Imami, SKANDAL me helikopterët, ekspertët ia rrëzuan kontratën, ai i shpërfilli

0
42

TemA, 4 Gusht 2012

Arben Imami shpërfill mendimin e ekspertëve. Një ditë përpara mbërritjes në Shqipëri, helikopteri i porositur nga qeveria u rrëzua në Francë

Zbulohet një tjetër skandal në Ministrinë e Mbrojtjes. “Vizion Plus” ka zbardhur një tjetër shkelje të rëndë ligjore në këtë ministri, që mban firmën e zyrtarit më të lartë, Arben Imamit. Bëhet fjalë për blerjen e helikopterëve për transportin e personaliteteve, kontratë që shteti shqiptar e lidhi me një kompani franceze prodhimi. Por përpara se të lidhej kontrata, Ministria ngriti një grup pune, në përbërje të të cilit ishin 5 eksperte të fushës, mes tyre edhe komandanti i detashmentit të transportit VIP, major Ndrec Llusku. Atyre iu kërkua vlerësim për blerjen, që duhet të ishte opinioni baze për të firmosur kontratën. Kjo është korrespodenca mes Ministrisë dhe grupit të ngritur.

Pas analizës se hollësishme, ekspertët rrezojnë kontratën me argumentet: “Grupi i punës e konsideron ofertën e paraqitur nga kompania ‘Eurocopter’ date 22.12.2010 për helikopterët ‘EC 135’ dhe ‘EC 145’ si jo të përshtatshëm për transportin ajror të personaliteteve të larta të shtetit. Helikopteri më i pranueshëm për këtë qëllim rekomandojmë të jetë ‘EC 155’, pasi ka kapacitete transporti, volum të brendshëm shfrytëzimi dhe specifikime teknike te një kategorie më të lartë se ‘EC 135’ dhe ‘EC 145’.”

Grupi i punës nuk jep vlerësim për çmimin e blerjes se helikopterëve, por rrëzon kontratën për disponueshmërinë e tyre. Ata evidentojnë se në dokumentacionin e ofruar nga kompania ‘Eurocopter’ mungojnë të dhënat teknike si: fuqia e motorëve, kohëzgjatja e fluturimit, lartësia maksimale e fluturimit, apo të dhëna të tjera, të specifikuara në shkresën e Ministrisë së Brendshme në datë 25 tetor 2010. Më tej, në ekspertizën e grupit të punës shtohet se helikopteri model ‘EC 145’, nuk përdoret nga vende të tjera evropiane për transport VIP dhe për pasojë nuk sjell përmirësim cilësor të kapaciteteve të transportit në Shqipëri, detyre qe aktualisht kryhet me helikopterin në përdorim, model ‘A 109 C’.

Por menjëherë pas këtij relacioni, që duket nuk ka kënaqur interesat e Ministrisë se Mbrojtjes, grupi i punës shkrihet dhe në vend të tij hartohet një tjetër relacion, mbi bazën e preferencave të ministrit. 2 vjet më vonë, një ditë para dorëzimit ne Shqipëri, helikopteri në testet e fundit ne Francë u rrezua aksidentalisht. Por anashkalimi i opinionit të eksperteve të fushës ka prodhuar edhe me herët pasoja tragjike ne Ministrinë e Mbrojtjes. Shpërthimi i depove të armatimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 vetë, pati pasoja fatale për banorët e zonës, pikërisht sepse u anashkalua mendimi i ushtarakëve për ta ndërtuar fabrikën larg zonave të populluara.

Një ditë më parë “Vizon Plus” publikoi shkresën që provon një nga skandalet më të rënda në 2 dekadat e fundit në Ministrinë e Mbrojtjes. Ky është urdhri i ministrit Imami, firmosur 2 dite para protestës së opozitës në 21 janar, për blerjet e pajisjeve speciale përgjuese. Snajperë, automatikë, dylbi me rreze infra për të parë natën, pajisje regjistrimi video dhe audio, pajisje analoge transmetimi, deri rrip përgjimi, janë pajisjet që opozita dyshon se janë përdorur për përgjime jo vetëm të eksponentëve të saj, por edhe diplomatëve të huaj.