Imamët shkojnë në luftë

0
45

Vala e arrestimeve të klerikëve muslimanë zbulon rrjetin që përgatiste rekrut shqiptar në konfliktin sirian. Si e neglizhoi shteti dhe komuniteti musliman krijmin e frymës radikale mes besimtarëve islamë

Nga Arben Morina*

Para tre javësh, në faqet e revistës JAVA, përmes një interviste interesante, teologu i njohur Ahmed Kalaja bënte një thirrje që menduam të vendosim në faqen e parë të numrit: Shqiptarë, mos shkoni në Siri! Qe një apel që vinte nga një klerik i lartë, i cili e ka shumë të qartë përmasën e rrezikut të ekstremizmit fetar. Një koincidencë e çuditshme bëri që intervista e klerikut musliman, të pasohej disa ditë më vonë, nga një valë e bujshme arrestimesh, që policia dhe shërbimet inteligjente shqiptare, bënë në disa prej xhamive të periferisë së Tiranës. Dy imamë të xhamive të Unazës së Re në Tiranë dhe të Mëzezit, në periferi të kryeqytetit, si dhe gjashtë persona të tjerë, janë arrestuar tre ditë më parë nga policia, nën akuzën e rekrutimit të besimtarëve muslimanë, për të marrë pjesë në konfliktin sirian.

Ka qenë një operacion i paprecedentë nga ana e policisë, pas informacioneve që erdhën nga hetime të zhvilluar gjatë më shumë se dhjetë muajsh, në Tiranë, Elbasan, Librazhd e Pogradec. Shtatë veta ndodhen ende në kërkim nga policia. Sinjalizimi për këto celula rekrutimi, ka ardhur, siç pritej, nga shërbimet e huaja, të cilat kanë nisur tashmë prej muajsh gjuetinë për identifikimin e vatrave që ushqejnë konfliktin sirian, jashtë vendit. Muaj me rradhë të dyshuarit u përgjuan, lëvizjet e tyre u survejuan dhe me kalimin e kohës u arrit në konkluzionin se egzistonin elementet për t’i akuzuar për përhapjen e një Islami të dhunshëm dhe rekrutimin e kontigjenteve që niseshin drejt Sirisë. Ndërkohë duket se goditja e parë ndaj këtij rrjeti do të pasohet edhe nga të tjera. Policia dhe shërbimet sekrete kanë vënë nën përgjim një xhami të tretë në aksin Tiranë-Durrës, ndërkohë që priten të tjera arrestime.

 

Dosja e errët e radikalëve

“Genci Balla është i njohur në qarqet radikale të vendit si një ndër teologët më të spikatur të rrymës ‘Tekfiriste’. Balla është një ndër teologët më radikalë, që propagandon Islamin e dhunshëm, nxit urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxit frymën e përçarjes brenda Komunitetit Mysliman, si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë në rekrutimin e besimtarëve myslimanë dhe dërgimin e tyre për xhihad luftarak në Siri”, thuhet për njërin nga imamët e arrestuar, në dosjen hetimore që është hapur në ngarkim të tij dhe të kolegut tjetër Bujar Hysa. Vetë Balla shihet nga organet e specializuara, si njeriu kyç i rekrutimeve drejt Sirisë. Imam i xhamisë “ilegale” të Unazës së Re në Tiranë, Balla ka studiuar në Arabinë Saudite, duke u bërë një ndjekës besnik i xhematit (grupim, rrymë) tekfirist. Një rrymë që predikon një Islam luftarak, të dhunshëm dhe radikal, si dhe urrejtjen ndaj besimeve të tjera fetare. Kurse imami tjetër Bujar Hysa, i xhamisë së Mëzezit, konsiderohet nga prokurorët dhe shërbimet sekrete, si një ndjekës i linjës së ashpër, duke predikuar shtetin e bazuar mbi ligjin e shenjtë (Sheriatin). Ish-pronar i një agjencie tursitike që niste haxhinj drejt Mekës, Hysa akuzohet se ka mbajtur lidhje me persona dhe organizata radikale brenda dhe jashtë vendit.

