Implementimi i Strategjisë Nukleare për Shekullin e XXI

0
46

Hillary Rodham Clinton

Hillary Rodham Clinton*, 09.04.2010

Dje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia firmosën në Pragë një traktat të ri mbi strategjitë e reja ndaj reduktimit të armëve (START), duke zvogëluar numrin e raketave bërthamore strategjike të arsenalit tonë në nivele të papara, që prej dekadës së parë të kohës bërthamore. Kjo ulje e verifikueshme nga dy fuqitë më të mëdha bërthamore botërore reflekton angazhimin tonë ndaj themelit të Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT) – të gjitha kombet kanë të drejtë të kërkojë përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, por gjithashtu të gjithë ata kanë përgjegjësinë për të parandaluar përhapjen bërthamore, dhe ata që zotërojnë këto armë duhet të punojnë në drejtim të çarmatimit.

Kjo marrëveshje është vetëm një prej disa hapave konkrete që Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin, për të vënë në zbatim zotimin e Presidentit Obama për ta bërë Amerikën dhe botën më të sigurt, duke zvogëluar kërcënimin e armëve bërthamore, përhapjen e tyre dhe terrorizmin.

Të martën, Presidenti njoftoi rishikimin e qëndrimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ndaj armëve bërthamore (NPR), i cili ofron një plan për reduktimin e rolit dhe sasisë së armëve tona bërthamore, ndërsa ofron një mbrojtje më efektive të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë nga kërcënimet e sotme më të ngutshme.

Javën e ardhshme, në samitin e sigurisë bërthamore, Presidenti Obama do të presë më shumë se dyzetë udhëheqës, me qëllim sigurimin e të gjitha materialeve të ndjeshme bërthamore sa më shpejt që të jetë e mundur, për të parandaluar rënien e tyre në duart e terroristëve.

Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara po vijojnë përpjekjet diplomatike për të krijuar pasoja reale për shtete të tilla si Irani dhe Koreja e Veriut, të cilat nuk e përfillin regjimin botëror të mospërhapjes.

Këto hapa dërgojnë mesazhe të qarta për përparësitë tona dhe zgjidhjen që ne ofrojmë.

Aleatëve dhe partnerëve tanë, dhe të gjithë atyre që i kanë parë për një kohë të gjatë Shtetet e Bashkuara si garantuese të sigurisë rajonale dhe globale, iu themi: Angazhimi ynë për të mbrojtur interesat tona dhe ato të aleatëve tanë nuk ka qenë kurrë më i fortë. Këto hapa do të na bëjnë të gjithëve më të mbrojtur dhe më të sigurt.

Atyre që nuk pranojnë të përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare dhe kërkojnë të frikësojë fqinjët e tyre, iu themi: bota është më e bashkuar se kurrë më parë dhe nuk do të pranojë mospajtueshmërinë tuaj.

Marrëveshja e sotme është një testament i vendosmërisë sonë për të përmbushur detyrimet tona në bazë të NPT dhe përgjegjësive të veçanta, që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë si dy fuqitë më të mëdha bërthamore.

Traktati i ri START përfshin 30% ulje të numrit të raketave bërthamore strategjike, që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë të lejuara për të dislokuar, si edhe një regjim të fortë dhe të efektshëm verifikimi, i cili do të stabilizojë më tej marrëdhëniet midis dy vendeve tona, si dhe do të zvogëlojë rrezikun e jokomunikimit ose llogaritjeve të gabuara.

Traktati nuk përmban kufizime për planet tona të mbrojtjes raketore – tani apo në të ardhmen.

Shqyrtimi i qëndrimit ndaj armëve bërthamore i Presidentit Obama i përfshin parimet e këtij traktati – ashtu si edhe planin tonë mbi mospërhapjen dhe kontrollin e armëve – pjesë të strategjisë sonë kombëtare mbi sigurinë. Sot, përhapja bërthamore dhe terrorizmi bërthamor, kanë zëvendësuar rrezikun e sulmeve bërthamore në shkallë të gjerë të epokës së Luftës së Ftohtë, si një nga kërcënimet më urgjente ndaj Shteteve të Bashkuara dhe sigurisë globale. NPR nxjerr në pah një qasje të re, e cila do të sigurojë që mbrojtja dhe diplomacia jonë të jenë të orientuara kah përballimit të këtyre sfidave në mënyrë të efektshme.

