Informacioni dhe inteligjenca e përgjithshme për integrimin e vendit në BE

0
82

Bujar Abedinaj, Doktorant pranë Akademisë së FA

Në vend të hyrjes

Çështja në vijim është shkëputur nga pjesa e dytë e punimit tim me titull, “Inteligjenca kombëtare: një përqasje me synimin e vendit për integrimin në BE”, e pranuar për botim dhe e prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore të Universitetit “Marin Barleti”, mbajtur në Tiranë, më 30 – 31 maj 2013.

Gjithashtu, çështja në fjalë shoqërohet me përfundimet kryesore nga materiali, meqenëse rrjedha e tyre organike përcaktohet kryesisht nga përmbajtja e kësaj çështjeje. Synimi kryesor i kësaj tematike është trajtimi i informacionit dhe përsosja e strukturave për realizimin e një inteligjence të përgjithshme, që çon përpara dhe materializon synimin e vendit për integrimin në BE.

Informacioni dhe inteligjenca e përgjithshme

Pas vlerësimit të shqipes në pikë-takimin mes dy familjeve gjuhësore, romane dhe gjermanike, si dhe evidentimit të dallimeve mes dy mënyrave kryesore të të menduarit në gjuhët sintetike dhe analitike, lind vetvetiu nevoja për trajtimin e informacionit dhe prodhimin e një inteligjence të përgjithshme, të përgjithshme deri në atë masë sa të mund të na ndihmojë për t’i shqyrtuar, harmonizuar dhe konsoliduar raportet në të dyja anët e medaljes, apo në të dyja polet e sistemit (sintetiko-analitik.) Për këtë qëllim problemi mund të shqyrtohet nga disa pikëpamje.

Përzgjedhja e informacionit të domosdoshëm për të arritur një synim ose avantazh, që informacioni i zakonshëm nuk e mbështet.

Nga pikëpamja e inteligjencës, jo çfarëdolloj informacioni shërben për inteligjencë, (Taylor, 2007), por vetëm ai lloj informacioni që siguron avantazh në procesin e politikë-bërjes dhe vendim-marrjes. Ndërsa politikë-bërja dhe vendim-marrja mund të jetë personale, ose si grup, organizatë, shtresë, entitet, popullatë, parti, shoqëri, institucion, shtet, etj.

Duke kaluar në secilën nga këto hallka përshkallëzohet edhe niveli i inteligjencës, nga inteligjenca individuale deri te inteligjenca e grupit, organizatës, entitetit, popullsive, shoqërisë, shtetit, pse jo edhe deri te inteligjenca e një kombi. Në këtë kontekst, me inteligjencë të përgjithshme mund të kuptohet aftësia e shkrirjes dhe shndërrimit të inteligjencave individuale në ato më të organizuara, që arrijnë të konkretizohen deri te inteligjenca e shoqërisë, shtetit dhe kombit si një tërësi.

Ndërsa, duke huazuar nga Shërbimet e inteligjencës, mund të themi se Inteligjenca kombëtare përfshin ndërveprimin e disa funksioneve, si: përcaktimi i nevojave dhe planifikimi i kërkesave për informacion, grumbullimi, përpunimi dhe analiza, si dhe shpërndarja e informacionit për shfrytëzim nga hallkat e ndryshme të politikë-bërjes dhe vendim-marrjes. Por funksioni kryesor në brendësi të ciklit të inteligjencës është përzgjedhja e informacionit të domosdoshëm për të arritur një synim ose avantazh, që informacioni i zakonshëm nuk e mbështet.

Te funksioni përzgjedhës takohen dhe ngjasojnë të gjitha llojet e inteligjencave ndërsa inteligjenca e përgjithshme është një përzgjedhje mbi përzgjedhje.

Taylor është njëri nga studiuesit që ka shpjeguar konceptin e inteligjencës duke u nisur nga prejardhja në rrënjët e kësaj fjale. Sipas tij, fjala inteligjencë është me origjinë latine, dhe ka rrjedhur nga bashkimi i parashtesës“inter” (midis) me fjalën “leger” (ndërmjet). Kuptimi i fjalës “Leger” lidhej me “mbledhjen e frutave dhe perimeve”, ndërsa fjala “inter” lidhej me përzgjedhjen midis tyre.

