HOMAZH KULTUROR PËR JETISH KADISHANIN

0
110

Biograf i palodhur i Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare

Prend BUZHALA

Në moshën 62-vjeçare, Jetish Kadishani (1948-2010) papritmas ndërroi jetë në Spitalin e Tiranës. Ai ishte hulumtues i palodhur i historisë së lavdishme tëpopullit të Kosovës. Mund të themi se ai ishte historiani publicist ndër më të zellshmit të historisë së Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare.

Jetish Kadishani hyn në radhën e atyre emrave që janë marrë me disa fusha të krijimtarisë intelektuale, studimore, publicistike e letrare. Për njerëzit e penës, sikundër ishte Jetish Kadishani, nuk kishte pushim as në rrethana të rënda, çfarë ishin ato të dhunës e të robërisë, apo të kohës së paqes.

Muza intelektuale nuk tërhiqet as atëherë kur nuk do të ketë qetësi a përgjumje, ashtu sikundër vepron edhe në kohën kur pushojnë armët.

Angazhime në fushën e shkrimeve dhe të botimeve

Për këtë gjë janë dëshmi edhe rreth 20 vepra të botuara nga JetishKadishani, siç është vepra poetike për fëmijë “Ecni ballëhapur, (Prishtinë 1974), apo ajo për të rritur “Lot në bebëza” (poezi, 2000), pastaj siç janë veprat folklorike e etnologjike “Fjalë të urta dhe shprehje popullore” (botimi Klubit Letrar “Jehona e Dukagjinit”, Klinë 1988), “Dertet e dynjasë” (këngë humoristike-satirike popullore, “Zëri i Dukagjinit”, Klinë 1992), veprat tjera historike-publicistike, si “Qazim Bajraktari-prijës i bajrakut të Astrzupit” (Prishtinë 1994, botimi i dytë 2001), janë monografitë që vijnë njëra pas tjetrës, si “Pishtari i dritës” (monografi për veprimtarin e arsimit Munish Ramadani, 1999), “Alush Smajli-Qerrataja – 1899-1946 {botuar më 2001), “Ndue Përlleshi, trimi i Dukagjinit” (2002, botimi i dytë 2009), “Sadik Rama-Gjurgjeviku”, 2003), “Ngjarje dhe portrete historike” 2004), “Bajram Çukovci- Curri, luftëtar i guximshëm i nacionalizmit shqiptar”, “Lufta e Çelisë së Siçevës dhe komandant Shaban Sadiku” “Ukë Sadiku” etj.

Te vepra e tij personale bibliografike “Bibliografi personale 1968-2004”, (2004), ku janë shënuar, 1502 njësi bibliografike të botuara e të publikuara, nënvizohet se janë rreth 922 njësi bibliografike të botuara nga lëmi i gazetarisë dhe publicistikës, 123 nga proza tregimtare folklorike, 195 nga poezia gojore, 46 nga njësitë minore, 110 njësi nga fejtonistika, 53 nga lëmi i shkrimeve etnografike, 39 poezi të botuara dhe një prozë e botuar.

Pra, për afro katër dekada kemi autorin e zellshëm që ka botuar shkrime në lëmin e letërsisë, publicistikës historike, gazetarisë, folkloristikës dhe mbledhjes së folklorit, etnografisë, po edhe të bibliotekarisë dhe bibliografisë.

Pos në revista e gazeta, shkrimet me preferenca shkencore janë botuar edhe te revytë shkencore “Gjurmime albanologjike” (Prishtinë), “Kultura popullore” (Tiranë), “Jehona” (Shkup) etj. Ndër to dallohen punimet “Kontributi i Anton Çettës në fushën e folklorit”, “Mbi jetën e veprimtarinë e Mati Logorecit”, “Disa besëtytni rreth paralajmërimit të vdekjes në Drenicë”, pastaj shkrimet për jetën dhe veprimtarinë e Qemal Haxhihasanit, për rolin e pedagogut në shkollë etj.

Pa pretendimin për të tërhequr vija të trasha midis kohëve, po theksojmë se rezultat i këtij angazhimi janë edhe angazhimi në lëmin e arsimit, zelli i treguar në lëmin e kulturës, si bibliotekar e librar i lartë, si correspondent e gazetar, po edhe si themelues e redaktues i revistave lokale, si “Fjala e lirë” dhe “Vatra”, “Jehona e Dukagjinit” etj., si dhe i revistës humoristike-satirike “Ngucakeqi”.