 

Planeti i panjohur i Islamit radikal

Në Shqipëri mendohet se ka aktualisht më shumë se 700 xhami. Prej tyre, më shumë se njëqind ndodhen në zonën e Tiranës, e cila përfshin kryeqytetin dhe fshatrat përreth tij. Kjo “nebulozë” institucionesh fetare, është prekur qysh herët nga fenomeni i mungesës së kontrollit nga ana e komunitetit musliman, por edhe e organizmave shtetërore që mbajnë kontaktet me klerin në Shqipëri. Pas arrestimeve të bujshme të ditëve të fundit, mediat kanë folur për një numër shumë të madh institucionesh të kultit islam, që janë krejtësisht “ilegale”. Ose e thënë ndryshe, të paskeduara dhe të panjohura nga komuniteti musliman, si autoriteti i vetëm zyrtar që kontrollon rrjetin e institucioneve të kultit islam në vendin tonë. Pak ditë më parë, teksa fliste për mediat, përfaqësuesi i Komitetit Shtetëror të Kulteve Ilir Hoxholli, deklaronte se “duhet ndërhyrë për të berë sa më shpejt të ligjshme këto objekte kulti, të cilat për shkak të ndjeshmërisë së tyre nuk mund të prishen”. Një problem i nxehtë, nën pektun e të cilin janë fshehur, mesa po zbulohet në këto orë, një veprimtari e tërë me ngjyra radikale, që mund të ketë ushqyer rrjetet islamike që luftojnë sot në Siri.

 

Një problem doktrine apo një problem i sigurisë kombëtare?!

Dilema që është shfaqur këto orë, pas arrestimit të imamëve të luftës, është delikate dhe e vështirë per t’i zgjidhur: kjo që ndodhi është një problem doktrine (pra, i menaxhueshëm brenda kuadrit të strukturave fetare), apo është një çeshtje e sigurisë kombëtare dhe e luftës kundër terrorizmit? Përgjigja për këto pyetje duket se vjen nga ekspertë të fesë islame, me të cilët u konsultua “Java”. Sipas tyre, problemi ka qenë thjesht dhe vetëm doktrinar në fillesat e tij. Ekspertët e pyetur thonë se komuniteti musliman ka një përgjegjësi të madhe në mungesën e kontrollit ndaj asaj që po ndodhte në xhamitë dhe komunitetet e vogla të besimtarëve, sidomos në zonat ku janë kryer arrestimet. Ata thonë se përkundër deklarimeve të përsëritura, për mungesën e xhamive jashtë autoritetit të Komunitetit Musliman, ajo që ndodhte në terren ishte krejt e ndryshme. Ngjarjet e fundit me dy xhamitë në fjalë, janë një sinjal i fortë alarmi, që Komuniteti Islamik të marrë në dorë situatën, duke rritur kontrollin mbi institucionet e kultit islam dhe duke u përpjekur që idetë dhe tezat radikale të mos rrënjosen në masën e madhe të besimtarëve të fesë muslimane. Njohësit e komunitetit musliman shqiptar thonë se nuk është aspak normale, që dy vjet pas nisjes së konfliktit në Siri, megjithë informacionet që vinin, komuniteti musliman nuk i ka mbledhur deri më sot asnjëherë muftinjtë, për të dalë me një qëndrim unik për situatën. Nga ana tjetër, dalja jashtë kontrollit e një numrit xhamish, tregon se Komuniteti Musliman nuk ka ditur (apo dashur) të shfrytëzojë as kanalet e komunikimit me shtetin, për të marrë mbështetje në përballimin e shfaqjeve të ekstremizmit fetar. Nga ana doktrinare, ajo që ndodh sot në Siri, nuk është Xhihad, por një luftë civile. Ata që predikojnë pjesëmarrjen në këtë konflikt, nuk bëjnë thirrje për të marrë pjesë në një luftë të shenjtë, por në një përplasje palësh në një vend të tretë.

Ekspertët islamë që pyetëm thonë se kur luftojnë mes tyre muslimanët (alauitët dhe synitët), nuk mund të ketë Xhihad. Së dyti, Xhihadin e shpallin zyrtarisht dy autoritete: Kalifi dhe Shehulislami. Asnjë autoritet fetar nuk e ka shpallur Xhihadin në Shqipëri, pasi vendi ynë nuk është drejtohet në bazë të Sheriatit. Nga ana tjetër, eskpertët thonë se asnjë dijetar i botës islame, nuk mbron aktualisht idenë se kjo është një luftë e shenjtë, por thjesht një konflikt i armatosur civil.

I parë si një problem doktrinar, rrëshqitje e Islamit shqiptar drejt radikalizmit, është një fenomen disavjeçar. Një sekt imamësh, kryesisht ilegalë, në disa zona të Shqipërisë, nisën të përkrahin një formë ekstreme të fesë islame. Të identifikuar në xhematin (grupimin) e hakut dhe xhematin e tekfirëve, këta besimtarë dhe drejtues të klerit, nisën të predikojnë një formë besimi që ishte e dhunshme dhe radikale. Mos i fol vëllait që pi alkol, femrat e zbuluara janë të gjitha prostituta, urrejtje ndaj feve të tjera, mosbindje ndaj autoritetit të shtetit, që shihej si i huaj dhe i papajtueshëm me Sheriatin – të gjitha këto ishin qëndrime që propogandoheshin me forcë në disa prej xhamive radikale. Aq sa në vitin 2007, një pjesë  e këtij komuniteti ekstremist nisi të bëjë thirrje që të mos dilej në votimet për pushtetin vendor, me arsyetimin se ky shtet që nuk kishte në bazën e tij Islamin, nuk duhej njohur fare.

