Imam (S)Aliu

0
36

Nga Mero Baze, 11 Korrik 2012

Mendova se Arben Imami nuk do fliste. Ndaj ministrisë së tij janë hedhur akuza lidhur me tregtinë e dyshimtë të armëve në vendet problematike të botës arabe dhe Lindjen e Mesme, përmes partnerëve rajonalë, kryesisht serbë dhe malazezë, dhe me përfshirjen e Shërbimit Informativ të Ushtrisë në përgjimet ndaj opozitës dhe kontrollin e paligjshëm mbi të. Zyrtari më i lartë i këtij shërbimi, nga pamja dhe aktet e tij duket një copë mishi për top, i cili është përdorur nga njerëz shumë konfidentë të pushtetit si për tregtinë e armëve, ashtu dhe për përgjimet ndaj opozitës.

Pas dështimit për të marrë kontrollin mbi SHISH, Berisha ka kthyer Shërbimin Informativ të Ushtrisë, atë të policisë si dhe “Task Force”-n e Agim Shehut në shërbime paralele informative, të cilat përgjojnë opozitën, gazetarët dhe çdo faktor opozitar kundër pushtetit në Shqipëri. Ata marrin vendime për gjoba formale e informale, për kontrollin mbi opozitën zyrtare dhe plus kësaj për të përdorur informacionin për bizneset e tyre të fëlliqura. Unë besoj se Arben Imami e ka pranuar faktin për të mos futur hundët në këtë strukturë, e cila ka lidhje vertikale me Sali Berishën. Ai po ashtu ka pranuar qysh në fillim faktin që Damir Fazlliçi do të jetë partneri kryesor i bizneseve të Ministrisë së Mbrojtjes.

I ardhur nga nëntoka e mafies jugosllave, me lidhje të panumërta me tregtarët kryesorë të armëve në Bosnjë, Mal të Zi dhe Serbi, me seli në shtëpinë e kryeministrit të Shqipërisë, ai ka kartëvizitën e duhur për të qenë në krye të këtyre punëve. Duke njohur të gjithë pushtetin e Berishës dhe mënyrën se si funksionon ai, e kisha pranuar në mendje time që Arben Imami e ka bërë këtë kompromis me Berishën dhe e ka pranuar të jetë ministër për ata pak oficerë që kanë mbetur, për ndonjë seminar me NATO dhe për ndoshta për inat të Jozefinës që nuk e do ministër në parti.

Por ajo që po ndodh është më e rëndë. Arben Imami, jo vetëm që e ka pranuar rolin e lolos në atë ministri, por tani po përpiqet të luajë dhe rolin e mbretit, pra të daljes zot të punëve të pista që Familja bën në atë ministri. Reagimi i tij ndaj kërkesave të opozitës tregonte se sa pak arsye ka mbetur për të mbrojtur punët e pista të Berishës në Ministri të Mbrojtjes. E gjithë kjo të bind se Imami po përpiqet t’i tregojë Berishës se është gati të bëjë betejë për të mbrojtur punët e pista të Familjes në ministri.

Por duke qenë larg atyre punëve, dhe ndoshta i papërfillur në shumicën e atyre pisllëqeve, si dikur Fatmir Mediu kur hidhte firma po për Familjen për biznesin e Gërdecit, ai tenton t’i japë shenjë dhe opozitës se nuk dëshiron të bëjë betejë konkrete me të, por t’i përgjigjet me gjuhën e Berishës, e cila në raste të tilla është shumë e qartë: Po e akuzove për korrupsion, patjetër ke një hall, po i the se po shet e blen me serbët, patjetër ke dhe ti një mik serb, po i the që po shet detin tek grekët, patjetër që ke dhe ti një mik grek. Dhe Imami i ra shkurt që opozita ka hallin e ndonjë biznesmeni serb.

