Shtëpia ku jeton Elsa, 15 Prill 2013
Vajza, që ka denoncuar mësuesin e saj, thotë se do të vetëvritet. Rrëfimi prekës i saj për një histori që po mban pezull jo vetëm një fshat të tërë
Nga Lindita Çela
Ka sy të shkruar e flokë korb të zezë. Trup të thajmë e shtat të lartë. Nuk është fëmijë, por as vajzë, përballë së cilës nuk do të rezistonte dot asnjë mashkull, qoftë ky dhe mësuesi e saj. Por Elsa është e vetmja bukuri në shtëni e Gjoni Vorfit, në fshatin Gziq, rreth një orë larg Rrëshenit. Është gati e pabesueshme që një krijesë që duket kaq e dëlirë dhe e bukur rritet pikërisht aty ky mjerimi dhe paradoksi janë në normalitet.
Elsa duket i vetmi njeri normal në këtë shtëpi që kundërmon e tëra, dhe të atit prej 24 vjetësh nuk i ka thënë kush punë e mbarë.
Shtëpia ku jeton Elsa është një kasolle dhe një dhomë e vetme shërben sipër të pritur miqtë, për të ngrënë dhe për të fjetur. Elsa të tregon shtratin e saj, që është përballë atij të prindërve, në atë dhomë që për dysheme ka tokën. Një sobë e vjetër shërben për ngrohje e një dreq e di se si Gjoni ka mundur të ketë në atë shtëpi një televizor LG 62 polsh, ku ai është pronar i vetëm i telekomandës. Ndërsa nga një dhomë tjetër, herë pas here, dëgjohen disa ulërima që të kallin datën…..
Gjoni, i ati Elsës
Tek Elsa
Derën e shtëpisë e hap Elsa e me një zë të frikësuar thërret të atin, pa guxuar të na ftojë dhe as të na qasë. Gjoni, sytë e të cilit janë tejet të skuqur e sa s’po plas nga shëndeti, të fton në dhomën, ku veç televizorit LG, nuk ka asnjë orendi normale. Menjëherë nis e të rrëfen se ç’i ka ndodhur të bijës, sikur të ishte historia më e bukur e jetës së tij. E quan grua, vajzë të turpëruar, që nuk do të shoh më dritën e diellit, jo më të prekë pragun e shkollës. Madje në zellshmërinë e tij të rrëfimit, Gjoni e quan edhe “dashnorin e vajzës”, mësuesin që mesditën e së premtes ka tentuar të kryejë veprime të turpshme me 14- vjeçaren.
Të thotë se do e vrasë mësuesin e anglishtes se këtë turp veç gjaku e lan. Të flet me zë të lartë e fjala humbet arsyen në gojën e tij, aq sa nuk mund të kuptosh nëse je në shtëpinë e një matrapazi apo të një prindi, vajza e të cilit, endë fëmijë, ka përjetuar historinë më të tmerrshme të jetës së saj. E ndërsa Gjoni ulëret teksa rrëfen çdo t’i bëjë mësuesit, gruaja e Gjonit nuk guxon të flasë. Elsa dridhet e tëra e klithmat që vijnë nga dhoma tjetër duket se i japin forcë 14 vjeçares në rrëfimin e saj. Gjoni të thotë se gruan e ka sëmurë. Ka probleme mendore, por nuk është aq keq si djali, që e mban të mbyllur në dhomën tjetër pasi as nuk flet e as nuk ecën. Gjoni të shpjegon se klithmat ulëritëse i lëshon djali i tij, 24 vjeçar, që një zot e di se në ç’kushte mund të jetojë në atë dhomë të kyçur, kur kjo e hapura është në këtë derexhe.
Dilja nuk thotë asnjë fjalë, edhe pse duhet të ishte e tmerruar nga historia e vajzës, por në heshtje sytë e saj të kallin datën.
Elsa më duket i vetmi njeri normal në këtë shtëpi, nëse mund të quhet e tillë një fëmijë që kujdeset si për nënën, ashtu dhe për vëllain e saj.