Dashamirët e librit do ta kenë takuar për vite të tëra nëpër biblioteka e me shpërndarjen e rrjetit librar të librit. Kurse fryt i këtij kontakti me publikun dhe me librin, me shkrimin studimor e publicistik, ishin edhe puna shumëvjeçare si korrespondent, puna redaktoriale në disa revista lokale e themelimi i tyre, si dhe puna në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës që nga viti 1968 dhe i Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, që nga viti 1991.

Realizime të mira ka arritur edhe në fushën e fejtonistikës, siç janë shkrimet “Ndue Përlleshi – trim i Dukagjinit” që doli në 22 vazhdime nëpër gazetat shqipe ndër ne, pastaj “Kuvendi i Dobërdolit” dhe “Dërvish Shaqa-rapsod homerik i këngëve shqiptare”, që u botua në “Bujku”.

Si publikimet historike, ashtu edhe ato fejtonistike, karakterizohen nga lënda e vjelur nëpër arkiva e nga burimet gojore të dëshmitarëve e të pjesëmarrësve në ngjarjet e kohës. Projektimi historik i dekadës së parë të shekullit XX nga këto treva, përfshin katër vëllime, nga të cilat u botua vëllimi i parë.

Folkloristika, vokacion i veçantë

Ky angazhim intelektual është shprehur edhe në punën e tij si anëtar i Shoqatës së Folkloristëve të Kosovës, po edhe si njëri ndër kryesuesit e Shoqatës së bibliotekarëve të Kosovës etj. Prandaj, të krijohet mbresa sikur vokacion i tij i veçantë mbetet puna në mbledhjen e materialeve folklorike, në botimin e në sistemimin e tyre gjinor në vëllime të veçanta folklorike.

Kështu, në paraqitjet për botim, presin radhën edhe tetë vëllime folklorike, si “Këngë popullore kosovare”, “Anekdota”, “Këngë dhe lojëra për fëmijë” II, “Lojërat popullore në Llapushë”, “Proza popullore e Lugut të Drinit”, “Leksikon i folkloristëve shqiptarë” etj.

Kështu, vëllimi “Fjalë të urta dhe shprehje popullore” është fryt i punës shumëvjeçare i qëmtimit të jetës shpirtërore dhe urtisë popullore, duke bredhur nëpër fshatra, në ndeja e tubime. Fjalët e qëmtuara janë dëshmi e të menduarit filozofik popullor dhe përfshijnë një hapësirë relativisht të gjerë të trevave shqiptare në Kosovë, Ulqin, Tivar, Tetovë e Gostivar. Përfshihen 2970 fjalë të urta, 520 mallkime, 407 urime, 93 gjëegjëza dhe 60 shprehje të tjera popullore, pra, me gjithsej 4150 njësi. Këto njësi janë shënuar sipas rendit alfabetik.

Sikundër dihet, deri më tash fare pak janë përmbledhur urime e mallkime popullore, prandaj në këtë drejtim vepra paraqet një risi dhe ndihmesë. Po kjo ndihmesë rishfaqet edhe në vëllimin “Dertet e dynjasë” që është një përmbledhje këngësh humoristike-satirike popullore. Libri “Dertet e dynjasë” i Jetish Kadishanit përfshin 37 këngë, të mbledhura nga gjashtë bartës-autorë. Janë 37 freska humoristike-satirike, në të cilat është ngjizur një ligjërim karakteristik artistik.

Me sa jemi në dijeni, në fushën e botimeve folklorike deri më tash nuk është publikuar një vëllim i tillë kaq origjinal! Kënga me tone satirike, sikundër pohon studiuesi Shefqet Pllana, i shtjellon brengat njerëzore në gjirin e popullit tonë. Vëllimi hapet me shtatë këngë të poemës “Dertet e dynjasë”, e cila ka 266 vargje. Bartës i saj ishte Demë Berisha nga Gjurgjeviku i Madh, krijues i njohur popullor i këngëve rapsodike, bujk autodidakt e plak i autoritetshëm.

