Nga Afrim Krasniqi, botuar ne Shqiptarja.Com, 20.03.2013
Disa dhjetëra udhëheqës shtetesh nga e gjithë bota morën pjesë në ceremoninë zyrtare të celebrimit në krye të Selisë së Shenjtë të “Fanckesku I”, i sapozgjedhur nga Kisha Katolike si pasurs i Benedikt XVI. Ngjarje të tilla janë të rralla, përbëjnë lajm në çdo media botërore, janë rast i mirë për shprehjen e respektit të politikës ndaj institucioneve fetare dhe sidomos për konfirmimin e nivelit të marrëdhënieve shtetërore të çdo vendi me Selinë e Shenjtë.
Për Shqipërinë dhe shqiptarët evenimenti merr një rëndësi tjetër: duke qenë një vend me një përqindje të konsiderueshme të besimtarëve katolikë dhe njëherësh, duke qenë një vend që ka nevojë për mbështetje aktive të Selisë së Shenjtë jo vetëm në promovimin e proceseve integruese shqiptare, por edhe të modelit të harmonisë fetare, të pavarësisë së Kosovës apo të trashëgimisë krenare që lidhen me dy emra simbolikë, Gjergj Kastriotin dhe Nënë Terezën.
Nëse lexohen njoftimet zyrtare të delegacioneve të shumta pjesëmarrëse, çdo pjesëmarrës, president, mbret, kancelar, kryetar parlamenti, princ apo zyrtar tjetër i lartë, – jepen vlerësime maksimale për ceremoninë, Papën e Ri, për Selinë e Shenjtë dhe raportet miqësore e të bashkëpunimit reciprok. Të gjithë apelojnë për thellimin e këtij bashkëpunimi, për promovimin e vlerave të larta të dashurisë, humanizmit, jetës dhe paqes, – dominuese në filozofinë kristiane. Por midis pjesëmarrësve ka edhe raste përjashtimi. P.sh, regjimi i Venezuelës dërgoi kryetarin e parlamentit, i cili tha se kemi nevojë për një papë për të varfërit. Kuba kishte zv/presidentin dhe foli me të njëjtën gjuhë.
Ministri iranian iu largua komenteve mediatike kurse diktatorë si Mugabe folën për inspirim në bekimin e shenjtë! Brenda kësaj kategorie “speciale” anti të krishterësh, diktatorësh dhe ateistësh, gjendet edhe delegacioni zyrtar shqiptar, i përbërë nga Kryeministri Berisha dhe kryetarja e parlamentit Topalli. Në protokollin zyrtar i pari është i dytë, i dyti është i parë, por kur bëhet fjalë për institucione dhe portofole të një partie, nuk kanë rëndësi protokollet. Rëndësi ka përfaqësimi zyrtar, – një rast për solemnitet, respekt, imazh dhe sjellje dinjitoze.
A ishte i tillë delegacioni ynë zyrtar? Natyrisht që jo. Për njëmijë arsye. Të zakonshme, të njohura, démodé dhe fatkeqe. Jo vetëm se dikush përfiton nga pozita shtetërore për të marrë familjen me vete, jo vetëm se protokolli zyrtar është thellësisht privat dhe jotransparent, jo vetëm se u morën me vete fotografë e kameramanë me detyrë të gjejnë skena të takimit të duarve dhe buzëqeshjeve protokollare me liderë botërore. Delegacioni shqiptar shfaqi anën e vet më ateiste, fyese për besimin katolik, Selinë e Shenjtë, Papën e ri, ceremoninë dhe vetë integritetin e shtetit shqiptar.
Kryetari i delegacionit, (Kryeministri) që ishte aty si kryeministër i Shqipërisë dhe jo si një lider partiak, shpërndau një njoftim publik, sipas të cilit “që nga 1992 dhe në çdo zgjedhje të përgjithshme që kemi fituar, nga Papa Gjon Pali II tek Francesku I Parë, kam pasur audience dhe takime në prag të fushatës elektorale që kanë qenë një ogur i bardhë dhe një bekim i vërtetë për fitoret e mëdha të Partisë Demokratike”! Ai foli se ‘qielli vetoi” dhe se Papa “bekoi fitoren” e 23 qershorit!! Nuk është humor i ndonjë spektakli fundjave, është njoftim zyrtar, është serioz, është qëndrim dhe rrëfim i njeriut që përfaqësoi aty 3.2 milionë shtetas të atdheut të Nënë Terezës apo Gjergj Kastriotit. Dhe njeriu që do të duhej të ishte i përulur në respekt, e sheh Papën, Vatikanin, besimin në Zot si një mashë të ambicies së tij personale për pushtet, – si shans për më shumë vota në fushatën e tij elektorale, si burim propagande dhe reklame elektorale!!
Një sjellje dhe deklarim i tillë nga një njeri që hyri në PPSH ditën kur regjimi komunist ndaloi me ligj besimin në Zot dhe shkatërroi me dinamit e kazma kishat dhe institucionet fetare, nuk është surprizë. Surprizë është se ai nuk sillet fyes ndaj një feje por fyes ndaj vetë besimit fetar, fyes ndaj besimit në Zot dhe fyes në vlerën më të çmuar shqiptare të harmonisë dhe tolerancës fetare. Ai u soll si një politikan e shtetar i pafe, nga ata që At Zef Pllumbi thoshte se janë në gjendje që për qëllimet e tyre personave të mohojnë e shkelin me këmbë gjithçka që ka të shenjtë një njeri, identitetin, personalitetin, familjen, atdheun, shoqërinë dhe interesat e tyre madhore! Një traditë negative që përjetuam gjatë regjimit komunist dhe që sot na vjen e freskët përmes njeriut që konsideron arritje jetësore të tij rrëzimin e këtij regjimi!
