Imuniteti që (nuk) kufizohet

0
36

Analize Nga AFRIM KRASNIQI

21 vjet pas vendosjes së sistemit pluralist dhe 8 vjet pas nisjes së debatit mbi imunitetin, parlamenti ka vendosur në krye-agjendë projektet për heqjen / kufizimin e imunitetit. Nëse u besojmë fjalimeve të palëve, duket se po ndodh një mrekulli: politika do të bëhet qytetare, vendimmarrës (ministra e deputetë, gjyqtarë e prokurorë) do të jetë të pambrojtur ndaj korrupsionit, se të varfrit do të pasurohen me paratë që po grabisin njerëzit me pushtet apo se Shqipëria nga vjeshta do të kalojë pragun e ftesës për anëtarësim në BE. E thënë shkurt, – të gjitha këto bëjnë pjesë në retorikën tradicionale politike, janë propagandë dhe nuk ofrojnë asnjë garanci se diçka e mirë do të ndodhë.

Argumentet i ofrojnë vetë aktorët politikë. Cili është problemi i sistemit tonë politik sot? Që deputetët e ministrat, gjyqtarët e prokurorët fshihen pas imunitetit? Që varfëria e korrupsioni është peng i një votimi formal neni kushtetues? Që politika është e vendosur të heqë imunitetin e vetes dhe kështu të triumfojë e mira, shteti ligjor, transparenca e anti-korrupsioni? As njëra dhe as tjetra.

Gjatë 21 viteve janë hequr 34 imunitete parlamentare, dy të treta e të cilave të motivuara politikisht. Vetëm tre deputetë përfunduan në burg: një për vrasje, dy për korrupsion. Këto të fundit pasi dolën nga burgu, në rrethana të tjera politike, fituan pafajësinë, madje morën edhe dëmshpërblim financiar. Të gjitha rastet e tjera u arkivuan për procedurë, për mungesë provash, për tërheqje denoncimi apo për rrethana të tjera specifike. Aktualisht kemi katër deputetë pa imunitet, dy ministra që përfituan nga procedurat imunitare dhe asnjë të dënuar.

Le të shohim më tej: kemi shkarkuar katër kryeministra për korrupsion, me akuza abuzimi janë shkarkuar gjithashtu tre kryeprokurorë, dy shefa të shërbimeve sekrete, dy drejtorë të përgjithshëm policie, shumë drejtorë policie lokalë, disa dhjetëra zyrtarë të lartë, përfshirë pesë gjeneralë, tre ambasadorë, dy prefektë, dy kryetarë qarqesh, etj, por asnjë nuk ka marrë një dënim final nga drejtësia.

Vetë kjo e fundit nuk ka dënuar ende asnjë gjyqtar apo prokuror (vetëm në rastet e flagrancës në aksidente rrugore), përkundrazi 90% të shkarkuarit nga KLD apo prokuroria kanë fituar në nivelin e lartë të gjyqësorit. Gjatë tranzicionit kemi dëgjuar të flitet gjatë për Padrinot e politikës, klanin e Zemunit, për kartelin e lejeve të ndërtimit apo të bregdetit, për bandën e gjyqësorit apo trafikun fitimprurës me sfond politik të cigareve e karburantit. Cili doli përpara drejtësisë? Disa, por në fund asnjë nuk u dënua. Shtatë prej tyre janë deputetë aktual në parlament.

Për të bindur BE-në në seriozitetin e luftës anti-korrupsion Kroacia dha prova serioze (arrestoi kryeministrin), Bullgaria gjithashtu (arrestoi dhjetë deputetë, dy ministra), Rumania vijoi më tej me shumë më tepër arrestime, përfshirë edhe ish kryeministrin, Mali i Zi detyroi kryeministrin të dorëhiqej nga politika, etj, kurse në Shqipëri, një vend me nivel më të lartë korrupsioni, emrat më të akuzuar për korrupsion janë duke diskutuar si deputetë për heqjen e imunitetit në parlament ose i kishim deri para një muaji kandidatë gati konsensualë për president. Nëse pyesim palët përgjigjja është e thjeshtë: PD thotë se të korruptuar janë milionerët e PS (një prej tyre ishte deputet i PD më 2005), kurse nëse pyet PS fajtor janë qeveria dhe mazhoranca (dy-tre prej tyre kanë qenë ministra me qeveritë e PS-së para 2005).

Nëse pyet qytetarët apo institucionet ndërkombëtare përgjigja është ndryshe: paguhet kudo, – tek polici, tek bashkia, tek arsimi, tek doktori, tek tenderat, dhe kudo ku kërkohen shërbime publike. Janë shërbime që vijnë nga bashkitë e komunat (janë të PD dhe të PS), nga institucionet qendrore (janë të PD dhe aleatëve) apo institucionet e pavarura (janë produkte të selektuara të dy palëve).

