Sokol Pepushaj
Vesi, nënshtrimi, servilizmi, arroganca, në rrafshin e dobësisë shoqërore, përgjatë realiteteve e krizave, po vazhdojnë të nënshtrojnë shpirtrat e gjithë shqiptarëve, në këto kohë plot përplasje me vidio-vjedhje të ish zv/kryeministrit Meta, me zhargon rrugaçërie ku drejtuesit e shtetit shajnë deri me gjyshe e stergjyshe, me kërcënim ekzistence e marëdhënie të zbehta me jetën që njeriut ia ka dhënë Zoti.
Duket se ka pësuar krizë identiteti kombëtar. Agravimi i problematikave gjithnjë nga ata që drejtojnë pikënyjen e problematikave, provokojnë varfërim e sherre, qeverisje të paqendrueshme, deri sot është zhvilluar në një terren pjellor, ndoshta edhe për faktin e mosballafaqimit të tyre me esencën fondamentale te çdo populli, lirinë e të shprehurit lirshëm dhe rritjen e mirëqënies ekonomike.
Partitë e vogla, hijet e djepit të besimit që lëkundën besimin e shprehur me votë, na i çuan punët e rrugët nga disi mirë në disi si shumë keq. Një parti që mbuloi me puthje socialistët ekstrem në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, pra LSI e Ilir Metës, na tronditi identitetin kombëtar me provokimet e situatave kaq të valta politike e ekonomike, sa nxorri gjysmën e shqiptarëve në rrugë, kundër gjysmës tjetër, duke mbuluar po me puthje kundërshtarët e votuesve të saj, duke provokuar trazira të përgjakshme e humbje besimi e jetësh pikërisht të atyre që e kishin votuar Meten e partisë.
E, në këtë plan nuk mund ti vë faj as Sali Berishës që me Ilir Metën ka shumicë kartonash, as Edi Ramës që për shkak të Ilir Metës ka argument proteste, as ndërkombëtarëve që nuk mund të bashkojnë dy brigje me shtrirje e shkrirje rrugëzimi non sens, ku supet e tyre mbajnë veç qeverisjes e mosqeverisjes edhe kosto shumë të larta finaciare për një përdhunshmëri të përdorimit edhe të këtyre pak pasurive që kemi. Protestat e opozitës si testamente të shkatërrimit të psikozës, të raporteve të Shqipërisë me Botën e qytetëruar, si armiqësim të socialistit me demokratin, pra të shqiptarit me shqiptarin për përfitim jo vetëm nga pushteti si udhërrëfyes drejt pasurimit të lëvizjes nga rruga drejt pushtetit, po e çojnë logjikën drejt normave të anormalitetit.
Shqipëria të ngjan se është në Karrocën që terheq Ilir Meta. Ai e tërhoqi për nga Berisha pushtetin. Ai e tërhoqi për nga zëmërimi oponencën. Ai i përplasi keqas institucionet kushtetuese. Ai, me deklaratat që jep, nga dy për ditë, të ngjan se është sërish zëvëndëskryeministër.
Rreziku që përhapet kur shqiptarët shalojnë rrugë të gjata për tu tubuar, është i habitshëm. Në një protestë vriten kater të pafajshëm. Në një rast kur tubojnë 100 000 shqiptarë, humbja është kolosale. Protestuesi sulmon, pushtetari mbrohet. Lum i gjatë mentalitetesh dhe gropë e thellë efektesh shkatërruese të drejtpërdrejta ekonomike.
Të lësh familjen, fjala bie në Korçë, e të vesh në protestë në Tiranë, veç zullumeve të tjera e humbjes së ditës së punës, duhen shumë para. Shkurt, 100 000 protestues kanë një dëm ekonomik sa ç’ fitojnë 100 000 europianë në ditë. Shto këtu humbjet e palës që mbrohet. Humbje të Shqipërisë, të vëndit tënd.
Pika kulmore pozicionuese e klasës politike të majtë kundër rendit ekzistues, çuditërisht janë ca parti të vockla, pa elektorat e autoritet. Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Spartak Ngjela, Dashamir Shehi…, për të cilët gishti i tyre kushton më shtrenjt se jeta e votuesve. Lere pastaj sa çmim ka një karrige për ta.
Shumë hellurina në rrugë nga e djathta janë pozicionuar majtas e shumë hllurina të së majtës janë në formacionin djathtas. Janë edhe shumë aktive. Vetëm nga dega e PS-së Shkodër, u shkëputen 29 eksponentë për t iu bashkuar Ilir Metës. Më shumë lëvizje kësi soji e kësi kualiteti gjen nga partia në parti, se sa hapje të vëndeve të reja të punës.
Nga këtu burojnë edhe shfrenimet e mbipopullimet e shesheve, tensionet e pasionet. Për pak magazinë natyrisht, si Ilir Meta, pasojat e të cilit po heq kjo qeveri e kjo opozitë, këta socialistë e këta demokratë, këta shqiptarë të mirë që nuk meritojnë përjashtimin e mundësisë për të jetuar jetën si njerëz, si europianë.