I tradhtuar nga dëshirat e çmendura

0
44


Mero Baze, 24.12.2010

Dje, çdo njeri që ka tentuar të ndjekë punimet e Kuvendit të Shqipërisë, ka ndjerë nevojën për të pasur afër një mjek psikiatër.

Së pari, i duhej të kuptonte a ishte gëzuar Sali Berisha vërtet që i ishin botuar fotot e tij dhe gruas së tij me Familjen Hoxha në pushime në Pogradec, apo ishte nën presionin e së shkuarës së tij të errët, kur qeshte me vete me fjalët përçart që thoshte, dhe që nuk i kuptonte askush në atë sallë.

Së dyti, çdokujt i duhej të kuptonte a ishte vërtet i angazhuar Berisha sinqerisht për tu përgatitur për funeralin e Edi Ramës, apo ishte nën presionin e ëndrrës së tij për të zhdukur opozitën dhe fliste me patos për një funeral dhe fjalim të ëndërruar, që do të mbante për kundërshtarin e vet.

Dhe mbi të gjitha, çdokujt i duhej të kuptonte, a ishte vërtet i interesuar Sali Berisha të pranonte projektin e opozitës për transparencën e zgjedhjeve, apo ishte duke bërë teatër duke u marrë me nënat, baballarët, motrat dhe vëllezërit e opozitarëve, me qëllim që të harrohet për një moment çfarë po i bën Shqipërisë vajza, djali, gruaja dhe sekserët e tyre Shqipërisë.

Çështja e parë dukej që e kishte tronditur seriozisht. Njeriu që e urren aq shumë historinë që e ka kundër vetes, vetëm për shkak të raportit të pasinqertë që ai ka me çdo kënd, që ka përdorur në këtë vend për t’u ngjitur një shkallë më lart, dje po përpiqej të kthehej nga një njeri inferior që rrinte këmbëkryq dhe gjithë inferioritet në krah të fëmijëve të Enver Hoxhës, në një njeri që e paskësh marr malli për ato kohë dhe donte të rishikonte fotografitë origjinale.

Në të vërtetë një kopje të fotografive origjinale e ka në shtëpinë e vet, së bashku me një libër për infarktin miokardit, në të cilin po ashtu ka një dedikim për Sokolin dhe Liljanën.

Problemi i tij nuk është se bëhet publike që ishte një servil i fëmijëve të Enver Hoxhës. Problemi i tij është se ai ka importuar në një sistem demokratik rregullat e sjelljes me fëmijët e diktatorëve në pushtet nga koha e komunizmit. Njeriu që nuk i afrohej dot Enver Hoxhës, ose siç thotë Nexhmija, dhe një herë që ju afrua, dhe i dha dorën, nuk e lau një javë që mos ta prekte askush, u përpoq me aq sa mundi, me çdo poshtërim të personalitetit të tij, të bëhej mik i fëmijëve të diktatorit. Kësaj duket se ja ka arritur.

Ne që i njohim tashmë në liri fëmijët e Enver Hoxhës, e kuptojmë sa pak rëndësi reale ka pasur të njihje ata realisht, por për tipin e Sali Berishës ishte gjithçka. Këto fotografi që sot po botohen në media kanë qarkulluar nga Sali Berisha derë më derë, zyrë më zyrë, zyrtar më zyrtar për t’u zvarritur drejt pushtetit.

Ishte miku i fëmijëve të Diktatorit dhe kjo ishte një lloj leje për tu ngjitur, qoftë dhe duke u zvarritur. Kjo është kaq e vërtetë dhe e trashëgueshme në familjen e tij sot, saqë pushteti real i tij sot kalon përmes fëmijëve. Atë që ai ka bërë gjithë jetën duke u zvarritur t’i merrte Liljanës një buzëqeshje dhe Sokolit një shëtitje me varkë, fëmijët e tij sot e kanë kthyer në art të ushtrimit të pushtetit, natyrisht me çmim tjetër.

Instinkti i karrierës përmes fëmijëve është sot kriter themelor në Partinë Demokratike, dhe pushtetin e Sali Berishës, natyrisht jo duke i buzëqeshur Argitës apo duke bërë xhiro me jaht me Shkëlzenin, por duke i paguar ata.