Me kalimin e kohës, këto dy fjalë u kombinuan në një të vetme, dhe gradualisht, kuptimi i inteligjencës evoluoi duke treguar aftësitë dhe prirjet e nevojshme për të bërë zgjedhje të mençura dhe të frytshme. Pra, pavarësisht inteligjencave të ndryshme, në brendësi të cilësdo lloj inteligjence thelbi ka mbetur i njëjtë, ku çështja e inteligjencës nuk është gjë tjetër veçse një çështje përzgjedhjeje; ndërsa diferencat qëndrojnë te procedurat.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shërbimet e ndryshme të inteligjencës. Kështu për shembull, në kontekstin e këtyre shërbimeve, ka një histori të tërë që mund të shpjegojë rrjedhën, metamorfozën dhe hopet që ka pësuar termi inteligjencë përgjatë kalimit nga inteligjenca e jashtme në inteligjencën e brendshme. Por në thelb edhe këtu procesi iinteligjencës nuk është gjë tjetër veçse një proces dhe aftësi përzgjedhjeje. Ndërsa natyrat e përzgjedhjeve po diferencohen përherë e më tepër, sipas fushave të veçanta ku po zhvillohen eksperiencat.

Tre kategori punonjësish që përmbushin funksionet kryesore tëinteligjencës.

Ndërmjet fushave të disa eksperiencave të veçanta, qartësisht të dallueshme nga njëra-tjetra, mund të përmendim se veprojnë tre kategori punonjësish: ata që kërkojnë dhe grumbullojnë informacion duhet të kenë inteligjencën specifike për të siguruar dhe përzgjedhur informacionin e duhur; ata që përpunojnë informacionin dhe prodhojnë inteligjencë duhet të kenë inteligjencën e duhur për të përzgjedhur dhe përdorur elementët e përshtatshëm midis procedurave që përcjellin përpunimin e informacionit dhe prodhimin e inteligjencës; dhe më në fund, ata që bëjnë politikat dhe marrin vendimet duhet të kenë inteligjencën e duhur për të ditur të zgjedhin midis alternativave të rekomandimeve dhe përfundimeve që u ofrohen, por edhe të kuptojnë dhe kërkojnë atë që u mungon.

Në aspektin e natyrës së përzgjedhjes punonjësit e kategorisë së tretë ngjajnë me ata të kategorisë së parë, pavarësisht disnivelit, sepse inteligjenca e tyre kërkohet të jetë konkrete: të parët përzgjedhin midis informacioneve të kërkuara apo të vlerësuara, ndërsa të tretët përzgjedhin midis alternativave të rekomandimeve e përfundimeve (pra njëlloj informacioni edhe ky – por të parët e kërkojnë në “terren”, ndërsa të tretët – në letra) mbi bazën e informacioneve të përpunuara dhe analizuara nga të dytët.

Përkundrazi, punonjësit e kategorisë së dytë ndryshojnë thellësisht pasi për ata nuk ka shumë rëndësi natyra e përfundimeve por mënyra, procedura, saktësia dhe siguria se si kanë arritur deri aty. Për këta të fundit kërkohet një lloj inteligjence e përgjithshme, një aftësi e përzgjedhjes midis elementëve të procedurave që trajtojnë përpunimin dhe analizën einformacionit, duke zotëruar një lloj edukimi të përgjithshëm “specifik”, mbi bazën e njohurive të konfirmuara nga ato sfera të dijes, që mbështesin, harmonizohen ose lidhen me fushën specifike të ekspertizës.

Kjo lloj ekspertize apo ky formim i përgjithshëm “specifik” nuk është i domosdoshëm për kategorinë e udhëheqësit, madje as i nevojshëm. Por për t’u kompensuar një “boshllëk” i tillë (që udhëheqësit tanë zor se e njohin) lypset një punë e menduar dhe afatgjatë në formimin dhe përzgjedhjen e kategorisë së punonjësve të tipit të dytë, që mund të jenë shërbyesit potencialë në stafet e ndryshme të mbështetjes.

