ILIR ADILI MASTER NË LËMIN E OPTIKËS

0
43

PORTRET STUDENTËSH TË DALLUAR:

Shefqet Dibrani

Shefqet Dibrani

Gjithmonë rezultati varët nga përpjekja që bënë për të arritur një qëllim!…

Portreti i radhës është një student shqiptar i cili në saje të punës dhe përkushtimit ka arritur rezultate për t’u lakmuar. Ky bashkëkombës i vyer është Ilir Adili i lindur më 18 prill 1971 në Tërnoc të Madh komuna e Bujanocit.

Ilir Adili shkollën fillore e mbaroi në vendlindje kurse gjimnazin matematiko-shkencor në Bujanoc. Më 1989 regjistrohet në vitin e parë të studimeve në Fakultetin e Xehtaro – Metalurgjik në Mitrovicë, Dega e Teknologjisë, kurse studimet i kreu në afatin e rregullt me notën mesatare mbi 8, nga ajo më e larta 10. Studimet pasuniversitare do t’i nis në vitin 1996 në Fakultetin e Makinerisë pranë Universitetit të Kosovës në Prishtinë, në Degën e Termoenergjetikës. Edhe në këto studime Iliri do të tregoj rezultat të shkëlqyeshëm, ku nga 12 provime sa ishin gjithsejtë ai i ka kryer 11 sish me notën mesatare 9.36.

Ilir Adili

Ende pa e kryer edhe provimin e vetëm, e më pas për ta mbrojtur tezen e magjistraturës Iliri Adili në vitin 1998 do të emigroj në Zvicër dhe do të vendoset në kantonin St. Gallen për të nisur jetën e tij të re prej një emigranti. I vetëdijshëm se për të vazhduar karrierën e tij në fushën e studimeve, së pari duhej të mësonte gjuhën, prandaj dy vitet e para ai i kalon në mësimin dhe përvetësimin e gjermanishtes, shkollim të cilin e bënte krahas punës për ta mbajtur familjen e tij.

Paralel me shkollimin gjuhësor Iliri ka kryer edhe një varg kursesh të natyrës profesionale nga lëmi i makinerisë. Pasi e përvetëson gjuhën dhe stabilizohet edhe me punën në profesionin e tij ai në vitin 2001 fillon studimet në Universitetin e St. Gallenit në degën “Mekatronik”, studime këto që i ka bërë krahas punës së përditshme në profesionin e konstruktorit të makinerisë, në një Firmë të njohur në këtë qytet.

Në vitin 2005 i ka përfunduar studimet me notë të lartë 5 nga maksimale 6. Në vitin 2006 do të filloj punën si inxhinier për konstruktimin e sistemeve optike, kurse në vitin 2007 i nis studimet posdiplomike (master) në fushën: “TEKNIKA E SISTEMEVE OPTIKE”, pranë Universitetit të Ravensburgut në Gjermani.
Në prill të vitit 2010, Ilir Adili e mbron tezen e magjistraturës (master) në fushën: “ZBATIMI I DIODAVE LASERIKE NË PËRCAKTIMIN E DISTANCAVE”, me rezultat të shkëlqyeshëm 1.3 nga maksimumi 1.0, sipas sistemit në shkollat gjermane.

Sistemi Planetar

Ilir Adili tashmë punon si ekspert i sistemeve optike në një kompani të njohur në këtë fushë si inxhinier i respektuar, jo vetëm për gradën e tij shkencore “Master në lëmin e optikës”, por si një ekspert i zellshëm. Mua thot ai “gjithnjë më kaë fascinuar pamjet nga gjithësia, sidomos teknologjia e cila e bën të mundur të fotografohen këto pamje. Ishte pikërisht zhvillimi i Optikës e cila e bëri të mundshme hapjen e horizonteve të pafundme të gjithësisë”, ndoshta ishin këto arsyet themelore pse vendosa që dijet e mija t’i zgjeroj pikërisht në fushën e optikës, shprehet i ndrujtur dhe me një modesti të rrallë.