Në fjalorin e gjuhës shqipe “i pafe” konsiderohet ai që nuk beson në Zot, nuk pranon asnjë fe, nuk respekton fjalën e Zotit apo që dëshmohet i pabesë”. Identitete të tilla të “njeriut të ri” i kemi prezent, me shumicë, përfshirë edhe në mentalitetin dhe sjelljen politike të atyre që me taksat tona, nën emrin dhe flamurin tonë, na përfaqësuan në mënyrën më pak dinjitoze në ceremoninë e djeshme në Vatikan. Në një lexim retrospektiv ai dhe politika që ai përfaqëson, nuk janë të pafe vetëm kur bëjnë sjellje të tilla aspak dinjitoze në Vatikan apo takim të liderëve botërore. Ata janë kudo, çdo moment, në çdo veprim dhe kontakt me qytetarët, vlerat dhe shoqërinë publike.
Ishin të tillë kur në rivarrimin e Dom Nikollë Kaçorrit prishën meshën fetare duke mbajtur fjalime elektorale kundër kritikëve politikë, kur priftërinjtë e burgosur e të mbijetuar nga regjimi komunist i akuzuan për spiunazh dhe tradhti, kur në momente krizash politike dhe kundërshtish me vlerat perëndimore i thurnin lavde përkatësisë ekstremiste ateizmit apo qarqeve antieuropiane, kur çdo tragjedi të shkaktuar nga korrupsioni e arrogance qeveritare e fshehin në emër të mallkimit të Zotit, kur ne çdo krishtlindje, muaj i Ramazanit apo festë tjetër fetare japin deklarata elektorale përpara institucione e krerëve fetarë, kur në rast gëzimesh e hidhërimesh flasin për vota e fitore, apo kur në çdo hap të aktivitetit të tyre politik e publik dëshmojnë sjellje, retorikë dhe mentalitete të dhunshme, përjashtuese, denigruese, fyese dhe përçarëse mbi individin, familjen, bashkësinë kritike qytetare apo parimet e demokracisë. Ata flasin për beteja elektorale me logjikën e revolucionit permanent, çdo ditë e nisin dhe e ngrysin me synimin për të vendosur një gur jo në përparimin e vendit, por në kalanë militante të votave elektorale të radhës. Për ata lumturia nis me pushtetin dhe mbaron kur e humbet atë.
Kryeministri ynë, ashtu si ish Presidenti i Venezuelës janë të vetmit liderë shtetesh që kanë kurajën të deklarojnë se Zoti e ndihmon të mundë kundërshtarët e tij politikë, pra që besimin në Zot e (keq)përdor për një grusht votash në një proces zgjedhor të radhës, duke mos arritur të ndajnë ambicien personale të pushtetit me asnjë ndjenjë tjetër, përfshirë edhe të besimit në Zot. Dhe nuk e ka bërë vetëm me besimtarët e krishterë. E ka bërë edhe me besimtarët myslimanë kur në tre fushatat e fundit ka premtuar xhami të re, – asnjëherë të realizuar; kur ka detyruar drejtuesit fetarë të disa qyteteve të dalin në fushata zgjedhjesh e referendumesh për tu bërë thirrje besimtarëve të votojnë pro tij apo kur ka përdorur pushtetin ekzekutiv e gjyqësor për tu mohuar komuniteteve fetare provat e ligjshme.
Etërit e shtetit shqiptar më 1920 patën renditur në programin e partisë së parë politike përcaktimin se krimi më i rëndë dhe tradhtia më e madhe ndaj shtetit është përdorimi i fesë për qëllime politike. Pas 100 vitesh asgjë nuk ka ndryshuar. Për pak vota e pushtet të pafetë të janë të gatshëm të bëjnë gjithçka. Dhe përgjigja më e mirë vjen nga vetë Kisha Katolike, e cila përmes një deklarate për shtyp me rastin e zgjedhjeve të 8 majit 2011, pati cituar Papa Gjon Pali II tek shprehej se “zgjedhjet janë mundësi që qytetarët të kontrollojnë qeveritarët e vetëm ashtu edhe për ti zëvendësuar ata mënyrë paqësore kur është e arsyeshme”. Edhe ateistët dhe aventurierët tanë të pafe janë të zëvendësueshëm.
Papa u zëvendësua, me dorëheqje dinjitoze, me trashëgimi pozitive. Një i Ri erdhi, me energji dhe vizion të ri, me modelin e njeriut human që mendon për qytetarët….një mesazh që shtetarët pompozë dhe ateistë shqiptarë duket se nuk e kanë kuptuar. Siç ata duket se nuk e kanë kuptuar se Zoti e ka bekuar Shqipërinë dhe jo sundimtarët e saj, se Zoti nuk bekon parti politike, dhe se e fundit, parti apo udhëheqës që patën kurajën të mendojnë se mund të barazoheshin me zotin kanë përfunduar tashmë në hekurishte dhe muze.
Në librat fetarë në raste të tilla thuhet “fale Zot se nuk dinë çfarë bëjnë”, por në rastin konkret nuk jemi në një botë klasike kishtare, jemi një shoqëri e gjallë dhe konkurruese, që (mbi)jeton, që vuan nga politika dhe mungesa e saj, që shpreson për më mirë dhe që me 23 qershor do të duhet të vendosë fatin e saj për katër vitet e ardhshme. Politika serioze nuk është fe, nuk fal mëkate, por në një shoqëri demokratike i ndëshkon ato me mekanizmin e vetëm që ka në dorë, – votën qytetare. Dhe siç Papa Francesku I shkruan, “nuk ndryshon bota nëse nuk ndryshojmë ne, dhe bashkë me ne, vizioni e përkushtimi ynë qytetar për të ardhmen”.