Inteligjenca e përgjithshme nevojitet për të mbështetur udhëheqësit.

Në kontekstin shqiptar të bën përshtypje superioriteti i padiskutueshëm i udhëheqësve perëndimorë në raportet e tyre me udhëheqësit tanë. Të bën përshtypje eleganca dhe lirshmëria e tyre në komunikim, pavarësisht nga thjeshtësia e mendimeve që shpalosin. Mbase vërtetë nuk janë shkencëtarë apo filozofë, por gjithsesi të saktë dhe efektivë. Kjo sepse lirshmëria dhe zhdërvjelltësia e tyre rrjedh natyrshëm nga një punë e tërë e stafeve të veta të mbështetjes.

Nuk ka pse udhëheqësi t’i njohë të gjitha detajet dhe procedurat e ndjekura nga analistët në lidhje me përfundimet e arritura. Mjafton që ai mund të përzgjedhë midis këtyre përfundimeve mbi bazën e formimit të vet të përgjithshëm, ose sipas eksperiencës empirike personale, duke “i mbushur” përzgjedhjet e veta me një argumentim të thjeshtëzuar apo të natyralizuar për nivelin e komunikimit spontan, të lirë dhe të hapur me palën tjetër. Por ata (udhëheqësit perëndimorë) dinë të frenohen për të mos kaluar në “teorizime.”

Në këtë mënyrë, “sekreti” qëndron i maskuar përtej pohimeve të udhëheqësit, tek puna e palodhur dhe e kualifikuar e stafeve të analizës (përndryshe, te arsyeja më e thellë e Pse – PO-ve dhe Pse – JO-ve), ndërsa udhëheqësi “luan” me përfundimet e analizës, shpesh duke i përvetësuar, thjeshtësuar dhe i justifikuar ato me zgjidhjet dhe argumentet vetjake të ditës.

Ndaj, besoj se këtu qëndron arsyeja, që ky tip udhëheqësi befason me çiltërsinë e tij personale e njerëzore dhe komunikimin e shpenguar me homologun e vet përballë. Ndërsa udhëheqësit tanë mund të jenë prirë shpesh drejt imitimit (diçka normale, sepse nuk është keq të ndjekësh një model më të mirë se vetvetja), por pa ditur (si duhet) se çfarë inteligjence është derdhur në temat e prekura nga miqtë. Dhe pastaj, udhëheqësit tanë, dikur mund të kujtojnë se janë të barabartë me ta, pa kuptuar më parë nevojën për t’u barazuar edhe në cilësinë e stafeve që i mbështesin.

Udhëheqësit tanë kanë preferencat e veta në përzgjedhjen e stafeve të tyre të mbështetjes, por shpesh ata mund t’i kenë toleruar mangësitë në llojin e domosdoshëm të inteligjencës që duhet të zotërojnë. Mirëpo, pavarësisht fushave të veçanta të ekspertizës, ka një inteligjencë të përgjithshme në disa drejtime, që mendoj se është e domosdoshme dhe nuk mund të anashkalohet. Në hierarkinë e njohurive kjo inteligjencë qëndron si “kushti pa të cilin”, ku njohuritë pasuese mund të dalin nga sistemi dhe të humbasin dobinë.

Drejtimet themelore të përzgjedhjes nga inteligjenca e përgjithshme.

Po ndalem shkurtimisht te drejtimet themelore, që mendoj se përfshijnë spektrin e inteligjencës së përgjithshme dhe të domosdoshme për stafet e ndryshme të mbështetjes, në nivelin shtetëror dhe kombëtar. (Them shkurtimisht, pasi secili nga drejtimet do kërkonte studime të veçanta.)

