I. Përkufzimi i esesë
Eseja është një krijim letrar që i kushtohet paraqitjes së ideve vetjake të autorit për një çështje dhe në përgjithësi, një aspekti të veçantë të një teme që merret për shtjellim. Shpesh, e shkurtër në qëllime dhe informale në stil, eseja dallohet nga forma të tilla formale si teza, disertacioni, apo traktati dhe mbetet si një zhanër apo lloj i ndërmjetëm i artit të të shkruarit, një lloj centauri letrar, ku autorit i lejohet të citojë dhe të bëhet i citueshëm, të gdhendë stilin vetjak dhe t’i vijë anësh stilit të të tjerëve, të lëshojë fantazinë krijuese dhe njëkohësisht të mos ia lejojë vetes të bëjë prozë fiction. Shkurt eseja është një zhanër i çlirë që burgos autorin.
II. Zanafilla e formës së esesë
Pavarësisht llojeve të ndryshme në veprat e shkrimtarëve latinë si Ciceroni, Seneka dhe Plutarku, eseja në thelb është një shpikje e Rilindjes evropiane dhe sidomos e shkrimtarit francez Michel Eyquem de Montaigne. Zhvillimi i formës mund të quhet një prurje e emfazës së Rilindjes për individualen, që lëvron zbulimin e brendësisë së vetvetes në marrëdhënie me botën e jashtme. Esetë e Montaigne-it (siç i quajti ai përsiatjet e shkurtra vetjake në prozë, të cilat filloi t’i botonte në vitin 1580) u krijuan në kohën e një riorientimi të madh intelektual dhe shoqëror–koha kur evropianët po sistemonin botëkuptimet e tyre dhe vlerat, duke respektuar një numër të madh çështjesh, duke përfshirë vdekjen dhe mundësinë e një jete të përtejme, udhëtimin, eksplorimin dhe marrëdhëniet shoqërore. Të gjitha këto mbeten temat kryesore të esesë.
III. Anonimiteti dhe pseudonimet
Kur individualizmi i Rilindjes nisi të perëndojë, eseistët krijuan shumë shpesh personazhe të pavërtetë, duke përdorur pseudonime, ose thjesht mbeten anonimë. Temat e tyre vijuan, megjithatë, të përcaktoheshin nga pikëpamjet vetjake. Një pseudonim shpesh i bind lexuesit se ata kanë diçka të përbashkët me eseistin. Kësisoj, jo vetëm për mbrojtjen e tij vetjake, por ndoshta edhe për të krijuar një marrëdhënie me lexuesit e tij, satiristi anglo-irlandez J. Swift e quajti veten “Tregtar pëlhurash” tek Letrat e tregtarit të pëlhurave (1724-1725). Gjithashtu ai pretendon të jetë ekonomist tek Një propozim i përkorë (1729). Të dy veprat janë komente tepër provokuese për kushtet në Irlandë. Esetë e bashkëkohësve të Swift-it, Joseph Addison dhe Sir Richard Steele ishin vëzhgime për skenën shoqërore e politike. Gazeta ku ato u botuan së pari ato titullohej Spektatori (1711-1712).
Charles Lamb, një nga mjeshtrat e mëdhenj anglezë të formës së esesë, bëhet “Elia i sjellshëm”, duke përdorur një emër të marrë hua nga partneri i zyrës, për të firmosur esetë e veta. Këto reminishenca të këndshme u botuan në dy koleksione, në vitin 1823 dhe 1833. Duke i quajtur esetë e tij për jetën e Londrës Skica të Boz-it (1836)–duke marrë hua pseudonimin e fëmijërisë së të vëllait,-shkrimtari anglez Charles Dickens vijoi traditën e hapur prej paraardhësve. Novelisti anglez William Thackeray i firmoste shkrimet e veta Letërkëmbimi i Yellowplush (1837-1838) me pseudonimin Michael Angelo Titmarsh, duke synuar të japë vëzhgimin social dhe letrar të një këmbësori. Ndoshta, personazhi më i mrekullueshëm i rremë ishte humoristi amerikan Samuel Langhorne Clemens (ose Mark Twain i mëvonshëm), kriticizmi social i të cilit u shfaq në ese të ndryshme të firmosura Rreshteri Fathom, Thomas Jefferson Snodgrass, Satan, ose W. Epaminondas Adrastus Blabb.
IV. Stilet e ndryshme të esesë
Kritiku anglez i shek. XIX William Hazlitt njihet për stilin e tij të shkëlqyer në prozë dhe njohjen e gjerë të artit, letërsisë dhe filozofisë. Hazlitt-i mori pjesë në shumë diskutime letrare të ditës dhe nuk ngurroi ta drejtonte fuqinë e tij shkrimore kundër autorëve dhe kritikëve, të cilët nuk pajtoheshin me të ose kritikonin punën e tij. Në këtë aspekt, në esenë e tij, “Njeriu është një kafshë zhabangrënëse”, Hazlitt-i u tall me prirjen njerëzore për të admiruar pushtetin mbi vlerat e tjera.
Ngaqë eseja është e plotë dhe shpreh shqetësime vetjake, stili i saj nuk është i përcaktuar përfundimisht. Madje, ajo nuk është e kufizuar tek proza, siç tregojnë poema Ese për kriticizmin (1711) dhe
Ese për njeriun (1733), shkruar nga anglezi Alexander Pope. Eseja ka një formë të zhdërvjellët e të lirshme dhe mund të zhvillohet sipas dëshirës së shkrimtarit. Ajo mund të jetë formale, si tek Ese, ose këshilla civile e morale (1597-1625) e filozofit dhe statistit anglez Francis Bacon, ose rastësisht bisedore, si tek “Për kënaqësinë e të urryerit” (1823) e kritikut anglez William Hazlitt. Ajo mund të jetë lirike, si tek Maine Woods (1864) e filozofit amerikan Henry David Thoreau, ose orakullare, si eseja e transhendentalistit amerikan, Ralph Waldo Emerson–për shembull “Fati” (1860).
