I “emëruari” i Berishës dhe i zgjedhuri i Ramës!

0
44

Nga Mero Baze, 8 Maj 2013

Sali Berisha po përpiqet të bëjë Koço Kokëdhimën simbol të fushatës së opozitës. Dje paradite nga Vlora e shpalli atë “kryetar” të Partisë Socialiste, ndërsa TV Klani mori mesazhin të përgatisë menjëherë një emision Opinion ku Kokëdhima të jetë i ftuar përballë një prurje të re afër PD, krejt i ndryshëm dhe i pakrahasueshëm me të, Dashamir Shehi. Ky i fundit, një politikan profesionist 20 vjeçar, mund të përballej në debat me Ilir Metën apo Skënder Gjinushin si aleatë të PS, por jo me Kokëdhimën. Por strategjia politike e Berishës për ta kthyer Kokëdhimën në simbol të opozitës është e pamëshirshme dhe efektive. Është ekzaktësisht e vetmja gjë që ngjit kur flet për klientelizmin dhe një lloj përzierje të biznesit me politikën.

Në fakt kur flasim për Kokëdhimën duhet të ndajmë konsideratat tona nga perceptimi që Berisha po përpiqet të krijojë për të. Kokëdhima është simbol i kapitalizmit të ri shqiptar, të lidhur me politikën, që ka shkëlqyer kur kanë shkëlqyer miqtë e tij në pushtet dhe është varrosur kur ata kanë ikur nga pushteti. Kjo nuk është as meritë e tij dhe as dështim i tij, por dështimi i modelit që kemi prodhuar për lirinë ekonomike dhe konkurrencën në këtë vend. Pas vitit 2005, ai është realisht një biznesmen i persekutuar, me kompani të falimentuara, me borxhe dhe mungesë fuqie pagese për punonjësit e vet edhe në media. E kuptoj se disa prej fitimeve të tij më parë kishin ardhur nga pushteti, por shumë nga gjobat e tij pas 2005-ës erdhën po nga pushteti i ri.

Nga pikëpamja politike Kokëdhima është një ish- komunist që u shndërrua në kapitalist, i ngjashëm me çdo prototip në Evropën Lindore. Brezi i tij i drejtuesve të rinisë komuniste është sot ende aktiv në politikë dhe biznes jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Evropë. Disa prej tyre kanë mbërritur deri në krye të BE. Por ai është bërë popullor jo për të shkuarën e tij, por për miqësinë me Edi Ramën. Ky i fundit është e vërtetë që e ka privilegjuar atë në kohën që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës, dhe po aq e vërtetë se është sulmuar prej tij kur ka humbur Bashkinë e Tiranës duke ngrirë miqësinë e tyre.

Berisha është i qartë në strategjinë e tij. Ai e ka “emëruar” Kokëdhimën si simbol të opozitës, gjë që nuk është e vërtetë. Dhe kjo duhet të demonstrohet. Unë si opozitar nuk jam kundër që Kokëdhima të jetë deputet. Si botues dhe njeri me lidhje politike, ai është mbi nivelin mesatar të parlamentit. Ai është shumë i aftë se shumë deputetë të opozitës dhe Berishës dhe nuk kam asnjë drojë se do të turpërojë dikë si deputet. Por ajo që unë kam me Kokëdhimën, por dhe me drejtuesit e fushatës së opozitës, është që të mos hyjnë në spiralen e lojës së Berishës, që debati publik të përqendrohet tek Kokëdhima.

Kokëdhima është caktuar deputet i Delvinës dhe Bregut dhe bën mirë të niset nga Tirana në Qeparo, të ulet me patriotët e vet dhe të përpiqet t’u mbledhë ndonjë votë për opozitën atje. Nëse Edi Rama me Koço Kokëdhimën, meqë kanë shkuar të dy bashkë në Vlorë, nuk e bëjnë Vlorën 8 me 4 për opozitën, do të jenë humbësit moralë të këtyre zgjedhjeve edhe nëse marrin pushtetin. Nuk e di sa punë bën Kokëdhima në Bregdet, por i besoj atyre që e kanë zgjedhur. Një gjë e them me siguri: Ai nuk bën punë, por prish punë, nëse tashmë na shfaqet si udhëheqës kombëtar, si një prurje e re që do ndriçojë opozitën dhe opozitarizmin në këtë prag ndërrimi pushteti.

Atë që ai mund të ndreqë me ndonjë plak në Qeparo, apo votues të pavendosur në Bregdet, mund ta prishë me pjesën tjetër të Shqipërisë, që e njohin atë më shumë sipas imazhit të Berishës se sa për atë që ai është vërtetë. Për këtë arsye, ai nuk është më një njëri i lirë dhe i pavarur, që të shfaqet gjithandej si udhëheqës kombëtar. Ai nuk përfaqëson opozitën shqiptare, por përfaqëson disa arsye të saj për të konkurruar. Dhe këto arsye janë rajonale. Ai është në listë për arsye gjeografike dhe personale dhe jo për arsye politike dhe kombëtare. Dhe është mirë të respektojë këto arsye duke e kaluar këtë fushatë nga Qeparoi në Delvinë dhe jo nga TV Klani tek çdo altoparlant i Berishës.

Nuk di nëse opozita ka një strategji të daljeve publike të deputetëve të saj, por nuk do të dëshiroja që Kokëdhima të ndjekë axhendën e Berishës, për t’u kthyer në problem kombëtar të opozitës. Nuk dija ç’ta këshilloja një kolegun tim që më tha se nesër do të jetë me Kokëdhimën në debat tek Fevziu, veç këshillës për të mos shkuar aty. Kokëdhima është një problem i shpikur nga Berisha dhe ne duhet ta lëmë Berishën të vetëm në këtë problem. Strategjia e Berishës është ta dekurajojë opozitën dhe të tregojë me gisht nga një lider i dobët plot dilema duke shpikur edhe hijen e tij. Kjo nuk është e vërtetë dhe opozita duhet ta mbrojë këtë të vërtetë. Përndryshe kënga e moçme e Bregut: “Lumi që mori Vunonë, pse s’mori dhe Qeparonë”, do na kthehet në himn kombëtar të kësaj fushate.