Nga BESNIK GJONGECAJ
Një sy i vëmendshëm, i cili arrin të vendosë brenda fokusit të tij krejt Shqipërinë në ekzistencën e saj që pas viteve ‘90, dallon ekzaktësisht atë që një sy sateliti prodhon si imazh kur e vështron planetin nga hapësira: turbulenca, përplasje rrymash, pështjellim, një anarki ngjyrash, lëvizjesh, pluskimesh. Ata që e komandojnë satelitin kanë komfortin e arritur me mundim prej vitesh të shpjegojnë logjikisht të gjithë këtë pikturë surrealiste. Banorët dhe zotërit e këtij vendi, pra shqiptarët, megjithëse kanë të bëjnë me një vend fare të vogël dhe të thjeshtë në krahasim me gjithë këtë planet dhe shoqëritë që ai mbart, akoma edhe sot nuk munden të shpjegojnë se ç’po ndodh në Shqipëri. Sa më shumë që përpiqen për ta gjetur këtë, aq më shumë po kuptojnë se ka një arsye substanciale që i privon ata nga shpjegimi realist i asaj që ndodh në pjesën e vogël të planetit që zotërojnë. Ajo që i privon është në fakt shkaku më i thjeshtë i botës: shqiptarët nuk kanë mjetet për të bërë këtë shpjegim. Shqiptarët nuk munden të shpjegojnë se ç’po ndodh me fatin e tyre sepse ai është në duart e të tjerëve; nuk munden të shpjegojnë se ç’po ndodh me lirinë në këtë vend, sepse ajo thjesht nuk është më brenda tyre, por në syndyqet e vjetruara të qeverisësve dhe në deklaratat e të huajve; nuk munden të shpjegojnë se ç’po ndodh me sistemin ku ata jetojnë, sepse atë e kurdisin herë si demokratik dhe herë e ç’kurdisin si regjim, sipas rastit dhe gjithmonë të tjerët; nuk munden të shpjegojnë se ç’po ndodh me pasurinë e tyre, me pronën, sepse atë e japin dhe e marrin të tjerët… Dhe kur nuk i ke mjetet për të shpjeguar atë që rrethon universin e vendit tënd të vogël, tenton t’i afrohesh të paktën fizikisht atij, ta prekësh atë, duke hapur sytë sa mundesh për të futur brenda shikimit tënd sa më shumë të panjohura, fakte. Ajo që ka njëzet vjet që ndodh është se edhe kur tenton ta bësh këtë gjë, pra kur tenton t’i prekësh vetë gjërat me dorë, të afrohesh aq sa ta pësosh në lëkurën tënde atë që ndodh në Shqipëri, në vend të kthjellohesh, hutohesh më shumë dhe gjithmonë e më shumë kupton se thelbi i asaj që ndodh realisht është i pashpjegueshëm, absurd, bosh, s’ka pse të ndodhë, pra është pa arsye brenda dhe pikërisht për këtë, në vend që e vërteta të afrohet, ajo largohet sa më afër saj pretendon se shkon. Ç’është, pra, ajo që ka pothuajse njëzet vjet që na shohin sytë në këtë vend dhe që e bën vendin e shqiptarëve fatalisht të ndryshëm nga pjesët e tjera të këtij planeti? Ç’është, pra, ajo gjendje në të cilën ekzistenca të duket gjithmonë dhe pambarim si një përpjekje sizifiane për të dalë nga rrënimi? Dhe pyetja më esenciale e këtij shkrimi: ku janë intelektualët, ata që do të duhet t’i ndihmonin shqiptarët për të dalë nga ky ferr ku i kanë zhytur?
. . .
Nuk ka gjë më sinjifikative se fati i intelektualit për të shpjeguar natyrën e shoqërisë në të cilën jetojmë. Fati i tij, në thelb, mund të përdoret si një “lakmus test” për të identifikuar sistemet, veçanërisht mund të përdoret si një vijë demarkacioni midis një sistemi totalitarist, pra, një regjimi dhe një sistemi demokratik. Në kundërshtim me sistemet realë demokratikë, një regjim është gjithmonë i interesuar të jetë hermetik, i padepërtueshëm dhe për këtë ai nulifikon transparencën në funksionimin e tij. Kjo është vetëm gjysma e asaj që bën regjimi dhe vetëm gjysma pasive e tij. Regjimi është pamëshirshëm agresiv ndaj të gjithë atyre që mundohen të depërtojnë koracën e tij dhe meqenëse të parët që e kanë në natyrën e tyre ta çajnë këtë koracë janë intelektualët, regjimi i përkushtohet rrënimit të tyre, lufton për t’i zhbërë ata, për t’i deheroizuar dhe kjo është edhe gjysma tjetër e regjimit, ajo aktivja, më çnjerëzorja.
