Historike është vetëm vonesa dhe paturpësia

0
63

Mero Baze

Nga Mero Baze

Pas vendimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian për të pranuar shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, qeveria shqiptare duhet të reagonte me përunjësi për t’u kërkuar ndjesë shqiptarëve për thyerjen e gjithë rekordeve historike që ka bërë lidhur me këtë proces. Duke u përpjekur të komplikojë fjalitë e veta të ndjesës, për t’i bërë ato të rëndësishme, kryeministri, Sali Berisha, nuk u shpjegoi në të vërtetë shqiptarëve përse dita e djeshme ishte historike për ta.

Së pari është historike ajo që ka ndodhur mes Bashkimit Evropian dhe Sali Berishës dhe jo mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Rekordi i hidhur historik mes këtij politikani dhe Bashkimit Evropian ka të bëjë pikërisht me vendimin e djeshëm. Sali Berisha aplikoi kundër dëshirës së Bashkimit Evropian para zgjedhjeve, më 28 prill, dhe Bashkimi Evropian për gati gjashtë muaj nuk e preku me dorë zarfin e tij. Deri më sot rekordin e ka pasur Mali i Zi, të cilit ia kanë vonuar dy muaj hapjen e zarfit.

Vendet e tjera të Ballkanit, të cilat këtë proces e kanë kryer nga 7 deri 2 vjet përpara nesh, nuk e kanë vonuar as nga një javë marrjen e përgjigjes. Ky është rekordi i parë, më i zi dhe më “historik” i Sali Berishës me Evropën.

Rekordi i dytë historik është se ne jemi vendi i fundit në Ballkan që me zor shkuam deri te fillimi i procedurës. Gjithë shqiptarëve, që nuk e kanë të qartë “fitoren historike” të djeshme, duhet t’u shpjegojmë se Komisioni Evropian do të kërkojë një vit e gjysmë kohë të japë një opinion, nëse ne do të marrim ose jo statusin e vendit kandidat për anëtar. Këtë procedurë Maqedonia dhe Kroacia kanë nja dy vjet që e kanë përfunduar. Dhe ky është një rekord historik për vonesën që na ka shkaktuar qeveria e zotit Berisha.

Rekordi i tretë historik ka të bëjë me procesin e liberalizimit të vizave, i cili ka lënë jashtë liste Shqipërinë dhe Bosnjën. Nëse kemi parasysh që Bosnja është një vendi multietnik me tri etni, boshnjake, serbe dhe kroate, dhe aty shumica e qytetarëve kanë liri lëvizjeje, se disa shpallen serbë dhe disa kroatë. Ne, shqiptarët, praktikisht thyejmë dhe këtu rekordin e mosliberalizimit të vizave për arsye të qarta politike.

Megjithëse Berisha përpiqet të flasë publikisht për arritje të standardeve teknike, është e qartë se ngërçi është politik dhe ka të bëjë së paku me tri çështje të mëdha, me krizën politike, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medies, në të cilat Berisha përditë po dëshmon përkeqësim të standardeve.

Pra, duke qenë vendi i fundit në Ballkan, që na u vonua për shkak të Berishës gjashtë muaj hapja e zarfit dhe që do na shkojë dhe nja dy vjet marrja e përgjigjes, duke qenë vendi i fundit në Ballkan sa i përket procedurave të këtij statusi, dhe duke qenë vendi i fundit në Ballkan që jemi mbrapa me liberalizmin e vizave, mund të thuhet pa frikë se dita e djeshme ishte historike, pasi na i rikujton të gjitha vonesat e shkaktuara nga qeveria Berisha në procesin e integrimit evropian. Unë nuk kuptoj se si një politikan, i cili në një pistë vrapimi është i fundit, të ketë fuqi dhe të bërtasë fitore, siç ka fuqinë e mungesës së turpit kryeministri ynë. Dje ishte një rast i mirë që ai të kërkonte ndjesë dhe të tregohej modest në kërkesën e tij për bashkëpunim politik dhe në premtimin se do hiqte dorë nga kontrolli mbi pushtetin gjyqësor dhe medien. Përkundër kësaj, pikërisht në ditën e keqe për shkak të tij, ai guxon, pasi ka arritur disa vjet pas të tjerëve, atje ku asgjë nuk është fitore, por thjesht fillim, e bërtet: “Fituam!” Edhe kjo është historike, por si paturpësi.