Humbja e kauzës së opozitës i jep kurajë pushtetit

0
44

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Sa më shumë kalojnë ditët dhe greva e urisë hynë në faza kritike, aq më shumë duket se kryeministri po shton përpjekjet për të rritur dëshpërimin rreth rezultateve të mundshme të protestës. Kryeministri ka shtuar skenat e shtirura si i qetë para kamerave dhe tenton herë pas here të bëjë shaka para tyre, të cilat në të vërtetë më shumë dëshmojnë gjendjen e rëndë psikologjike të kryeministrit se sa humorin që nuk arrin të prodhojë dot.

Mjafton të marrësh pamjet filmike të përpjekjeve të kryeministrit për të bërë humor dhe t’ia japësh një mjeku psikiatër, për të kuptuar se greva ka arritur suksesin e saj të parë, ka nxjerrë nga normaliteti njerëzor kryeministrin. Por greva ka arritur dhe një sukses politik brenda PD dhe në shoqëri. Nëse vini re skalionin që po përdor Berisha kundër grevës, vihet re se po shfaqen fytyra të panjohura dhe thuajse anonime njësoj si lista e mjekeve, hartuar nga gruaja e tij apo lista e artistëve rrogëtarë.

Kjo tregon se përditë e më shumë intelektualët shqiptarë, por dhe vetë figurat politike brenda PD-së, po bëjnë kujdes të mos konsumojnë portretin e tyre kundër një kauze, e cila po ndan shoqërinë shqiptare. Ata që po angazhohen kundër grevës tani janë anonimët e shoqërisë shqiptare dhe anonimët e PD-së. Pjesa tjetër mbështet protestën ose është pjesë e shumicës së heshtur që mbështet atë.

Por rezultati real i protestës është përfshirja e qindra mijëra njerëzve në këto manifestime. Mbështetja ndaj protestës ka tejkaluar fuqinë e kërkesave të saj fillestare dhe sot mbi një milionë shqiptarë që mbështesin këtë protestë, kanë një pritshmëri shumë më të madhe për bilancin e kësaj beteje se sa hapja e kutive apo hetimi i zgjedhjeve. Rezistenca e Berishës dhe përpjekja e tij për ta provokuar protestën, ka pjekur bindjen popullore se ky politikan është armik i zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

Berisha mendon se ka në dorë dështimin e protestës me indiferencën ndaj saj, por në të vërtetë ka në dorë vetëm kolapsin e vendit dhe sistemit parlamentar. Nëse Berisha refuzon të dëgjojë zërin e protestës, bilanci i kësaj proteste do të jetë i rëndë, pasi do të paralizojë jetën parlamentare dhe zgjedhjet vendore që vijnë gjashtë muaj më vonë. Dhe vetëm një kryeministër jo normal mund ta çojë vendin në këtë kolaps.

Për shumë shqiptarë që nuk janë votues fanatikë të Berishës dhe Ramës, rezultati i kësaj beteje ka më shumë rëndësi se sa rezultatet e zgjedhjeve. Nëse Edi Rama tërhiqet nga kjo kauzë, atij i krijohet komoditeti i madh që kur të fitojë pushtetin që vjen vetë në dorë pas kalbëzimit të Berishës, të mos bëjë më kurrë zgjedhje në këtë vend dhe të na kujtojë me cinizëm si Berisha tani, se kjo shoqëri s’ka fuqi të mundë një lider që bllokon lirinë e zgjedhjeve.

Ndaj një bilanc pozitiv i kësaj beteje, është më shumë një fitore për Sali Berishën sesa për Edi Ramën. Nga një bilanc i suksesshëm i kësaj beteje, Berisha mbetet dhe ca kohë në pushtet dhe Shqipëria krijon një sistem ndëshkues ndaj hajdutëve të votave. E kundërta do të sjellë një paralizim të shtetit ligjor dhe një inkurajim të madh për të gjithë ata që kanë prekur zgjedhjet në këtë vend.