Sokol Balla
Më në fund ata janë përballë njëri tjetrit. Pas një zvarritje gati dhjetë vjecare, Bamir Topi nuk i shmanget më dot përplasjes finale me Sali Berishen. Fjalitë e helmëta dhe sfiduese të Saliut këtë javë ishin përpjekja më e ashpër për të tërhequr në një konflikt final presidentin e Republikës. Fjali që tentonin t’i jepnin fund zvarritjes që Topi i bëri kësaj përplasjeje, pas gati tre vjetësh ofendimesh, insinuatash të ndyra, deklaratash publike, për të ardhur tek etiketimi i Horrit të Bulevardit.
Sot zoti Topi besoj është i bindur se atij i janë mbyllur dy segmente të politikës aktive. E para është Presidenca, por personalisht mendoj më mirë kështu. Gjatë këtyre katër vjetëve Bamir Topi u kompleksua nga origjina e tij partiake dhe e zbatoi “by the book” kushtetutën dhe ligjin. Intervista e tij e fundit e fortë i është dhënë autorit të këtyre radhëve në prill 2008 vetëm pak ditë para miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Ndryshime kushtetuese që paradoksalisht ai i miratoi në 18 minuta. Tha se respektonte institucionin.
Por ja ku sot Berisha tentoi të tallet edhe me këtë aspekt. Ndoshta pak edhe për përgjegjësi të Bamir Topit, fjalia e të cilit “unë flas edhe me heshtje” u kthye në legjendë urbane në mjediset politiko mediatike. Topi është një president i mirë, por megjithë kthimin që i bëri ligjit të pronave dhe ndonjë ligji tjetër të rëndësishëm, ai nuk ka arritur deri më sot të ndalojë atentatet e vazhdueshme ndaj kushtetutës, prej atij që është sot, omnibusi i politikës shqiptare të dy dekadave.
Bamir Topi dështoi t’i imponohej edhe gjykatave të rëndësishme si ajo e Lartë dhe Kushtetuese me emërimet e reja, të cilat ose u rrëzuan ose u kaluan vetëm ato që miratoheshin nga Kompania e Saliut. Sot si pasojë kemi më shumë shalëngjitur dhe të tredhur në këto dy gjykata dhe si pasojë sistemi i drejtësisë është de facto në kontroll të Saliut.
Topi u godit gjithmone me të njëjtën kartë: atë personale. Personale për Ina Ramën, përsonale për Shaqirin, personale për gjykatat, personale për votën. Fatkeqësisht Saliu e fitoi edhe këtë betejë. Reagimet më të ashpra, më direkte, më të forta të Topit, përfshirë edhe atë të javës së shkuar, janë ato, kur Saliu e ka ngacmuar atë direkt. Të gjithë ata që dëgjuan reagimin e Topit, gjithsesi vunë re, një dozë më të fortë kësaj radhe. Sepse incidenti i votës së Presidentit, që kur nisi synoi – dhe ky është segmenti i dytë që synon Sala t’i mbyllë Bamirit – është rikthimi në politikë aktive.
Kjo nuk lidhet me mundësinë e rikthimit të Topit në PD. Por me atë se Saliu ka kuptuar gabimin fatal që ka bërë me votën e Topit. Duke sajuar atë që sajoi, duke i mbyllur zyrtarisht Topit derën e PD, Saliu kuptoi pak me vonesë se bashkë me Topin do ikin edhe votat e shumta të një PDje të padukshme, larg Saliut dhe e disgustuar nga klonimet e tija, që nuk po vonojnë të tregojnë dështimin e tyre.
Saliu e di se me Aldo Bumcin dhe Lul Bashën i rruan trapin PDsë së Tiranës dhe mbështetësve të saj, të cilët tashmë prej disa muajsh po regjistrohen në partinë e re të Topit. Berisha ka kuptuar se nëse Metën dhe LSI i bleu me pushtet, këtë ofertë nuk ja bën dot LSI-së blu që po lind, e që mesa duket do ta nxjerri atë në opozitë pas një viti e gjysëm. Ndaj ai po godet tani fort Topin, që ta pengojë e demotivojë në këtë aksion. Me të gjitha mënyrat. Po a e kupton këtë vetë zoti Topi?
Dyshoj se ai deri vonë ka besuar se Berisha mund t’ja lërë hapur sërish një derë a dritare. Në mos rizgjedhje presidenciale, së paku një vend deputeti a ministri. Sulmi pas 21 janarit, të paktën sipas burimeve pranë qeverisë thuhet se erdhi pasi “Doktori u ndje i prerë në besë nga Topi”. Detajet nuk i di, por as nuk dua t’i besoj. Dua të besoj të kundërtën, se problemi i Topit është luajaliteti i tepruar i tij ndaj kreut të qeverisë. Eshtë ndonjëherë zelli i tepruar për paanshmëri, ndërkohë që ne kemi nevojë urgjente për Burra Shteti. Por unë besoj shumë se dita e Topit nuk ka ardhur akoma. Çka nuk shpresoj, është që ajo të mos vonojë shumë.
Sot kur vendi është zhytur në një abis politik pa kthim pas, kur Saliu vodhi kështjellën e fundit të rezistencës, Tiranën, kur në kafen në bodrum të bashkisë janë kthyer shoferë e bodigardë që u fusin duart punonjëseve, kur Cingija që ka zëvendësuar breshkat, filloi spërdredhjen e pritshme në prehrin e Babës, kur opozita ka lidhur duart për t’i qëndruar larg tundimit të pishtarit, vendi ka nevojë për një balancë të re.
Jo “institucionale”, “bashkëpunuese” dhe “gjithpërfshirëse”. Por për balancë politike dhe peshë të rëndë. Për këtë zoti Topi paraqet kandidatin më të mirë të mundshëm. Saliu këtë e ka kuptuar i pari me shpresen që i fundit të jetë pikërisht Bamiri.
Bamir Topi është njeriu që sot po i frikësohet shumë Berisha. Tani është në dorë të ish nënkryetarit të PD, që t’i dhurojë një vit të vështirë ish shefit të tij, derisa atij ti bien të gjitha gjethet, dhe të gjithë ne shqiptarë e të huaj (përfshirë dhe idiotin e mirë me birrë në dorë), që të kuptojmë se kush është realisht burri i shtetit, dhe Horri i Vërtetë i (mesit të) Bulevardit.