Xhemal Mato
Është paradoks që një zëvendësministër i Mjedisit e mbron VKM-në për importimin e mbetjeve si domosdoshmëri për biznesin vendas dhe jo si një politikë mjedisore (si i takon kësaj ministrie), ndërkohë që zëvendësministri i Ekonomisë nuk ka dalë të qartësojë se kush fiton dhe kush del me humbje në këtë tregti “globale” të mbetjeve.
Paradoksal është dhe argumenti tjetër se kjo VKM rregullon import-eksportin e mbeturinave në vendin tonë.
Por, po të shohim të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mbi bilancin e tregut të produkteve ushqimore në vendin tonë, këto tre vitet e fundit rezulton se:
“Shqipëria vazhdon të jetë një vend neto importues agrar që dëshmon për vështirësi në rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor e ushqimor vendas.
• Shkalla e mbulimit eksport–import për vitin 2009 ishte 1:4,2 ndërkohë që për prodhimet ushqimore vazhdon të jetë 1:10.
• Edhe në volumin në peshë të mallrave agrare: importohen afërsisht 930 mijë tonë ushqime dhe eksportohen rreth 40 mijë tonë. (23 herë më shumë importe)
• Edhe viti 2010 vazhdon me tregues të përkeqësuar të tregtisë së jashtme për sa i përket prodhimeve ushqimore. Eksportet në vlerë janë 7 herë më pak se importet ushqimore”. (Burimi i të dhënave: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave)
Kur ky deformim i tregut import–eksport ndodh me produkte që janë tradicionalisht kryesore në prodhimin tonë, produktet bujqësore, çfarë duhet të themi për tregun e mbeturinave ku, në menaxhimin dhe përpunimin e tyre jemi më të prapambeturit dhe më të fundit në Europë.
Në vendin tonë mbetjet nuk ndahen në produkte të ripërdorshme (letër, plastikë, qelq etj.); deri tani vetëm dy qytete kanë landfille (gropa grumbullimi të kontrolluara) por që në fakt janë jo plotësisht të pakontrolluara dhe nuk ka asnjë studim për landfille të tjerë, ndërkohë që pjesa më e madhe e buxhetit shkon për rrugë.
Dihet se çdo shtet mundohet t’i nxjerrë jashtë shtëpisë plehrat e veta.
Shumë shtete të fuqishme madje subvencionojnë në këtë drejtim, bile jo rrallë e mbyllin një sy para ligjeve ndërkombëtare kur është fjala për heqjen e mbetjeve “problematike” të vendit të tyre.
Kjo do të thotë që kjo “lënda e parë”, e thënë më troç, mbeturinat, mund të na vijnë nga fqinjët me kosto më të lirë se sa mbeturinat e “shtëpisë sonë”.
Gjithë shoqatat e mjedisit i kanë mbështetur dhe promovuar fabrikat tona të riciklimit të plastikes dhe letrës. Ato u bënë një shpresë në lehtësimin e problemit të plehrave tona, duke ricikluar plastikët që mbushnin lumenjtë, përrenjtë dhe bregdetin tonë.
Por ja që tani del se ato, “nga halli” do të kthehen të punojnë për plehrat e vendeve të huaja, meqë këto shtete bëjnë një politikë më të mirë menaxhuese për mbeturinat e tyre, i kanë “më të mira”, me tepricë dhe i eksportojnë. Ndërsa qeveritë tona, për 20 vjet, nuk e kanë vlerësuar fare këtë problem të madh, por dhe këtë pasuri të madhe si lëndë e parë.
Kështu nga kjo tregti, mjedisi i këtyre vendeve bëhet më i pastër dhe më i shëndetshëm dhe mjedisi ynë keq e më keq. A është vërtet kjo një politikë e mirë mjedisore për vendin tonë, me të cilën duhet të krenohet qeveria jonë se po i përafrohet Europës?!
