Emin AZEMI
Kjo histeri goditjesh ndaj shqiptarëve në fakt është kompensim i inferioriteti që kanë maqedonasit kundrejt grekëve, bullgarëve e serbëve, prandaj kot mund të presim që të shohim sot flamuj të djegur grek, bullgar a serb në ndonjë stadium të Maqedonisë apo gjetiu. Vetëm flamujt e djegur shqiptarë dhe fëmijët e gjakosur aktualisht po ushqejnë inferioritetin dhe qyqanllëkun maqedonas.
Përleshjet e fundit që ndodhën nëpër rrugët e Shkupit, (mu në ditën kur treshja nga Brukseli arriti të pajtojë palët e konfrontuara maqedonase), kishin një lajtmotiv sipërfaqësor – figurën e Talat Xhaferit, i posaemëruar në postin e ministrit të Mbrojtjes, por në sfond këto ngjarje kishin një gjenezë dhe motivim tjetër. U protestua (nga maqedonasit) kundër këtij emërimi, por në anën tjetër u protestua (nga shqiptarët) kundër dhunës që u ushtrua, një ditë më parë, ndaj fëmijëve dhe kalimtarëve të rastit, të cilët fillimisht u pyetën a janë shqiptarë.
Dhuna ndaj shqiptarëve – “infuzion” i inferioritetit maqedonas
Shoqëria maqedonase po kalon nëpër një stil të çuditshëm të falangimit, duke huazuar metoda ksenofobe kundër bashkëjetesës me etnitë tjera. Ata që protestuan ditë më parë kundër ministrit Xhaferi, janë banorë të lagjeve etnikisht të pastra maqedonase dhe ka kohë që janë edukuar në një frymë mosdurimi etnik, duke goditur shqiptarët në çdo qoshe të Shkupit. Ky edukim burimin e ka në inferioritetin e galvanizuar nga mungesa e strategjisë dhe potencës kolektive etnike për t’iu kundërvënë mohimeve kombëtare, gjuhësore e fetare që u vijnë nga fqinjët ortodoksë të jugut, lindjes e veriut.
Kjo histeri goditjesh ndaj shqiptarëve, në fakt është kompensim i këtij inferioriteti, prandaj kot mund të presim që të shohim sot flamuj të djegur grek, bullgar a serb në ndonjë stadium të Maqedonisë apo gjetiu. Vetëm flamujt e djegur shqiptarë aktualisht po ushqejnë inferioritetin dhe qyqanllëkun maqedonas. Por, ky ushqim i skaduar mund të jetë vetëm një lloj ‘infuzioni’, sepse këta ‘pacientë’ të programuar nga shovinizmi maqedonas herët a vonë duhet të ballafaqohen me forcën e tyre reale që kanë për t’iu kundërvënë të tjerëve.
Një dimension tjetër i këtij kalërimi të papenguar të nacionalizmit maqedonas nëpër rrugët dhe sheshet e Maqedonisë, që zihet mat me grushtin e mbushur me flokë fëmijësh shqiptarë, është mungesa totale e sensit politik të shqiptarëve për të bashkëvepruar në gjetjen e një modaliteti institucional që do ta pengonte këtë fushatë antishqiptare. Me zellin e pashuar të vetasgjësimit, partitë shqiptare vazhdojnë të projektojnë, secila për vetveten, karriera vardisëse nëpër sallonet e politikës maqedonase.
Kjo ‘radiografi’ e mentalitetit të çoroditur të elitës politike shqiptare në Maqedoni, ka kohë që është ‘skenuar’ nga politikëbërësit maqedonas, të cilët nuk e kanë vështirë të disiplinojnë edhe institucionalisht (përmes politikave lokale) shqiptarët, edhe rrugaçërisht (përmes një fushate të shfrenuar të huliganëve maqedonas kundër nxënësve dhe hallexhinjve shqiptarë).
