
Një “mbretëri” e pazbuluar vlerash e patriotizmi në familjen Çeka
Nga Pjetër Logoreci
Në mes të ndërtimeve të shumta, të reja e moderne që hjedhin shtat cdo ditë në qendër apo lagjet më periferike të Shkodrës, të bien në sy catitë e vjetra karakteristike apo ndonjë avlli e lartë e mbyllur me derë të madhe oborri prej druri. Lule vilet, lule mustaku apo shërmasheku që dekorojnë zymtësinë e këtyre mureve janë gjë e zakonëshme…
Në një kryqëzim të zhurmëshëm mu në qëndër të qytetit, pas mureve shekullore të arnuar në kohë më moderne, shihet pjesa e sipërme e një shtëpie të vjetër e karakteristike qytetare me dritare të vogla që duket sikur fshehin pas tyre një mbretëri të pazbuluar e sende të panjohura të kohës së kaluar. Nga rrethimi, duket se shtëpia ka pasë një derë të madhe druri, që nuk egziston më dhe që është zëvendësuar me një metalike të mirëmbajtur.
Mbi derë është fiksuar një tabele ku shkruhet … MONUMENT KULTURE. Më pas hapet një oborr ku dikur gjindej pusi e rrasa e pusit, e sot eshte vetem lugu prej guri të latuar ku gratë rrahnin me lopatën e drurit rrobat që lanin. Nga oborri duhet të përshkosh ahurin e vjetër, shkallaren me gurë të latuar për të hyrë në ambientet e shtëpisë së familjes Çeka. Engjëll Çeka, i zoti i shtëpisë, një burrë i mbajtur dhe shumë gjentil, me fton të futem në dhomën e ndejës për kafe. Menjëherë me të hyrë përballesh me atmosferen karakteristike të qytetarisë të mirëfilltë e një kulture familjare të pashoqe.
Shtëpia e cila në vitin 1963 është shpallur si Monument Kulture, mban mbi kurriz një histori rreth 270 vjecare. Ajo është e ndertuar me madhësinë e një kulle nga të parët e familjes Suma / Çeka të cilët ishin tregtare të njohur në qytet ku zotëronin shumë dyqane si dhe toka në periferitë e Shkodres. Familja trashëgon në historikun e saj kontribute të mëdha për kombin shqiptar dhe ka pasur në gjiun e saj figura të përmendura patriotike.
E gjithë rruga është vendbanim i disa familjeve të vjetra e shumë të përmendura qytetare të Shkodres si ajo Shiroka, Guga, Coba, Suma, Shuli, Gjonej, Kraja, Kamsi… Shtëpitë e tyre të mëdha e me histori të rëndësishme për qytetin, janë të vendosura pranë njëra tjetrës në një distancë sa mban oborri.
Foto 1. Oxhaku
Sapo ngjitesh në katin e dytë, befasohesh nga bukuria dyerve të vogla prej druri të gdhendura me shumë mjeshtri e shije që zbukurojnë korridorin e errët dhe të lartë. Në një dhomë të madhe të katit të dytë të familjes Çeka, e cila është e tëra e veshur me dru të punuar, vihesh përballë dokumentesh e deshmishë historike e të ngjan sikur je në një muzeum etnografie. Dokumenta të cilat origjinalin e zotëron arkivi i shtetit shqiptar, por që Engjëll Çeka është përkujdesur ti ketë dublikatë, zbukurojnë muret e dhomës muze të familjes.
Foto 2. Zbukurimet
Bukuria dhe eleganca e gdhënieve me imitacione lulesh, apo motive popullore të shumë formash e llojesh, i japin pamje madhështore ambientit. Në ballë, në mes të dy dritareve të befason me bardhësinë e elegancen e tij një oxhak karakteristik i punuar me mjeshtëri në gips nga mjeshtrat e përmendur dibranë.