Po të hedhësh një sy nëpër internet, gjen plot raste të deformimit të tregtisë së mbetjeve dhe të korrupsionit në këtë tregti dhe nga shtetet me ligje dhe institucione shumë të forta. Ja disa prej tyre:
“22 tonë mbeturina plastike të refuzuara, dërguar ilegalisht nga porti verior gjerman i Hamburgut në Brazil, janë kthyer mbrapsht në Gjermani.
Zyrtarët brazilianë e kapën këtë mall, pasi arriti në Portin jugor të Rio Grande. Dërgesa është dokumentuar si plastikë nga Republika Çeke, që do të riciklohej dhe të shitej në Amerikën e Jugut.
Në vend të saj zyrtarët brazilianë kanë gjetur mbeturina shtëpiake, pelena të përdorura, mbetje të produkteve të pastrimit dhe “çdo lloj mbeturine të ndaluar të ndotur”, deklaroi Instituti i Mjedisit dhe i Burimeve Natyrore të rinovueshme të Brazilit (IBAMA). Në vitin 2009, autoritetet braziliane zbuluan mbeturina të paligjshme të ardhura nga Britania, pas këtij rasti Brazili ishte etiketuar nga media si “vendi i depozitimit të mbeturinave” të Europës”
(Http://www.dw-world.de/dw/article/
“Autoritetet italiane kanë përcaktuar vendosjen e një anijeje të mbytur në brigjet jugore të Italisë me 180 fuçi e mbeturina toksike në bord, për të cilën ata thonë se është fundosur nga mafia. Anija e mbytur është raportuar të jetë një prej më shumë se 30 anijeve të tilla, që sipas të dhënave janë mbytur në detet Adriatik dhe Jon nga ‘Cosa Nostra’”. (Http://news.bbc.co.uk/2/hi/europe/8260409.stm)Nostra. (http://news.bbc.co.uk/2/hi/europe/8260409.stm
“Skandali i përfitimeve italo-gjerman nga spekulimi me mbeturinat e ngurta tregon për një industri që lulëzon. Sipas hetimeve nga Zyra Federale e Gjermanisë e Policisë Kriminale (BKa), deri në 2 milionë tonë të mbeturinave shtëpiake janë tashmë të hedhura ilegalisht në vend-grumbullimet dhe ish-gropat në Gjermaninë Lindore. “Shkalla e aktiviteteve spekuluese me mbeturinat e ngurta është e paparë për nga madhësia”, u shprehën ekspertët. Rasti ka qenë i nënvlerësuar plotësisht nga agjencitë qeveritare dhe politikanët, sipas një studimi të brendshëm BKa”. “Disa nga mbeturinat janë gjetur në landfillin e qytetit të Freyburg-Zeuchfeld, në Saksoni-Anhalt, i cili ishte mbyllur në pranverën e vitit 2009. Inspektorët shtetërorë të mjedisit gjetën këtu 300.000 tonë mbeturina të paligjshme.
Prokurorët besojnë se e dinë se kush është prapa dërgesave të mbeturinave. Që në fillim, thotë një hetues, “një grup i caktuar i kriminelëve gjermanë dhe italianë” kishin planifikuar të “pastronin mbeturinat në mënyrë të paligjshme nga Campania në rajonin e Saksonisë-Anhalt, sepse shumica e tyre ishte e papërpunuar”.