Së pari, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet si një aftësi e përzgjedhjes së procedurave informative midis “jashtë” dhe “brenda” vendit, ose midis pikënisjeve dhe qëllimit përfundimtar në sigurimin e informacionit. Duhen njohur nuancat dhe diferencat në procedurat për sigurimin e informacionit midis “brenda” dhe “jashtë”, mes vendeve ku dominon mendësia analitike në raport me ato ku dominon mendësia sintetike, përfshirë edhe veçoritë në rastin shqiptar me mendësi sintetiko-analitike. Informacioni mund të kërkohet duke u nisur nga shfaqja e mendimit ose nga veprimi. Pra mund të rrjedhë duke u nisur nga elementët e veprave penale konkrete (kryesisht veprimi) – për t’u përhapur në retrospektivë dhe përfunduar drejt shfaqjes së mendimit, sigurizimit, penalizimit (BE); ose anasjelltas –duke nisur nga shfaqja e mendimit, drejt sigurizimit dhe pastaj penalizmit, për të përfunduar me elementët e veprës penale konkrete, apo në mënyrë të kombinuar, nga të dy kahet (Shtetet e Bashkauara.)

Së dyti, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet si një aftësi e procedurave në përzgjedhjen e elementëve midis teorive e shkollave të ndryshme për çfarëdolloj çështjeje me interes shtetëror dhe kombëtar. Nuk besoj se është e rastit, që duke respektuar parimin e pluralizmit të ideve, rrymave, shkollave a teorive, vendet demokratike nuk preferojnë të pozicionohen zyrtarisht në krah të njërës apo tjetrës teori, (megjithëse ndonjëra mund t’u pëlqejë më tepër.) Kjo ndodh sepse teoritë nuk janë përfundimtare (1), por edhe sepse brenda teorisë më pak të besueshme, mund të ketë gjithashtu diçka të vërtetë. Pra dobia e pluralizmit dhe e ballafaqimit të ideve, shkollave, teorive nuk qëndron te rendja në mënyrë të verbër pas kujt-do prej tyre, por te shmangia ose fshehja e të vërtetave aktuale (për aq sa nevojitet) duke i shtrirë diskutimet në perspektivën e të ardhmes. Përndryshe, dobia e punës së stafeve teknike të mbështetjes mund të shihet te identifikimi i të vërtetave aktuale dhe transformimi i tyre në zgjedhje a improvizime të thjeshta, të ligjshme dhe të pafajshme për motivin e lirë dhe personal të udhëheqësit.

Së treti, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet si një aftësi e procedurave në përzgjedhjen e elementëve midis ideologjive udhëheqëse brenda shoqërive konkurruese.Për shembull, ideologjia e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themeloretë njeriut (e artikuluar për herë të parë si një çështje ndërkombëtare në vitin1977, në kohën kur Xhimi Karter (2) u bë president i SHBA (Jaho, 2000, f. 85-91), rezultoi fituese mbi ideologjinë komuniste. Por duhen njohur mirë edhe elementët e rinj në ecurinë e kësaj ideologjie fituese deri në ditët tona dhe përvijimin apo precipitimin e nuancave të ndryshme në qëndrimet e Kombeve të Bashkuara dhe SHBA nga njëra anë dhe të BE-së nga ana tjetër, pavarësisht se thelbi vazhdon të mbetet i njëjtë. (Edhe për sa kohë?)

Së katërti, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet si një aftësi e procedurave në përzgjedhjen e elementëve midis teorive të ndryshme të sigurisë. Rendja në mënyrë të verbër ose pasiononte pas njërës ose tjetër teori të sigurisë, mund të çojë në pasoja të paparashikueshme. Posaçërisht në këtë aspekt duhen studiuar me kujdes dallimet mes shkollës së Torontos (Kanada, 1994) dhe Shkollës së Kopenhages, një lloj paraleleje evropiane që pasoi në përgjigje të studimeve kritike të sigurisë. Besoj se nukmund të neglizhohet as njëra dhe as tjetra nga dy shkollat, por midis tyre duhen zgjedhur pikërisht ato elementë që mbështesin interesin shqiptar.

