Shekulli, 11.04.2013
TIRANË – Mijëra shqiptarë, të mbledhur nga të gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët, u mblodhën mesditën e sotme përpara Parlamentit të Shqipërisë për të protestuar në mbështjetje të Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame.
Të pranishëm në këtë aktiviteti ishin figurat më të shquara të kombit shqiptar, Adem Demaçi e deri tek deputetja e Parlamentit të Kosovës, Flora Brovina, si dhe përfaqësues të shoqatës “Vatra” të Preshevës.
Në këtë aktivitet folën dhe kryetari i shoqatës Çamëria, Ardian Tana, sekretari politik i PDIU-së Adri Nurellari dhe kryetarja e Forumit të Gruas së PDIU-së, Vjollca Braho.
Gjatë fjalës së tij, Adem Demaçi u shpreh se kishte ardhur në emër të shkrimtarëve të Kosovës, për t’i kërkuar Parlamentit të Shqipërisë miratimin e Rezolutës Çame. Sipas zotit Demaçi, “ky shekull është shekulli i shqiptarëve”.
Ndërkaq, deputetja e Parlamentit të Kosovës, Flora Brovina u shpreh se, ishte e pranishme në këtë protestë për të sjellë zërin e nënave kosovare dhe për t’i bërë thirrje gjithë klasës politike shqiptare, që të votojë sa më parë Rezolutën për Çështjen Çame për të çuar në vend një padrejtësi të madhe historike.
Gjithashtu në këtë protestë përshëndeti edhe Kushtrim Kadriu, përfaqësues i shoqatës “Vatra” në Preshevë. Kadriu u shpreh se, “pavarësisht problemeve, Lugina e Preshevës mbështet Rezolutën Çame, si Rezolutë e gjithë kombit shqiptar”.
Ish-kryetari i shoqatës Çamëria, zoti Servet Mehmeti rikujtoi përpara protestuesve atë që ndodhi në vitin 2004, kur qindra shqiptar të Çamërisë u dhunuan përpara godinës së Parlamentit. Mehemeti iu drejtua dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi më fjalët: “Edhe pse kemi të njëjtin emër, unë nuk jam si ty. Kolonjarët dhe devollinjtë dimëronin bagëtitë në Çamëri. Ku shkoi ndjenja kombëtare? Prandaj të bëj thirrje, që të kërkosh falje për atë që ke bërë 9 vite më parë.”
Nga ana e tij Presidenti i Nderit i PDIU-s, Tahir Muhedini akuzoi Partinë Socialiste për maskaradën e vitit 2004 dhe u shpreh se, duhet t’u vijë turp për atë që kanë bërë. Ndërkaq, Muhedini vlerësoi punën e Idrizit dhe Tahirit në Parlament dhe u shpreh i bindur, që në zgjedhjet e ardhshme PDIU do të përfaqësohet me 5 deputetë.
Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri nga ana e tij deklaroi se pas 9 vitesh në Parlamentin e Shqipërisë u zbulua Kali i Trojës. Sipas Tahirit, tashmë ka ardhur koha që mazhoranca e stome, e cila ishte ajo që votoi pro në vitin 2004, do të interpretojë atë Rezolutë dhe shprehu bindjen se do ta bëjë një gjë të tillë.
Fjala e plotë e kreut të PDIU, Shpëtim Idrizi
Të dashur nëna dhe baballarë çamë!
• Të dashur motra dhe vëllezër nga Çamëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi,
Sot është një ditë e madhe. Sot ne jemi më të vetëdijshëm se kurrë për drejtësinë e kauzës sonë.
Sot është një ditë e madhe, sepse ne po rikthehemi përsëri në këtë vend përpara parlamentit shqiptar, pas 9 vjetësh, e sot jemi më shumë se kurrë më të fortë e më të bindur se kurrë në drejtësinë tonë.
Por pas 9 vjetesh rrugëtimi për drejtesi, ne e kemi fituar betejën me kohën, ne e kemi miratuar rezolutën në çdo zemër shqiptari ,
Por ne ndodhemi përsëri përpara këtij parlamenti hermetik, tashmë për ta çliruar atë, për ta çliruar nga presioni i shtetit grek, për ta trimëruar atë, për t’i dhënë dinjtetin e munguar, e për t’i thënë: jeni shqiptarë e bij shqiptarësh e keni me vete të gjithë shqiptarët.
Jemi këtu të mbledhur të gjithë bashkë për të çliruar Parlamentin e shqiptarëve nga rrethimi grek. Ju më keni dëgjuar të them se për çështjen e Rezolutës parlamenti shqiptar është nën presionin grek, nën rrethimin grek.
Ju e dini që grekët janë të famshëm për Kalin e Trojës. Prandaj PDIU-ja, shoqata Çamëria ju ka bërë thirrje të jeni sot këtu: Të çlirojmë Parlamentin shqiptar nga presioni grek, e t’i japim dinjitet të votojnë Rezolutën e drejtësisë europiane për shqiptarët e Çamërisë. Ne jemi këtu që ta nxjerrim Kalin e Trojës nga Parlamenti i shqiptarëve.