Dhe pas kësaj gjithçka për publikun ka mbetur pezull. Në memorien tonë janë drekat dhe darkat e Imamit me Fazlliçin, portreti kokoroç i shefit të Shërbimit Informativ që paskësh zbuluar talent tek gruaja e tij për të shitur armë me serbët, daljen gjysmë të dehur të Arben Imamit në mbrëmjen e 21 Janarit duke folur për biseda konfidenciale të puçistëve kundër pushtetit, shëndetin e tepruar të tij pas shitjeve të reparteve ushtarake për Klan-et e pushtetit, darkat pa fund me Fahri Balliun, të cilin e ka pasur për vite të tëra personazh humoristik kur shpotiste Berishën, dhe deri tek propozimi i fundit i Berishës, i cili e futi atë në listën e tre njerëzve të besuar për president në tryezën me opozitën. Është një proces i tërë besimi për të cilin Imami ka punuar të bindë Berishën se nuk shikon gjë, nuk kupton gjë, nuk kërkon gjë, nuk flet asgjë vetëm ta pranojë shërbimin e tij.

Është një proces i tërë rrënimi personaliteti, një zhbërje e parimeve për të cilat ka arritur t’i vërë dhe zjarrin Shqipërisë, duke evoluar nga një “gjeneral” që kërcënonte me tanke nga Gjirokastra regjimin më 1997, në një ministër që heq e vë gjeneralë sipas listës që i çon Familja. Është një degradim, i cili duhet të na dhembë të gjithëve, pasi është rasti klasik se si mekanizmi i pushtetit të Sali Berishës poshtëron ata që ka pasur përballë për vite të tëra. Është aq i pamëshirshëm ndaj tyre, sa nuk i lë të flasin as me heshtjen e tyre, por i detyron të vetëposhtërohen me ato që u dikton të thonë publikisht.

Përfytyroni tani Arben Imamin, i vetmi që ka shkuar ta takojë Milosheviçin që në vitin 1993 në Beograd, kur vriste e priste në Ballkan, dhe që ka miliona euro transaksione armësh me serbë, malazezë e boshnjakë, t’i thotë medies dhe opozitës se e akuzojnë për interesa të serbëve. Edhe pse qesh sapo e thotë, edhe pse u shkel syrin gazetarëve që nuk e kam seriozisht, edhe pse do të japë një shenjë që e ka gjetur halli me Berishën, sërish në tredhjen e tij intelektuale dhe përdorimin si badigard i Familjes për të ndalur transparencën në zyrën që i kanë dhënë, tregon se Familja nuk është se e ka besuar, por e ka përdorur, për të mos qenë më i lirë as për të heshtur.

Nuk ndjej aspak keqardhje për të, por për mos ndaljen e këtij mekanizmi kriminal të pushtetit, që ka krijuar si standard inkriminimin, njësoj si dikur dosjen e Sigurimit për të të besuar pushtetin. Ajo që ka ndodhur në Ministri të Mbrojtjes dhe fakti që ajo ministri gjithë biznesin e ka bërë me mafien ish-jugosllave, nuk është faj i Imamit, por vepër e Berishës që na e ka ulur mafien ish- jugosllave këmbëkryq në Tiranë. As fakti që është përgjuar opozita dhe është përdorur Shërbimi Informativ i Ushtrisë nuk është vepër e Imamit, pasi aty janë njerëzit më konfidentë të Familjes.

Problemi i Arben Imamit është se e quan fat që i di të gjitha këto dhe shpreson se mund të shpërblehet. Ai shpreson se do të jetë Imam (S)Aliu që do ta mbrojnë nga dënimi fëmijët e Atij, siç i largonin shigjetat Imam Aliut në betejën e Qerbelasë. Kështu shpresonte dhe Mediu kur i biri i Berishës i hynte e dilte në zyrë për Gërdecin. Por tani ka në shpinë 26 të vrarë dhe makthin për të mos thënë kurrë të vërtetën për të dërguarin e vërtetë të Imam Saliut në atë biznes që përfundoi në tragjedi.