Së pesti, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet si një aftësi e procedurave në përzgjedhjen e elementëve midis teorive të ndryshme në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos ato midis realizmit dhe idealizmit, ku elementët e analizës së marrëdhënieve ndërkombëtare duhen zbritur deri në nivelin individual. Sipas Dorf, njerëzit marrin vendime që përcaktojnë modelin e sjelljes ndërmjet shteteve, ndaj kanë rëndësi perceptimet, këndvështrimet dhe pikëpamjet e aktorëve kyç (si e shohin ata botën, si i shohin ata qëllimet dhe motivimet e aktorëve të tjerë në sistem, etj.) (Dorf, 2000, f. 248-250.) Më tej, Dorff vazhdon se, qëllimi i këtyre njohurive është, as më shumë e as më pak, por që këta liderë (të shteteve të tjera) të mos ndërmarrin veprime të dëmshme për interesat e vendit ‘tonë’, (edhe sikur veprime të tilla të jenë në interesin e vendit të ‘tyre’ –B.A.), si dhe të nxisim veprimet e tyre, që janë të dobishme për interesin e vendit tonë, (edhe nëse veprimet e tyre mund të mos jenë të favorshme për interesat e vendit të vet – B.A.) (3) Sigurisht, çdo shtet vepron sipas fuqisë që zotëron por për këtë janë stafet e mbështetjes, që t’i njohin mirë të gjithë elementët e fuqisë dhe të bëjnë vlerësimet dhe rekomandimet e duhura për udhëheqësin.

Së gjashti, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet si një aftësi e procedurave të përzgjedhjes së pozicionit të vendit në cilin sistem dhe deri ku më ‘brenda’, apo deri ku më ‘jashtë’. Në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, qëndrueshmëria dhe ndërvarësia midis shteteve shpjegohet me teorinë e balancave, ku qëndrueshmëria brenda sistemit vetjak lidhet me faktorë të tjerë jashtë këtij sistemi, duke synuar zvogëlimin ose shmangien e kostove vetjake. Por, nëse sistemi vetjak i një shteti punon të inkuadrohet brenda një sistemi tjetër epror, midis një grupi shtetesh, (p.sh. BE), aplikimi i teorisë së balancave brenda këtij sistemi epror nuk ka më kuptim, pasi të dy palët ndajnë kostot në kuadrin e një të drejte të përbashkët, duke mbështetur interesa dhe synime të përbashkëta dhe ku secili merr përgjegjësinë e vet. Dështimi ose përgjegjësia e njërës palë është (dhe duhet pranuar të jetë) dështim dhe përgjegjësi edhe për palën tjetër, përkundrejt synimit të përbashkët të integrimit në të njëjtin sistem.

Së shtati, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet si një aftësi e procedurave për shpërndarjen e burimeve dhe resurseve brenda vendit, me kosto dhe përgjegjësi reciproke, që pajtohen kundrejt një interesi dhe synimi të përbashkët. Në këtë kontekst mund të vijmë te nisma më e fundit e qeverisë lidhur me reformën territoriale në vend. Sikurse vëren Dr. Mulita, “Modeli shqiptar i zhvillimit të territorit është unikal dhe më i keqtrajtuari se në çdo vend tjetër të rajonit. Për ta “kuruar” gjendjen që trashëgohet… Qeverisja e ardhshme territoriale duhet të jetë e një modeli ndryshe nga e mëparshmja: të ketë karakter koheziv nga pikëpamja territoriale, gjithëpërfshirës për shoqërinë dhe racional e eficent për mënyrën se si do t’i përdorë burimet dhe mjedisin natyror…” (Mulita, 2013.) Në këtë kuadër, autori thekson se “Zgjidhja më e domosdoshme është ndërtimi i një ndarjeje territoriale-administrative në përputhje me filozofinë, objektivat dhe qëllimet mbi të cilat zhvillohet hapësira evropiane, territori ku dëshirojmë të shkojmë të gjithë, e për të cilin ka një vullnet mbarëshoqëror, madje mbarë shqiptar.” (Mulita, 2014.) Edhe këtu, në qendër të fjalës “territor” autori ka parasysh shoqërinë.