Ne s’jemi humbës si trojanët, por fitimtarë si shqiptarët, ne jemi kombi i Skënderbeut e Nënë Terezës.
Kjo Rezolute meriton, e duhet të jetë kauza dhe çështja e ndërgjegjes intelektuale dhe qytetare, politike dhe institucionale e të gjithë qytetarëve në Greqi dhe Shqipëri, e cilitdo që beson tek fqinjësia e mirë dhe në një Ballkan Perëndimor të Europianizuar dhe të Paqtë.
Ne sapo kemi nisur nëpërmjet kësaj Projekt-Rezolute, atë që do ta quaja:
Vaksinimin e Kuvendit të Shqipërisë duke ‘demilitarizuar’ dhe ‘ç’bunkerizuar’ komplekset e paqes së rrejshme, që buron nga heshtja ndaj padrejtësisë dhe pranimi i së keqes si fakt i kryer e që duhet harruar.
Ne mund të falim, por nuk mund t’i besojmë kurresesi paqes së rrejshme dhe poshtëruese, që vendoset arbitrarisht duke kërkuar harresën.
Harresa nuk është as perëndimore, as e ndershme, as e drejtë e as paqendërtuese. Harresa është mposhtja, përçmimi, sundimi i njërës palë mbi tjetrën, por jo paqe.
Paqja ndërtohet nga pranimi i së vërtetës, falja dhe shërimi nëpërmjet reciprocitetit, respektit dhe bashkëjetesës, bazuar thelbësisht tek të drejtat e njeriut dhe dinjiteti njerëzor.
Rezoluta e Çamërisë është një Rezolutë për fqinjësinë e mirë. Ne kërkojmë heqjen e Ligjit të Luftës. Ne kërkojmë riaktivizimin e Traktatit të Miqësisë, në të cilin trajtohen dhe çështje të mbetura pezull si:
– çështja e pronave,
– çështja e ruajtjes së kulturës,
– përmendores,
– historisë
– apo e gjuhës shqipe dhe greke në mënyrë reciproke.
Të gjitha këto janë të drejta të pamohueshme të dy vendeve tona.
Të dashur miq,
Beteja për drejtësi është një Luftë që zgjat. Çdo hap drejt qëllimit për drejtësi kërkon sakrifica, punë të palodhur, dhe individë të përkushtuar.
Jam i lumtur të pohoj se luftës sonë për drejtësi i janë bashkuar me dhjetëra mijëra e qindra shqiptarë të gjithë trojeve shqiptare. Takoj çdo ditë me dhjetëra shqiptarë nga Dibra, Prishtina, Struga.
Këto kohe ne kemi bërë shumë për çështjen çame. Këto muaj ne kemi menduar e dokumentuar shumë rreth sakrificës, tragjedisë së mijëra nënave, baballarëve, gjyshërve tanë, motrave dhe vëllezërve që patën një vdekje të tmerrshme.
Kemi menduar shumë rreth varrezave të të parëve, që nuk ekzistojnë më në Çamëri, por qe do të jenë në mendjet e zemrat tona përgjithmonë. Kemi menduar shumë për dobinë e ekzistencës së partisë sonë, të PDIU-së.
Sot më shumë se kurrë jemi bindur për dobinë e kësaj partie. PDIU-ja i bëri bashkë çamët me shqiptarët e tjerë. Unë i pyes gjakun tim çam: a jemi shumë 300 mijë vetë përballë Greqisë? E di përgjigjen: JO, megjithëse ne çamët jemi më patriotët e patriotëve..
A jemi shumë 3 milionë shqiptarë, sa banojnë në Shqipërinë e copëtuar në 1913? Jo. A janë shumë 2 milionë kosovarë për t’u përballur me agresionin serb, që edhe sot vazhdon me forma të tjera? Jo.
A janë shumë 1 milion shqiptarë në Maqedoni, për të pasur në jetë statusin e popullit shtetformues? Jo.
A janë shumë afro njëqind mijë shqiptarët e Malit të Zi? Jo.
Por ama 10 milionë shqiptarët kudo që janë, brenda trojeve të tyre etnike, 10 milionë shqiptarë të bashkuar sipas idesë kombëtare për të cilën lufton PDIU janë shumë.
10 milionë shqiptarë janë mjaft. 10 milionë luanë janë të papërballueshëm. PDIU ka dashur, ka mundur, të bëjë bashkë çamët me kosovarët, shqiptarët e të gjithë trojeve etnike të jenë bashkë.
Jo në një hapësirë gjeografike, por në një shpirt të përbashkët, nën një ide të përbashkët, nën një flamur të përbashkët. Shikoni kush është sot afër meje…. Nga Kosova, nga Maqedonia, nga….
Ju faleminderit që ju përgjigjët thirrjes sonë. Sot më shumë se kurrë jemi të bindur për dobinë e PDIU-së si parti e të gjithë shqiptarëve.
