Ikni!

0
34

Mero Baze

Nga Mero Baze

Mijëra banorë të zonës së Shkodrës duhet të lëvizin urgjent nga banesat e tyre për t’u sistemuar në kampet e mundshme që mund të ndërtojë qeveria shqiptare në ditët në vazhdim për të shmangur një fatkeqësi, e cila, përveç dëmeve të pallogaritshme financiare, mund të fillojë të shkaktojë viktima njerëzore. Arsyeja pse ata duhet të largohen urgjent nga ajo zonë, nuk ka të bëjë as me ndonjë fatkeqësi natyrore, dhe as me ngrohjen globale, që në mënyrë fyese përpiqen ta përdorin si shfajësim përgjegjësit e kësaj tragjedie njerëzore. Arsyeja pse ata duhet të largohen është tanimë pasojë e situatës së krijuar nga papërgjegjësia shtetërore.

Diga e Liqenit të Fierzës në këto momente është 293,5 metra, pra 3.5 metra mbi nivelin e lejuar të sigurisë dhe ka qenë deri në 295 metra duke na e rritur dhe më tej rrezikun. Ky ujë duhet të shkarkohet, ndryshe mund të ndodhë katastrofa e madhe dhe uji të kalojë mbi digë, duke shkaktuar një cunam që do të fshinte për 15 minuta gjithë zonën nga Shkodra në Lezhë. Pra, rruga e vetme që dëmi të minimizohet, është që të mbahet një regjim i lartë i shkarkimit të ujërave të digave, natyrisht duke përballuar koston e përmbytjes, dhe banorët duhet të largohen urgjent nga zona. Kjo është tanimë pasojë dhe nuk ka vend për negocim.

Shkaqet që na kanë çuar në këtë pasojë, nuk janë as natyrore, dhe as globale, por janë shtetërore dhe politike. Së pari, kemi një situatë të papërgjegjshme të shkeljes së ligjit të Sigurisë Kombëtare, duke pranuar me gojë të ministrit Prifti se diga e Fierzës është 3,5 metra mbi nivelin e lejuar të sigurisë. Edhe sikur ky ministër të paraqesë nesër raport mjekësor që nuk e ka trurin në rregull, ai duhet të ndiqet penalisht, pasi ka pranuar publikisht se me vetëdije na ka çuar në kufijtë kritikë të rrezikimit të sigurisë kombëtare duke lejuar një shkelje të qëllimshme të ligjit. Së dyti, ky ministër duhet të hetohet, nëse këtë shkelje të qëllimshme të ligjit të Sigurisë Kombëtare e ka bërë për qëllime korruptive, ku nuk përjashtohet as mundësia e nevojës për të blerë energji elektrike nga kompanitë e sekserit të Familjes Berisha, ndërkohë që uji mbush digat e Drinit dhe kthehet në rrezik kombëtar.

Së treti, janë shkelur të gjitha rregulloret e Këshillit të Digave të Larta, i cili duhet të kontrollojë sigurinë e portave të punës së remont-avarisë, të cilat, siç e tha vetë ministri Prifti, në një rast gjatë hapjes së Portës 4 në Fierzë nuk funksionuan. Kjo nënkupton se mund të gjendemi para një fatkeqësie, nëse kjo gjë ndodh dhe me portën tjetër të kësaj dige. Dhe për ta përmbyllur përgjegjësinë shtetërore në këtë rast, duhet të theksoj se Kodi Penal parashikon dënime të rrepta për shkelje të rregullave dhe ligjeve që kanë pasojë përmbytje dhe fatkeqësi natyrore, dhe kryeprokurorja, Ina Rama, duhet t’i hipë helikopterit dhe të shkojë në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës për të siguruar provat që kanë shkaktuar këtë tragjedi.

Deklaratat politike të Berishës dhe Topallit për “ngrohje globale” apo fatkeqësi natyrore janë thjesht përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë ligjore dhe politike. Nuk ka asnjë statistikë që të provojë se Shqipëria ka thyer ndonjë rekord shekullor të prurjeve hidrike. Ne jemi në një situatë normale natyrore, dhe në një situatë anormale shtetërore. Ne kemi ministra që pranojnë se kanë shkelur ligjet e Sigurisë Kombëtare, ne kemi një deputete të Shkodrës që nuk guxon të takojë dot qytetarët e vet, pasi e mbysin duke i përplasur të vërteta në fytyrë, ne kemi një situatë qesharake, kur kryeministri ka frikë mos bie shi, ka frikë mos bie diell, ka frikë mos bie borë, se, si shiu, si dielli, dhe bora, i duken fatkeqësi në këto momente.

Ne kemi një kryeministër, i cili shkon në Lezhë, aty ku mungesa e shtetit ka shkatërruar argjinaturën që ka ekzistuar për të ndalur përparimin e kënetës drejt tokës dhe e konsideron papërgjegjësinë shtetërore ngrohje globale. E vërteta e hidhur është se qeveria po hyn në kolaps, pasi është tërësisht e papërgatitur të përballojë një situatë krize të shkaktuar nga mungesa e qeverisjes dhe zbatimi i ligjit. Ky është një çmim që ne po e paguajmë për shkak të mungesës së shtetit ligjor dhe pse jo, të etjes për të parë si prioritet tenderët dhe fitimet e paligjshme para zbatimit të ligjeve dhe administrimit të pasurive tona kombëtare.

Njësoj si në Gërdec ne jemi para një testi që provon se siguria kombëtare është në rrezik nga një administratë e papërgjegjshme dhe e korruptuar. Por tani s’ka shumë gjëra për të zgjedhur. Banorët duhet të largohen me urgjencë nga ajo zonë, derisa uji të shkarkohet dhe digat e Drinit të mos jenë një kërcënim serioz për mbijetesën e qindra-mijëra banorëve dhe një pasurie të çmuar kombëtare. Ata janë të dënuar nga papërgjegjësia e kësaj qeverie të vuajnë dhe të humbasin pasuritë e tyre, por duhet të shpëtojnë kokën. Ikni! Me kaq qoftë! Ikni, se qeveria është në orën e saj të sinqertë, kur thotë se duhet të ikni.

Ikni dhe lusni Zotin të mbarojë me përmbytjen. Mendoni që ky ujë ka pushtuar ultësirën ku Berisha një vit më parë i premtoi Shkodrës të ndërtonte central atomik. Kujtoni këtë për të kuptuar se e keqja s’ka fund dhe ikni një orë e më parë.