Së teti, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet si një aftësi e procedurave të përzgjedhjes së burimeve njerëzore mjaft të kualifikuara profesionalisht dhe me integritet të lartë moral. Sikurse shkruan Dr. Çavo, institucionet nuk janë muret dhe ndërtesat por janë njerëzit që punojnë në to. “Jam plotësisht dakord me faktin që sistemi i bën njerëzit…”, thotë autorja, por “Institucionet drejtohen me profesionistë dhe jo me amatorë e militantë… Ndaj është nevojë e jashtëzakonshme që filozofia e krijimit të kapitalit njerëzor të ndryshojë. Ky ndryshim duhet bazuar sa në edukim aq edhe në masa organizative”, duke gjetur dhe përfshirë njerëz “me integritet moral e profesional, në drejtimin e institucioneve të ndryshme dhe në realizimin e reformave.” (Çavo, 2014.)

Së nënti, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet si një aftësi e procedurave të konkurrimit dhe zhvillimit të karrierës politike. Nuk ka përse përzgjedhja dhe seleksionimi i udhëheqjes lokale të jetë në të drejtën a përgjegjësinë e lidershipit qendror. Përkundrazi, popullsia lokale ta ketë vetë përgjegjësinë për njerëzit që zgjedh ta udhëheqin në nivelin qendror, së bashku me kultivimin e krenarisë brenda tyre për t’u përfaqësuar sa më denjësisht në raport me të zgjedhurit e lokaliteteve të tjera. Duke qenë se konkurrenca brenda llojit në nivelin lokal mbetet e fortë, mund të shpresohet që edhe prurjet për nivelin qendror të kenë një cilësi më të lartë. Gjithashtu, mendoj se kjo mënyrë zgjidhjeje mund të jetë një “melhem” i mirë edhe lidhur me reformën territoriale, duke shuar interesat që fshihen pas nxitjes së dasive të ekzagjeruara krahinore apo fetare: popullatat lokale le ta konfigurojnë rrethin apo qarkun e vet në përputhje me ndjenjën e tyre unike të krenarisë, por pa pretenduar që krenarinë e tyre ta diktojnë si mbizotëruese edhe ndaj rrethit apo qarkut tjetër, dhe pa guxuar të fyejnë (prekin) ndjenjën unike të shtetit, ose kombit, në lidhje me të huajt.

Dhe së fundi, inteligjenca e përgjithshme mund të shihet edhe si një aftësi e procedurave të përzgjedhjes së mënyrave se si njerëzit komunikojnë dhe bien dakord me njeri tjetrin, në nivelin ndër-personal, për të ndjekur qëllime dhe ndërmarrë veprime të përbashkëta. Personalisht ndaj të njëjtin dyshim të fortë me Dr. Çavon, se “nuk mund të realizohen reforma të ndershme me njerëz “të mësuar” me të “pandershëm”. (Çavo, 2014.) Ndaj e shikoj inteligjencën e përgjithshme në nivelin ndër-personal midis shqiptarëve me njëri-tjetrin si mjetin e fundit të mbijetesës kombëtare, në rast se klasa politike e vendit do të dështojë “me sukses të plotë”.

Por a janë të aftë shqiptarët në këtë drejtim? Nuk e di. Ky afro një çerek-shekulli i tranzicionit tonë, në fakt, ka qenë ca i lodhshëm. “Vegjëlia” ngjan si e shushatur ndërsa klasa politike gati e relaksuar. Ndoshta të parët shpresojnë “rilindjen” ndërsa të dytët sikur pajtohen me idenë se ka kohë deri aty nga fundi i mandatit të dytë. Vallë, a mund të jetë prapë e sigurt se njerëzit do arrijnë të presin sërish po kaq gjatë? Gjithsesi, kjo është një pyetje që edhe politikanët mund ta sjellin ndërmend.

Disa përfundime

Fokusi i punimit është tepër i përgjithshëm, sepse synon të harmonizojë kulturën anglo-saksone të mendësisë analitike me kulturën euro-kontinentale të mendësisë sintetike. Megjithatë, pavarësisht rezultatit, shtysa ka rrjedhur nga perceptimi im për interesat shqiptare të mbijetesës. Prandaj, në kontekstin e këtyre interesave, përfundimet kryesore mund të renditen si vijon:

1.-Standardet shpesh kanë formalitetin e vet dhe, sido-kudo, ato mund të përmbushen. Por ne (njerëzit dhe institucionet) duhet të bindim që kombi shqiptar duhet dhe i ka potencialet për të qenë pjesë e domosdoshme e BE. Kjo bëhet me mendim dhe inteligjencë krijuese. Pikë së pari, duhet investuar dhe kontribuar fort për gjuhën dhe kulturën shqiptare (çfarë është dhe në programin e qeverisë), në mënyrë që të zgjohen dhe nxiten ndjesitë e vet-vetishme dhe vatrat e kujtesës kudo ku ka shqiptarë dhe te kushdo që ndihet i afërt me ta.