Tek mësuesi
Elsa është nxënësja më e mirë e shkollës 9-vjeçare në fshatin Gziq. Por që sot ajo nuk do të shkelë më këmbë në shkollë. Ky është vendimi që ka marrë Gjon Vorfi e 14- vjeçarja nuk ka rrugë tjetër, megjithëse ënda ia kishte të studionte për gjuhë shqipe. Elsa pëlqen muzikën e kërcimin, e si çdo adoleshente ç’nuk do të jepte për të dëgjuar Noizin.
Por Elsa nuk është adoleshente, e kurrë nuk ka jetuar një ditë të tillë mes atij mjerimi.
Nuk guxon të dalë të shoh dritën e diellit. Një fshat i tërë ka dëgjuar se si mësuesi i anglishtes ka tentuar të ngacmojë nxënësen e tij. Elsa ka frikë të shkojë në shkollë, po aq sa ka frikë të rrijë në atë shtëpi, ku nuk besoj se i ka thënë kush një fjalë të ëmbël apo e ka përkëdhelur ndonjëherë. Është e mallkuar të rritet që në lindje.
Teksa nis e rrëfen se si mësuesi e ka ftuar në shpi e më pas ka tentuar ta puthë, lotët i rrjedhin kur e pyet nëse do të shkonte më në shkollë. Elsa e di fort mirë se tash e tutje të gjithë do ia bëjnë me gisht, e të parët janë shokët e shkollës. Në fshatin Gziq ajo nuk ka më jetë. Edhe ajo fije e hollë lirie, që e lidhte atë me botën normale, duket se është këputur të premten pasdite kur ajo denoncoi mësuesit e saj për veprime të turpshme.
Rrëfimi i Elsës lë fort shtigje dyshimi, por tek e sheh ashtu, aq të brishtë e të dëlirë, aq fëmijë, që më parë se sa t’i gëzohet jetës mendon për vdekjen, beson fort se Elsa nuk është vetëm viktimë e mësuesit të saj.
Në fakt, në Gqiz askush nuk e beson historinë e Elsës. Për Dedë Gjinin të gjithë vënë duart në zjarr për ndershmërinë e tij. Lajmi se 62- vjeçari ka tentuar të ngacmojë nxënësen e tij 14-vjeçare ka rënë si bombë në fshat. Askush nuk e beson që mësuesi prej 40 vitesh i fshatit, të ngacmojë një vajzë 14-vjeçare. Po Elsa insiston fort në historinë e dhunimit të saj. Një histori kjo që tani për tani e ka mbyllur brenda kasolles së saj ku nuk ka ëndrra, por vetëm zëra ulëritës që kërkojnë hakmarrje, e klithma dëshpëruese të një 24- vjeçari që duket sikur kërkon ndihmë.
E atëherë Elsa dridhet si purtekë. Sytë e shkruar përmbyten në lot e më zë të mekur të thotë se nëse: “Babi hakmerret ndaj mësuesit, do të vras vetën”.
E ndërsa e sheh atë fëmijë, aq të bukur, por kaq tragjik, sytë e saj të akullt, pa jetë, duket sikur të thonë se nuk kanë asgjë për të humbur. Jeta e saj është shuar, edhe nëse ka pasur ndonjëherë jetë në atë gërmadhë mjerimi.
INTERVISTA/ Dëshmia e vajzës që akuzon mësuesin se ka tentuar të kryejë veprime të turpshme me të
Gjon Vorfi është tërë kohën aty teksa vajza e tij rrëfen se si mësuesi i anglishtes e ka ftuar në shtëpinë e tij e më pas ka tentuar ta puthë e zhveshë. Për fat, vajza ka mundur të ikë, ndërsa pasditen e së premtes, e shoqëruar nga i ati ajo ka dëshmuar në policinë e Rrëshenit gjithë tmerrin e saj, për të cilën 62- vjeçari, Dedë Gjini, është arrestuar tre ditë më parë. Për TemA-an vajza rrëfen historinë e dyshimtë për mësuesin që e ka ftuar në shtëpinë e tij për konsultime e më pas ka tentuar të kryejë veprime të turpshme.
