Tubim – homazh i opozitës për viktimat e 21 janarit. Berisha e Basha bllokojnë me polici transmetimin live të tubimit
TemA, 21 Janar 2013
Dy prej njerëzve të akuzuar për vrasjet e 21 janarit, kryeministri Berisha dhe Lulzim Basha, kanë ndaluar me polici transmetimin e homazhit të opozitës në rrugën “Pedonale”. Policia nuk ka lejuar mediat në këtë zonë, fakt që është denoncuar edhe nga kreu i PS-së, Edi Rama.
“Sali Berisha e Lulzim Basha bllokojnë me polici rrugën e kinemasë për të mos lejuar mediat ta transmetojnë live ceremoninë përkujtimore! Të mjerët nxitës të atyre vrasjeve sot u tremben një filmi dhe fjalëve të rastit për 21 janarin! S`kanë faj, krimi është hije që s`ndahet thonë”, u shpreh Rama
Pas tubimit homazh në kinema “Millenium”, Partia Socialiste ka shfaqur një dokumentar për “21 janarin”.
* * *
Sot shënohen 2 vjet nga demonstrata e 21 janarit, ku humbën jetën 4 protestues të opozitës.
Ashtu si edhe një vit më parë, Partia Socialiste ka organizuar një tubim homazh, që ka nisur nga selia e PS drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e deri përpara kryeministrisë, aty ku u vranë edhe katër protestuesit Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, raporton Ora News.
Marshimi i PS-së u kryesua nga lideri i saj Edi Rama, nga deputetë dhe familjarë të 4 viktimave të 21 Janarit. Në tubim ishin edhe mbështetës të Partisë Socialiste të ardhur nga disa rrethe të vendit.
Në lidhje me këtë tubim të PS, Policia e Tiranës ka marrë masa duke kufizuar edhe qarkullimin e automjeteve.
Ndërkohë, kreu i PS-së Edi Rama deklaroi dje se sot shënohet një tjetër 21 janar pa drejtësi, madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm.
Ndërsa sot shënohet 2-vjetori i 21 janarit ku mbetën të vrarë katër protestues, ende nuk ka një vendim nga gjykata në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka kërkuar që të vendoset drejtësia për 21 Janarin.







