Rexhep Meidani, 27.10.2009
Pothuajse një vit më parë, kam pasur në një bisedë mjaft të gjatë me një mikun tim shumë të mirë dhe të shqiptarëve, Roger Sherrard, një jurist i talentuar me një kontribut mjaft të shënuar në shërbim të drejtësisë shqiptare dhe lirive dhe të drejtave të njeriut.
Në atë bisedë, duke diskutuar për korrupsionin, unë pas një analize të hollësishme mbi korrupsionin politik (dhe në atë kuadër dhe të korrupsionit zgjedhor), shpalosa të njëjtin mendim që më shponte trurin prej kohësh. Në përputhje me të, vullneti politik dhe puna e deritanishme kundër korrupsionit më shumë se një realitet në përmirësim ishte thjesht një demagogji, me tepër një përrallë politike apo një teatër pa perspektivë.
Dhe më e keqja, nga njëra anë, ky korrupsion politik (përfshirë dhe atë zgjedhor), maja e tij ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë “bazën” dhe nga ana tjetër, kjo bazë me një sistem “feed back” ka ushqyer e ushqen mrekullueshëm majën e saj.
Si rezultat, është kultivuar dhe vazhdon të kultivohet në vite korrupsioni kapilar, që e bën diku pak të ndjeshëm, diku dhe të pandjeshëm, deri “fajtor” zërin qytetar, opinionin publik dhe reagimin mediatik. Shtrirja e dukurisë së korrupsionit në mënyrë kapilare e ka bërë gjithçka shumë më të vështirë, pse jo dhe më të “sofistikuar” se më parë.
Madje, bindja jonë e përbashkët ishte se jo pak para’ dhe energji ka ardhur nga jashtë, madje se kjo mbështetje e huaj në luftën kundër korrupsionit është harxhuar në mjaft raste në boshllëk.
Prandaj, diçka duhej bërë ndryshe, jo duke harruar se po punohet me të korruptuar në çdo nivel, por duke bashkuar dhe bashkëpunuar me më të mirët, qofshin ata dhe jo aq të shumtë.
Duke u pjekur ideja e këtij përafrimi të ri, u mor si tezë bazë jo thjesht dhe vetëm korrupsioni, por pothuajse e kundërta e tij – integriteti. Kjo edhe pse kjo karakteristikë është diçka më shumë. Mbi këtë ide u realizua dhe një takim i parë mbi integritetin…
Integriteti si koncept ka të bëjë me një konsistencë idesh, parimesh e vlerash, veprimesh e sjelljesh, metodash e matjesh, pritshmërish dhe rezultatesh.
Ai mishëron adherencën ndaj një kodi moral të ndërthurur e ndërlidhur me pakorruptueshmërinë; shëndetshmërinë (të vlerave, qëndrimeve, veprimeve e sjelljeve) apo vetë konstruksionin shpirtëror dhe plotësinë morale e shpirtërore (cilësinë e gjendjes së të qenit i plotë, i kompletuar, i unifikuar, i pandarë, që në një mënyrë apo në një tjetër lidhet me ndershmërinë, moralin dhe etikën).
Shpesh, njerëzit e shohin integritetin në një kuadër holitistik, duke e vlerësuar integritetin brenda një sistemi vlerash, mbi të gjitha, dhe në terma të kapacitetit të këtij lloj sistemi për të arritur disa qëllime të përcaktuara. Individë të tjerë e shohin integritetin si veçori të lidhur me ndershmërinë dhe vërtetësinë e motivimit në kuadër të çfarëdo veprimtarie.
Prandaj, ndeshen dhe individë që, veç konsiderimit të integritetit si kundërhelm ndaj korrupsionit, si kundër-term ndaj integritetit marrin hipokrizinë dhe demagogjinë (që praktikisht ndeshet qartësisht në disa shtetarë e politikanë shqiptarë).
Pra, sipas tyre, kur një pjesë e sistemit (individual, kolektiv, institucional, etj.) konfliktin në mënyrë të dukshme me një pjesë tjetër, atëherë është më mirë të bësh gjithçka (të gabuar, arrogante, kundërshtuese, etj.) për të krijuar ose përmirësuar (me zor) konsistencën e brendshme. Kjo nënkupton dhe pseudo-integritetin me përmbajtje makiaveliste!…
Edhe etimologjia e fjalës integritet na ndihmon për vetë thelbin e saj. Ajo vjen nga latinishtja integritas nga mbiemri integer i plotë apo komplet. Në këtë kontekst, mund të nënkuptohet brendësia e plotë e një individi të karakterizuar nga ndershmëria e pastërtia, konsistenca e karakterit.