2.-Gjithashtu, mendoj se ka vend të ndërtojmë një bazë të re kontraktualiteti për anëtarësimin e vendit në BE. Ne si aspirues dhe institucionet e saj si nxitës – me përgjegjësi, kompetenca, pritshmëri dhe shtytje të dyanshme. Hierarkia e marrëdhënieve me vendet e veçanta anëtare të BE t’i nën-renditet ose të rrjedhë në harmoni nga ato të përcaktuara prej institucioneve përgjegjëse të BE, duke përfshirë këtu edhe çështjet e gjuhës dhe kulturës shqipe – që nga ana e vet të ofrohen në harmoni me diferencimet dhe ngjashmëritë historike me gjuhët dhe kulturat e tjera, duke ruajtur dhe pasuruar më tej natyrën sintetiko-analitike të gjuhës sonë.

3.-Të përgatitemi vetë dhe të propozojmë që BE të mendojë për një strukturë përgjegjëse të inteligjencës së përgjithshme në funksion të misionit integrues të BE (4), me përfaqësim të përbashkët nga të dyja palët. Gjithashtu, të përgatitemi vetë dhe të ndajmë më tepër bashkë-përgjegjësi me institucionet përgjegjëse të BE, lidhur me çështjet e sigurisë në nivelin e BE.

4.-Në aspektin e brendshëm, të tregohet kujdes dhe realizohen investimet e duhura në drejtim të formimit të burimeve njerëzore, duke i kategorizuar sipas disa prioriteteve: së pari, në drejtim të stafeve teknike të mbështetjes që afrojnë aftësi procedurale në inteligjencën e përgjithshme, përfshirë edhe atë që mbështet synimin e integrimit në BE; së dyti, në drejtim të funksionarëve kyçë në sferat e politikë-bërjes dhe vendim-marrjes, si dhe të punonjësve të tjerë në institucionet e sigurisë, përfshirë çështjet e sigurisë në nivelin e BE; së treti, në drejtim të integritetit moral dhe kualifikimit profesional të çdo punonjësi të administratës publike.

5.-Gjithashtu, të investohet në zgjerimin e autonomisë lokale në përputhje me filozofinë, objektivat dhe qëllimet mbi të cilat zhvillohet hapësira evropiane, por duke respektuar me sa të jetë e mundur, pritshmërinë dhe psikologjinë e popullatave, se me kë ose ku ato do ndiheshin më mirë. Popullatat lokale ta konfigurojnë vetë rrethin, qarkun apo rajonin në përputhje me ndjenjën e tyre unike të krenarisë, por pa e përcjellë atë në dëm të tjetrit (se këtë shqiptarët e kanë problem), ose pa cenuar ndjenjën e unitetit që kemi si shtet dhe si komb. (Angazhimi si duhet me zgjidhjen e problemeve të brendshme, do të precipitonte prej tyre një udhëheqje lokale më të përgjegjshme e seleksiononte përfaqësues më të kulturuar, që nuk do t’i kërkonin rrugët e zgjidhjes përmes dominimit me klane në “kryeqytet”. (5)

6.-Së fundi, mendoj se duhen reformuar procedurat e konkurrimit dhe zhvillimit të karrierës politike, duke përfshirë më pak biznes dhe më tepër moral; njësitë politike lokale ta kenë vetë përgjegjësinë për njerëzit që zgjedhin t’i përfaqësojnë në nivel qendror, pa diktat nga lartë, madje duke inkurajuar krenarinë dhe ndjenjën e konkurrencës për të zgjedhur më të mirët edhe në raport me njësitë e tjera.

