Prof. Robert Prennushi
Edhe pse aktualisht jehona e Festivalit të 50-të në RTSH, madje edhe kangët e tij po ndjehen gjithnji e më pak, mund të themi me plot gojën se asht nji fatmirësi që çdo fundviti kemi veprimtari të tilla, ku kanga e re shqiptare gjen vendin natyrshëm dhe na ofrohet jo nga kërkesat e tregut, por nga nji seleskionim i përgjegjëshem profesional. Kjo veprimtari asht edhe nji terapi e nevojshme për ate çka po i ndodh shpesh kangës shqiptare që gjatë vitit, jo rrallë, rrugash, lind e braktisë krijesa deshtake, që asht zor të njihen se janë tonat. Tue i dhanë gjak të ri kësaj gjinie, festivalet i japin kangës shqiptare edhe vizionin për nji zhvillim të matejshëm, ose të pakten, nji orjentim e reflektim për të gjithë ata që duen serjozisht të merren me këte fushë.
Fatkeqsisht kjo muzikë e mirë asht pak, shumë pak, në realitetin mjeran ku ndodhet nji pjesë e kangës shqiptare (kur gatuhet me miell nga thesi i huej në kuzhinat, ku serviret me shlivë, metaxa o surrogato të tjera). Pa dashje na vjen në mendje ajo shprehja e njohun, për gjuhën, e Buzukut: ”po bdaret e po bastardonet”. Pikrisht termi bastardhohet asht përkufizimi ma i mirë për ate që po ndodhë me disa kangë të reja të vetquejtuna shqiptare.
Në emën të globalizimit e vllaznimit me kultura të hueja, kanga jonë, ndonjiherë po shpërftyrohet. Dami vepron, në fillim, pikrisht atje ku asht ma lehtë, pra në muzikën e lehtë. Le ta quejmë si të duem, por ajo nuk asht aspak e lehtë, sepse ka peshë, asht buka e përditëshme që krijon ose çvesh shije, për të krijue “të reja”. Nëse ky asht rezultati i globalizimit për kangën tonë – kurrë mos ardhtë! Por nuk e ka fajin globalizimi. Mbrapa pseodomuzikantëve të papërgjegjshëm qendrojnë disa “mendimtarë” që mbahen njohës të të gjitha fushave. Japin mendime e konkluzione edhe për muzikën, sidomos kur asht fjala për të analizue ndikimet në muziken tonë. E me këte nuk zbulojnë Ameriken, mbasi influencat e hueja në muzikën tonë janë të pranishme. Nuk mund të ndodhte ndryshe ndër shekuj.
Popujt kanë dhanë e kanë marrë në kohë. Kjo marrëdhanie vazhdon edhe sot. Të thuesh pra se muzika jonë, përfshi dhe kanga shqiptare, nuk ka influenca të tjera, asht nji absurditet. Por ashtu, si të gjithë rilindasit, pa përjashtim, punuen për të pastrue gjuhen nga barbarizmat, tue krijue neologjizma, nji proçes i tillë, madje edhe ma i thellë, ndodhi edhe me kangën e muzikën popullore në përgjithësi, mbasi ndikimi oriental e jo vetëm, sidomos në kangët e ahengut qytetar, ishte i madh.
Pa pritë formimin e muzikantëve profesionistë, interpretuesit e saj, me vetdijen e re kombëtare, që në çerekun e fundit të shek. XIX, tue pasë në bazë të ndergjegjës së tyne muzikore nji nënshtresë të pasun, arriten ta pastrojnë kangën, jo vetëm në thelbin e vet melodik, – tue e shartue me shije e me tema autoktone, – por edhe në frymën e saj, tue i dhanë kështu nji fytyrë të re. Ky proçes veproi sidomos me kangën qytetare të Beratit, Elbasanit e sidomos me ate të Shkodrës, ku “investuen” artistë amatorë e profesionistë me rezultate të jashtzakonshme.