Qeverisja e PD nuk është qeverisje që përputhet me një sistem demokratik, sepse, përveç të tjerash, intelektualët e këtij vendi kanë vite që zhbëhen nën peshën e saj. Qeverisja e PD, prandaj, mbetet të jetë qeverisje e një regjimi. Akoma më esencialisht: nuk është dhe nuk ka qenë ekzistenca e një regjimi që prodhoi qeverisjen që kanë sot shqiptarët, përkundrazi, qeverisja ekzistuese bëri ç’është e mundur në krejt kohën e dhënë dhe së fundmi ia arriti qëllimit të krijojë një sistem që në rastin më të mirë, për t’i shpëtuar termit regjim, e karakterizojnë si demokraci hibride. Menjëherë sapo ballafaqohet me fatin jo rrallë poshtërues që i rezervohet intelektualëve në Shqipëri, ky karakterizim ngjan shumë i butë, mbi të gjitha jo realist. Kur mbledh faktet dhe i hedh të gjitha mbi tavolinë, ashtu siç janë dhe pa zbukurime, e kupton përfundimisht se në Shqipëri kemi të bëjmë thjesht dhe tërësisht me një regjim. Por, edhe këtu, tragjikomikisht, jemi të veçantë. Regjimi në të cilin ndodhet Shqipëria dhe intelektualët brenda saj nuk është regjim fashist, as komunist, as monarkist, as autokratik, as… Ai është pak nga të gjitha, një amalgamë, i veçantë, i papërsëritshëm si i tillë: ai është thjesht regjimi i Tiranës.
. . .
E gjithë reforma ligjore e ndërmarrë në fushën e arsimit dhe të shkencës nga regjimi i Tiranës, jashtë çdo hezitimi, synoi të godasë pjesën më të ndritshme të intelektualëve shqiptarë dhe zëvendësimin e tyre me mediokrit, të paaftët, pra me konformistët, me qeniet që sot vënë në lëvizje regjimin pa pyetur se sa i drejtë është ai. Çdo gjë filloi me të ashtuquajturën reformim të Akademisë së Shkencave, si me një hakmarrje të vjetër. Ishte që në fillim një nisje e gabuar e qeverisë së mëparshme të PD-së, e cila u korrigjua nga profesorët që u thirrën prej saj për të skicuar këtë reformim. Ekipi i profesorëve arriti të bindë qeverinë se nuk mund ketë dhe nuk do të ketë reformim të Akademisë së Shkencave, por të krejt sistemit kërkimor në Shqipëri, ku do të përfshiheshin edhe universitetet dhe institutet kërkimore. Ky ekip kishte si synim jo vetëm të krijonte një strukturë të re kërkimore në Shqipëri, por mbi të gjitha, të institucionalizonte të gjithë ato mekanizma që do të nxirrnin në krye të aftët dhe do t’ia shndërronin të paaftëve në ferr “tokën e universiteteve dhe shkencës”. Ajo që ndodhi ishte një gjë që nuk pritej. Ekipi i profesorëve u përdor nga kryeministri vetëm për të krijuar përshtypjen se reformimi i universiteteve dhe shkencës ishte produkt i vetë komunitetit, studiuesve. Menjëherë pas kësaj, qeveria e zhveshi reformën nga përmbajtja dhe e zbatoi atë në mënyrë të tillë që ajo të mos njihej më, madje edhe nga ata që kishin punuar për të. E masakroi përfundimisht kur e kombinoi atë me zgjedhjet në universitete, duke e shndërruar në terrenin më pjellor për “shumëzimin” e të paaftëve, të njerëzve të ardhur nga rruga, arrogantëve, servilëve, llumit intelektual në përgjithësi. Intelektualët e vërtetë pothuajse nuk futeshin dot në këtë skemë gjasme ligjore, sepse ata nuk bëjnë dot dy gjëra esenciale për t’u përfshirë në të: nuk shndërrohen dot në “yesmen” e para, dhe e dyta, nuk kanë mundur kurrë të rekrutojnë grupe mbështetësish (p.sh, votuesish në rastin e zgjedhjeve në universitete) mbi kritere të pandershme. Është kjo arsyeja thelbësore pse reforma ligjore apo dhe reformat e dimensioneve të tjera që gjasme u kryen ekzaktësisht në atë pjesë të trupit të shoqërisë që është përgjegjëse për riprodhimin e trurit në Shqipëri dështuan në pjesën esenciale të misionit të tyre: në nxjerrjen në ballë të shoqërisë të të aftëve, dhe mbi të gjitha, në sigurimin e hapësirave që ata do t’i përdornin për të shpjeguar shoqërinë, problemet që has ajo, zgjidhjet. Pasojat kanë kohë që kanë filluar të ndihen dhe për një gjë jam i sigurt: ato janë vërtet katastrofike. “Yesmen”-ët e rinj, ky produkt i përçudnuar i reformave, qoftë si individë, qoftë