Importi i mbetjeve, kompanitë fituese kanë modifikuar aktivitetin e tyre vetëm një vit më parë

0
78

TemA Online, 27 Korrik 2012

Dy ditë më parë, qeveria shqiptare vendosi për importimin e 30 mijë ton mbetjeve në Shqipëri. Deputeti socialist, Erion Braçe, ka ngritur dyshime të forta mbi dy kompanitë fituese për importin e mbetjeve. Ai thotë se ato e kanë modifikuar aktivitetin e tyre vetëm një vit më parë.

“Dy të huaj, njëri turk e tjetri belg, janë të parët që morën leje nga qeveria e Sali Berishës për import të mbetjeve në Shqipëri. 30.000 ton njëherësh.

Murat Kiyan-turk, banues në Stamboll, i kompanisë EVEREST I.E dhe Elman Abule- banues ne Antverp, i kompanisë RAMETAL.

EVEREST I.E, e krijuar në vitin 1995 si kompani tregtie gjithfarësh, ka selinë në Kashar/Mëzes.

RAMETAL, e krijuar në vitin 2010 si kompani përpunimi metalesh, ka selinë në Tiranë, në një pallat përballë Fakultetit Juridik. Kompania ka në origjinë dy kompani të tjera, që zotërojnë edhe pronësinë mbi të, e para MAK-08, e dyta FIDALBA.

EVEREST I.E ka pasur në brendësi të aktivitetit të saj prodhimin e ambalazhit të celofanit dhe produkteve të këmbës prej plastike. Ka shtuar mbledhjen, përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve plastike, si dhe transportin ndërkombëtar të mallrave brenda e jashtë vendit, që shoqëria do të kryejë me mjetet e veta për llogari të saj.

EVEREST I.E ka pasur një ndryshim në kuotat e aksionerëve të saj kur i është dashur të zbatojë ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Njëri prej aksionerëve të saj ka ngrirë zotërimin aktiv të aksioneve të tij në kompani, sepse dhëndri i tij punonte në doganë.

RAMETAL është kompania e dytë e shtetasit Elman Abule. Kompania tjetër e tij me të njëjtin aktivitet është TRITAL. Ajo që është interesante të veçohet, ka të bëjë me faktin se, nëse RAMETAL dhe FIDALBA kanë në bazë të aktivitetit përpunimin dhe riciklimin e metaleve, TRITAL ka edhe: “Magazinim, mbajtje stok dhe transport të materialeve hekur dhe jo hekur”.

Në konkluzion, mua më bëjnë përshtypje disa gjera të rëndësishme, pas lejeve për import të mbetjeve në sasi të mëdha dhënë nga qeveria e Sali Berishës:

E para, lejet u janë dhënë dy kompanive me pronësi të zotëruar nga shtetas të huaj;

E dyta, kompanitë kanë modifikuar aktivitetin e tyre në funksion të grumbullimit dhe riciklimit të mbetjeve vetëm një vit më parë;

E treta, kompanitë e ushtrojnë aktivitetin e tyre në periferi urbane të Tiranës dhe Durrësit;

E katërta, njëra prej kompanive ka siguruar edhe aksesin familjar në shërbimin doganor, shërbim i ngarkuar për kontrollin e vërtetësisë së deklarimeve për import të mbetjeve të rrezikshme ose jo;

E pesta, njëra prej kompanive ka ndërtuar një kompani guaskë për të garantuar edhe depozitimin e mbajtjen stok të mbetjeve.

Besoj kaq mjafton për të kuptuar çfarë ndodh, çfarë rreziku na pret dhe sa vigjilent duhet të jemi”, thotë Braçe.