Ju i kini dëgjuar lajmet gjithë këto dy javë. Ju e dini se ç’ndodhi dje në Komisionin e jashtëm. PDIU-ja e zgjodhi momentin kur partitë e shqiptarëve kanë frikë nga llogaridhënia e votuesve dhe i detyroi :
Votoni Rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Dhe ju e shikoni se çfarë ndodhi. Duket sikur Partitë e mëdha janë në garë me njëra-tjetrën për çështjen çame. Në Komision të Jashtëm, njëra parti u detyrua të thoshte se ka një rezolutë të miratuar në 8 prill 2004.
E mbani mend: është ajo rezolutë për të cilin ju u përgjakët në telat me gjemba të këtij parlamenti. E jo sot del qe qenka e miratuar. Një parti tjetër propozoi një rezolutë alternative. Teksti ishte shumë i mirë dhe ne e përshëndetëm.
Partitë e mëdha hynë në garë për miratimin e rezolutës. Unë pyes gjithë skeptikët: A do ndodhte e gjitha kjo, nëse PDIU nuk do ishte krijuar? Nëse PDIU-ja nuk do kishte zhvilluar gjithë atë aktivitet që ju i njihni? Nëse PDIU-ja do bëhej pjesë e lojërave politike?
Nëse PDIU-ja do pranonte të merrte një ministri dhe do ta harronte çështjen çame? A do ndodhte kjo nëse do ishim vetëm me Shoqatën të cilën unë sot e falënderoj publikisht për gjithçka ka bërë?
Përgjigja është JO!
Nëse nuk do të ishte PDIU-ja, ajo rezoluta që u nxor nga sirtarët e pluhurosur të Kuvendit të shqiptarëve, do mbetej atje ku ishte. Në harresën dhe turpin e historisë. Ata që e votuan atëherë, do ta mbanin në ato sirtarë.
Ata që nuk e votuan në qershor 2004, kur shumë prej jush u përgjakën, nuk do propozonin rezolutë alternativë. Kjo është forca e PDIU-së, që ka bërë politikën e vet brenda asaj hapësire që ekziston. Duke e rritur atë hapësirë. Duke imponuar vullnetin e vet?
Unë i pyes gjithë skeptikët për kohën e zgjedhur. A nuk është sot koha më e mirë për ta miratuar rezolutën, kur të gjithë kanë nevojë për forcën tonë? Për forcën tuaj, për votat e shqiptarëve?
PDIU e trimëroi parlamentin e shqiptarëve; Rezoluta i dha rast për të rivendosur dinjitetin atyre që në 8 prill 2004 u fshehën.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Rezoluta nuk është stacioni ynë përfundimtar politik. Rezoluta është stacioni ynë i parë politik. Ne mbërritëm tek ky stacion, por ne duam më shumë. Pra realizimin e pikave të saj :
Që Greqia të kërkojë falje;
Që të pranojë të drejtën e shtetësisë;
Të drejtën e pronave;
Restaurimin e varrezave;
Ngritjen e përmendoreve;
Pa këto kushte, pa jetësimin e tyre, Rezoluta është letër e vdekur.
Ndaj unë, para jush, i frymëzuar nga forca juaj po ju betohem:
Rezoluta është vetëm stacioni i parë i betejave tona të ardhshme politike.
Ne u bindëm se PDIU-ja, krijesa jonë e përbashkët ia vlejti.
Ne e nxorëm Rezolutën e parë për të cilën ju u përgjaket në vitin 2004 apo jo Xha Servet, nga sirtarët e turpit. Kjo eshte rezoluta e te gjithe atyre qe udhehoqen shoqaten Çameria ne vite.
Rezoluta e Abaz Dojakes, Arshin Rexhes, Shkelqim Fetahut, Ilmi Saqes, Bedri Myftarit, Qani Biracit, Selman Shemesh, Servet Mehmetit Adrian Tanes dhe e mijera patrioteve çamë, qe nuk reshten se kerkuari drejtesi.
Nga ky shesh ju bëj thirrje kolegëve të mi deputetë:
Pranoni rezolutën;
Pranoni e behuni pjese e kerkesave te nje komuniteti shqiptaresh nga me tragjiket por dhe nga me vitalet,merrni force e dinjtet nga ne ,boll me tani eshte koha ,tani Rezoluten tani dinjtetin e parlamentit shqiptar.
Bëjini presion qeverive të sotme e te nesërme që të zgjidhin çështjen çame.
Ne e bëmë tonën.
Ne ju cliruam nga presioni e rrethimi grek.Ne po ju tregojme se asnje smund tju mare peng, se ka shqiptar e bijë shqiptarësh.
Të gjithë e dinë se padrejtësia diku është kërcënim për drejtësinë kudo, prandaj drejtësia do vendosur. Ndoshta Rezoluta për Çështjen Çame është një gjë e madhe, por gjërat e mëdha janë të thjeshta, e shumë mund të shprehen me një fjalë të vetme: drejtësi, nder, detyrë, shpresë…
Dhe i takon këtij parlamenti të fillojë punën për të vendosur drejtësinë. Ne e nxorëm Kalin e Trojës nga parlamenti i shqiptarëve.
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Çamëria!
Rrofshin shqiptarët e bashkuar!
/Shekulli Online/Përgatiti: M.A./