në emër të strukturave të institucioneve ku presupozohet të gjallojnë intelektualët dhe të ushtrojnë në përputhje me ligjin një aktivitet të pavarur nga qeveria, tani hapin gojën si peshku, domethënë jo për të folur, por për të pritur thërrimet që do t’u hedhë qeveria. Me dhjetëra e dhjetëra akte nënligjore të destinuara të përcaktojnë punën dhe fatin e punëtorëve të mendjes, megjithëse janë në kundërshtim me ligjin, qarkullojnë sot në “eterin” e regjimit të Tiranës. Pra, në këtë vend, dhe ky është një tregues shumë sinjifikativ i ekzistencës së këtij regjimi, është krijuar një “nënshtresë” rregullash, urdhrash, vendimesh, plotësisht në konflikt me “shtresën” ligjore mbi të dhe akoma më shumë, në kundërshtim edhe me Kushtetutën e vendit. “Peshqit”, produkt dhe sinonim i reformave, ushqehen me këto urdhra dhe i shërbejnë qeverisë me hapjen dhe mbylljen e gojës memece prej peshku. Në këtë pikëpamje, megjithëse gjysmak, krejt legjislacioni që rregullon veprimtarinë e intelektualëve në çfarëdo roli që ata kanë, si studiues, universitar, shkencëtar, është praktikisht i pazbatueshëm, dhe krejt hapësira ligjore që rregullon jetën e tyre është zëvendësuar tërësisht nga urdhrat që dalin nga qeverisja e regjimit të Tiranës. Ligji është zëvendësuar përfundimisht nga urdhri, ekzaktësisht siç ndodh në një regjim. Kjo gjë vetëm se e bën akoma më sundues regjimin, më të pranishëm, më mbytës, më të pakthyeshëm. Qendrat e ripërtëritjes së intelektualëve, pra qendrat e vlerësimit të studiuesve të rinj, nuk i ngjajnë më qendrave të vitalizimit të dijes dhe njerëzve që i mbartin ato. Si ato brenda universiteteve, ashtu dhe jashtë tyre, këto qendra, pra, këto struktura ku përfshihet edhe Komisioni për Vlerësimin e Titujve Akademikë, një strukturë jashtë universiteteve dhe gabimisht nën drejtimin e ministrit të arsimit, mbështetin krejt veprimtarinë e tyre jashtë respektimit të atyre pak kritereve të vendosura, mbi urdhra, akoma më zi, mbi kompromise banale dhe të dyshimta, gjë që ka krijuar një sistem të tërë fals, shumë larg substancës së vlerësimit të kredencialeve të studiuesve të vërtetë. Kjo po krijon një klasë intelektualësh plotësisht në shërbim të këtij regjimi, apo të një regjimi tjetër që pritet të vijë.
. . .
Regjimi i Tiranës në thelbin e tij ka tjetërsimin e intelektualit, veçimin e tij nga përmbajtja që do ta bënte atë të pavarur, shndërrimin e tij në konformist dhe në shërbim të regjimit, duke e zvogëluar sa më shumë, në të njëjtën kohë duke e bërë sa më pak të dobishëm, në sy të publikut. Për të arritur këtë synim, në Shqipëri është ngritur në këmbë një sistem i tërë, herë miklues, por më së shumti një sistem që kërcënon. Në çfarëdo pozicioni që ndodhet, intelektualit i duhet të luftojë kundër denatyrimit të vetvetes, proces që regjimi ia imponon vazhdimisht. Në rastin më “të mirë” për të, por edhe për regjimin, intelektuali shndërrohet në një qenie me guackë duke vrarë në fillim komunikimin, dhe pastaj duke kultivuar brenda tij autocensurën. Ky është dhe intelektuali shqiptar më i përhapur sot, por edhe intelektuali më i pëlqyeshëm për regjimin. Intelektuali tjetër është ai që nuk e pranon regjimin, nuk i nënshtrohet as miklimeve dhe as kërcënimit të tij. Në rastin më të mirë ky intelektual izolohet, atij i priten të gjitha urat me shoqërinë, projektet, konferencat, takimet, shpesh edhe marrëdhëniet e punës. Ky intelektual, pra i vërteti, fillon dhe “zerohet” gradualisht, ndërsa “peshqit” e regjimit hapin e mbyllin gojën nga gëzimi prej peshku se nuk janë vetëm ata që nuk flasin e nuk dëgjohen në këtë botë, por ka edhe të tjerë, madje edhe nga ata që dinë. Në të gjitha rastet, gjithsesi, një gjë mbetet thellësisht e vërtetë: intelektualët nuk janë aty për të shpjeguar se ç’po ndodh me Shqipërinë, për t’i ndihmuar shqiptarët si të shkëputen nga regjimi që i sundon. Regjimi i Tiranës, përkohësisht, ka fituar mbi intelektualët shqiptarë.
(GSH/BalkanWeb)