Kjo poemë ta kujton epin “Gargantua e Pantagrueli”. Vëllimi i paraqet edhe emrat e bartësve popullorë të këtij zhanri kaq interesant, të cilët, po ashtu, janë edhe vetë njohës, mbledhës e interpretues të dalluar të krijimtarisë popullore. Këngët i shquan toni didaktik: si të mënjanohen e keqja, e liga, e dëmshmja, e prapambetura, interesat e ngushta materiale; po ky ton e mbizotëron edhe aspektin estetik e atë të përmbajtjes së këtyre këngëve.

Përkushtimi në veprat e histories publicistike

Me veprat e tij monografike të publicistikës historike, Jetish Kadishani dallohet si shkrimtar e studiues me përvojë, dallohet me përkushtimin për ndriçimin e ngjarjeve dhe figurave historike, sidomos nga Lëvizja Nacionaldemokratike Shqiptare në dritën e së vërtetës historike, të jetës dhe veprimtarisë patriotike të nacionalistëve të Kosovës. “Më së fundi, pas një hulumtimi shumë të gjatë, ecejaket e pambarim shtëpi më shtëpi, nga katundi në katund, erdhi kënaqësia shpirtërore, intelektuale dhe historike, që i dha fati i madh, rasti e privilegji, për të nxjerrë nga pluhuri i harresës shumëvjeçare figurën e madhe të nacionalistit të shquar, trimit të bjeshkëve të Kosovës, heroin sypatrembur Ndue Përlleshi”, thuhet në një shkrim recensional për veprën e tij.

Ai me meritë e merr vlerësimin si biograf i palodhur, për të nxjerrë në dritë nga thellësia e viteve historike figurat e mëdha historike të patriotëve që mbetën për pesë dekada të pandriçuara si armiq të popullit e të Jugosllavisë.

Ai botoi një seri veprash, serioze, që janë shkruar deri më sot në Kosovë dhe trojet etnike shqiptare; dallohet për perceptimin e të vërtetës historike pa ngarkesa politike e ideologjike, shquhet me gjuhën bindëse e argumentuese të fakteve historike, që për herë të parë publikisht po i jepnin përgjigje gënjeshtrave e shpifjeve historike serbomadhe e të komunistëve shqiptarë.

Veprimtarinë e tij e begaton edhe angazhimi në jetën politike e të rezistencës kombëtare gjatë dy dekadave të fundit. Kështu, ai ka qenë ndër drejtuesit e Partisë Shqiptare demokristiane në Klinë gjatë viteve-90, pastaj i spektrit të djathtë politik i partive tradicionale (që heqin udhë që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej).

Në një telegram të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (Albanian League of Prizren), nga Kryesia me Qendër në Nju Jork, SHBA, thuhet: se i ndjeri Mr. Kadishani, ka qenë pjesëmarrës aktiv në nëntë simpoziume historike kushtuar ndriçimit të figurave të së Djathtës Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike, mbajtur në disa qytete dhe shtete të Evropës, si: Hamburg, Shkodër, Prizren, Klinë, Burim (Istog), Shkup, Rrëshen, Ferizaj, Kukës, punime të cilat janë botuar në 9 volume; se paralelisht me këto aktivitete shkencore historike, ai ka qenë bashkëpunëtor dhe referues serioz në shumë takime në përkujtim të shumë figurave të shquara kombëtare të mbajtura në trojet etnike shqiptare dhe diasporë.

Dashamirët e librit do ta kenë takuar për vite të tëra nëpër biblioteka e me shpërndarjen e rrjetit librar të librit. Kurse fryt i këtij kontakti me publikun dhe me librin, me shkrimin studimor e publicistik, ishin edhe puna shumëvjeçare si korrespondent, puna redaktoriale në disa revista lokale e themelimi i tyre, si njëri ndër drejtuesit e revistës prestigjioze lokale që zuri të dilte që nga fundvitet-6-e deri më 199 në Klinë, pastaj i revistave lokale, si “Fjala e lirë”, “Fëmijët e Dukagjinit”, “Vatra” etj, si dhe i revistës humoristike “Ndërskamca”.

Ndërkaq, puna e tij në përhapjen e librit shfaqet edhe në veprimtarinë e botimeve, si drejtues i Shtëpisë Botuese “Drenusha”, ku kohëve të fundit botoi vëllimin e plotë të veprave të Din Mehmetit.