Në këtë linjë po ecën sot, jo vetëm karriera brenda Partisë Demokratike, por dhe gjëja më elementare që do të përfitojë dikush, qoftë ky dhe nga fisi i Sali Berishës. Edhe burri i tezes së Shkëlzenit, apo ndryshe kunati i Lirisë dhe baxhanaku i Berishës, nëse i besojmë sinqeritetit të dyshimtë të Liri Berishës, është punësuar në Gërdec pa leje të Berishës, por me miratim të djalit.

Të gjithë e kujtojmë intervistën e saj, kur mori vesh që kunati ishte vrarë. “E zeza, si nuk ia thamë Saliut“. Pra, linja e avancimit në pushtet përmes fëmijëve, duket se nuk është më një kujtim historik që e trazon Sali Berishën për shkak të zvarritjes pas djemve të Enver Hoxhës, por dhe një praktikë reale pushteti që po e aplikon si shumë gjëra të Enver Hoxhës me fëmijët e tij, të cilët janë kthyer në mënyrën e vetme për të bërë karrierë në PD dhe biznes në këtë vend.

Problemi i tij i dytë psikologjik, që na çon në një spirale të frikshme të subkoshinecës së tij, është arkivoli i Edi Ramës dhe fjalimi nekrologjik “me i miri i gjithë kohërave” në vdekjen e tij.

Rrëfimi i tij i trukuar para Kuvendit për këtë çështje dëshmon qartë se çfarë ëndërron ky njeri kur pushon dhe ulet të çlodhet në kolltukun e shtëpisë pas punës. As më shumë dhe as më pak se sa një vdekje të kundërshtarit dhe një ceremoni varrimi, ku ky të mbajë edhe fjalimin.

S’di pse më kujtoi kjo skenë ditën e vrasjes së Azem Hajdarit, dhe një njeriu të afërt të Liri Berishës, që i bëri i fundit telefonatën për ta nxjerrë nga zyra e tij, përpara PD-së, ku një bandë njerëzish të egërsuar me Sali Berishën prisnin daljen e tij, dhe jo të Azemit. Ky njeri pa lëvizur nga vendi në kolltuk, sapo dëgjoi krismat tha “E vranë Azemin“. E dinte! Dhe pastaj mbajti një fjalim vërtet të magjishëm, të përmotshëm, hakmarrës dhe triumfues njëkohësisht. Ja kishte arritur ditës.

E kishte të vdekur atë që e rrezikonte dhe që priti plumbat në vend të tij. Kjo me sa duket është dhe ëndrra e tij për Edi Ramën, apo për çdo kundërshtar të tij. Ideja se mund t’u ofrojë një vend për të vdekur dhe një ceremoni, ku të lëvdojë ikjen e tyre nga kjo botë.

Nuk di cili mjek psikiatër në Perëndim do ta linte të lirë këtë vrasës potencialisht të rrezikshëm, por di të them se ky njeri është në zyrën e kryeministrit të vendit tim, dhe është akoma i lirë.

Së treti, nuk dua të humbas kohë me banalitetin e refuzimit të Komisionit Hetimor për zgjedhjet. Kjo ishte e vetmja gjë e pritshme prej tij, dhe jashtë kompetencave të mjekëve psikiatër, ishte diçka e parashikueshme. E reja e refuzimit dje në Kuvend kishte të bënte vetëm me faktin se pasojat e dështimit të kompromisit, ishin marrë paradhënie me refuzimin e statusit të Shqipërisë si vend kandidat për Bashkimin Evropian.

Tani kur e shikon kë kemi në krye të vendit, dhe çfarë përpjekjesh po bën Evropa të pastrojë liderët problematik nga Ballkani Perëndimor, është më mirë që na ka lënë jashtë Evropës, duke qenë vetë në krye të vendit, pasi është abuzim i madh me vlerat perëndimore, të tentosh të trokasësh në një shtëpi normale, me një njeri anormal në krye.

Së paku kështu jemi viktima të tij, kurse me këtë në krye brenda Evropës do ishim viktima të Evropës, pasi do keqkuptoheshim si komb i çmendur. Le të shpëtojmë një herë prej tij, se na i hap vetë dyert Evropa.