TemA, 7 Gusht 2012
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, duhet të japë dorëheqjen pas krimit makabër brenda një reparti ushtarak, në Poliçan. Kështu shprehet deputeti socialist, Erion Braçe.
“Kombinati i Poliçanit nuk është një ndërmarrje tregtare, por një repart ushtarak. Dhunimi i repartit dhe më pas i kufomës në prani të ushtarakëve nuk është akt i rastësishëm.
Si deputet në qarkun e Beratit e njoh shumë mirë gjendjen në atë repart, ndaj ju them se kombinati i Poliçanit është një vatër krimi shumë e madhe madje.
Atje vidhet, trafikohet, trafikohet dhe përfitohet në mënyrë të paligjshme. Atje ka një nukël të qartë përfituesish politik në krye të aktivitetit kriminal që përfiton në mënyrë të paligjshme, por edhe përdor politikisht shumësinë e vendeve të punës atje.
Politikisht kombinatin e drejton LSI!
Lulëzim Gojka, drejtori në konflikt të hapur interesi me demontimin dhe metalet e përfituara prej tij, është eksponent i LSI.
Lëvizja e punëtorëve një vit e gjysëm më parë ishte në funksion të zgjedhjeve vendore dhe objektivit të LSI për të fituar me dhunë bashkinë Poliçan dhe komunën e Vertopit ngjitur, ku kandidonte i vëllai i Lulit, Guximi i famshëm.
Heqja e punëtorëve në një vend tejet të varfër është thelbi i konfliktit. Mjafton të shohësh fotot sot dhe e kupton kush është viktima,” thotë Braçe.
“Menaxhimi i një reparti ushtarak kërkon përgjegjësi. Përfshirja në një krim e një reparti ushtarak si në Poliçan kërkon përgjegjësi. Dhunimi i kufomës në sy të ushtarakëve si në Poliçan kërkon përgjegjësi.
Si deputet edhe i Poliçanit i kërkoj ministrit të Mbrojtjes të bëhet burrë e të japë dorëheqjen me ngjarjen më makabër të ndodhur në një repart ushtarak që pas Gërdecit.
I kërkoj kryeministrit të shkarkojë drejtorin e kombinatit, Lulëzim Gojka.
I kërkoj kryetarit të KLSH të hetojë menjëherë veprimtarinë ekonomike e administrative në kombinatin e Poliçanit.
I kërkoj prokurorisë të hetojë përtej vrasjes e dhunimit barbar të kufomëz, veprimtarinë kriminale që ushtrohet haptazi në kombinatin e Poliçanit.”







