I besoj Saimirit, por më shumë ligjit!

0
89

Nga Mero Baze, 15 Tetor 2013

Policia e Shtetit duket se është e para që po ndjen pushtetin e ri. Dy aksione masive të urdhëruara nga Ministri i Brendshëm, njëri për bllokimin e ndërtimeve pa leje dhe tjetri për bllokimin e lojërave të fatit, kanë zbrazur mbi Policinë e Shtetit gjithë ngarkesën e ndryshimeve strukturore që qeveria e re ka ndërmend të bëjë me gjithë llojet e policive në vend.

E vetmja gjë e paqortueshme në këto aksione është aftësia e ministrit të ri për të vënë në lëvizje Policinë e Shtetit dhe për të kontrolluar operacione masive në gjithë vendin. Por përtej kësaj aftësie, ministri, dhe sidomos kryeministri, duhet t’i konsiderojnë si “prova gjenerale” këto aksione dhe duhet të ulen të ndryshojnë ligjin për Policinë e Shtetit dhe funksionet e reja të saj.

Koncepti i Edi Ramës për të pasur një polici të vetme, është efikas dhe ndoshta do t’i shkonte shumë modeli i një xhandarmërie kombëtare. Bashkimi i funksioneve të Policisë Pyjore, të Ndërtimit, të Elektrikut apo zjarrfikësve, do ta bënte më autoritare Policinë e Shtetit dhe më të vëmendshëm qytetarin ndaj rolit të saj. Siç e pohojnë vetë burimet policore, gjatë operacionit të fundit të policisë për lojërat e fatit, disa oficerë të lartë policie janë përgjuar që kanë raportuar pranë bosëve të lojërave të fatit sikur të ishin të punësuarit e tyre. Shumë lokale lojërash fati janë gjetur mbyllur dhe janë pikërisht ata që nuk kanë leje, të cilët i kanë shpëtuar bllokimit. Kjo tregon se policia është e inkriminuar në mjedisin e korruptuar shqiptar dhe duhen reforma të thella.

Por kjo reformë duhet bërë së pari me ndryshimin e ligjit. Dy testet e mëdha të Tahirit janë të suksesshme sa i përket organizimit, por janë në kufijtë e paligjshmërisë. Saimir Tahiri ka bërë maksimumin të vërë në dispozicion të policisë dhe policitë e tjera për të mos u shfaqur si xhandar, por kjo vlen vetëm për situata alarmante. Në një situatë tjetër normale, nuk mund të jetë gjithë shteti në dispozicion të një aksioni.

Fillimisht duhet një ligji i ri për Policinë e Shtetit, ku të përcaktohet qartë roli i policisë në mbikëqyrjen e ligjshmërisë së biznesit dhe shkeljes së ligjit. Periudhat entuziaste të aksioneve masive mbarojnë shpejt, por më tej policia duhet të veprojë në bazë të ligjit dhe nuk mund të trokasë në çdo derë biznesi sa herë i teket policit. Nuk mund të mbulojë Policia e Shtetit detyrat që ka inspektorati i taksë- tatimeve dhe nuk mund të hetojë ajo evazionin fiskal. Policia mund të verifikojë vetëm ligjshmërinë ose jo të një biznesi dhe për këtë duhen caktuar po ashtu rregulla të qarta.

Po ashtu aksionet duhet të kenë objektiva të qarta. Aksioni i fundit kundër lojërave të fatit ka krijuar një paqartësi në opinion sikur është aksion për mbylljen e lojërave të fatit. Në të vërtetë është një aksion verifikues, që synon të inventarizojë pikat e lojërave të fatit pa leje, dhe që në ditën e parë të tij nuk ka mundur të identifikojë gjithë pikat e paligjshme pasi ka rrjedhur informacion dhe pronarët i kanë mbyllur. Duke qenë një aksion verifikues, rezultatet e tij nëse nuk janë 100 për 100 të sakta, rrezikojnë të lënë jashtë rrjetës së ndëshkimit ata që kanë punuar pa letra dhe të fokusohen tek ata që kanë paguar dhe i kanë pasur lokalet hapur. Dhe e gjithë kjo pastaj do rëndojë imazhin e Policisë së Shtetit.

Rreziku që nga polici shteti, të kalojmë në një shtet policor, është shumë i madh, po të kesh parasysh natyrën abuziviste të policisë shqiptare dhe shefave të policisë që bëhen si bajraktarë të vegjël në rrethe. Ideja që duhet të kemi një polici, duhet të konkretizohet urgjent përmes një ligji, i cili ia cakton asaj funksionet e verifikimit të ligjshmërisë përmes një sistemi të mirërregulluar. Saimir Tahiri, sado vullnet të ketë për të ndryshuar situatën, nuk mund të rrijë 24 orë zgjuar për të parë kush vjedh dhe vret në këtë vend, kush bën biznes me leje apo pa leje, kush paguan ose jo taksa, kush pret ose jo pyje me leje, kush shton apo jo kate pa leje, etj. Aksionet masive vlejnë për të testuar efikasitetin e një aksioni policor, por nuk vlejnë si shembuj që mund të na nxjerrin nga situata. Shteti serioz është ai që e kontrollon ligjshmërinë me letra, me sistem dhe me ligje dhe jo me policë që vërshojnë rrugëve sa herë degradon situata.

Ndryshimet e fundit në Policinë e Shtetit janë pozitive. Dhjetëra të rinjve, që u është hapur rruga e karrierës në polici, duken se janë një e ardhme premtuese më e mirë se një kastë e korruptuar policësh me të cilët jemi mësuar prej vitesh. Po ashtu vullneti i ministrit të ri për të udhëhequr aksione masive policore, tregon pasionin me të cilën e ka marrë këtë detyrë. Por ne do të jemi krenarë për policinë tonë kur ajo të funksionojë për shkak të një sistemi efikas, kur polici dhe qytetari të dinë mirë ku fillon dhe mbaron e drejta e tyre, kur biznesi ta dijë kur duhet t’i trokasë polici në derë dhe pse duhet të trokasë, dhe kur forca e zbatimit të godasë secilin njësoj. Vetëm kështu mund të kemi një polici shteti, pa pasur frikë se mund të rrëshqasim në një shtet policor. Unë e besoj dhe çmoj vullnetin e ministrit Saimir, por më shumë i besoj një ligji të mirë.