Imituesi lindor i Perëndimit

1
31

Nga Mero Baze, 14 Prill 2012

Sali Berisha ka shkuar në Afganistan, pranë trupave tona komando. Është një gjest që e bën çdo kryeministër i vendeve të cilët çojnë trupa ne këto misione. Ajo që tërhoqi vëmendjen në këtë rast ishte se media e tij e zbuloi lajmin si “sekret”, ndërkohë që Berisha ishte ende atje, çka do të thotë se në këtë shpikje nuk kishte më asgjë sekrete. E gjitha është një përpjekje për të imituar liderët perëndimorë të rëndësishëm, ata të cilët vënë në lëvizje vërtet ushtri të madhe dhe shpallin luftë ndaj disa regjimeve, siç janë zakonisht liderët e SHBA-së, Britansë së Madhe dhe në ndonjë rast më të rrallë për shkak të polemikave anti-luftë liderët e Francës dhe Gjermanisë.

Sali Berisha është kryeministër i një vendi që as nis ndonjë luftë dhe as kundërshton ndonjë luftë. Ne jemi pjesë e Aleancës së NATO-s dhe jemi atje për këtë shkak. Jemi siç dihet pjesa më e dobët e atyre trupave që janë atje, pasi në vend të ushtarëve profesionistë, shpesh nisim vëllain e Shefit Shtabit si kuzhinier, apo të tjerë që paguajnë nën dorë që të shtojnë të ardhurat nga rroga e lartë.

Përgjithësisht aty ku shkojmë bëjmë punë të rëndomta, si në prapavijë apo shoqërues misionesh dhe jemi gjithmonë nën komandën e një vendi tjetër. Dëshmori ynë i vetëm në këto misione, është një djalë i pafajshëm, që shkoi aty te mblidhte lek për te blere shtëpi, dhe mbeti i vrarë nga një sulm i beftë i një ushtari afgan, me të cilin kishin bërë fjalë më parë. Përveç respektit për jetën e humbur të ushtarit, ne nuk kemi asnjë ndjesi krenarie apo turpi për atë çfarë na përfaqëson në Afganistan.

Por, Sali Berisha nuk ka shkuar aty se e ndjen këtë si një detyrim që i rrit prestigjin brenda vendit . Këtu maksimumi vizita e tij mund t’i kujtojë ndonjë familjeje të varfër se ka paguar para për të nisur djalin ushtar. I izoluar ndjeshëm nga vendet perëndimore si një lider autokrat, që po rrëmben gjithë pushtetet në vendin e tij dhe po e çon atë drejt krizës, Berisha ka nevojë të tërheqë vëmendjen se ai po i shërben Perëndimit me ushtarë. Ai ka nevojë t’u tregojë atyre që nuk e presin as në kafe, se qytetarët e vendit të tij po rrezikojnë për vlerat perëndimore në disa misione paqeruajtëse, dhe kjo falë tij.

I orientuar së fundmi tërësisht drejt lindjes jodemokratike, i marrepsur pas modelit të Azerbajxhanit, Turqisë e Hungarisë dhe liderëve të tyre, ai ka nevojë të imitojë së paku për publikun e vet liderët e rëndësishëm perëndimorë, ata që zbresin me AIR ONE, apo me helikopterë Apache në Afganistan, ka nevojë të duket se ai është i rrezikuar nga armiqtë e perëndimit, ka nevojë të thotë se “Ditën e Pashkës në Drekë…”, ai shkoi në një vend mysliman, ku ai ndjehet i rrezikuar.

Ka shumë teatralitet dhe fallcitet në gjithë këtë udhëtim që “dekonspirimi” si sekret, ndërkohë që ai është ende atje, e bën tërësisht qesharak. Është makthi dhe dilemat e një udhëheqësi lindor që e bëjnë atë të jetë i dyzuar, në distancën e përditshme që krijon me Perëndimin në vendin e tij. Është dyshimi hilacak që ka një lider lindor, se mos një ditë ai do të konsiderohet tërësisht antiperëndimor dhe ndoshta mund të ridërgohet një mision paqeruajtës kundër tij, si në vitin 1997. Është duke u përpjekur të ketë ende një lidhje me Perëndimin, nëse jo thelbësore dhe të sinqertë, së paku si imitues i liderëve perëndimorë në situata të tilla.

Është rasti të tregojë se ka diçka në dorë, se po bën diçka njësoj si perëndimorët, se kanë diku ndonjë armik të përbashkët ndaj duhet ta ..tolerojnë. Është ky makth që e ka nisur në këtë udhëtim të zhurmshëm “sekret”, me të cilin më shumë se sa ne këtu në Tiranë, po përpiqet të bëjë që ndonjë kokë perëndimore, të kthejë vështrimin nga ai dhe ta përshëndesë. Është në dilemën e madhe kur Perëndimi i duhet vetëm për fasadë, vetëm si imitim, vetëm si një arsye për të qëndruar në pushtet duke imituar Lindjen në qeverisjen civile dhe Perëndimin në Paradë ushtarake.

1 COMMENT

  1. Arhneim i Robert Musil shprehet keshtu:
    “Fitimi te shtyn ne nje aktivitet mental qe nuk eshte gjithmonë fisnik. Keshtu qe ne njerezit e medhenj jemi thirrur te marrim komanden e masave (njerezve), ne kete kthese te historise, pa e ditur nese do te jemi moralisht te afte.”
    Partite jane kthyer ne distributor te pushtetit, ndersa kandidatet e sistemit maxhoritar jane vetem personazhe, qe nuk shprehin as programe as ide.
    Programet nuk jane te afte t’i bejne, idete u duhen per vehte.
    I vetmi pushtet qe ngelet eshte ai parase.
    Paraja vendos se nga kush apo per llogari te kujt duhet te qeveriset vendi.
    Ne nje mashtrim te madh te paret jane autoret, pastaj vijne ata qe e kane kuptuar mashtrimin dhe vazhdojne te mashtrojne, te tjere jane ata qe vazhdojne te festojne pa kuptuar dinamiken, per injorance apo servilizem.
    Gjejeni vete se ku renditeni ju Z. Baze.

Comments are closed.