Historia e vërtetë e vjedhjes së thesarit të Shkodrës

0
67

Botuar në gazeta TEMA më 4 janar 2006

Pesë vetë grabitën 5 milionë dollarë

Pse është lënë në harresë vjedhja e bujshme?

Vjedhja më e madhe në Ballkan ndodhi pikërisht tri ditë pas hapjes së depove të armatimit në muajin e trazuar mars të vitit 1997. Kështu, më 16 mars të këtij viti të mbrapshtë, e pikërisht në orët e pasdites, në kryeqendrën veriore të vendit, Shkodër do të vidheshin në vleftë, jo 2.8 (aq sa llogaritej në
milionë dollarë nga ekspertët vlefta e arit të Kërrabës), por plot 5 milionë dollarë sipas kursit të
këmbimit të atëhershëm. E jo nëpër tunele të maskuar malesh, por mu në qendër të qytetit.

Si u vodh thesari i Veriut?

Vetën tri ditë pas hapjes si me komandë të depove të armëve në mbarë vendin, në pasditen e 16 marsit 1997, një autoveturë do të përshkonte qetë-qetë shëtitoren e “Piacës” dhe do të ndalonte në krahun e majtë të godinës së prefekturës së Shkodrës, pikërisht në vendin ku edhe ndodhej thesari i Veriut. Sapo ishin djegur e shkrumbuar institucionet kryesore të shtetit, si kudo, madje edhe banka dhe arka e kursimit së bashku me banesat e 12 familjeve që ndodheshin në katin e dytë të tyre.

Si kudo edhe në Shkodër as që ndihej era e shtetit. Breshëritë e panumërta të kallashëve dhe të armëve të tjera të çdo kalibri ishin bërë refreni i imponuar dhe i pandryshueshëm i këtij qyteti duke vrarë e plagosur çdo ditë…

Në të tilla kushte anarshie totale, por edhe ideale për këto “aksione”, grupi prej pesë personash të armatosur dhe pa dyshim i mirinformuar rreth faktit se banka ishte lënë në mëshirë të fatit filloi menjëherë nga puna pa u trazuar nga askush për hapjen e portës së hekurt të degës së Thesarit të Veriut. Do të mjaftonte një krik metalik për hapjen e saj si dhe të derës së kasafortës së murosur, e cila ndodhej brenda, për të gllabëruar pa lënë gjurmë dhe pa bujë plot 6 miliardë lekë (të vjetra) ose rreth 5 milionë dollarë, sipas kursit të atëhershëm të valutës. Tufat me kartëmonedha pesëqindëshe dhe njëmijëshe fluturuan nga kasaforta e thesarit, kurse ato dyqindëshet nuk do të begeniseshin nga rrëmbyesit duke mbetur të paprekura.

Me siguri nuk kanë pasur kohë të mereshin me “vogëlsira” përpara asaj shume kolosale. Në këtë mënyrë autovetura me “xhentëlmenët” e pafjalë por punëshumë, pasi ngarkoi thasët me miliarda, u largua e paprekur dhe e pashqetësuar nga vendi I “aksionit” duke lënë mbrapa një ndër ditët më të tmerrshme të financave shqiptare. Kështu, në mënyrë krejt të qetë dhe të paimagjinueshme u krye supervjedhja e Thesarit të Veriut në mes të qytetit të Shkodrës.

Mospërfillje e paimagjinueshme

Kaluan ditë, javë, muaj e tashmë edhe vite por askujt nuk i ra ndër mend ndodhia e mësipërme, paradoks ky I kushtëzuar mbase edhe me vetë situatën kaotike të kohës… Të mos harrojmë se në atë periudhë u pat
ndërprerë për disa muaj edhe shtypi i shkruar, ndërkohë që mediat vizive private ende nuk kishin startuar. Sakaq, çdo ditë merreshin vesh krime nga më të ndryshmet si pasojë e paralizimit të plotë të
shtetit, të cilit tashmë as që i ndihej më era.

Njerëzit bënin roje gjatë gjithë netëve për të ruajtuar shtëpitë. Në këtë mënyrë, halli i gjithsecilit bëri që vjedhja spektakolare e thesarit të Veriut të eklipsohej. Ndërsa sot, pas kaq e kaq kohësh, vijon e njëjta situatë, e njëjta shpërfillje dhe harresë për vjedhjen e madhe. Madje në kushtet e këtij indiferentizmi dhe shpërfilljeje qytetare të pashoq nuk do të ishte çudi që edhe vetë ata që e kryen këtë vjedhje për t’u pasur zili, por që sot vijojnë të jetojnë (një pjesë u vranë gjatë traziravenë periudhën 1997-98), të pyesin veten: “Ore, vërtet e kemi vjedhur ne thesarin e Veriut, apo kemi qenë në ëndërr?!” Sepse meqenëse askush nuk kujtohet as të flasë për këtë ngjarje të bujshme e cila, të paktën në Shkodër dihet mirë, mund edhe të mos ketë ndodhur fare(!)…

Por jo. Kujtesa e “kavalierëve” freskohet menjëherë teksa shohin rreth vetes, tashmë të zgjuar nga gjumi,
komoditetin e shfrenuar të cilin e gëzojnë si pasojë e 16 marsit 1997. Dhe natyrisht, së bashku me ata që I instruktuan me saktësi atë ditë dhe që vetë qëndruan në hije…

ARBEN LAGRETA