Nga MUSTAFA NANO
Në takimet e para që kam pasur me Jak Serreqin, ky i fundit nuk e ka parë të udhës të më flasë mbi pasionin e tij, pikturën. Ndoshta nuk ka dashur të më vërë në një si siklet intelektual, ngaqë në çdo bisedë mbi këtë argument unë do të isha detyrimisht në pozitën e dëgjuesit. Jam matur më se njëherë t’i them, që jam nga ata që mendojnë se, të dish t’i mbash veshët pipëz, është gjithashtu një fakultet intelektual, por në momentin e fundit nuk di pse kam ndërruar mendje. Ndoshta ngaqë çfarë matesha për t’ia thënë, ishte një gjë që asëll-asëll nuk e besoja as vetë.
E vërteta është se, kur kuturisi të më thotë diçka për pikturën e vet (e kam shoqëruar në ditët e hapjes së ekspozitave të tij në Tiranë e Berat), nuk është se u gjenda keq në rolin e një “guhaku”. Por Jaku nuk është se e tori gjatë këtë bisedë. Më është dukur se nuk ka qejf t’i shpjegojë pikturat e veta. Ndoshta është i idesë, se piktura shijohet dhe pikë. E në fakt, piktura nuk është shpikje high-tech, që duhet të shoqërohet me një doracak shpjegimi. Aty ku flet piktura, nuk është e thënë të flasë piktori. Ndoshta.
Unë kam folur boll me Jakun, megjithatë. Bisedat me të, të cilat janë bërë shpesh në praninë sugjestive të vëllait të vet, Alfred Serreqit, dhe të së shoqes, Serena-s (një italiane tepër e fisme dhe qibare. Po tepër, amá, më kanë dhënë përherë ndjesinë e një kokëçarjeje intelektive, pa të cilën çdo bisedë shkon dhe bëhet e kotë dhe bjerraditëse. Më kanë dhënë edhe ndjesinë e relax-it, që vjen mbi të gjitha prej faktit që Jaku është i hareshëm dhe talkative, por edhe prej stërmundimit të tij të kërkuar për të folur se s’bën në gjuhën shqipe. Nuk ka frazë që të mos e ngjyrosë me ca fjalë të gjuhës së nënës, e cila ka qenë gjuha e parë që ai ka mundur të belbëzojë në këtë botë, dhe e cila paska qenë e thënë të jetë gjuha e fundit “e huaj” për t’u mësuar nga ana e tij.
Ka filluar të belbëzojë në gegnisht, ndërsa tani i duhet (më saktë, dëshiron vetë ai) të flasë në një gjuhë më të “ë”-zuar e të mbipopulluar nga diftongu i rëndë i paskajores “ua”, d.m.th në shqipen standarde, me të cilën ai vetë, ashtu si të gjithë ata që kanë një dispozicion të lindur shkodran, nuk ka sesi të ketë një marrëdhënie të shpenguar e natyrale. Qëllon që, pavarësisht (apo pikërisht) nga fakti, se ka mbi gjashtëdhjetë vite me radhë pa folur e pa dëgjuar një fjalë të shqipes, i del krejt papritur ndonjë lokucion i gegnishtes së kallkanosur në qilarët e kujtesës së tij. Gati e pabesueshme, apo jo?
Bisedat e para me Jakun janë sjellë rrotull gazetarisë (më ka dhuruar një libër mbi jetën e Joseph Pulitzer-it, të shkruar nga Denis Brian, i cili është një biograf i shkëlqyer). Kuptohet, nuk flasim për gazetarinë shqiptare, pasi ai nuk ka ide mbi të. Flasim për gazetarinë e madhe e të bujshme, për CNN-in, për BBC-në, për “Fox News”-in, për reporterët që e kërkojnë, e gjejnë dhe e bërtasin të vërtetën, për scholar-ët e pundit-ët që nuk bëjnë kompromise me pushtetin, për gazetarët që fqinjërojnë me rrezikun e sakrificat etj., etj.
