Nga: AFRIM KRASNIQI
Më 27 mars 1920, delegatët e zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës u mblodhën në Tiranë në atë që quhej “Këshilli Kombëtar”, dhe që.përbën institucionin e parë të parlamentit në Shqipëri. Akti i tyre politik mbetet unikal, me rëndësi të madhe dhe meriton të gjithë vëmendjen shkencore dhe publike. Këshilli e nisi aktivitetin e tij në rrethana të jashtëzakonshme. Shqipëria ende nuk njihej subjekt ndërkombëtar në raport me Lidhjen e Kombeve, brenda vendit vepronin 5-6 ushtri të vendeve të huaja, kufijtë ishin të pakontrollueshëm, mungonin tërësisht institucionet dhe praktikat funksionale të shtetit, pasojat e Luftës së Parë Botërore sollën edhe më tepër dëme të mëdha materiale, ekonomike e politike.
Më 27 mars, delegatët e zgjedhur përmes një kompromisi të gjerë dhe përfaqësues nuk hezituan në kurajën dhe vendosmërinë e tyre për t’u përballur realisht dhe direkt me këto sfida. Brenda një viti ata ia dolën të konfirmojnë pavarësinë e Shqipërisë, të krijojnë institucionet e para politike dhe kushtetuese, të caktojnë kufijtë shtetërorë, të largojnë trupat e huaja ushtarake dhe të marrin miratimin e njohjes së Shqipërisë si vend anëtar në Lidhjen e Kombeve. Asnjëherë më parë dhe në asnjë periudhë tjetër historike elita politike e vendit nuk pati më shumë suksese politike sesa në 15 muajt e parë të viteve 1920-1921. Qoftë edhe për këtë arsye, meritat dhe trashëgimia e tyre përbëjnë një vepër me përmasa të mëdha nderimi dhe njëherësh, shënojnë një epokë politike, ndaj së cilës sot e në të ardhmen Shqipëria i mbetet pafundësisht borxh.
Formalisht, parlamenti i parë shqiptar nuk ishte i votuar. Rrethanat nuk e lejonin luksin e votës, por një vit më vonë, më 1921-in deputetët e grupuar në Partinë Përparimtare dhe Partinë Popullore konkurruan në zgjedhje dhe na dhanë parlamentin e parë legjitim, të votuar dhe të gjithëpranuar. Zgjedhjet e vitit 1921 ishin ndër proceset zgjedhore më të mira në historinë e shtetit shqiptar, shumë më të mira në cilësi, organizim dhe sidomos në produktin politik të parlamentit, sesa edhe zgjedhjet e pas viteve ‘90. Parë në thelbin e parlamentit të parë, individët që morën pjesë në aktin e krijimit të tij, dhe sidomos ata që miratuan bazën kushtetuese të Këshillit të Lartë të Shtetit, Kushtetutën e vitit 1922 nuk ishin figura politike të rastit, por elita, elita e vërtetë politike, diplomatike, kulturore dhe shkencore e kohës. Debatet parlamentare të asaj periudhe janë një leksion i madh edhe për brezat e sotëm, për nivelin e lartë profesional, kulturën individuale, vetëpërgjegjësinë dhe cilësinë e propozimeve. Fjalimet e asaj periudhe, interpelancat dhe debatet, sidomos debati kushtetues 1922, edhe sot kanë vlerë të rrallë si një prej akteve më të larta politike dhe kushtetuese në historinë e shtetit tonë. Ata krijuan parti politike, shumë herë rivalizuan midis tyre, patën fatin e keq të luftës së ashpër politike, por në thelb, me sjelljen dhe sidomos me aktivitetin e tyre parlamentar ata i kanë dhënë parlamentarizmit shqiptar gjithçka të mira që ai ka dhe sot krenohet: simbolikën, dinjitetin, formën ligjore e kushtetuese dhe konceptet perëndimore të legjislacionit dhe debatit politik.
Ironikisht dhe padrejtësisht, e gjithë kjo periudhe krenarie dhe prodhimtarie parlamentare, e cila e bëri Shqipërinë shtet dhe hodhi bazat reale të modelit shtetëror dhe demokracisë perëndimore, u dënua me ashpërsi nga regjimet pasuese. Disa i dëbuan nga vendi, disave ua humbën eshtrat, disa vdiqën në emigrim dhe nuk kanë adresë, disa vdiqën kampeve të internimit ose në burgje, disa patën fat të ndaheshin nga kjo botë me vdekje natyrale, por shumica u dënua me harresë dhe denigrim nominal dhe të aktivitetit të tyre. Fatkeqësisht, harresa, trajtesa selektive deri në denigrim moral vijuan edhe gjatë periudhës së rivendosjes së sistemit demokratik pas viteve 1990.
Le të marrim një shembull jo vetëm simbolik: ende legjislacioni ynë zyrtar e nis numërimin e legjislaturave dhe të ligjeve në vitet 1945-1946, kur komunistët erdhën në pushtet. Gjatë 20 viteve kemi parë e vijojmë të shohim ceremoni formale nderimi për plejadën politike të viteve 1920-1939, kryesisht në funksion të njohjeve dhe nevojave personale të ditës, por nuk kemi parë ende një akt parlamentar që korrigjon vetveten dhe e konsideron legjislacionin modern të këtyre viteve si pjesë e legjislacionit zyrtar shqiptar. Ende në shkollat tona, publike e private, periudha 1920-1938 me parlamentin dhe partitë, me jetën intensive parlamentare dhe aktivitetin qeveritar, me formë republikane apo monarkiste, vijon të trajtohet skematikisht, në mite e shabllone të prodhuara nga periudha e diktaturës. Debatet parlamentare të viteve 1920-1924 nuk bëjnë pjesë ende në asnjë studim serioz të botuar nga institucione dhe ente shtetërore e publike, nuk janë të njohura në formë integrale për publikun dhe median, nuk janë lëndë e parë studimi për universitetet e panumërta në vend dhe nuk bëjnë pjesë në asnjë kënd të parlamentit aktual shqiptar. Në muret e Kuvendit ne shohim çdo javë fotografi elektorale të drejtuesit politik të radhës dhe gjithherë mungojnë nismat për një muze serioz parlamentar, ku të jenë të publikuara foto dhe dokumente, të dhëna mbi deputetët, debatet, seancat, qeveritë apo protagonistët politikë të tyre.