Për shumë vite këto teza dhe qëndrime ishin më shumë bindje personash, sesa organizime të strukturuara. Gradualisht ato nisën të krijojnë mbështetje gjithnjë e më të madhe, aq sa u krijuan situata si në ato të dy xhamive të Unazës së Re dhe të Mëzezit. Megjithatë duhet thënë se Islami radikal nuk ka një lider shpirtëror, siç venë në dukje ekspertët. Kjo është një rrethanë pozitive, po të kihet parasysh se lidershipi në këto raste do të krijonte, potencialisht, një masë më të madhe mbështetësish dhe fanatikësh fetarë.

 

Siria dhe radikalët shqiptarë

Opinioni publik është i bombarduar në këto orë, me lajme rreth arrestimeve të imamëve dhe shpalljes së kërkimit për persona të tjerë të lidhur me rekrutimet për luftën në Siri. Megjithatë këto masa tingëllojnë sot të vonuara nga ana e autoriteteve shtetërore dhe agjensive të inteligjencës. Masa jo e vogël e besimtarëve që frekuentonte xhamitë e Mëzezit dhe Unazë së Re, fakti që aty vinin njerëz nga zona të largëta, e jo vetëm nga rrethinat, informacionet se rrotull xhamive ndodheshin godina ku mbaheshin rekrutët para nisjes – që të gjitha këto elemente, dëshmojnë se fenomeni i pajtimit me para të luftëtarëve për në konfliktin sirian, ishte mjaft i pjekur dhe në fazë të avancuar.

A duhet quajtur kjo që ndodhi, një dështim, më shumë sesa një sukses, i autoriteteve zyrtare dhe komunitetit musliman? Burime të ndryshme mediatike thonë se aktualisht, në luftën që po zhvillohet në Siri, marrin pjesë disa qindra luftëtarë nga bota shqiptare dhe 13 prej tyre janë vrarë deri tani në luftime.

Ndërkohë që shtete si Turqia mbyllin organizatat “bamirëse” fetare (siç qe rasti i 28 të ndaluarve të shoqatës islamike IHH), apo kur vende si Arabia Saudite e klasifikojnë si penalisht të dënueshme vajtjen për të luftuar në vende të treta, apo edhe financimet për këto luftra, shteti shqiptar nuk ka lëvizur në këtë drejtim. Madje edhe kur Kosova fqinje e ka bërë diçka të tillë, duke modifikuar juridiksionin e saj, konform situatave më të fundit që janë krijuar me konfliktin sirian. Qeveria ka marrë së fundi, përmes ministrit të jashtëm Bushati, angazhime konkrete, për të korrigjuar sjelljen e saj ndaj fenomenit të pjesëmarrjes së vullnetarëve shqiptarë në konfliktin sirian. Nga ana tjetër, duket urgjente që autoritetet dhe komuniteti musliman, të nisin një verifikim të thellë të veprimtarisë së shoqatave bamirëse, kryesisht arabe dhe turke, të cilat veprojnë nën çadrën e besimit fetar. Të dhënat e fundit që po dalin në media, rreth financimit të rekrutimeve të mercenarëve shqiptarë në luftën që zhvillohet në Siri, i implikojnë edhe këto shoqata. Pasi është e habitshme që të ketë struktura të posaçme, në territorin shqiptar, ku rekrutët qëndrojnë para nisjes. Ashtu siç është e habitshme që jo rrallë ata të lëvizin bashkë me familjet e tyre në tokën siriane. Kush i paguan mujërat e eurove për udhëtimin dhe akomodimin e kësaj ushtrie klandestine?!

Lufta në Siri nuk është një konflikt i yni. Ajo zhvillohet larg dhe nuk përfshin asnjë interes të drejtpërdrejtë të vendit tonë. Emëruesi i përbashkët i solidaritetit fetar, është një motiv tejet hileqar dhe spekulativ, nën të cilin gjallojnë teza dhe ide ekstremiste, që nuk kanë asgjë të përbashkët me keqardhjen për viktimat civile apo për fatin e të ardhmen e Sirisë së sotme. Shqipëria nuk pse ta konsumojë imazhin e saj, me një konflikt që sot më shumë se kurrë, i ngjan një lufte civile, me tipare të theksuara religjioze. Si vend anëtar i NATO-s na takon të dërgojmë ushtarë për llogari të Aleancës Atlantike, e jo të Xhihadit.

*Revista JAVA