Fillimisht i kishin thënë se unë isha një reporter, dhe afërmendsh, nuk mund të më sillte si dhuratë një libër më të mirë: The Great War for Civilisation, the Conquest of the Middle East. Autori është një reporter i përjetshëm. Britanik. Robert Fisk. E dini se ç’dedikim më kishte shkruar në faqen e parë? To Mustafa Nano, the Albanian Reporter. “Oh, jo”, thashë me vete kur e lexova. “Sa keq që s’ia kanë thënë saktë atë që bëj!” Dhe kur e lexova librin e Fisk-ut, më erdhi keq që s’isha reporter. Jakut duhet t’i ketë ardhur keq, gjithashtu, kur ka marrë vesh se jam tipi i gazetarit, që nuk e ndjek, por e komenton lajmin.
Sa herë që takohemi, një a dy herë në vit, flasim edhe për aktualitetin, për historinë, për politikën etj. Më ka përmendur më shumë se njëherë emra intelektualësh e veprimtarësh politikë të tipit Noam Chomsky, Gore Vidal etj., e në këtë kuptim jam i prirur të mendoj se – mua nuk më rrihet pa spekuluar pakëz – politikisht duhet të jetë një çikë më majtas sesa liberalët amerikanë, gjë që mund t’i bëjë shumë shqiptarë me demek të djathtë, të shqyejnë sytë: Si, pinjolli i Serreqëve ekleziastë e ruajalistë është i majtë?
Po, po, kështu është, i majtë, dhe motivet e rreshtimit politik i ka gjetur në një botë tjetër, larg emocioneve e ndjeshmërive politike shqiptare, që burimin e kanë tek çfarë ka ndodhur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Ai është një viktimë par excellence e komunizmit të Enver Hoxhës (ka mbetur jashtë Shqipërisë qysh në moshën 6 vjeç, dhe prej asaj kohe e deri në vitin 1991 e ka pasur të pamundur të shkelë në atdhe), por t’ju them të drejtën, nuk mbaj mend që diktatori shqiptar të ketë zënë ndonjë vend kushedi se çfarë në bisedat tona. E ndërsa nënvizoj këtë gjë, nuk është se më ikën nga mendja fakti që Jaku ka një ide të plotë e të saktë mbi regjimin brutal komunist të Tiranës.
Jaku është shqiptar 24-karatësh. I ka munguar për një kohë shumë të gjatë kontakti me këtë vend, e në këtë kuptim, mund të mos ishte asnjë çikë shqiptar. Por ai është që ç’ke me të. Madje, paradoksalisht, mendoj se është më tepër sesa ne të këtushmit. E kam parë në një rast, teksa rravgonte i vetëm në rrugët e ish-Bllokut. Ishte pak i shastisur nga lëvizja brown-iane e njerëzve dhe makinave, por ndihej mirë. Të jepte përshtypjen se ishte shumë i kënaqur që ishte aty, në mes të atij rrëmeti urban, e jo në Vancouver-in tmerrësisht të qetë, të pastër, të qelqtë. E në përgjithësi të jep përshtypjen se kaosi i Tiranës e prapambetja shqiptare i ngjajnë të jenë më humane sesa rregulli i Vancouver-it e mbrothësia kanadeze.
Jaku, njësoj me të shoqen, ka qenë gjithë kohën larg Shqipërisë. E megjithatë, përballë botës shqiptare kanë syze të ndryshme. Serena e sheh Shqipërinë ashtu si e shohin të gjithë të huajt, d.m.th si një vend ekzotik, që të befason, të merr mendjen, të shock-on, të çudit, të mrekullon (para nja tre vjetësh, fjala vjen, u mrekullua me faktin që djali im 14-vjeçar, teksa u ndanë, i dha një të puthur në faqe. “Sa bukur!” – ia bënte. “Andej nga anët tona nuk para ndodh që një adoleshent të puthë në faqe një grua të moshuar të saponjohur”). Ndërsa Jaku, si të ishte njëri prej nesh, i lë gjërat t’i ikin. Është një vëzhgues i shkëlqyer, por nuk e komenton botën shqiptare as për mirë, as për keq. Ndoshta ngaqë ndihet i bërë njësh me këtë vend. Dhe në këto rrethana, ky vendi ynë (i Jakut, po se po) më ngjan me një pikturë, të cilën bëjmë mirë ta këqyrim me kujdes, por nuk është mirë ta komentojmë. Nuk ka nevojë ta komentojmë.
P.S. Kjo është hyrja e librit “Metamorfozë: Shfaqet një piktor”, që del këto ditë nëpër librari.