A mund të më thoni se çfarë ka ndodhur më mësuesin e anglishtes të premten e shkuar?
Para tre ditësh unë kam bërë provim në anglisht dhe në mëngjes, mësuesi më thërret dhe më tregon se në fletore, që mos ta merrnin vesh nxënësit e tjerë më kishte vënë notën 9-të, ndërsa në regjistër 10-të.
Po ku ju thërriti mësuesi?
Në mbledhjen e këshillit të mësuesve dhe aty nuk kishte asnjë njeri. Aty mësuesi me tha se nuk i kisha plotësuar të gjitha ushtrimet ndaj më kishte vendosur 9-të.
Pastaj më tha që kishte një hall dhe të shkoja në shtëpinë e tij në orën 5-të ose 6-të të mësimit. Më tha që të merrja dhe çantën e shkollës se do të më ndihmonte edhe tek anglishtja. Unë u thashë se nuk mund të shkoja sepse nuk mund të merrja leje tek mësuesja e biologjisë se i kisha marrë dhe më përpara leje. I thashë se mund të shkoja në orën e 6-të të mësimit për 20 minuta, se më shumë nuk kisha kohë.
Dhe kur shkuat ju tek shtëpia e mësuesit?
Orën e 5-të të mësimit nuk ika se kisha biologji dhe kam ikur orën e 6-të, lashë orën e fizkulturës. Ai ishte në shtëpi dhe unë e thirra. Shtëpia e mësuesit është rreth 500 metra larg shkollës. Doli dhe më futi brenda dhe më uli tek dhoma e ndenjes. Ai iku nga dhoma tjetër, mori një kokërr mollë dhe diçka tjetër që unë nuk e di se çfarë ishte, se unë nuk e hapa. Mora vetëm mollën dhe pastaj mbylli derën. Pastaj erdhi dhe u ulë përballë meje. Nxora provimin dhe më tha se a e di pse të kam bërë lëshime? Që të mësoj më shumë herën tjetër, i përgjigjem. Por ndonjë gjë tjetër nuk mendon, më tha. Ngaqë je bukuroshe, ndaj dhe të kam toleruar. Pasi më tha këto, më ka puthur dy herë me zor dhe deshi të më hapte trikon. Unë bërtita dhe në këtë kohë mora babain në telefon.
E çfarë i the babait?
Nga frika babin e kam gënjyer dhe i kam i kam thënë a të iki me djalin e xhaxhit në Rrëshen, por po qaja. Babai më pyeste pse po qaja, por unë nuk i tregoja se çfarë kishte ndodhur se kisha frikë. Aty afër meje, në një karrige ishin disa gjëra të tij. Nuk i mbaj mend të gjitha, por di që kur kam marrë çantën me u larguar, telefoni i tij ra në tokë. Teksa ai u ul të merrte ato gjërat, unë jam ngritur dhe kam ikur me vrap.
Ike vetë apo të la mësuesi të ikësh?
Ika vetë, por mësuesi më tha nëse të tregoja çfarë kishte ndodhur, do të më vriste mua dhe familjen time. Kam hapur derën dhe kam ikur me vrap. Në rrugë kam takuar shoqen time dhe të dyja kemi ardhë në shtëpi.
Po pse pranove të ikje në shtëpinë e mësuesit, kishe qenë dhe herë të tjera?
Po kemi qenë një herë, por jo unë e vetme. Kemi qenë si klasë për të ndihmuar për të mbajtur ca bidona. Nuk kam qenë vetëm unë. Ngaqë më tha se ka nevojë për të pastruar shtëpinë, shkova.
Ju nuk dyshuat për asgjë, cila ishte sjellja e mësuesit me ju?
Jo për asgjë. Madje dhe në orën e veprimtarisë ai fliste për gjëra që ne na dukeshin si përralla. Nuk kam kuptuar asgjë.
Për sa ndodhi kujt i tregove fillimisht?
Sapo u takova me shoqen time ia tregova të gjithën asaj se ç’më kishte bërë mësues Deda. Pastaj mamit, e cila i tha babit. Pastaj në shtëpi erdhën dhe ca kushërinjtë tanë dhe në darkë kam shkuar në polici për të bërë denoncim, pasi mësuesi nuk pranoi të ballafaqohej me babin.