Karakteri e fryma kombëtare, nuk përjashtojnë marrëdhanien (kujdes: marrjen dhe dhanien) me muziken e popujve fqinj. Le të marrim ritmin. Edhe pse në muziken tonë popullore asht shumë i pranishëm ritmi perëndimor 2/4 e 4/4 , kemi edhe ritme të përbame si 4+5/8 ; 5+4/8, 5+7/8 etj. Shumë kangë e melodi kanë ritem karakteristik 5/16+7/16 ose anasjelltas. Këto të fundit, disa studiues i quejnë origjinalë dhe, ma vonë, u banë edhe ritmi i kangëve të ahengut. (Nji element melodik jo autokton “vendoset” mbi nji shtrat ritmik tonin).
Kështu ka ndodhë edhe me elementin tjetër thelbësor të këngës, melodinë. Muzika jonë asht e bazueme në sistemet muzikore të grekëve të vjetër, pra në modet Dorike, Fryge, Lyde, ose në rrjedhsat e tyne. Por kjo nuk do të thot aspak se muzika jonë e ka origjinën prej tyne, mbasi edhe e gjithë muzika europiane asht e bazueme në sistemin e grekëve të vjetër. Po të ishte se sistem do me thanë origjinë, thotë, jo pa ironi, muzikologu i njohur Gjon Kujxhia, edhe na shqiptarët po hyjmë në valle me popuj të tjerë të Europës…
Dhe menjiherë shton se edhe sistemi muzikor i grekve të vjetër nuk asht origjinal i tyne sepse tonalitetet kryesore të tyne Fryge dhe Lydjan, kanë ardhë prej Azisë së Vogël. Vetë Pithagora, themeluesi i sistemit dhe i teorisë matematike muzikore të grekëve, ka mësue prej priftenve egjiptianë. Pra, gjendemi përherë në vargonin e ndikimeve, e përmbyllë arsyetimin Gj. Kujxhija.
Kështu edhe muzika jonë e lehtë, në veçanti kanga shqiptare, nuk ka muejtë të zhvillohej pa këte marrëdhanie. Por shperfytyrimi i saj, siç vërehet jo rrallë, asht tjetër, asht shprehje e nji papërgjegjësie të madhe.
Çfarë e ban kangën shqiptare? Ritmi tradicional popullor apo metrika, perdorimi i pentatonit, ndonji sekondë e zmadhueme, elementet e polifonisë apo tingllimet modale? Kanga, si gjini, ka ndertimin e vet, por transmeton edhe frymen e saj, ku interpretimi, orkestracioni, ritmi e harmonia kanë rolin e tyne të madh. Trasmetimi i frymës shqiptare asht rezultat i nji mënyre të menduemit muzikalisht, tue asimilue e dashtë trashigiminë e madhe folklorike e traditen e re të shendoshë.
Kompozitori i parë profesionist shqiptar, Át Martin Gjoka (1890-1940), në pjesën e dytë të simfonisë së tij “Dy lule mbi vorr të Skanderbegut” përdori pa frikë, në temen hyrëse, intonacione të modit të parë kromatik (bizantin) apo të hixhazit otoman. E megjithëkëte çdo batutë e kësaj vepre, pikon aromë shqiptare. Pra fryma asht ajo që e përcakton karakterin e veprës. Nuk duhet pasë frikë nga ndikimet kur nuk bahesh rob i tyne. Dihet që terthori bizantin ka hy në muziken tonë para pushtimit osman. Pra asnji frikë: jemi në vargun e marrëdhenieve, që kush i perdor tue mendue shqip, tue e ndie veten shqiptar, i tingllojnë shqip, ndërsa të tjerët, që shpirtin e mendjen e kanë përtej pejsazhit të papërsëritshëm shqiptar, shkruejnë e interpretojnë muzikë pa frymë shqiptare.
