Imami: Po përgjoj opozitën? Ajo po na përgjon ne. PS do të bëjë një kontroll fshatar

0
68

TemA, 12 Korrik 2012

Kush e bën tregtinë me serbë? Imami dhe Damir Fazlliç vjet gjatë një takimi miqësor

Ministri i Mbrojtjes tha se nuk ka mundësi trafiku në një vend të NATO-s. Ai madje e akuzoi opozitën se është amatore që bën të tilla akuza

Duket si një lojë fjalësh, por nuk është tamam kështu. Tanimë për këtë qeveri nuk ka asnjë përgjigje tjetër për aferat përveçse duke fajësuar opozitën se janë njësoj. “Jam i korruptuar? Edhe ti”, “jam kriminel, po pse ti jo?”.

Në këtë mënyrë ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami kur u akuzua për tregti armësh me serbë. Tha se opozita vetë ka interesa tek biznesi serb i tregtisë së armëve.

Kurse sot doli në piskun e vapës përpara medias, dhe kur u pyet se a ka përgjuar opozitën, tha se është kjo e fundit që po i përgjon, duke marrë informacione për Ministrinë e Mbrojtjes në mënyrë të paligjshme.

“PS është përpjekur të mbledhë informacion në mënyrë të kundërligjshme për Ministrinë e Mbrojtjes,” tha Imami.

I pyetur për trafikun e armëve dhe skandalin e ish- shefit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Imami tha se nuk mund të ketë trafik armësh në një vend të NATO-s. “Të bësh akuza të tilla është amatorizëm politik,” tha eksperti politik Imami.

“Ka një tregti të ligjshme armësh, të rregulluar në mënyrë rigoroze. Një gazetë pranë opozitës thotë pse Ministria e Mbrojtjes shet municione në Nigeri, ndërkohë që shesin edhe serbët. Në mënyrë të palogjikshme drejtuesit e PS kanë rënë në një kurth që nuk bie një politikan serioz,” tha Imami.

Ai deklaroi se nuk është e ligjshme që disa deputetë të PS të shkojnë tek ministria e tij dhe të kërkojnë informacion. Sipas tij gjithçka bëhet në rrugë ligjore.

“Opozita nuk kërkon kontroll. Duhet të respektohen procedurat. Kontrolli që kërkohet të ushtrohet me dhunë kërkon të krijojë një konflikt mes palëve dhe nuk do t`jua jap këtë kënaqësi. Ligji do të zbatohet në këtë vend demokratik. Unë jam i gatshëm të jap çdo lloj informacioni”, shtoi Imami.

Imami u shpreh i gatshëm të shkojë për të raportuar në Komisionin e Sigurisë.

Ndërsa duke folur brenda në Kuvend, Imami tha se kontrolli i opozitës është një kontroll fshatar i frymëzuar nga revolucioni kulturor kinez. “Nuk do ketë kontroll fshatar nga asnjë shumicë e opozitë,” tha Imami pas akuzave të kreut të grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi për trafik armësh.