(www.brightmag.org)
Pra, kur mafia e plehrave arrin të çajë dhe administratën gjermane, ç’mund të presim ne me administratën tonë që sipas Institutit Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare, AIIS, del se niveli i sigurisë në doganat tona është më i ulëti në Europë. (www.aiis-albania.org/publications.html)
Le të sjellim një rast tjetër të tregtisë së mbeturinave:
“Sipas të dhënave nga mbikëqyrësi i mjedisit të Kinës, në fshatin Lianjiao trajtohen më shumë se 200.000 tonë plastikë në vit, një pjesë e madhe e së cilës janë të importuara ilegalisht. Sipas Administratës së Shtetit për Mbrojtjen e Mjedisit (SEPA): “Kina ndalon rreptësisht çdo import të mbeturinave që nuk mund të riciklohen si lëndë e parë, apo të trajtohen në vend”. “Të nxitur nga përfitimet, thekson mbikëqyrësi, disa shitës bashkëpunojnë me thyerës të ligjit jashtë shtetit dhe në mënyrë të paligjshme kontrabandojnë ose importojnë plehra në Kinë, duke shkaktuar dëme për shëndetin e njerëzve dhe të mjedisit”. (Http://bbs.chinadaily.com.cn/redirect)
Sot gara e vendeve të zhvilluara për mbeturinat, po bëhet po aq e fuqishme sa ajo për naftën, vetëm me një ndryshim, ndërsa naftën luftojnë ta importojnë, mbeturinat synojnë t’i eksportojnë. Kjo është një dukuri e re e globalizimit
Gjatë debateve tona me pjesëmarrjen e shumë shoqatave në lidhje me vendimin e importimit të mbeturinave, shpesh dilte pyetja: “Nëse disa shtete eksportojnë mbeturina (plastikë, letër etj.) përse ata nuk ngrenë fabrika riciklimi në vendin e tyre, siç është bërë në vendin tonë, duke ndihmuar trajtimin e plotë të mbetjeve në vendin e tyre, por e humbasin kot këtë lëndë të parë duke jua dhënë pothuajse falas vendeve në zhvillim. Po ja një ditë e gjetëm përgjigjen te një fjalim i Kryeministrit: Ju që mendoni kështu “…jeni antiglobalistë, marksist leninist, kundër mjedisit dhe mbështeteni nga mafia”. Nga gjithë kjo breshëri fjalësh vetëm fjala antiglobalist ishte e re për ne, kështu që u futëm shpejt në internet për të kuptuar se kush jemi. Dhe ja si e trajtonte UNDP globalizmin në një studim të ISSD: “Ende nuk ka një marrëveshje për të përcaktuar saktë në atë që quhet “globalizim”, se cilat janë pjesët e mira dhe të këqija të tij”
Dhe më poshtë: “Globalizmi ka vendosur presion mbi mjedisin global dhe burimet natyrore, duke reduktuar kapacitetet mjedisore. Kostot mjedisore, si dhe pasojat ekonomike që sjell mjedisi, mund të eksportohen te njerëzit që janë në vendet e pazhvilluara”. Pra globalizmi, krahas të mirave paska dhe të këqija, veçanërisht në drejtim të mjedisit. Mos vallë Kryeministri na ka bërë kompliment me etiketimin “Antiglobalist”?!…
Ministri i Mjedisit siguron se për çdo mbeturinë të listës së gjelbër që do të importohet, do të vendoset nga Këshilli i Ministrave me një VKM të veçantë. Pra, në fund do të firmoset nga tre ministrat kryesorë dhe Kryeministri. Por a s’ndodhi ekzaktësisht kjo me vendimin për importimin e plehrave urbane nga Italia në 2004-n për t’u djegur në Kashar?!
Prandaj ne insistojmë që vendimi për importimin e mbeturinave, qoftë dhe të listës së gjelbër, të mos fillojë të zbatohet pa u përgatitur plotësisht me kuadrin mbrojtës ligjor të plotë, me një politikë financiare të veçantë për ketë rast dhe me një informim dhe ndërgjegjësim të mirë të publikut dhe administratës.
Shoqatat mjedisore e shohin problemin e mbeturinave më gjerë se sa çështja e importimit të listës së gjelbër apo biznesit të disa kompanive: “Të pastrojmë Shqipërinë nga mbeturinat tona, të cilat po kthehen në një problem jetësor për shëndetin dhe zhvillimin tonë”.