Shqiponjat e mbështjella me pupla pule
Për ta kuptuar më mirë jorëndomtësinë e budallallëkut shqiptar, nuk ka nevojë të bredhim shumë nëpër faqet e literaturës tragjikomike. Mjafton të ndjekim fjalimet e deputetëve shqiptarë. Sepse vetëm ata që nuk kanë kurajë të pranojnë se kanë bërë lëshime gjatë mandatit të tyre qeverisës, janë manipuluesit më ordinerë të besimit, që ua kanë dhënë votuesit në zgjedhje. Vetëm deputetët shqiptarë ‘bëjnë bajram’ me mendjen e tyre te mendojnë se kur ata ishin në pushtet gjërat ecnin mirë. Ata tregojnë, sesa servilë ishin/janë kundrejt partnerit maqedonas, duke e mbrojtur atë me duar e thonj nga oponenti shqiptar. Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Bie fjala, shqiptarëve iu ka dashtë me shekuj të presin që të shohin në kabinetin e kryeministrit maqedonas një zog shqiponje, si ai, që mban postin e zëvendëskryeministrit, i rezervuar për shqiptarët, madje prej para njëzet e ca vjet më parë. Prandaj, jo rastësisht, thonë se shqiponjat fluturojnë vetëm në qiellin e kaltër, përpos ndonjërës që e harron marshutën dhe futet me vetëdëshirë në ka(bin-faz)in-etin e kryeministrit maqedonas. A thua kur do të na nxjerrin nga ky kafaz shqiponjat e mbështjella me pupla pule?
Doktrina e nënshtrimit të shqiptarëve
Takimi i fundit në mes të Gruevskit dhe Cërvenkovskit, me ndërmjetësim të treshes nga Brukseli, mund të mos ofrojë zgjidhje afatgjatë, por ai si i tillë e ka peshën e seriozitetit, për faktin se bashkon në një tavolinë dy filozofi dhe dy platforma diametralisht të ndryshme politike. Ngandonjëherë, në politikë, kjo është e mjaftueshme. Politikanët shqiptarë s’kanë guximin qytetar ta bëjnë edhe këtë hap minimal. Pse? Sepse ata vazhdojnë ta trajtojnë si grigjë elektoratin e tyre, kurse vetveten si prijës të grigjës, madje edhe në kushtet kur ujku i lë pa të.
Nëse politika e feudalizuar shqiptare në Maqedoni e injoron elektoratin e vet me sjellje të tilla arrogante, mospërfillëse, jokonsensuale, atëherë çfarë mund të presim nga politikanët maqedonas? Si do ta trajtojnë ata procesin e barazisë etnike në rrafshe të ndryshme institucionale, konstitucionale e praktike? Shkërmoqja e interesave të përgjithshme po bëhet qëllimshëm dhe pa ndonjë hezitim. Ky komoditet punëprishës do të vazhdojë deri atëherë sa të ketë njerëz që votën e kuptojnë si sustë për të aktivizuar ndonjë makinë që do ta nxirrte nga balta politikën e Gruevskit a Cërvenkovskit.
Ka kohë që strategjitë për relativizimin e interesave të shqiptarëve kanë punuar për ta shndërruar elektoratin shqiptar në makinë votuese, pa ndonjë atribut politik e kulturologjik. E keqja e kësaj historie është se kjo strategji po realizohet me kollajllëk, duke iu falenderuar edhe klaneve të caktuara politike shqiptare.
Derisa është kështu, do të kemi edhe pamje me fytyra të përgjakura, me fëmijë të lënduar, që kot presin ndonjë përkrahje institucionale. Institucionalizimi i interesave shqiptare në Maqedoni po ndodh vetëm sa për të amortizuar pakënaqësitë e atyre që mund të mos votojnë partinë në pushtet. Sa i përket pakënaqësive tjera, me këtë po merret falanga e institucionalizuar maqedonase, e cila nënshtrimin e papengueshëm të shqiptarëve tashmë e ka shndërruar në doktrinë.