I pushtetshmi ynë dhe i Plotpushtetshmi

0
22

Nga Mero Baze, 23 Nëntor 2011

Shumë vetë janë irrituar dhe të tjerë janë çuditur nga deklaratat qesharake të Sali Berishës në Izrael. Përveç humorit që ka shkaktuar rrëfimi i tij se si ka prekur pllakën e Jezu Krishtit, dorën e Maria Madalenës dhe Xhaminë e Omarit, një bezdi ka shoqëruar fjalimet e tij patetike kundër Palestinës apo rrufetë e tij prej Zeusi mbi regjimin e Ajatollahëve në Iran.

Ka që nxitojnë ta quajnë servil të Izraelit, të tjerë të lajthitur, dhe një pjesë kanë filluar të besojnë se është dhe anti-mysliman. Është kryefamiljar i një familje ku fëmijët i ka besimtarë fanatikë mysliman, nusen dhe dhëndrin po ashtu dhe për shkak të origjinës së tyre, dhe gruan gjysëm serbe- gjysëm shqiptare, që bën dhe Pashkë dhe Bajram.

Por lajthitjet e tij nuk kanë të bëjnë as me fenë dhe as me ateizmin e tij. Sali Berisha është sot një udhëheqës i izoluar në Ballkan, që po përpiqet të gjejë shpjegime për fatin e tij politik. Ai gjendet në pikën më të ulët të marrëdhënieve të tij me Perëndimin qysh nga viti 1997 dhe tashmë është konfuz për të dalë nga kjo situatë. Por nëse në vitin 1997 shqiptarët arritën ta nxjerrin nga zyrat e shtetit me forcë, tashmë ai ka krijuar një mekanizëm të ri që e mbron nga ballafaqimi me shoqërinë shqiptare.

Si njeriu më i pushtetshëm i këtij vendi, ai po përpiqet të krijojë idenë e raporteve të tij me të Plotpushtetshmin atje lart. Në gjendjen e tij gjysëm delirante dhe gjysëm me makthe nga ato që ka bërë, ai shpreson se do të dekurajojë shqiptarët, duke mos komunikuar me votat e fshehta, por me zarfe të fshehta në vrima muresh.

Politika e tij e jashtme është bërë tani anekdotike. Na futi me zor në Konferencën Islamike me premtimin se ata do ndihmojnë Kosovën, dhe Kosovën e ka njohur gjithë bota perëndimore përveç vendeve të Konferencës Islamike. Niset të fusë vendin në Evropë, dhe nuk plotëson asnjë nga 12 kushtet e Evropës, duke shtuar dhe të zeza të tjera si vjedhja e votave dhe vrasjet politike. Sillet rrotull Evropës, duke bërë vizita klienteliste dhe duke i mbushur mendjen çdo evropiani se është drejtues i një shteti privat, që e shëtisin klientët e së bijës nëpër takime gjysëm turistike.

Niset për në Izrael me shpresë se duke u bërë më fanatik se ta për armiqtë e tyre historikë do marrë mbështetjen e tyre për pushtetin në Tiranë, ndërkohë që po ata nuk e kanë njohur Kosovën. Sulmon krejt pa vend Palestinën dhe vendet arabe, duke shtyrë dhe më tej mosnjohjen e tyre për Kosovën. Vetë kryeministri izraelit, për shkak të politikës së tij konservatore ndaj Palestinës, ka marrëdhënie jo të mira me Uashingtonin, dhe është nën presion për politikë të moderuar, por Berishës as kjo nuk i intereson.

I bie shkurt, paguan ca pare për disa lobistë të fortë në Uashington, të cilët marrin 1 milionë dollarë në vit nga Berisha për ta mbajtur në pushtet në Tiranë dhe të njëjtët po ashtu marrin 1.2 milionë nga Tadiçi në Beograd për të mos njohur pavarësinë e Kosovës. Nëse flitet keq për Berishën në Uashington, ata mund të bëjnë diçka për ta zbutur, aq sa Berisha ta shesë në Tiranë për mbështetje. Kjo e bën dhe më të pavarur nga populli i vet dhe më të afërt me Perëndimin.

Si përfundim rrugëtimi i tij në pushtet është një katastrofë. Me të kemi humbur Bashkimin Evropian, kemi humbur seriozitetin në vendet evropiane jo anëtare, kemi humbur mbështetjen e botës arabe për pavarësinë e Kosovës, kemi humbur seriozitetin në marrëdhëniet me Izraelin, pasi i jemi dukur një vend mercenar që mund të rekrutohemi dhe për qejf të Berishës, dhe natyrisht kemi rritur bezdinë në Uashington për gjithë këto marifete që nuk të çojnë askund, përveç zyrës së Berishës. Dhe kjo ka një arsye shumë bindëse.

Prej kohësh Berisha nuk ja beson më të ardhmen e tij vullnetit të shqiptarëve, por vullnetit të Zotit. Ai e ka kapërcyer fazën që kur flet, kur vepron, apo dhe kur vret dhe ndëshkon, të ketë parasysh vullnetin e shqiptarëve që mund ta zbojnë me votë për ato që bën. Ka mbledhur mendjen dhe është i qetë nga zgjedhjet pasi i ka asgjësuar. Tani ai beson vërtet se fati i tij varet nga i Gjithëfuqishmi atje lart, dhe në vend të votës së fshehtë, beson tek një zarf ku mbyll dëshirat e fshehta të tij dhe i vendos nëpër mure të shenjta.

Nuk ka më lidhje me ne. Nuk ka lidhje as me Zotin, por thjesht do të na tregojë se fati i tij nuk është në duart tona, por të ATIJ atje lart. Nuk beson në Zot, por i Pushtetshmi i Shqipërisë do të na dëshpërojë se fatin e tij e ka në dorë i Plotpushtetshmi në qiell. Atje ku ne nuk arrijmë dot. Është makthi i tij i fundit, që i ka mbetur të besojë se nuk do të rrëzohet nga pushteti. Gjithçka rrotull e ka kundër vetes.