Indoktrinimi politik i shoqërisë shqiptare

0
43

Pleurat Rexhepi, 29.04.2011

Duke parë me vëmendje fushatat elektorale të partive politike, ajo që më bie në sy është fakti se me çdo individ që ulem apo bisedoj në ambientet e universitetit apo administratës, tema kryesore është politika dhe vetëm politika, një dukuri e njohur për mjediset ballkanike. Gjatë çdo debati apo argumenti që dëgjoj më kujtohet shprehja e madhe e Winston Churchill se ballkanasit prodhojnë më tepër politikë sesa konsumojnë.

Është për t’u habitur se deri ku është dalldisur shoqëria jonë me politikë, ku ka përfshirë të gjitha shtresat sociale, të gjitha moshat, individët, por ajo që më bren më tepër është se ka “privatizuar” dhe shtresën e të vetëquajturve “intelektualë”. Edhe pse shoqëria jonë ka vetëm disa individë që mund të kenë këtë titull fisnik, prapë abuzohet lidhur me të, në emër të tifozerisë politike nga të dyja krahët në emër të votës, për votën dhe në kërkim të votës.

Vrapimi me insistim dhe me ngut drejt votës në mënyrë të vazhdueshme nga partitë politike ka bërë të mundur që të krijohet një ambient agresiv, i cili është demonstruar hapur gjatë këtyre njëzet viteve të demokracisë eksperimentale në Shqipëri. E them eksperimentale, pasi ndryshimet e sistemit shoqëror nuk konsistojnë vetëm në ekonomike dhe politike, pasi ndryshimi themelor dhe më esencial është mënyra e të menduarit apo mënyra e të perceptuarit të dukurive të ndryshme.

Nuk është e nevojshme që unë ta them, por me keqardhje më rezulton se ambientet e ndryshme të shoqërisë vazhdojnë të mbizotërohen nga fryma e parullave politike. Është për të ardhur keq, por është tërësisht e vërtetë se në Shqipëri ka mbi 24 lloje emisionesh politike në javë ose e thënë ndryshe 2160 minuta të indoktrinimit politik në javë. Ne jemi i vetmi vend në Ballkan (për nga numri i popullsisë) i cili ka mbi 4 kanale televizive të cilët transmetojnë 24 orë lajme ose e thënë ndryshe 24 orë LIVE indoktrinim politik. Për ta kuptuar më mirë, mjafton të hapësh televizorin në mëngjes dhe do të konstatosh se si qytetarët janë përfshirë tërësisht nga ndasitë politike që në orën 7 të mëngjesit.

Të gjithë kemi parë se si individët vazhdojnë të marrin pjesë në qindra mitingje politike, ku përfshihen emocionalisht, shpirtërisht, deri në pikën ku konfliktohen me të tjerë. Të gjithë e kemi vënë re se si turmat politike vazhdojnë të jenë tërësisht virtuale që nga momenti kur dalin në mitingje, pasi mbajnë 1 m distancë nga njëri-tjetri vetëm për të krijuar një imazh masiv, tërësisht virtual, e cila e ka prejardhjen po nga indoktrinimi politik.

Si ka mundësi që ne vazhdojmë të politizojmë çdo individ, ambasador, profesor, intelektual, student, biznesmen apo punonjës në bazë të kësaj formule, e cila po krijon një problem serioz për vendin tonë?

Përse vallë një intelektual i nderuar duhet të marrë pjesë në një debat politik i cili është thjesht një garniturë e freskët për politikanët tanë?

Unë nuk e di dhe sa pika të tjera duhet të shkruaj që të kuptojmë se ne po jetojmë në një indoktrinim masiv, ku ndasitë politike po krijojnë një ndarje negative për shoqërinë tonë.

Është e trishtueshme, por e vërtetë se plaga reale e shoqërisë shqiptare është se po përpiqet që të ndërtojë norma me vlera perëndimore, por harrojmë se ne akoma nuk kemi ndryshuar mënyrën e të menduarit, atë që quhet “MIND SET-in” e shoqërisë.

Frazat tragjike të qytetarëve se “ne jemi mirë, por vetëm ju mos u zini…”, apo “do votoj partinë, por jam i papunë, me asistencë sociale…” lë të kuptosh se deri ku ka degraduar individi. Shembujt janë aq të shumtë saqë unë mund të shkruaj një roman me titullin “Tifozeria e Indoktrinimit Politik” që ka dehur mendjet e qytetarëve të thjeshtë në çdo cep të Shqipërisë. Megjithatë, e keqja më e madhe është se kur ky dimension negativ zbret te mendjet e intelektualëve tanë në një dozë pak më të reformuar, më vjen të mendoj dhe të përpiqem që të kuptoj mentalitetin tonë ballkanik.

Përse vallë ne nuk kemi ndërtuar një shoqëri të tillë që pa marrë parasysh se cila parti do të fitojë zgjedhjet, vendi do të ecë përpara me vlera dhe parime perëndimore?

A e kupton individi i shoqërisë sonë se e gjithë klima e krijuar ka një kosto financiare për vendin tonë, pasi ndasitë e mëdha politike nuk krijojnë strategji reale, por bazohen në politika afatshkurtra, vetëm për vota dhe krijojnë kosto në plan afatgjatë.

Të gjithë e dimë se ne jemi në një prag fushate ku çdo individ ka ‘nxehur’ motorin e mendimit se ku do të votojë. Ajo që është e rëndësishme është se të gjithë duhet të reflektojmë rreth mënyrës tonë se si mendojmë dhe perceptojmë dukuritë e indoktrinimit politik.

Ajo që dua të shpreh është se pa marrë parasysh se cila parti do të fitojë zgjedhjet lokale apo zgjedhjet e përgjithshme, ne duhet të kuptojmë mënyrën e të menduarit të shoqërisë tonë, që ka bllokuar mendjen e individit me një perde të hekurt politike ku nuk lë të depërtojë asnjë vlerë apo frymë risie në shoqëri.

Prandaj, ne duhet të kuptojmë se konsensusi dhe vetëm konsensusi shoqëror i bazuar në vlera dhe parime perëndimore i cili bazohet në një ndryshim rrënjësor te mënyra e të menduarit dhe mënyra e të bërit politikë, është e vetmja rrugë për zhvillimin dhe iluminimin e vendit tonë.

Autori: Pedagog, Fakulteti i Ekonomisë, UT