Në këto rrethana, a duhet hequr imuniteti për ministra e deputetë? Natyrisht që po. A duhet kufizuar imuniteti për gjyqtarët e prokurorë? Gjithashtu përgjigja është po. Kjo duhet të ndodhë pa kushte, pa dilemë, pa vonesë. A është kjo zgjidhja përfundimtare? Absolutisht që jo. Është një hap i vogël, një lloj rimeli për imazhin e shtetit shqiptar në raport me BE-në, një nevojë e politikës për tu thënë qytetarëve se ka ndërmend të ndryshojë, por jo se ka ndryshuar vërtetë. Sepse vetëm heqja / kufizimi formale, qoftë edhe kushtetuese, e imunitetit, përbën hap pozitiv, por nuk ofron zgjidhje për problemet e shumta të shtetit të së drejtës, kontrollit kushtetues dhe demokracisë funksionale.

Jashtë kësaj loje politike të radhës, mbetet ende i paprekur, madje shumë aktiv dhe vendimmarrës, një lloj tjetër imuniteti, shumë më pengues sesa ai parlamentar. Politika (ministra, deputetë, kryetarë e seli partie) kanë një imunitet politik ekstra-kushtetues, për të cilin askush nuk diskuton dhe nuk është i gatshëm të cenojë. Në Shqipërinë e vitit 2012 politika dhe partitë përcaktojnë vendet e punës, rekrutimet dhe largimet, promovimet dhe përfitimet. Këtu preferencat politike jo-kushtetuese kanë monopolin e karrierës në parlament e qeveri, në gjyqësor e prokurori, në institucione kushtetuese, mbrojtje apo diplomaci.

Ndryshe nga parimet kushtetuese politika vendos për pronën private e publike, për të drejtën e votës dhe kufizimet e saj, për liritë qytetare dhe interesat publike, për çështjet e sigurisë kombëtare dhe sovranitetit qytetar. Pavarësisht nëse hiqet imuniteti parlamentar ata dhe vetëm ata vendosin kush arrestohet e dënohet, kush lejohet të vjedhë dhe cilët nuk lejohen të flasin mbi vjedhjet. Ata na “emërojnë” deputetë e ministra, kryeministra e presidentë, pa mundësi zgjedhjeje direkte nga qytetarët.

Ata kanë monopolin mbi jetën publike, na diktojnë historinë dhe traditën, limitet e lirisë së mendimit dhe kufijtë e censurës, si dhe çdo aspekt tjetër të jetës shoqërore. Ata zihen, grinden, pajtohen, protestojnë, rrahin, vrasin, dhe përsëri pajtohen, – dhe në çdo rast duke na u imponuar si shpresa jonë e vetme. Siç bënë më 2007 dhe 2008, siç edhe po bëjnë edhe tani, ata dhe vetëm ata kanë monopolin e ndryshimit të kushtetutës, – një kontratë parimesh e votuar midis qytetarëve e shtetit më 1998, përsëri pa pyetur qytetarët, pa përfillur interesat afatgjata të shtetit. Dhe kur flasim për politikën, flasim për partitë ose më saktë, vetëm për disa individë që janë kryetarët-pronarë të tyre.

Ky pushtet ekstra-kushtetues, i papranueshëm në një demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës, përbën imunitetin më të lartë, privilegjin e paprekshëm, sistemin piramidal dhe konsensual të vjedhjes me rotacion, të rehabilitimit periodik të grupeve të korruptuara, të lidhjeve të forta midis krimit dhe politikës, ekonomisë in-formale dhe produktit të votave të trafikuara, dhe kështu, të mentalitetit gati shekullor abuzues me pushtetin, të keqpërdorimit të politikës si imunitet për të sunduar, me militantë, me miq, me familje, me turma, pa kontroll kushtetues dhe ide zhvillimi, pa produkte demokratike dhe transparencë publike.

Me 6 gusht ose 6 shtator mund të ndodhë që “dora e ngrohtë” perëndimore të detyrojë palët të firmosin heqjen ose kufizimin e imunitetit formal, por as 6 gushti, as 6 shtatori dhe as zgjedhjet e gatuara të 2013 nuk kanë shans të bëjnë asgjë për të hequr ose kufizuar imunitetin politik ekstra-kushtetues që politika ka vendosur prej dekadash mbi qytetarët, shoqërinë dhe shtetin. Ky është problemi për të cilin ende nuk flitet në zyrat e politikës, por që për të cilin flet, mendon dhe e ndjen çdo ditë, minutë e sekondë çdo zgjedhës e taksapagues në këtë vend.

(af/shqiptarja.com)