Identikiti i Presidentit

0
43

Nga Mero Baze, 8 Shkurt 2012

Diplomatët perëndimorë dhe opozita shqiptare kanë filluar të skicojnë “identikitin” e postit më të kërkuar këtë gjashtëmujor, atë të Presidentit të ardhshëm të Republikës. Skicat e para që kanë vizatuar të gjitha palët, përveç pushtetit, janë ato të një presidenti konsensual, me integritet, produkt i bisedimeve dhe marrëveshjeve, etj. E gjithë kjo teknikokraci e prodhuar vetëm për të mos thënë një gjë qartë dhe shqip: Presidentin nuk duhet ta zgjedhë Sali Berisha! Pra, i gjithë fjalori politik i përdorur deri më sot, sidomos nga diplomatët perëndimorë, vërtitet rreth kësaj fraze, e cila nuk shqiptohet kurrë për shkak të asaj që ata e quajnë etikë diplomatike.

Por a mund të funksionojë presioni ndërkombëtar për një president të pranuar nga të gjitha palët?

Në mënyrën si ka nisur presioni, nuk ka për të funksionuar. Sali Berisha e ka marrë mesazhin se diplomatët perëndimorë nuk dëshirojnë që ai të marrë presidentin, dhe i gjithë fjalori i tyre përsërit një mesazh që ai nuk ka dëshirë ta dëgjojë. Nuk besoj se ka ngelur ndonjë ambasador pa e thënë këtë. E ka thënë ambasadori i Danimarkës, ai i OSBE, i BE, dhe qartazi dhe ambasadori i SHBA. Por Berisha po ashtu e ka dhënë përgjigjen më qartë se ata. Ka thënë që presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës, dhe se opozita është e ftuar të votojë me konsensus kandidatin e tij.

Pra është e kotë të mendojmë që ajo që sot është e qartë, pas 5 muajsh mund të bëhet e dyshimtë pasi Berisha mund të tërhiqet. Në vitin 2002, kur Perëndimi detyroi Fatos Nanon dhe Partinë Socialiste të uleshin për një president konsensual, mesazhi ishte i qartë dhe arsyet po aq të qarta. Bashkimi Evropian tha se e majta nuk ka legjitimitet për të zgjedhur presidentin për shkak të parregullsive të zgjedhjeve të vitit 2001. Që të përsërisësh të njëjtën skenë me Sali Berishën, duhet jo vetëm t’i adresosh qartë kërkesën që “nuk ke për ta zgjedhur presidentin”, por duhet t’i shpjegosh qartë dhe arsyen.

Dhe krye-arsyeja përse Berisha nuk duhet të marrë presidentin, është pikërisht se pushteti i tij është në konflikt me ligjin për vrasje dhe vjedhje, dhe se u ka shpallur luftë institucionit të Presidentit, kryeprokurores dhe SHISH, tri institucione që bien menjëherë në duar të tij nëse ai merr presidentin. Si një njeri në konflikt me ligjin, dhe i dyshuar si urdhërues i vrasjeve të 21 Janarit, ai duhet të rrinte normalisht dhe larg kryeministrisë deri në përfundim të këtij hetimi dhe gjykimi.

Nëse Perëndimi nuk e adreson këtë si shkak kryesor përse Berisha nuk duhet të marrë presidentin, më mirë mos t’ia përmendin fare këtë çështje. Është e kuptueshme se një qëndrim i tillë ndërkombëtar vë në rrezik kredencialet demokratike të qeverisë shqiptare, por është rruga e vetme që qëndrimi ndërkombëtar të ketë kuptim. Kërcënimet që Shqipëria nuk do përfitojë statusin e vendit kandidat, apo izolimi i Berishës, nuk janë presione që funksionojnë. Berishës i mjafton liria e lëvizjes për të qenë në rregull me shqiptarët që mërziten nga regjimi i tij, dhe i mjafton qoftë dhe një feudal azer si Aliyev-i, për t’u dukur që e respektojnë ende si kryeministër.

Rruga tjetër për ta detyruar është fillimi i një lëvizje të fortë protestash në vend për të detyruar qeverinë të dorëzojë presidentin, ose të shkohet në zgjedhje të reja. 21 janari dhe sjellja e drejtësisë me viktimat ka dëmtuar rëndë frymën e protestave në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë se e ka vrarë atë. Opozita duhet ndoshta të heqë dorë nga organizimi i protestave të strukturuara, me qindra-mijëra njerëz dhe me regji politike. Protesta mbahet gjallë nga motivi dhe jo nga shumica apo fasada.

Më mirë pak vetë e përditë se 200 mijë vetë një herë në vit. Opozita duhet të provojë të ngrejë shqiptarët në revoltë në pranverë, nëse Berisha nuk gjunjëzohet nga ndonjë qëndrim më i ashpër dhe më i qartë ndërkombëtar. Nuk ka ndonjë arsye më të fortë për të dalë në rrugë se sa rënia e gjithë institucioneve në duar të Sali Berishës. Nëse ajo ndodh dhe shqiptarët nuk e pengojnë dot, atëherë zgjedhjet kanë për t’u kthyer në një formalitet që noterizohen nga drejtësia, presidenti dhe prokuroria e Sali Berishës dhe rotacioni në këtë vend mund të vihet në dyshim përjetësisht.

Identikiti i Presidentit në kërkim është i gjithi një copë letër e shkruar me laps, të cilën Berisha e hedh në koshin e plehrave nëse ndaj tij nuk flitet qartë dhe me gjuhën e forcës nga opozita, dhe me “arsyet” e duhura nga ndërkombëtarët. Berisha ka probleme të mëdha me drejtësinë, ka probleme të mëdha me hetimin dhe më shumë se çdo gjë tjetër i duhet t’i ketë nën kontroll këto institucione. Mjafton të shikojmë se si vëllai i Arben Brocit, një prej katër të vrarëve më 2 prill 1991 në një protestë politike, dërgon në shtëpi vrasësin e provuar të një demonstruesi të ngjashëm, apo se si një gjyqtar që lë të lirë një trafikant turk, i bën shërbime politike regjimit, për të kuptuar se ku ka degraduar ëndrra e shqiptarëve për drejtësi dhe demokraci.

Sali Berisha është në një beteje për jetë e vdekje për të shpëtuar historinë e tij të errët politike, kurse shoqëria shqiptare në një betejë për jetë e vdekje për të shpëtuar pluralizmin dhe shpresën për demokraci në vend. Nuk duhet të trishtohemi që sot na ka mbetur mjeti i vetëm protesta dhe revolta. Pas qershorit, as atë s’kemi për ta pasur.