Ina-Berisha, një maxhordom në mes

0
45

Ilir Yzeiri

Ditën e enjte në mbrëmje, Prokurorja e Përgjithshme e Republikës ishte ftuar në emisionin “Opinion” të TV Klan dhe iu përgjigj përreth dy orë pyetjeve që bënte… Berisha me gojën e gazetarit ose të maxhordomit të tij mediatik. Të kuptohemi, termi maxhordom përdoret në manualet e tipologjisë gazetareske për të shenjuar gazetarin që shërben me pyetje të porositura palët e ftuara në një sallon që ngjan si një pritje me të ftuar politikë. Në këto sallone roli i maxhordomit është i rëndësishëm. Me kohë këta maxhordomë rekrutohen përgjithësisht nga pushteti i radhës dhe shkëlqimi i tyre merr një nur të veçantë kur ata vihen në shërbim të tij.

Besoj të gjithë e mbajnë mend se në këta vjet, gazetari në fjalë ka shërbyer si maxhordom mediatik në sallonin e Nanos kur ishte kryeministër, në të Metës, në të Nanos prapë dhe tani në të Berishës. Pa e kuptuar as ai vetë, kur e pyesin për lidhjet e tij me pushtetmbajtësin e radhës thotë se “e ka mik”. Kështu tha edhe për Berishën. Kështu ka thënë për Metën, Nanon, Ramën dikur. Pas pak kohësh ai do të na rishfaqet si mik i Edi Ramës dhe ne duhet ta besojmë kur ai të thotë se me Edi Ramën jemi miq të vjetër.

Ditën e enjte ne pamë të gjithë me zë dhe figurë që përballë Ina Ramës nuk ishte gazetari, por vetë Sali Berisha i ndërkryer dhe gjithë llumi i sharlatanëve që shfaqeshin me rradhë në ekran përmes aparatit celular të gazetarit maxhordom. SMS-të dukeshin si ato nuskat që kanë brenda të mbështjella thonj të prerë apo lesh të pakrehur. Duhej me patjetër që Ina Rama të “vihej me shpatulla për muri”, për ta bërë me hije, për ta diskredituar apo për ta plandosur përdhe.

Mirëpo, ç’ndodhi? Ndodhi që Prokurorja e Republikës i bëri një shërbim të madh Republikës. Ne pamë atë natë një grua zonjë që nuk u impresionua asnjë çast nga pyetjet provokuese, e jo profesionale. Pas pyetjeve prej hetuesi komunist të kohës së Hoxhës që gazetari maxhordom e njeh mire nga botimet, vinin përgjigjet e një juristeje me profil të lartë që fliste me data e me referenca ligjore.

Për asnjë çast të vetëm ajo nuk e humbi kontrollin, madje gjente rast edhe të bënte humor dhe ta ironizonte gazetarin e sikletosur. Në bisedën me Ina Ramën kishte shumë episode që tregonin dy botë; nga njëra anë botën e ligjit dhe në anë tjetër bota e errët e krimit e atyre që janë shpallur prej opinionit publik si përgjegjës për vrasje, vjedhje, dhe zvetënim moral të Shqipërisë. Në atë bisedë pati shumë çaste të pështira, por një qe mbi të gjithë: maxhordomi e pyet zonjën Rama se a do të japësh dorëheqjen ti (?!) Jo, i thotë ajo.

Po jo se flitet – ngulmon ky – se ti do të japësh dorëheqjen përpara se të të mbarojë mandati në mënyrë që Presidenti Topi të zgjedhë një prokuror apo prokurore tjetër. As që më ka shkuar kurrë ndërmend, – përgjigjet Ina Rama, – do të jem deri ditën e fundit në detyrë. Natyrisht gazetari ka të drejtë që ta pyesë si dhe për çfarë të dojë të ftuarin e vet, por në këta rast kjo nuk është pyetje prej gazetari, kjo është një nga ato insinuatat që vërtiten vetëm në kokën e Sali Berishës dhe shërbejnë vetëm për të këndellur vetëdijen e tij të sëmurë.

Mesaduket mbështetja që ndërkombëtarët po i japin Ina Ramës nuk është e rastit. Kryeprokurorja ditën e enjte në darkë na dha nga pak shpresë të gjithëve se në këtë vend mund të rivendoset LIGJI.