Një ese mund të marrë formën e një letre, duke përfshirë komente tekanjoze për vlerat bashkëkohore, si në veprat e shkrimtarit anglez Oliver Goldsmith (Qytetar i botës, 1762) dhe C. S. Lewis (Letra, 1942). Eksperimentues të shquar bashkëkohorë për formën e esesë janë shkrimtari amerikan Norman Mailer, i cili zhvilloi një stil që ndërthur biografinë, dokumentet kinematike, historinë, gazetarinë, dhe fiksionin, si në veprat Ushtritë e natës (1968), përsiatje për protestat kundër Luftës në Vietnam (1959-1975); dhe Tom Wolfe, esetë e të cilit (shumë syresh të mbledhura në Dekadat e purpurta, 1982) janë komente të mprehta për tendencat amerikane bashkëkohore.
V. Tradita evropiane
Eseja lulëzoi në shumë gjuhë. Tradita franceze e përuruar nga Montaigne begatoi në shek. XX në përsiatjet politike e sociale të shkrimtarëve ekzistencialistë si Albert Camus (Rezistencë, rebelim dhe vdekje, 1945) dhe Simone de Beauvoir (Seksi i dytë, 1949). Novelisti gjerman Thomas Mann (Çmimi Nobel, 1929) ishte gjithashtu eseisti më pjellor, siç tregon edhe përmbledhja Ese të tri dekadave (1947). Gjithashtu, poeti indian Rabindranath Tagora vlerësohej shumë për esetë e tij lidhur me subjektet letrare, filozofike dhe fetare (për shembull, tek Njësia krijuese, 1922).
Eseja u bë veçanërisht popullore në Poloninë moderne, përmes veprës së poetit Zbigniev Herbert dhe kritikut Jan Kott. Eseistë të famshëm rusë janë Ivan Turgeniev (tek Skicat e një sportisti, 1852) dhe Aleksandr Solzhenicin, i cili, një shekull më pas vijoi traditën e Turgenievit duke portretizuar me realizëm padrejtësitë shoqërore. Sikundër Mailer-i, Solzhenicini ndërthuri rrëfimin me reportazhin, dhe ai e zgjeroi formën e esesë deri në përmasa monumentale tek Arkipelagu Gulag, 1918-1956: Një eksperiment në hulumtimin letrar (tri vëllime, 1974-1978).
VI. Zhvillimet e shek. XX
Shkrimet e autorit amerikan James Baldwin shpesh bëjnë fjalë mbi trazirat raciale në SHBA gjatë shek. XX. Baldwin beson se problemi racial në Amerikë përfshin një shqetësim simbolik me ngjyrë, dhe në të vërtetë ai drejtohet me tepër nga “frikërat vetjake dhe dëshirohet të projektohet tek të tjerët”. Ky fragment, i cili lidhet me forcimin e pushtetit të dashurisë, vjen nga vepra e Baldwin-it “Zjarri herën tjetër” (1963), një padi për shoqërinë amerikane.
Kështu, pavarësisht opinionit të përhapur në fund të shek. XX, se eseja ka perënduar ose ka pushuar së shkruar dhe lexuari, forma e saj ka vijuar të rritet, duke u ndryshuar nga kohërat dhe vlerat. Si shtesë në punën e shkrimtarëve modernë të përmendur më sipër, shembuj të shëndetit të kësaj forme mund të gjenden në reflektimet humoristike të jetës moderne të shkruara nga amerikani E. B. White, një nga stilistët më të këndshëm të prozës moderne. Një botim i zgjedhur i eseve të tij u publikua në vitin 1977. Ese të shquara letrare janë edhe ato të novelistes angleze Virgina Woolf (Seritë e lexuesit të zakonshëm, 1925 dhe 1932) dhe të E. M. Forster-it, dhe ato të kritikut dhe tregimtarit anglez V. S Pritchett. Ese të shquara janë shkruar nga amerikanë sa të ndryshëm në stil dhe në rrekje aq dhe satirikë dhe kritikë si H. L. Mencken (Paragjykimet, gjashtë vëllime, 1919-1927), kritiku i filmit dhe letërsisë James Agee (Le të lëvdojmë njerëzit e shquar, 1941). Po ashtu e shkruan gjer vonë me sukses këtë gjini edhe mjeku Lewis Thomas (Jetët e një qelize, 1974).
Eseistë të spikatur janë gjithashtu edhe Susan Sontag (Kundër interpretimit, 1966), Stephen Jay Gould (Që prej kohës së Darvinit, 1977) dhe Calvin Trillin (Liritë joqytetare, 1982).
Më tej, eseja është mishëruar dhe ka gjetur shprehi në mediumin e filmit. Te Histori luiziane (1948), një film dokumentar me regjisor Robert Flaherty, rrëfimtari i shikon ngjarjet në një këndvështrim ashtu sikurse fotografi dhe regjisori kuadratojnë të njëjtën ngjarje. Dokumentari duket i ndikuar nga zhvillimi në televizion i konceptit për një “pamje periodike” në programe si “60 minuta”, “Amerika”, rrëfyer nga gazetari anglo-amerikan Alistair Cooke; dhe “Qytetërimi” i rrëfyer nga historiani anglez i artit Sër Kenneth Clark.