Nga Express | 20 Prill 2013
Nga leximi i shpejtë që ia ka bërë marrëveshjes, Daniel Serwer thotë se ka krijuar përshtypjen se ajo nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se Veriu mund të integrohet tani brenda kornizave të saj.
Profesori amerikan i Menaxhimit të Konflikteve, konsideron se ka qenë jorealiste të pritej ndonjë zgjidhje tjetër, duke pasur gjendjen kritike atje.
Por, ajo që kanë marrë serbët e Veriut, sipas Serwer, nuk është autonomi, pasi Asociacioni parashihet edhe me Planin e Ahtisaarit.
Në përgjigjet për Express (nëpërmjet e-mailit), Serwer thotë se implementimi mund të marrë 1 vit, pasi në Ballkan kjo gjë gjithmonë është e vështirë.
Ai konsideron se ujdia me Serbinë, do të sjellë përfitime dhe njohje edhe nga vendet anëtare të BE’së.
Express: A është kjo marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës?
D. Serwer: Nuk shoh ndonjë kontradiktë me Kushtetutën, por do të jetë interesante që t’i dëgjojë edhe të tjerët se çfarë thonë për këtë çështje. Marrëveshja mundëson që Policia dhe Gjykatat në Veri, të jenë pjesë e Policisë dhe Gjykatave të Kosovës, që ishte një çështje shumë kritike.
Express: A mund ta vendosë Kosova autoritetin e saj në Veri me këtë marrëveshje ?
D. Serwer: Mendoj se kjo nënkupton që Veriu tani mund të integrohet në kornizën kushtetuese të Kosovës, e cila parasheh autoritet te gjerë komunal si dhe bashkëpunim ndërmjet komunave
Express: Ka shumë në Kosovë që thonë se kjo marrëveshje ka nxjerrë praktikisht një autonomi për serbët e Kosovës. Cili është vlerësimi juaj?
D.Serwer: Jo, Plani i Ahtisaarit në një masë të madhe ofron vetëqeverisje për serbët në krejt Kosovën. Ishte jorealiste të pritet që të ketë diçka më pak për komunat veriore. Asociacioni është në Planin e Ahtisaarit. Nuk është diçka e re.
Express: A mund të implementohet shpejtë kjo marrëveshje?
D.Serwer: Secili që pret implementim të shpejtë dhe të lehtë nuk ka kaluar shumë kohë në Ballkan. Por ka gjasa të mira që implementimi të ndodhë brenda një viti.
Express: Një pjesë e marrëveshjes ka të bëjë me procesin e integrimeve ku palët zotohen se nuk do ta bllokojnë njëra- tjetrën në rrugën e tyre drejt BE’së. Si e shihni këtë?
D.Serwer: Po. Kjo më duket një gjë e mirë dhe kjo duhet të hapë disa mundësi për Kosovën: Negociatat për Marrëveshjen Stabilizim Asociimit, lëvizjen drejt heqjes së vizave, njohjen e mundshme nga së paku disa prej vendeve anëtare të BE’së që nuk e kanë njohur pavarësinë.
Express: Si do të reflektohet kjo marrëveshje në shkallë ndërkombëtare. A mund të sjellë më shumë njohje tjera?
D.Serwer: Shpresoj se po. Kosova në këto negociata ka dëshmuar në masë të madhe shtetësinë e saj. Keni parasysh Kryeministrin e Kosovës duke negociuar me Kryeministrin e Serbisë shtrirjen e Policisë së Kosovës dhe strukturat gjyqësore në territorin që Serbia e ka dominuar për 14 vjet. Kjo nuk bën që gjërat të ndodhin në mënyrë automatike por shpresoj se do të shohim disa vende duke njohur e Kosovën. Do të ketë përfitime.