Nga Mero Baze
Shumica e kryeministrit Sali Berisha nuk arriti dje të kalonte 70 votat e nevojshme për të rikonfirmuar legjitimitetin e saj, pas përpjekjeve hipokrite për të çuar mandatin e një deputeti socialist në Gjykatë Kushtetuese për interpretim. Në të vërtetë, pas krizës së fundit brenda LSI dhe plasaritjes së grupit të PD-së, Berisha kishte nevojë për një provë force që të dëshmonte një shumicë të konsoliduar në Kuvend. Dhe rasti që zgjodhi ishte perfekt. Një histori e trilluar legjitimiteti për deputetin Beqja, që ka një biznes legal në fushën e informatikës, ishte rasti ideal për Berishën për të dëshmuar një shumicë, e cila nuk të toleron për akuza të tilla. Por pikërisht këtu e humbi betejën.
Shumica e sforcuar e tij, në të vërtetë u bë dje NUL, pasi nuk kaloi dot pragun e nevojshëm për të votëbesuar një qeveri. Shkaku është se deputetët e lëkundur të kësaj mazhorance, e konsiderojnë teprim betejën e Berishës për të gjetur gjilpërën në kashtë, ndërkohë që faktet publike për korrupsion lidhur me pjesëtarët e familjes Berisha, kunetërit, kunatat, baxhanakët dhe njerëzit e tjerë të pushtetit kanë tronditur opinionin publik. Dhe pikërisht ata hezituan të bashkojnë votat duke rrëzuar realisht shumicën e Berishës.
Është pikërisht ky detaj që e bën të rëndësishëm moskalimin e shumicës dje në Kuvend. Beteja për mandatin e Beqes është një betejë juridike dhe vendoset nga Gjykata Kushtetuese. Kjo dihej edhe përpara se sa të zhvillohej beteja e djeshme në Kuvend. Ajo që nuk dihej dhe pritej realisht ishte a do të konfirmohej shumica e Berishës, apo jo.
Kjo shumicë nuk u rikonfirmua dhe Berisha në vend që të hiqte vetullat, nxori sytë. Tani ai ka nevojë për një betejë të re që të rikonfirmojë shumicën, të cilën ia rrëzoi paniku që ai ka për efektin që ka shkaktuar beteja kundër korrupsionit, jo vetëm në shoqëri, por dhe brenda sallës së Kuvendit. Përfytyroni se ditën kur një gazetë boton vilat e Jozefina Topallit, të dëgjojë dhe fjalimet e saj moralizuese kundër korrupsionit. Përfytyroni që ditët kur shokët e djalit të Berishës bëhen personazhet më publikë të Shqipërisë për shkak të koncensioneve në hidrocentrale, privatizim të Ekspozitës apo për lojëra fati me mafiozë italianë, deputetët të përqendroheshin të kuptonin fajin e Ilir Beqjes që merret me biznes informatike?
Përfytyroni që një ditë, pasi Berisha ka mbrojtur gjithë ministrat e akuzuar për korrupsion, bile dhe shokët e djalit apo vajzës së tij, parlamenti të gjente fajin e Ilir Beqës pse ka qenë pjesë e një kompanie biznesi informatike, e cila ka gjithçka transparente? Është piëkrisht kjo hipokrizi e madhe publike e kryeministrit që ka tkurrur dje shumicën dhe ka rrëzuar praktikisht qeverinë e zotit Berisha. Tani e tutje qeveria i ngjan një të vdekuri të pakallur, siç thotë populli në këto raste, pasi ajo praktikisht është rrëzuar, por s’ka kush ta varrosë për shkak të një handikapi ligjor që është krijuar nga ndryshimet kushtetuese, për të cilat Rama dhe Berisha janë bashkëfajtorë. Sikur të mos kishim ndryshimet kushtetuese, sot nuk do të kishim më Sali Berishën kryeministër.
Por, pavarësisht prej kësaj, prej sot e tutje ne kemi një qeveri, e cila ka humbur shansin të votëbesohet në betejën e saj të parë formale, që tentoi të bëjë duke dashur të eksportojë luftën kundër korrupsionit atje ku nuk është. Një kryeministër që mbron mafian publikisht, mbron njerëzit e vet të lidhur me mafian, mbron njerëzit e familjes që kanë kapur shtetin dhe përpiqet të bëjë pis kundërshtarin me fakte të sforcuara, nuk është votëbesuar në parlament, dhe ky është një sinjal se Berisha ka humbur shumicën që beson tek lufta kundër korrupsionit dhe në Kuvend. Pas kësaj shumica do të duhet të struket në një arkivol të qelqtë në morgun e Kuvendit dhe të mos ketë më kontakt me dritën dhe oksigjenin e shoqërisë se ndryshe dekompozohet.