Pra këto ishin disa përfundime, ose një lloj “inteligjence e përgjithshme” dhe “kombëtare”, në se ka arritur ta shprehë aspiratën tonë mbarë-popullore për shkëputjen e vendit nga tranzicioni dhe çuarjen e tij përpara, drejt integrimit të BE.

Paraqitur, për herë të parë, në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore të Universitetit “Marin Barleti”, më 31 maj 2013.
Postuar në Facebook, më 15, 10.2014.

Bibliografi

1. Çavo, Zamira. Gazeta “Shqip”, 14 Shkurt 2014. Sistemi I bën njerëzit, por njerëzit bëjnë reformat e sistemit. http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/02/14/sistemi-ben-njerezit-por-njerezit-bejne-reformat-e-sistemit/

2. Dorf, Robert (Robin), H. 2009. Disa metoda e koncepte bazë për studimin emarrëdhënieve ndërkombëtare. Në “Guidë për politikën dhe strategjinë e sigurisë kombëtare.” Vëll. II. Tiranë: Akademia e Mbrojtjes së FA.) F. 239 – 256.

3. Jaho, Nazi. 2000. Disa çështje lidhur me liritë dhe të drejtat e njeriut në frymën e dokumenteve ndërkombëtare dhe kushtetutës tonë. Pak histori. Në Workshopi i Parë Rajonal: “Trauma, faktorët, pasojat dhe përballimi”. Tiranë. F. 85-91.

4. Marshall, Gordon. 2009. Fjalor Sociologjik i Oksfordit. ISBN: 978-99956-668-2-8. Përkthyer nga Bashkim Shehu.

5. Mulita, Reis. Gazeta “Shqip”, 28 gusht 2013. “Autoriteti i qeverisjes qendrore dhe zhvillimi i territorit”. http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/08/28/autoriteti-qeverisjes-qendrore-dhe-zhvillimi-territorit/

6. Mulita, Reis. Gazeta “Shekulli”, 14.02.2014. Ndarja e re administrative midis kohezionit dhe kufijve. http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=40497&kat=92

7. Taylor, Stan A. 2007. Definitions and theories of counterintelligence. In “Strategic Intelligence”, Vol. 4: “Counterintelligence and counterterrorism: Defending the nation against hostile forces.” Copyright # 2007 by Loch K. Johnson. ISBN:0-275-98946-1 (vol. 4); ISSN: 1932-3492.

8. Wikipedia – Enciklopedia Elektronike Online.https://en.wikipedia.org/wiki/Jimmy_Carter.

Shënime:

(1) Tashmë pranohet gjerësisht në filozofinë e shkencës, se “…ligjet e teoritë shkencore më të qëndrueshme nuk janë të konfirmuara plotësisht nga të dhënat faktike në të cilat mbështeten.” Shih “Konvencionalizmi (conventionalism)”, (Marshall, 2009, f. 195-196.) Se “…krejt dija shkencore duhet vështruar si e përkohshme (nuk ekziston asnjë provë ose anti-provë përfundimtare)…”, shih “falsifikimi, të falsifikuarit”, (Marshall,2009, f. 97-98.)

(2) Pas largimit nga Presidenca, Karter dhe bashkëshortja në vitin 1982 krijuan Qendrën Karter për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të njeriut në mbarë globin, ndërsa në vitin 2002 fitoi çmimin Nobel për paqen, për kontributin e tij në këtë drejtim.https://en.wikipedia.org/wiki/Jimmy_Carter
(3) Mendoj se ky interpretim ka më tepër vlerë për të kuptuar se si mendojnë të tjerët për ne, pasi politikanët tanë të tranzicionit shpesh janë ‘kujdesur’ për interesat e huaja, njësoj si të ishte fjala për interesat e vendit të vet.

(4) Përdoret “të BE” dhe jo “në BE”, pasi integrimin e shoh si një marrëdhënie reciproke që shtrihet në kohë dhe të dyja palët integrohen dhe rriten duke përfituar së bashku në një nivel më të lartë.

(5) Me “kryeqytetin” këtu kihen parasysh institucionet e qeverisjes qendrore të shtetit.