Holbrook rrëfen pendesat për Ballkanin

0
70

Nga Beqë Cufaj, 23 Shkurt 2012

I emocionuar mbase pse ishte kthyer në një vend ku vetë kishte punuar për vite të tëra (American Academy) por edhe më tepër për faktin që fliste para sallës së mbushur plot e përplot, buldozeri i diplomacisë amerikane Richard Holbrook, dikund para 7- 8 vjetësh pranë liqenit Wansee në afërsi të Berlinit – pikërisht aty pra ku ishin qëndisur planet për Holokaustin, pas ligjëratës për punën e tij si diplomat… në një pyetje nëse ishte penduar për ndonjë gabim në punën e tij të, pasi u mendua paksa… u përgjigj me fjalët: “Po, jam penduar me një gabim në Dayton. Jo me planin, sepse plani ishte e vetmja rrugë e mundshme për ta ndalur atë tmerr. Por, ajo që s’ia fali vetes është se si pranova para Milosheviqit e Karaxhiqit, që zonat serbe t’i quanim “Republika Srpska”.

Edhe sot e kësaj dite, edhe në këtë çast, sa herë mendoj për atë lëshim çmendem nga hidhërimi dhe pendimi… Sepse e dini, në Ballkan, njerëzit mund t’i lini edhe pa bukë e ujë… por t’u merrni apo jepni “Republika”… është diçka më shumë se emocionale!…”.

Këto fjalë të Holbrookut do të duhej t’i mendojmë sot e këto ditë kur shohim se çfarë me Republikën (apo thënë edhe më mirë) ish-Republikën e Kosovës ndodhi e po ndodh. Në morinë e krahasimeve dhe shembujve pse Hashim Thaçi ka gabuar e ka shkalluar, ka tradhtuar e poshtëruar, s’ka dyshim që edhe ky i “Republika Srpska”-s do të duhej të na sillte te një fakt sado i dhembshëm aq edhe i vërtetë: me gjak dhe luftë, agresion dhe vrasje – fitohet Republika. Kështu kanë bërë fqinjët serbë.

Dhe janë po këta serbë që shtetit të Kosovës ia bënë jetën e vështirë dhe tashti, menjëherë pas katër vjetësh Republike e Pavarësie, arritën atë që askush nuk do të mund ta imagjinonte: t’ia heqin Kosovës Republikën, e bile bile edhe të varin fusnota këmbëve e qafës së saj.

Edhe një dilemë e frikshme: nëse Kosova e paska fusnotën për “takime rajonale”… kush dhe si nuk na garanton që ajo fusnotë nuk do shfaqet edhe në takime të cilat do mbahen në Uashington, Berlin, Paris, Londër e të mos flasim për vende tjera.

Natyrisht, që do shfaqet ajo fusnotë dhe do hiqet Republika, sepse në shumicën e rasteve edhe Serbia edhe fqinjët do jenë aty, ku do të jemi edhe ne. Enver Hoxhaj t’ua përgatitë diplomatëve të tij qaforet me 1244! Sepse aty ku ai i ka ata – do t’i ketë edhe serbët që do kërkojnë 1244!

Pa radhitur këtu morinë e mungesave tjera që Kosova NUK merr si shpërblim për këtë pabesi të Thaçit dhe kryekëput Thaçit… s’ka njohje nga pesëshja e BE-së, s’ka anëtarësim në OKB, s’ka anëtarësim në FIFA, UEFA etj. etj. etj.

Pyetjes pse Thaçi e bëri një gjë të tillë tashmë i jemi përgjigjur të gjithë dhe e dimë: ta shpëtojë shpirtin (edhe ashtu të shitur) nga hetimet, keqqeverisja, rrëshqitja e shpejtë. Teorisë së konspiracionit që amerikanët e gjermanët duan ta dobësojnë atë me këtë hap… nuk duhet besuar sepse Thaçin nuk mund ta shpëtojë as vetë Thaçi.

Ky njeri është thjesht një aksident në historinë e re dhe politikën e shqiptarëve të Kosovës. Vendin e ka ku të dojë ai, por jo aty ku është. Ata “ministra” të tij që janë skaj tij sot – do të duhej të turpërohen kë e kanë shef.

Gjëja më e rëndë që Kosovës po i ndodh me këtë “po” është se po prishet Pako e Ahtisaarit, po zhvlerësohet shtetësia dhe po Tajvanizohet e Maqedonizohet Kosova. Pa përmendur këtu korrupsionin, krimin, keqmenaxhimin etj. etj. të Thaçit e kompanisë së tij te të cilat edhe duhet gjetur gjeneza e këtij hapi tragjik.

Është perverse kur dikush akuzon opozitën për “gjuhën” e saj – siç bënin njerëz të Thaçit dje në medie. Kosova s’ka opozitë – e aq më pak Qeveri. Ose, në këtë lëshim të Thaçit opozitë është dhe do jetë çdo qytetar i këtij vendi dhe kjo punë do ta ketë një bisht. Apo t’i harrojmë ato se çfarë Holbroooke thoshte në Wansee para 7-8 vjetësh…

Le t’ia shtojmë edhe një fakt skanimit të situatës sot – rrëfimin e Havelit në Columbia, në vitin 2006. Vizionari i madh thoshte: “Si disident që isha, jo rrallë vizitohesha nga gazetarë perëndimorë…dhe ata më pyesnin: -”Cili është kuptimi i kësaj që po bëni? Nuk keni as edhe një shans të fitoni apo keni rezultate, sepse jeni një grup i vogël dhe si mund ta ndryshoni tërë këtë sistem të madh?”.

Ose shtonin “Ku janë ata miliona punëtorë të cilët do të duhej t’iu përkahnin juve?”. Dhe gjithmonë u përgjigjesha: “Keni kujdes: diçka po ndodh përfundi sipërfaqes. Ju nuk e dini këtë por një ditë do të mund të jeni shumë, shumë të befasuar”. Dhe vërtet – ju nuk e dini. Ose po bëheni që s’e dini!