Nga Arben Rrozhani, 27 tetor 2013
I dashur Saimir! Nuk të ndoqa dot në sallën e TKOB, por të ndoqën shumë të tjerë. Por ndoqa apelin tënd në fund të shfaqjes, aty ku ti paske thënë atë që po citohet gjerësisht në media: “Do të doja të bëja dhe një apel tjetër. Do të bëja thirrje që komuniteti i artistëve të respektohet më shumë në Shqipëri. Sot, përpara koncertit ka ndodhur një ngjarje e turpshme, që më ka prekur shumë. Por nuk do të doja të zgjatesha, kushdo le ta kuptojë. Doja vetëm t’i thosha një Faleminderit maestro Zhani Cikos”.
Po i dashur Saimir! Falënderoje maestro Zhani Cikon, sepse e meriton, për dirigjimin e shfaqjes që ti bëre, bashkë me artistë të tjerë në ndihmë të të prekurve me sindromën Daun. Por dua të them ca gjëra, ca turpe që ti nuk i di, se helbete, nuk ke qenë në Shqipëri këto vitet e fundit. Zhani Ciko është një njeri i mirë, një artist i kompletuar, që gjithë jetën dha për artin dhe kulturën. I ka marrë vlerësimet, shumë prej punës, dhe kur nuk i mjaftuan ia dhanë prej anësisë që ka mbajtur. Ti interpretove në atë sallë, në krah të kolegëve të tu që nuk kanë patur fatin tënd, që zëri t’u këmbojë në sallat e mëdha të metropoleve të kontinenteve.
Ajo sallë ku ti the në një televizion të Tiranës se duhet shembur, sepse ky përbindësh i betontë i epokës sovjetike, ka një akustikë të tmerrshme që e masakron zërin, që e masakron në eter. Ata artistë që kishe rrotull e dinë dhe e kanë vuajtur prej vitesh këtë që ti e di mirë, derisa e thua me aq zemërim. Ti interpretove në një shfaqje ku çmimi i biletës për çështje humanitare ishte 3 mijë lekë dhe kur nuk u arrit shitja e biletave, institucioni me detyrim ua shiti institucioneve të tjera me çmimin 2 mijë lekë biletën, që ajo sallë të mbushej që të interpretojë ti dhe kolegët e tu që nuk kanë patur fatin të bëjnë karrierë artistike jashtë, si ti dhe kjo në emër të bamirësisë!!!
Ndërsa ti këndoje në Nju Jork, Milano, etj, kolegët e tu shqiptarë janë cfilitur prej vitesh për të nxjerrë zërin në atë sallë të akullt, anakronike, pa akustikë, siç konstatove këto ditë. Kjo duhet të ishte më e pakta për një artist, një dhimbje për një jetë të shkurtër artistike të çuar dëm, në një vend që e vdes shpirtin artistik, dhe ti prandaj ike, që të mos vdesësh artistikisht në këtë vend ku “lulet i hanë gomerët”.
Por nuk ka më sfilitje se sa të jesh skllav për të patur bukën e gojës, rrogën që firmosin këta artistë, për të patur atë vend pune. Po të shpjegoj rastin më të fundit: Zhani Ciko është një burrë i mirë dhe artist me emër, por PD-ja që ishte në pushtet e katandisi në një komisar politik të Teatrit të Operas dhe Baletit, mo ta mo si në kohën e diktaturës. E mori Jozefina Topalli “për zhelesh” në janarin e akullt të këtij viti që po ikën bashkë me turpet e pafundme të neokomunistëve të Sali Berishës dhe e urdhëroi që t’i vinte të gjithë artistët në rresht dhe të firmosnin peticionin e partisë-shtet kundër ish-kreut të opozitës, Edi Rama, që sot e kemi kryeministër.
Letra e turpshme mbante mbishkrimin: “Mbi nderin e humbur të shoqërisë shqiptare, Z. Rama, hiqe pritën; lejo deputetët të votojnë 3 LIGJET”, kërkojnë që të miratohen 3 ligjet që kërkojnë 3/5 në Parlament është njëherësh kusht nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në BE”. I dashur Saimir! Ishte një shfaqje e turpshme që ti nuk kishe se si ta jetoje dhe nuk e di se çfarë do kishe bërë, por kolegët e tu të TKOB-së e firmosën, pas urdhërit të maestro Cikos që të firmosnin për të ardhmen e atdheut, d.m.th. për bukën e gojës, vendin e punës, ndryshe në rrugë.
Ata firmosën, sepse nuk donin të dilnin në rrugë. Rruga të vret. Ti ndoshta nuk e di, por në atë rrugë, përpara TKOB-së u shtyp si qen, atë mbrëmje të zezë të 7 marsit 2012, ndërsa linte provat baletmaestri i paharruar, Agron Aliaj. U shua 3 muaj më pas në sallën e reanimacionit i harruar prej të gjithë, edhe prej maestros tënd dhe kryeministrit të maestros, paçka se kishte dhuruar gjysëm shekulli jetë për baletin e asaj salle që ti sot kërkon ta shembësh.
Pse ky është respekt??!! Këtu në këtë vend, ku ti vjen thjesht për një koncert bamirësie, apo për tu çmallur me vendlindjen, ishte bërë një pirg me turpe. Por mjaft! Në vend të maestros tënd vjen një mjeshtër që iku para teje jashtë për të mos vdekur artistikisht. I urojmë mirëseardhjen legjendës së baletit Ilir Kerni dhe gjithë atyre që kthehen për të bërë Shqipërinë. Me siguri ti nuk vjen, se ke axhendë tjetër dhe e kë ndërtuar jetën tënde në sallat moderne të botës, por kur të vish, ndoshta nuk do të gjesh sallë të re në TKOB, por nuk do dëgjosh më turpe të tilla komisarësh që i “kap për zhelesh” partia. Mirëardhsh!
SHEKULLI