Më duket se ky shkrim do të mbetej i mangët po sikur të mos merreshim sadopak me jetën e tij private, për të parë se edhe Ilir Adili, ka familje, ka obligime të cilat nuk e kanë penguar për t’i avancuar dijet e tij në fushat e shkencave optike, lëmi kjo me një perspektiv si dhe profesion mjaftë deficitar.

Iliri është i martuar dhe jeton bashkë me bashkëshorten e tij Eminen e cila është me origjinë po ashtu nga Bujanoci. Ajo që në moshën 14 vjeçare në saje të prindërve ka ardhur në Zvicër, kurse Iliri një pjesë të rezultateve të tij ia atribuon pikërisht bashkëshortes e cila e ka përkrahur, e ka motivuar për t’i kryer studimet, (ndoshta ajo e kishte përvojën e vet), pasi edhe ajo ka ardhur e rritur në Zvicër, por do të arrijë të shkollohet dhe integrohet në shoqërinë zvicerane, madje si asnjë vajzë tjetër shqiptare për kohën e saj në tërë këtë regjion. Viteve të fundit mbante postin e kontabilistes në njësitin e saj ku punonte tash punon me orar të shkurtuar pasi më shumë merret me tre fëmijët: Albinin (10), Arditin (5) dhe Arlindin (3), të cilët janë në klasat e sistemit parashkollor dhe në ciklin e ulët të fillores.

Në interesimin tonë për të ditur për synimet e tija në fushën e studimeve të mëtutjeshme, të ambicieve profesionale, si me shaka ai do të shtojë: Po kam ambicie, natyrisht kam shumë dëshirë të vazhdoj, por jo domosdoshmërish menjëherë pasi kam edhe obligime ndaj familjes të cilës i kam munguar shumë, jo aq shumë në aspektin fizik pasi kam qenë vazhdimisht në shtëpi, por ndryshe, ndryshe, ngase studimet më bënin të jem në shtëpi por të mos merrem fare me fëmijët, me familjen.

Dhe kur dihet se ne jemi në një vend të huaj këto nevoja kanë qenë të mëdha, por unë i falënderohem vazhdimisht bashkëshortes sime e cila ka qenë në gjendje t’i përballoj të gjitha dhe t’i kryen punët vetëm e vetëm që unë të vazhdoja, e kjo është shumë, dhe pikërisht ishte për mua një motiv shtesë për t’i mbaruar studimet me sukses.

Gjithsesi, për ca kohë do t’i përkushtohem familjes dhe fëmijëve të cilët po rriten. Këto prioritete domosdo do t’i përmbush, dhe më pas të shohim, pse jo edhe për ndonjë shkollim të mëtutjeshëm. Në anën tjetër Zvicra dhe përgjithësisht perëndimi janë një sistem vlerash që nuk të lënë të qetë, kurse shkollimi dhe perfeksionimi këtu vazhdon tërë jetën. Pastaj vendi i punës të detyron për hulumtime e avancime të reja.

Por të presim edhe pak, tani kemi në prag verën, pra një herë pushimet verore se ndoshta freskia e vjeshtës mund të ndikoj në planet e mia, sidoqoftë synime kam shprehet mjaftë i qartë Iliri, dhe shton: Ne duhet të mësojmë nga përvoja e perëndimit, veçmas nga përvoja zvicerane ku kuadrot e afta privilegjohen, në punë dhe në shoqëri, e veçmas në administratën e shtetit. Gjithsesi neve shqiptarëve na përshtatet modeli zviceran i cili është mjaftë i përsosur, kurse ky vend ka ardhur deri këtu, është zhvilluar kaq shumë vetëm në saje të respektimit të njerëzve të aftë, e kjo shtresë qytetare me dijen e tyre dhe me respektin ndaj vendit të punës kanë një përkushtim të çuditshëm ndaj shtetit të tyre.

Dua ta përmbyll opinionin tim me një mesazh për jetën e individit që ka shumë rëndësi për të ardhmen e tij, sepse “sado vështirësitë të jenë të mëdha, me përpjekje të vazhdueshme, edhe e pamundshmja do të bëhet realitet”!…

St. Gallen, 15 qershor 2010.