Një argument i dytë është sjellja e padenjë me simbolet e parlamentarizmit të viteve 20. Parlamenti i parë shqiptar i mbajti punimet e tij në një ndërtesë, e cila për fatkeqësinë tonë, nuk ekziston më. Shumë shpejt u ndërtua një ndërtesë e re parlamentare, në të cilën funksionoi jeta parlamentare për rreth 20-23 vitet e ardhshme. Më ardhjen në fuqi të regjimit komunist ndërtesa ndërroi drejtim dhe nga institucion historik i parlamentit u shndërrua në Teatër i Kukullave. Sot në qendër të Tiranës të gjithë banorët e saj e dinë ku ndodhet teatri I kukullave, por pak, shumë pak prej tyre e dinë se ajo ndërtesë përfaqëson parlamentin e parë funksional shqiptar dhe se aty kanë folur dhe kontribuar për vite me rrallë disa prej personaliteteve më të mëdha historike shqiptare që nga Fan Noli e Ahmet Zogu, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri dhe Lef Nosi, Aqif Pashë Elbasani e Ndre Mjeda, Iljaz Vrioni e Pandeli Evangjeli, Koço Kota dhe Eshref Frashëri. Aty janë votuar ligjet themelore të republikës dhe monarkisë së parë shqiptare, janë miratuar reformat e mëdha politike dhe ekonomike, kodet civile e penale, reforma për krijimin e institucioneve fetare kombëtare, reformat kushtetuese, ato të arsimit laik, të zhvillimit të lirë ekonomik të vendit, të krijimit të administratës së parë civile e profesionale, të funksionimit të enteve publike dhe një sërë institucionesh të tjera që i dhanë fytyrë, emër dhe prestigj shtetit të ri shqiptar.
Vlera e parlamentarizmit të viteve 20 bëhet edhe më e çmuar kur krahasohet me parlamentin e periudhave të tjera historike, sidomos atë aktual. Sot nuk kemi më mendimtarë politikë, nuk kemi elitë politike, nuk kemi debat publik elitar, nuk ka politikanë që citohen për mendimet e fjalimet e tyre, dhe mbi të gjitha, debatet e sotme parlamentare të botuara në disa vëllime ngjajnë si tekste fletërrufesh në raport me debatet e jashtëzakonshme parlamentare të viteve 20. Ndaj 90 vjet më pas parlamenti shqiptar është shumë larg në vite, sidomos në cilësi të përbërjes, organizimit dhe të funksionimit sesa dita kur delegatët shtetarë të Kongresit të Lushnjës vendosën të krijojmë e ndërtojnë shtetin, të cilit sot i përkasim. Në 20 vitet e fundit parlamenti në Shqipëri ka shënuar arritjes, sidomos në fushën e miratimit të legjislacionit modern, por në thelb, jeta parlamentare dhe vendi i tij në sistemin politik vijojnë të jenë nën nivelin e viteve 20. Disa detaje krahasuese: asnjë krizë politike nuk është zgjidhur në parlamentin e pas viteve 90, asnjë qeveri nuk është rrëzuar me mocion mosbesimi, nuk kemi qarkullim elitash dhe në total, 52 akte parlamentare janë cilësuar antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, 18 prej tyre vetëm në 4-5 vitet e fundit.
Sot pas 90 vjetësh, me siguri politika do të përkujtojë me ndonjë fjalim patetik të drejtuesit të radhës. Me siguri do të thuren lavde dhe elozhe, por në fund me siguri edhe ky përvjetor do të largohet pa një produkt zyrtar korrektues dhe nderimi. Nuk do të ketë një akt ligjor, i cili të shpallë muze parlamentar ndërtesën ku zhvilloi jetë parlamenti i parë shqiptar, nuk do të ketë akt tjetër ligjor që të detyrojë sistemin arsimor në vend të përfshijë në lëndët detyruese njohjen reale me historinë, arritjet, tiparet dhe prurjet politike e kulturore të elitës politike të viteve 1920-1925, nuk do të ketë një akt tjetër ligjor që rivendos në vend nderimin real zyrtar për të gjitha figurat politike e kombëtare të asaj periudhe dhe së fundi, nuk do të ketë një akt administrativ që vë në dispozicion për publikun e interesuar të debateve parlamentare dhe arritjeve ligjore e kushtetuese të kësaj periudhe. Ky është një zakon i keq i kulturës feudale politike, një sjellje mohuese ndaj vlerave të së të kaluarës dhe një përpjekje qesharake për të ecur në modelin e vjetër të historiografisë, sipas të cilit, fituesi i radhës e bën historinë.
Sot kemi fatin të jemi në liri, që si individë të përkujtojmë elitën politike të 90 viteve më parë, të mësojmë prej tyre dhe njëherësh, të sjellim ndërmend mësimin e madh të historisë, sipas të cilit, një politikë dhe një shoqëri e bazuar në harresën apo injorimin e atyre që sakrifikuan vetën për vendin e tyre, nuk mund të ketë të ardhme tjetër veç krizës së identitetit, besueshmërisë dhe të vlerave qytetare e politike.