Muzika jonë, edhe ajo e lehta, si kudo në botë, e aq ma shumë tek ne, asht në kerkim të shprehjeve e teknikave të reja, e kjo shpjegon edhe përpjekjen që shihet për të qenë origjinale, për t’iu shmangë stereotipeve. Të gjitha këto janë përpjekje pozitive, që u vërejtjen edhe në disa veprimtari të fundit në televizion. Por mos të vijë kush e të thotë se edhe ato të tjerat “pa markë”, janë përpjekje në kërkim të së resë. Ato janë kopje të kqija e për to nuk kemi nevojë, mbasi ne e duem, e shijojmë dhe e respektojmë edhe “origjinalin”, por vetëm kur na vjen si i tillë.
Ky qendrim rrjedh nga nji vetdije e thellë kombëtare, mbasi muzika jonë asht kaq e pasun me burime të pastra, sa nuk kemi pse me ja pasë lakmi kujt. Në nji territor relativisht të vogël, si yni, (historikisht-rezultat i nji ngushtimi shumë të madh), kemi nji larmi të jashtzakonshme shprehjesh muzikore popullore, që të habisin për pasuninë e ndryshueshmeninë befasuese. Pak kilometra e ndajnë monodinë e veriut me polifoninë e jugut, po sa kontraste të mrekullueshme befasuese kemi! Ka vende në botë ku, po të udhëtosh me qindra kilometra, ndjen po të njejten melodi…
Të ndërgjegjshëm për nevojen e theksimit të frymës kombëtare, kompozitorët profesionistë të së kaluemes së afërt, si Zadeja, Daija, Gjoni, Harapi, Mula, Laro, Dizdari, Krajka e mjaft të tjerë, kur krijuen kangë të tipit popullor, gërmuen ma thellë, aty ku gjithshka ishte ma e pastër, dhe krijuen shembuj-kulme si “Margjelo”, “Natën vonë”, Kangë jeho”, “Lule borë”, e sa e sa të tjera që tingllojnë edhe popullore edhe moderne.
Le të marrim dy kangët fituese të festivaleve të fundit në RTSH. “Kënga ime” e Sh. Saraçit-S. Marsit dhe “Suus” e Fl. Boshnjaku-R. Nishliu. E para frymëzohet nga burimet e pastra folklorike të Jugut dhe krijon nji kangë te re, moderne, shqiptare. E njejta gja mund të thuhet për kangën-balladë “Suus” që mban vulën e kohës, tue qenë nji vaj modern i Ajkunës, që “të çon” menjiherë tek burimi, në bjeshkët e Veriut.
Ne kemi nevojë për nji kangë, ku të ndjehet jo vetëm e reja e modernia, por edhe fryma shqiptare. Kjo nuk do të na vorfnojë në marëdhenie me boten, aq ma shumë me fqinjët tanë. Përkundrazi, me kangët tona shqiptare, do të pasunojmë me nji ngjyrë originale mozaikun e madh të muzikës në rajon e Europë. E mbasi ra fjala për Europen…
Nuk asht e thanë se kanga ma e mirë e festivalit duhet të jetë gjithnji edhe kanga që do të na përfaqsojë në Eurosong. Çdo vend ka mënyren e vet të përzgjedhjes për përfaqsim. Dhe të gjithë kërkojnë të jenë sa më origjinalë dhe befasues në përzgjedhjen e tyne. Asht kurjoz fakti që Federata Ruse, – të pakten këte kanë trasmetue mediat, – do të dërgojë në Eurosong nji grup folklorik me disa gra të moshuara të nji zone të largët.
…Mbas këti reflektimi për kangën shqiptare vjen e natyrshme dëshira të thuesh me za të naltë se ka ardhë koha t’i kthehemi analizës së kangës shqiptare jo vetëm ndër salonet e tryezat e televizionit. Të mos “lajmë duert” si Pilati, tue i kushtue nji tryezë ose faqe gazete. Kanga jonë do ta kapercejë pragun e derës së vet e të dalë në botë, vetëm kur do të jetë origjinale, e veçantë. E këte ja jep të qenunit shqiptare e bashkohore njikohësisht.
Për këte duhet të ndergjegjsohen jo vetëm krijuesit, por edhe ndigjuesi, populli, që duhet të jetë ma krenar për muzikën e vet, për kangën shqiptare
Marrë nga gazeta MAPO Online