Foto 3. Çertifikata e mbrojtjes së Filip Sumës
Kati i dytë ka tri dhoma karakteristike druri, por në dhomën e zgjedhur për muze janë të përqëndruara për të kënaqur syrin e vizitorit objektet më të rëndësishme që ka shtëpia. Pasi kundrova me kënaqësi për një kohë të gjatë fantazinë e artin e derdhjes të figurave mbi sipërfaqen e oxhakut karakteristik, vendosa të kaloj një vështim mbi fotografitë, dokumentat dhe stolitë e shumta që mbushnin ambientin.
Foto 4. Medalja e nderit nga presidenti francez
Sapo të afrohesh pranë murit ku varen kornizat me fotografi e dokumenta të radhë, të bie në sy një letër e vjetër sa formati A4 e shkruar bukur me dorë dhe që mban datën 8 shkurt 1854. Letra emërtohet “Certifikatë mbrojtje” (Patentë de Protection) lëshuar Filip Sumës – Çekës, i lindur dhe banues në Shkodër dhe verteton marrjen e tij nën mbrojtjen e konsullatës fraceze të Shkodres me të gjitha të drejtat sipas marveshjeve që republika e Francës kishte me Perandorinë Osmane. Dokumenti është lëshuar nga konsullata franceze dhe mban vulat e saj.
Foto 5. Urdhëri i kuvendit popullor për veprimtari patriotike për Filip Çekën
Objekt tjetër interesant për tu treguar është dhe dokumenti shoqërues i medjaljes së arit akorduar Mikel Sumës – Çekës, i cili nderohet nga ministria e punëve të jashtme e republikës franceze, për punën e tij të mirë si përkthyes i konsullatës në Shkoder në vitet 1856 deri 1895. Dokumenti mban mbishkrimin e presidentit të republikës franceze Felix Faure, Paris 23 prill 1895 dhe i është dorëzuar atij nga konsulli i kohës Hecquard. Ky dokument është kopjuar nga origjinali i cili ndodhet në arkivën e shtetit shqiptar në Tiranë.
Foto 6. Patrioti Filip Çeka
Një urdhër tjetër nderi për patriotin Filip Çeka që është dhënë nga presidiumi i kuvendit popullor, zë një vend të dukshëm në dhomë dhe mban datën 5.6.1978 … Motivacioni: …Si aktivist i dalluar i lidhjes shqiptare të Prizrenit në vitet 1878-1881. Ka dhënë kontribut me pjesmarrjen e tij në luftën patriotike të masave popullore për mbrojtjen e tërësisë së tokave shiqiptare dhe për clirim kombëtar…
Foto 7. Filip Çeka dhe udhëheqësit e tjerë të lidhjes së Prizrenit
Në mes të këtyre margaritarëve historikë gjindet një foto montazh tepër e veçantë me të gjithë krerët e LIDHJES SHQIPTARE TE PRIZRENIT, … Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Haxhi Leka, Sulejman Vokshi, Mehmet Shpendi, Jusuf Sokoli, Kupe Danja, Nikë Lekë Pepa e midis tyre, edhe patrioti shkodran Filip Çeka.
Foto 8. Dokumenti i Propagandës Fide i firmosur nga Kardinal Fransoni për familjen Çeka
Filipi ishte një ndër organizatoret e Lidhjes dhe luftëtar aktiv në mbrojtjen e territoreve dhe të ceshtjes shqiptare. Ai rroku armët dhe luftoj përkrah Jusuf Sokolit për Plavë e Guci si dhe për mbrojtjen e Ulqinit nga malazezët (1879). Ai qe inisiatori dhe firmëtari i telegramit të protestës që ju dërgua Kongresit të Berlinit kundër copëtimit të trojeve tona.
Foto 9. Raft muri në dru të gdhendur
Patriotit Filip Çeka i dedikohet edhe vendosja e emërtimit “Lidhja e Prizrenit” lëvizjes patriotike shqiptare. Në parathanien e veprës së At Gjergj Fishtës – LAHUTA E MALSISE botimi i vitit 2006, në faqen XXIII, poeti shenon (citim): ….Abedin Pasha (aso kohe ministër i jashtëm i Turqisë) i tha Abdyl Bej Frashërit që të thirrte Lidhjen e Prizrenit që shqiptarët të kërkonin “të drejtat e vetvendosjes”.