Po në të njëjtën mënyrë, mund të vlerësohen e gjykohen edhe të tjerët për të pasur integritet natyrisht në bazë të të njëjtit gjykim, që ata kanë ndaj vlerave, besimit dhe parimeve, të cilët pretendojnë se ata po mbrojnë.
Nga ajo që u tha më sipër, mund të flitet për integritet në lidhje me një individ e grup individësh, apo akoma edhe më gjerë, veçse si problem në vete në të gjitha këto raste mbetet mungesa e masës apo e matjes së këtij integriteti.
Integriteti, në pamje të veçanta, mund të diferencohet dhe si integritet intelektual (mendimet, gjykimet dhe interferencat e individit apo grupit janë mjaft koherente brenda një sistemi të dhënë); integritet emocional (emocionet janë mjaft të kompozuara dhe të ekuilibruara sa që personi përjeton siguri të plotë dhe kënaqësi, paqe e harmoni të brendshme); integriteti mendor apo psikik, etj.
Mungesa e tyre në këto pamje të veçanta cenon integritetin tërësor të individit, pavarësisht pozicionit të tij institucional, politik dhe shoqëror.
Integriteti është sa individual e grupor, po aq dhe integritet institucional. Ky i fundit mund të lidhet me degë apo hallka të qeverisjen, ku ka rëndësi dhe integriteti apo mungesa e integritetit të drejtuesit të tyre, por dhe integriteti i vendit, si sistem politik e tërësi institucionesh, si popull e territor. Madje, ka një lidhje të ndërsjellë midis integritetit kolektiv (grupor, institucional) dhe atij individual.
Pra, në momente të veçantë, aspekte të tyre, sidomos individë brenda tyre, nuk manifestohet i njëjti integritet ose, më saktë një mungesë integriteti.
Dhe kështu, p.sh., një mori e vogël politikanësh të lartë pa integritet e bëjnë vetë politikën pa integritet në sytë e qytetarëve, disa qeveritarë të korruptuar apo shefa policie, gjyqtarë, prokurorë të korruptuar, etj. e dëmtojnë rëndë integritetin e qeverisë, policisë, gjykatave, prokurorisë, etj.
Dhe anasjelltas! E tillë, shfaqet, p.sh., dhe marrëveshja jotransparente e qeverisë shqiptare për kufijtë detarë. Aty, duket qartë jo vetëm mungesa e integritetit e kryetarit të pozitës, dhe e ministrave të tij, por dhe e disa marrëveshje-bërësash, që nëpër popull po përfliten se janë bindur e shpërblyer!
Shembull ky i “shkëlqyer” që mungesa e integritetit individual e favorizon lehtë mungesën e atij institucional, që mund të cenojë deri edhe integritetin territorial apo kombëtar…!
Shembuj të tjerë të kësaj mungese të integritetit institucional janë të shumtë. I tillë është ai që lidhet me funksionimin e parimit të ndarjes së pushteteve apo të kontroll-balancimit, me procesin e decentralizmit, etj.
Në fakt, jo vetëm Parlamenti që nuk e luan detyrën e tij për kontrollin dhe kufizimin e pushtetit ekzekutiv (qeverisë), por dhe institucione të tjera si ai i Presidentit, i Prokurorisë, gjykatave, përfshirë në ndonjë rast dhe Gjykatën Kushtetuese apo Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Shembuj po aq të pakëndshëm mund të shërbehen nga, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, Instituti i Statistikave, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës, entet rregullatore, Shërbimi Civil, etj. Po aq e dobët, deri e pavlerë, është dhe lëvizja sindikaliste, ndërkohë që shoqëria civile, sidomos media (jo ajo qeveritare) në momente të caktuara manifeston integritet.
Por, ama, çdo dobësi apo mungesë integriteti në këto institucione, organizma apo hallka kontrolluese e kufizuese ndaj pushtetit ekzekutiv nuk bëjnë gjë tjetër veçse e favorizojnë një situatë pa integritet në këtë pushtet.
Aq sa nga arroganca dhe sfida e fundit ndaj ligjit (Prokurorisë dhe gjykatave) e kryeministrit në kompozimin politik – institucional të qeverisë ka vënë në alarm vetë përfaqësuesin e një vendi mik si SHBA-ja. Dhe, nga ana tjetër, me mjaft demagogji e hipokrizi flitet për heqje imunitetesh!…