh turp”.

Nuk po pyesim ç’duhet të bëjnë familjarët e viktimave (pasi është një çështje kombëtare tashmë. Kushdo mund të ishte vrarë). Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët?

Shpesh herë kemi dëgjuar ndërkombëtarët që kërkojnë durim dhe vetëpërmbajtje nga opozita dhe qytetarët e pakënaqur. U thonë se në demokraci drejtësia vendoset me votë. Por bëjnë një “lapsus”, Shqipëria nuk është një demokraci, prandaj vota nuk vendos dot drejtësi. Opozita është duke ndjekur deri dhe qorrazi këshillat e ambasadorëve të atashuar në Tiranë, duke harruar që mandati i një ambasadori është vetëm 3 vjet, ndërsa populli ka votuar të. Në këto kushte në të cilat ndodhet vendi, edhe procesi zgjedhor i 23 qershorit është thellësisht i cenueshëm dhe i kompromentuar.

BOTUAR SOT NE DITA