Të ka parë njeri që ke hyrë tek shtëpia e mësues Dedës?
Po. Unë kam dëshmitarë për këtë.
E kë ke?
Përveç dy shoqeve të mia që më kanë parë të shkoj në shtëpinë e tij, unë kam dëshmitare dhe mësuese Dava Brozin.
Dhe kjo mësuese ju pa të shkonit tek shtëpia e mësuesit?
Jo. Mësuese Davës i tregova që do të shkoja tek shtëpia e mësues Dedës. Të premten kisha biologji dhe unë shkova për t’i kërkuar leje. I thashë se doja të lija mësimin sepse mësues Deda më ka kërkuar të shkoj tek shtëpia e tij për ta ndihmuar dhe se do të më ndihmonte me konsultimet. Mësuesja nuk më dha leje dhe unë kam ikur nga ora e 6-të e shkollës.
A do të shkoni në shkollë?
Nuk shkoj më në shkollë. Nuk dua sepse kalamajtë e shkollës do ma bëjnë me gisht. Tre muaj e fundit më duken si 5 vjet. Nuk mund të shkoj më në shkollë. Për mua e dinë tani të gjithë. Ajo që unë them është e vërtetë. Nuk di se çdo të ndodhë më. Do të rri në shtëpi.
Mësuesja kujdestare: Elsa nuk më ka treguara asgjë
E ndërsa Gjon Vorfi kërcënon se do të vrasë mësuesin që ka guxuar të prekë vajzën e tij, edhe Davë Brozi nuk beson të ketë ndodhur një histori kaq e tmerrshme për të. Mësuesja kujdestare e klasave kolektive, nga klasa e 5-të deri në të 9-ën, thotë se nuk beson kurrsesi që Dedë Gjini të ketë ftuar apo dhe tentuar të kryej veprime të turpshme më nxënësen e tij.
Dava ka rreth 7 vjet që jep mësim në një shkollë me mësues Dedën, e deri më tani nuk ka dyshuar qoftë dhe për problemin më të vogël. Mësues Deda njihet si i rreptë e tepër korrekt në shkollë.
Por përveç se sjelljes korrekte të mësuesit të anglishtes, Dava Brozi të thotë se nuk është në dijeni të vajtjes së vajzës në shtëpinë e Dedë Gjinit. “Nuk është aspak e vërtetë që unë isha në dijeni se vajza do të shkonte në shtëpinë e mësuesit të anglishtes. Po ta dija, sigurisht që nuk do e lija. Është e vërtetë që vajza më ka kërkuar leje orën e pestë me argumentimin se duhet të shkonte në shtëpi se nuk kishte babin aty. Megjithëse unë i dija hallet që ka familja, nuk i dhashë leje. Kemi mbaruar mësimin dhe unë kam përcjellë të gjithë nxënësit sepse atë ditë me mua kishin orën e fundit të mësimit”, të thotë mësuesja kujdestare.
Dava tregon se vajza është nxënësja më e mirë e shkollës. Në klasën e saj, me 4 nxënës, ajo është më e shkëlqyer, qoftë në mësime, po ashtu dhe në sjellje. Por nga ana tjetër mësuese Dava thotë se po kaq e pabesueshme për të, e për mbarë fshatin, është dhe që Dedë Gjoni të ketë kryer veprime kaq të turpshme më fëmijën. Deda është banorë i fshatit dhe për 40 vjet ai ka dhënë mësim në këtë shkollë. Për banorët e fshati Gziq historia është më shumë tronditëse se sa shtëpia e Gjon Vorfit. I gjithë fshati është në mbrojtje të mësuesit, i cili për policinë e Rrëshenit nuk ka pranuar të ketë prekur vajzës apo dhe ta ketë ftuar në shtëpinë e tij. Sipas burimeve të policisë, për mësues Dedë Gjinin, e gjitha është një histori e trilluar që duket se ka tronditur fort moralin e banorëve të fshati Gziq të Rrëshenit.