Si pjesë e kësaj qasjeje të re dhe në përputhje me detyrimet mbi mospërhapjen e armëve bërthamore, Shtetet e Bashkuara zotohen të mos përdorin apo të kërcënojnë, duke përdorur armët bërthamore kundër një shteti pa armë bërthamore, që është pjesë e NPT-së. Shtetet e Bashkuara do të marrin në konsideratë përdorimin e armëve bërthamore në rrethana ekstreme, për të mbrojtur interesat jetike të Shteteve të Bashkuara apo aleatëve dhe partnerëve të saj. Megjithatë, nuk duhet të ketë dyshim se ne do të kërkojmë llogari nga çdo shtet, grup terrorist, apo aktorë të tjerë jo-shtetërorë që mbështesin apo mundësojnë përpjekjet terroriste për të marrë ose përdorur armë të shkatërrimit në masë.

NPR thekson gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me aleatët tanë në botë, dhe i qëndron angazhimit tonë të fortë ndaj sigurisë reciproke. Ne do të punojmë me partnerët tanë për të përforcuar planet e sigurisë rajonale, të tilla si mbrojtja raketore dhe aftësi të tjera konvencionale ushtarake. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të parandalojnë armët bërthamore në mënyrë të sigurt, të mbrojtur dhe të efektshme për veten dhe aleatët tanë, për sa kohë që këto armë ekzistojnë kudo në botë.

Përhapja e armëve bërthamore dhe terrorizmi janë sfida globale, dhe ato kërkojnë një përgjigje globale. Kjo është arsyeja përse Presidenti Obama ka ftuar në samitin e sigurisë bërthamore në Uashington udhëheqës nga e gjithë bota, dhe do të kërkojë angazhimin e të gjithë kombeve – veçanërisht atyre që gëzojnë të mirat e energjisë bërthamore civile – për të marrë masa ndaj ndalimit të përhapjes dhe sigurimit të materialeve bërthamore të pambrojtura. Nëse terroristët shtien në dorë ndonjëherë këto materiale të rrezikshme, rezultatet do të jenë tepër të tmerrshme për t’u imagjinuar.

Të gjitha vendet duhet të pranojnë se regjimi për mospërhapjen e armëve nuk mund të mbijetojë nëqoftëse shkelësit lejohen të veprojnë pa u ndëshkuar. Kjo është arsyeja përse ne jemi duke punuar për të arritur një konsensus ndërkombëtar mbi hapat që do të bindin krerët e Iranit, për të ndryshuar kurs, duke përfshirë edhe sanksione të reja të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të qartësojë më tej zgjedhjen e tyre për zbatimin e detyrimeve ose përballjen me rritjen e izolimit dhe pasojat e dhimbshme.

Me gjithë respektin për Korenë e Veriut, ne vazhdojmë të dërgojmë mesazhin që vetëm kthimi në tryezën e bisedimeve nuk është i mjaftueshëm. Piongiangu duhet të lëvizë drejt denukelarizimit të plotë dhe të verifikueshëm, nëpërmjet hapash të pakthyeshëm, në rast se dëshiron një marrëdhënie të normalizuar dhe pa sanksione me Shtetet e Bashkuara.

Të gjitha këto hapa, të gjitha traktatet tona, samitet dhe sanksionet, ndajnë qëllimin për rritjen e sigurisë së Shteteve të Bashkuara, aleatëve tanë dhe njerëzve kudo në botë.

Në Prill, Presidenti Obama qëndroi në sheshin Hradcany në Pragë dhe sfidoi botën në përpjekjen për një të ardhme pa rreziqe bërthamore, të cilat na kanë qenë të pranishme mbi të gjithë ne për më shumë se një gjysmë shekulli. Kjo është punë e një jete të tërë, në mos më e gjatë. Por sot, një vit më pas, ne jemi duke përparuar vërtet drejt këtij qëllimi.

* Shkrim posaçërisht për gazetën “Panorama”