Foto 10. Dera e dhomës muze në dru të gdhendur
Mjerisht në seancën e saj të parë ajo u emnue: “LIDHJA E MYSLIMANVE TE VERTETE”. Kështu thonë procesverbalet në rast së duem të shkruejmë historinë e vertetë. Atë kushtrim në emën të Islamizmit nuk e ndigjoi kurrkush në botë… Ndërsa në seancën tjetër, në të cilën muer pjesë delegacioni i Shkodres, Z. Filip Çeka (Suma), parashtroi kërkesen që ajo të quhej “LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT”…
Foto 11. Fasada e dhomës dhe balkonet e grave në dru të gdhendur
U bëra shumë kureshtar për foto-skanimin e një dokumenti shumy të vjetër që mbante datën 6 tetor 1854 i lëshuar nga përfaqësuesi i Propaganda Fides kardinal Faransoni. Në përmbajtje të dokumentit vërtetohet përfaqësimin nga zyra tregtare e Pjetër Sumës (Çekës) dhe familja e tij në Venezia, të interesave tregtare të Vatikanit. Dokumenti mendohet të jetë përdorur për arsye cdoganimi dhe tatimesh nga zotëruesi.
Foto 12. Arka e nuses e punuar në dru dhe e pikturuar
Vlerat tradicionale – etnografike të shtëpisë
Nisur nga këto vlera duhet theksuar që të gjitha ambientet e shtëpisë janë të stolisura nga punime dore, në dru, në gurë, apo në gips. Sipas dëshmive të paraardhësve të familjes Suma – Çeka, në qytetin e Shkodres ishte shumë e vleresuar puna e dorës e dy punëtorve dibranë, mjeshtrave Jashar Xhani dhe Jashar Lleshi. Dy artistët endacake dibranë njiheshin nga të gjithë si dy Jasharët. Ato kanë lënë gjurmët e tyre në të gjithë qytetin e vecanërisht në ato familje që dikur ishin në gjendje të mirë ekonomike, që ishin tregtarë të kamur në qytet.
Foto 13. Tavani në dru të gdhendur
Objekte të tjera zbukuruese me vlerë që trashëgon familja
Foto 14. Kuti druri e gdhendur me histori biblike
Foto 15. Shishe e punuar në xham venezian
Foto 16. Tangari i prishit në bakër
Foto 17. Stufe metalike
Ndërsa po shkruaj këto rreshta për të promovuar vlerat artistike, pasurinë intelektuale, folklorike dhe etnografike që kemi trashëguar, me të cilen mund të krenohet vendi, më zë turpi dhe ngashërohem kur kujtoj se në Shkodër mungon (një ndër shtëpitë më të bukurat në Shqipëri) shtëpia e heroit tonë kombëtar Luigj Gurakuqi. Edhe pse MONUMENT KULTURE QE MBROHET NGA SHTETI, ajo u braktis, u la në mëshirën e fatit për rreth 10 vite (deri sa u shëmb vetvetiu) gjë që ngarkon me përgjithësi shtetërore pushtetin lokal dhe atë qëndror.
Shumë breza që vizituan këtë shtëpi muze, në mes bukurive të shumta që ndodheshin mbrenda saj, mund të kujtojë rrobat e viganit liberator Luigj Gurakuqi të shpuara nga plumbat e armës tradhëtare, të skuqura nga gjaku i tij. Do të ishte në nderin e cdo politikani që ky simbol i patriotizmit, arqitekturës, vlerave historike e etnografike të rindërtohet për tu shndërruar në një institucion atdhetarizmi, ku brezat e ri të gjejnë vetvehten.
… sa mire do të ishte… sa kemi nevojë…
Wien, 19.5.2014







